Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur kritikëve lidhur me videon mbi koronavirusin, të publikuar pasditen e sotme, se ajo ishte bërë në Algjeri dhe jo në Spanjë siç pretendoi në fillim kreu i qeverisë.
Rama ka shpjeguar se ia kishte dërguar një shok nga Italia ndërsa ka kërkuar ndjesë mbi keqkuptimin që është krijuar.
Kjo është videoja ku Rama pretendonte se si policia spanjolle po disiplinonte qytetarët për të qëndruar në shtëpi në mënyrë që të parandalonin përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.
? Videon e postuar diku më parë, ku shkruhet se ka ndodhur në Spanjë, ma dërgoi një mik shqiptar nga Italia, i cili padiskutim ashtu e dinte dhe i dëshpëruar me ca pamje sot paradite në tregjet e Tiranës, më shkruante “Shikoje ç’bën policia në Spanjë”!
E postova jo pa qëllim pas mesazhit tim të sotëm, ku ju thashë hapur se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga forcat e rendit dhe tani mora vesh që qenkan pamje nga Algjeria!
Ndjesë sinqerisht për pasaktësinë e paqëllimshme, që paska frymëzuar edhe një deklaratë gjithë akuza e budallallëqe të Partisë Demokratike! Rashë edhe unë njëherë viktimë e “qytetarit dixhital”??
Por, duke qenë se as “qytetari” në fjalë, as unë dhe as shumica dërrmuese e juaja që ka komentuar pozitivisht në atë postim, nuk kemi pasur hallin e vendit të ngjarjes, po kemi hallin e madh të nevojës për reagimin e domosdoshëm me zero tolerancë kundër atyre që na rrezikojnë të gjithëve, me sjelljen e tyre të papërgjegjshme, postimi nuk do të lëvizë nga vendi dhe mesazhit të tij i qëndroj 100% natyrisht!