Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë deri në mbarimin e luftës do marrin vetëm gjysmën e rrogës.
“Unë doja që qysh në planin A të impononim heqjen e diçkaje nga vetja, për të gjithë ata që sot fitojnë më shumë, si biznes i madh apo kanë një pagë të lartë, në sektorin publik. Por më bindën se ky mund të perceptohej gabimisht, si një mesazh i gabuar dhe të hynte pastaj në ato gojët pa perimetër të ekraneve, nga ku të dilte si arsye se shteti s’ka para për të paguar rroga e pensione”, tha Kryeministri Edi Rama, teksa tregoi planin ekonomik për tu përballur në luftë me COVID-19 që ka prekur të gjithë botën.
Prandaj, bëri të ditur ai, nuk do të prekim, hëpërhë, asnjë pagë tjetër përveç pagave të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët deri në mbarimin e luftës do marrin vetëm gjysmën e rrogës.
“Nuk duam të krijojmë asnjë keqkuptim, duke përgjysmuar pagën e Presidentit të Republikës (të cilit haka e do që t’i bëj një falenderim publik, për faktin se qysh se kemi hyrë në këtë luftë, po ndihmon si e sa mundet), apo pagat e drejtuesve të lartë të institucioneve të pavarura. Në këtë fazë është në dorën e tyre ta bëjnë ose jo të njëjtën gjë”, u shpreh Kryeministri.