Presidenti Ilir Meta gjatë një intervistë të dhënë mëngjesin e sotëm për emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus u pyet edhe për situatën politike në Kosovë, veçanërisht pas mocionit të votuar dje në Kuvendin e Kosovës.
Për Metën situata e krijuar nga pandemia e coronavirusit duhet të jetë prioriteti numër një për të gjithë udhëheqësit e Kosovës, të cilët duhet të mendojnë se si do të japin një zgjidhje “Pro Kosovë” dhe jo “anti-Kurti”.
“Nuk do dëshiroja të ndërhy në çështjet e brendshme të Kosovës, pasi ky shtet ka udhëheqësit, institucionet dhe Kushtetutën e tij.
Për mua dhe për të gjithë ne është e rëndësishme të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe vullneti i qytetarëve të saj.
Padyshim që pandemia e coronavirusit ka krijuar një situatë shqetësuese, jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri, por kudo ku ata ndodhen në rajon.
Unë dje kam patur një bisedë telefonike me Kryetarin e Komunës së Tuzit, z.Nik Gjeloshaj, për shkak se ne këtë rajon deri mbrëmë rezultonin mbi 20 shqiptarë të infektuar. Po sot mora një tjetër lajm shqetësues, që po kaq të prekur kanë rezultuar edhe gjatë ditës së sotme.
Gjithashtu në Kosovë kemi vënë re që ndonëse para 10 ditësh nuk ka asnjë qytetar të prekur, aktualisht përhapja e pandemisë ka marrë ritme shumë shqetësuese.
Kështu që mendoj se përballimi i situatës së krijuar nga kjo pandemi duhet të jetë prioriteti numër një për të gjithë udhëheqësit e Kosovës, të cilët duhet të mendojnë se si do të japin një zgjidhje “Pro Kosovë” dhe jo “anti-Kurti”, deklaroi Meta.
Me votat e LDK-së dhe partive opozitare, në Kuvend u rrëzua dje qeveria e drejtuar nga Albin Kurti. Vetëm 50 ditë në pushtet arriti të qëndronte koalicioni i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
-Rrëzoi Qeverinë, Isa Mustafa kujtohet për koronavirusin: Ministrat të punojnë