Coronavirusi, ky mallkim, apo… ky bekim i marrë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ndoshta ende nuk bie shumë në sy, por Tirana ka filluar të futet në karantinë. Më pak trafik në rrugë dhe më pak njerëz lëvizin në trotuare. Kafenetë, vendi më i preferuar tanimë presin shumë më pak klientë.  Përkundër zakonit tonë popullor për t’u kapur për qafe, tanimë njerëzit kanë filluar të mbajnë distancë nga njëri-tjetri. Kështu më ndodhi dhe më një mik i cili sa më pa më zgjat dorën, ndërsa unë duke kujtuar për një të qindtën e sekondës këshillat e OBSH së i fsheha pas kurrizit, duke u justifikuar se edhe Erdogani që është burrë shteti nuk ia dha dorën ambasadorit të Shqipërisë i cili kishte shkuar për t’i dorëzuar kredencialet e duke i përmendur atë llafin e keq “korovavirisi”.

-Ec e të të jap një kafe 700 lekëshe se qenke ngritur mahmuth sot, – më tha miku im, duke e kaluar lehtshëm “fyerjen” që i bëra, duke mos i shtrënguar dorën e për ta puthur katër herë në faqe, dy herë majtas e dy herë djathtas.

Mirëpo unë i kam marrë me seriozitet këshillat e OBSH-së që na faniten si fanti-spathi në çdo ekran. Ndaj iu luta që edhe kafenë, pavarësisht nga çmimi, nuk e doja në filxhan, ku kishin futur buzët e hundët gjithfarë albanezësh, të cilët nuk linin rast pa kaluar gardhin për të shkuar andej nga Breshia a Milano. Ai shkoi vetë te banaku dhe erdhi me gotat plastike në tavolinë.

-Duket që paske fjetur përmbys sot, – më tha, me të njëjtën buzëqeshje në fytyrë, gjë që tregonte se nuk ishte merakosur fare nga bllokada që po i bëja për ta mbajtur në një distancë sa më të largët.

-Kam ndjekur lajmet,  – i them, – hap pas hapi. Coronavirusi qenka një mallkim i madh.

Ai rrufit kafenë dhe në fytyrë iu shfaq vetkënaqësia.

-Që të them të vërtetën, për mua coronavirusi është shpëtim. Shyqyr që na erdhi. Të isha lutur e nuk do më dilte një shans i tillë.

Shqeva sytë. Epo humor në ditë të vështirë… Nejse, ndryshojnë dhe karakteret. Ka nga ata që edhe tragjedinë e marrin me humor, ka dhe si puna ime, që i shohin  gjërat më tragjikisht nga sa duhet.

-Që thua ti, – nisi shpjegimin ai pa më lënë kohë të aludoj e të pyes, – më ka gjetur belaja me gruan. Domethënë, se mos vetëm mua… Blen gjithfarë gjërash online.  Aty e ka mendjen ditë e natë. Mirë që nuk na vjen buka me DHL. Problemi është se të gjitha sendet kanë stampën “Made in China”. Jemi bërë në shtëpi si “Tregu i Medresesë”. Para ca kohësh m’u bë ferr, donte të bënim një xhiro andej nga Shangai. Kishte përgatitur dhe një listë sa unë të gjatë me gjithfarë sendesh qo do blinim. Mall sa të duash. Edhe lirë fare. Mund të porosisnim edhe një kontejner aty te Porti. E ndjeva veten ngushtë dhe u dorëzova. Preva dhe biletat që para vitit të ri me mendimin që nga marsi, sa të çelte dhe sythi, ta merrnin shtruar rrugën e Kinës. Gruaja kishte saktësuar se çfarë do blinim në tregun kinez, rroba për dimër e verë, kozmetikë, parfume, celular “Xiaomi” USB, prefëse thonjsh, erashka…

Lexo edhe :  Berisha: Brenda 16 muajve qeverisja e PD do të godasë të gjitha organizatat kriminale

-Domethënë, do t’i lësh punët e zyrës e ke vendosur të hapësh dyqan? – pyes unë pa të keq.

-Nardo, sa net pa gjumë ke vëlla?!  – tund kokën ai. – Këto që po të them janë për përdorim familjar, t’i fusim në gardërobë. Të gjitha. Po qe se na i nxë sigurisht.

-Allah, allah, -psherëtiva unë.

-Mirëpo “plasi në Kuçovë”, – vazhdoi ai. –  Tani rashë rehat, biletat i anulova. Në djall të vinin. Dhe besoj se nuk do të ketë më blerje online. Ja që coronavirusi e ka dhe një anë të mirë.

-Në “Wuhan” jo në Kuçovë, – e ndreqa unë.

Ai tundi kokën mendueshëm.

-Të kanë bërë keq lajmet, – më tha dhe më këshilloi: – Më mirë shiko filma.

I dërgoj një mesazh gruas. “Kemi blerë gjë online ndonjë mall kinez”. Përgjigja nuk vonon: “Nuk merremi me kinezërira. Pse ç’u bëmë ne” U lehtësova. Tek e fundit malli i lirë shet shtëpinë. Jo se dhe në vitet e arta të socialismit mall kinez kishim, por na dukej ca më i mirë, o ngaqë ishin vërtet të mira, ose ngaqë nuk kishim parë më shumë se aq. Ekspansioni i viteve të fundit  i tregut kinez nëpër Europë na bëri dhe ne shqiptarëve me një “Chinatown”. Mikut tim i jap haberin që më transmetoi gruaja: ne si familje nuk blinim mallra kineze, ndaj gëzimin e tij nuk mund ta përligjte duke na futur të gjithëve në një thes. Tek e fundit unë kisha motrën prej vitesh në Amerikë dhe gruaja ime kishte motrën e saj prej shumë vitesh në Itali.

-Fli i qetë , – më tha ai. – Të gjitha mallrat vijnë nga Kina. Edhe koronën na e bënë dhuratë.

U çuam. Në mendje më vërtiteshin fjalët e tij. Krimbi s’po më linte. Sapo shkoj në shtëpi nxjerr nga sirtarët një nga kapelat e setit me stampën USA që ma ka a sjellë dhuratë nipi nga Amerika, e që e mbaja në kokë gjithë krenari si të isha pjesëtar i forcave DELTA. Në etiketën e brendshme që s’e kishim vënë re kurrë më parë shkruhej “Made in China”. Kulmi.  Më erdhi ta grisja. Atë çast u bëra gati t’i kthej dhe një mesazh vënçe gruas, por u përmbajta. “Flasim kur të vish në shtëpi”, fola me vete, i bindur se po të bëja inventarin e kontrabufesë edhe gotat, filxhanët e çajit e xhezvet e kafesë kishin ndonjë stampë kineze të cilat i kishim nënvleftësuar më parë.

 

 

 

Të fundit

‘Gëzuar përvjetorin!’ Presidenti Trump dhe Melania, 20 vite martesë

Donald Trump dhe Melania Knauss festojnë 20 vjetorin e martesës së tyre, e cila u kurorëzua më 22 janar...

“Basha me parti të re”, gazetari zbulon lajmin: Është regjistruar në Gjykatë

Lulzim Basha do të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit nën logon e partisë së re “Demokratët euroatlantikë””. Lajmin e ka dhënë në...

“Vendosmëri absolute për ndryshim”, Këlliçi takohet me diasporën shqiptare në Nju Jork

Drejtuesi politik i PD për Tiranën Belind Këlliçi, ka publikuar në Facebook pamje nga takimet e tij me shqiptarët në Bronx, Nju Jork, SHBA. Këlliçi...

Diaspora/ Analisti: Të rinjtë sjellin ndryshim, ja cilat parti favorizohen prej tyre

Analisti Mentor Nazarko ka theksuar se personalizimi i votës në zgjedhjet e ardhshme mund të kufizojë ndikimin e kryetarëve të partive dhe të sjellë...

Livia flet për historinë e ‘tradhtisë’ së Mevlanit: Jam penduar…

Konkurrentja e Big Brother VIP4, Livia, ka folur për ish-partnerin e saj, Mevlanin, historia e të cilëve nisi që nga programi “Për’puthen”. Në një bisedë...

Lajme të tjera

Web TV