Sytë e kuq mendohet të jenë një shenjë që tregon se një pacient mund të jetë prekur me koronavirus.
Ky konstatim vjen nga një infermiere, e cila ka qenë në vijat e para të pandemisë. Chelsey Earnest, e cila punon në Qendrën e Kujdesit të Jetës në Kirkland, Uashington pretendon se sytë e kuq mund të tregojë se dikush është i infektuar, transmeton CNN.“Kjo është diçka që kam parë tek të gjithë pacientët”, tha Earnest. “Ata kanë, si… sy alergji”.
Earnest tha se edhe kolegët e saj që punuan së bashku në një spital në Uashington e kanë pikasur simptomën e çuditshme. “Unë madje kam parë që mjeku kryesor thoshte: “A i kanë sytë e kuq”? Dhe unë i thosha po. Dhe ai do vazhdonte: “Do të të gjej një shtrat për të”, u shpreh Earnest.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve paralajmërojnë për simptoma të tilla si ethe, kollë të thatë dhe gulçim, por sytë e kuq nuk përmenden aspak.
Ndërkaq, Akademia Amerikane e Oftalmologjisë ka paralajmëruar anëtarët e saj se ka të dhëna se koronavirusi shoqërohet me konjunktivit, që mund të shkaktojë skuqje të syve.
Përveç skuqjes së syve, së fundmi u gjet nga studiuesit që edhe humbja e shijes dhe nuhatjes mund të jenë shenja paralajmëruese se mund të jeni prekur nga koroanvirusi.