Njëri qëndron në këmbë duke parë nga Jeruzalemi, tjetri është gjunjëzuar me fytyrën në drejtim të Mekës. Dy botë kundërshtare për dekada, por të bashkuara tani nga pandemia që ka prekur sot mbarë botën.
Protagonistë të kësaj skene janë Abraham Minc dhe Zoher Abu Xhama, 2 mjekë të “Magen David Adom”, shërbimit izraelit të urgjencës. Ata janë përjetësuar në këtë foto, duke u lutur bashkë gjatë një momenti kur nuk kanë ndonjë urgjencë.
Ndërsa për ta kjo nuk është ndonjë gjë e re, për shumë njerëz shihet si një simbol shprese, që vjen në një nga momentet më të errëta të historisë njerëzore. “Ne përpiqemi të lutemi bashkë, në vend se secili të kryejë veçmas ritet e fesë së tij. Aktualisht, kemi shumë raste urgjente me të cilat duhet të merremi”- u shpreh Minc në një intervistë për “The Neë York Times”.
Me mbi 3600 raste të konfirmuara, dhe një duzinë të vdekurish, emrgjenca e shkaktuar nga koronavirusi, ka filluar të ndihet edhe në Izrael. Telefonatat e qytetarëve, që kërkonin ndihmë nga shërbimi i urgjencës, mbërritën deri edhe 100 mijë në ditë në ditët e pikut:10 herë më shumë se sa normalja.
“E gjithë bota po lufton kundër koronavirusit. Kjo është një sëmundje, që nuk bën asnjë dallim midis feve apo ndonjë gjëje tjetër. Ndaj ne i lëmë mënjanë dallimet. Punojmë bashkë, jetojmë bashkë. Kjo është jeta jonë”- shtoi Abu Xhama.
Fotoja e shkrepur në qytetin jugor të Be’er Sheva nga njëri prej kolegëve të tyre, u publikua
në fillim në Facebook dhe Instagram nga “Mburoja e Kuqe e Davidit”, e shoqëruar me mesazhin:”Një foto e bukur, që tregon se si bashkohen izraelitët në një moment krize. Jemi të lumtur që ky imazh i fuqishëm, ka frymëzuar njerëzit në të gjithë botën në këtë periudhë të vështirë”. /S.T/ Fjala.al