Deri në 350 euro testi, oferta e spitaleve private ngre dilema etike dhe ligjore

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje
Një ofertë e Spitalit Amerikan për t’u përfshirë në procesin e testimeve për COVID-19 shihet me dyshim nga ekspertët e shëndetit publik në Shqipëri, të cilët theksojnë se legjislacioni shqiptar i detyron spitalet që të ofrojnë falas testimet dhe kurën për të sëmurët –pavarësisht nëse janë publikë apo privatë.

Në skenarët e dobët të filmave hollivudianë që kanë si subjekt fundin e botës, ata që shpëtojnë janë kryesisht të pasurit – të cilët arrijnë të blejnë një biletë në ‘Arkën e Noes’ si dhe një grup i vogël njerëzish të aftë dhe të kualifikuar, që kanë si qëllim ta rindërtojnë shoqërinë nga e para.

Por pas një oferte të bërë publike nga drejtuesi i Spitalit Amerikan në Tiranë për të bërë teste për koronavirusin e ri COVID-19, me një kosto nga 150 euro deri në 350 euro –  të barabartë me pagën mujore të një punëtori shqiptar, trillimet e filmave duket se po i ofrohen realitetit dhe situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga pandemia në Shqipëri.

Oferta e Spitalit Amerikan, e bërë publike në një dalje televizive nga drejtuesi i tij, Klodian Allajbeu dhe mjekja e laboratorit, Albana Daka, ka ngritur shqetësime mes drejtuesve të shëndetit publik në Shqipëri, pasi  legjislacioni shqiptar shprehet qartë se diagnoza dhe kura për të sëmurët nga një sëmundje epidemike duhet të ofrohet pa diskriminim dhe falas, pavarësisht nëse institucioni që e ofron është publik apo privat.

“Duhet të zbatohet fort ligji dhe të ndihmohen qytetarët falas për sëmundjet infektive sipas ligjit,” tha Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Ndërkohë, mjeku i sëmundjeve infektive, Pëllumb Pipero nënvizoi se decentralizimi i kontrollit mbi epideminë mund të krijonte konfuzion.

“Shteti është ai që ka përgjegjësinë për shëndetin publik, jo privati,”tha Pipero. “Privati nuk e bën dot hetimin epidemiologjik dhe as e ka për detyrë,” shtoi ai, duke theksuar se edhe nëse vendosej të bëheshin testime në privat, ato duhej të kryheshin nën “kontrollin apo monitorimin” e Institutit të Shëndetit Publik.

I pyetur nga BIRN, drejtori i Spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu tha në një bisedë telefonike se ligji nuk kishte asnjë dispozitë që të pengonte ofrimin e testeve në treg për ata që donin t’i bënin me pagesë, por shtoi se ende nuk ishte përcaktuar se si do të procedohej në këtë rast.

“Nëse do kërkohej nga Ministria e Shëndetësisë, Spitali Amerikan do i ofronte testet falas,” pranoi Allajbeu, ndërsa shtoi se do të prisnin dhe do zbatonin “strategjinë e ministrisë” dhe nëse kishte nevojë për hetim epidemiologjik, kjo do duhej të kryhej nga Instituti i Shëndetit Publik.

Lexo edhe :  Dashnor Sula: Rama merr 75 mandate. LaCivita e ka kuptuar çfarë është PD, prandaj iku

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN mbi ligjshmërinë e ofertës së Spitalit Amerikan.

Ligji sanksionon që testet janë falas

Ligji shqiptar për “Për parandalimin e sëmundjeve e epidemike”, i miratuar në vitin 2016 e ndalon mundësinë për të komercializuar dignostifikimin dhe kurimin e sëmundjeve epidemike.

Neni 4 i ligjit “Për parandalimin e sëmundjeve e epidemike” ndalon diskriminimin midis pacientëve, ndërsa në pikën “ç” për të mos lënë hapësirë abuzimi, sanksionon se “parandalimi dhe luftimi  i  sëmundjeve  infektive  me  karakter  epidemik…, ofrohet falas për çdo person”. Ligji e përsërit këtë detyrim edhe dy herë të tjera.

“Çdo  person  i  sëmurë  nga  sëmundjet  infektive  me  karakter  epidemik  ka  të  drejtën  dhe  detyrimin të mjekohet falas në çdo institucion shëndetësor publik apo jopublik,” thuhet më tej në ligj.

Po ashtu në nenin që përcakton financimin, bëhet e qartë se ndërsa barra ishte mbi buxhetin e shtetit, edhe “institucionet jopublike marrin masa që, me financat e tyre, të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.”

I pyetur nga BIRN rreth parashikimeve ligjore, Allajbeu tha se nuk ishte në dijeni që ligji kërkonte që testimet të ishin falas.

“Unë nuk e di që ligji të thotë që shërbimi do jetë falas,” tha ai, ndërsa shtoi se juristë e spitalit i kishin shpjeguar se shërbimi falas nuk përfshinte testimin. Allejbeu megjithatë shtoi se nuk ishte i sigurt se si do të procedohej më tutje, pasi pritej vendimmarrje nga qeveria dhe strategjia që do të ndiqej në vijim.

Ai nënvizoi se spitali nuk kishte ndonjë fitim financiar nga testet, në krahasim me shërbimet e tjera dhe se nëse do të kërkohej nga qeveria, “testet do të bëheshin falas”.

“Varet nga strategjia që ata do të zgjedhin,” tha ai, duke përmendur si mundësi edhe rimbursimin nga buxheti i shtetit.

Ndryshe nga Allajbeu, specialistë e shëndetit publik i thanë BIRN se epidemia nuk mund të mbahej nën kontroll duke komercializuar testet dhe shmangur metodologjinë që përdorej nga ISHP.

Pipero shpjegoi se kishte arsye pse testet bëheshin në këtë mënyrë dhe pse kontrolli i tyre ishte i centralizuar, për të mundësuar një gjurmim më të mirë të rasteve dhe për të ndaluar përhapjen.

Edhe Bino i tha BIRN se edhe pse mund të kishte persona që mund dhe do të paguanin për të bërë një test, kjo nuk ishte mënyra se si parashikohej në ligj të funksiononte sistemi.

“Kjo nuk është zgjidhje për personin, zgjidhja është sa e ndihmon shëndetin publik,” përfundoi Bino.

*Marrë me shkurtime nga BIRN

Të fundit

Horoskopi i ditës së sotme, e mërkurë, 7 maj 2025

Nga Paolo Fox Dashi Ditë energjike dhe pozitive. Yjet favorizojnë iniciativat e reja, por kini kujdes nga impulsiviteti që mund të...

Ndeshja nuk mbaron kurrë! Interi nuk vdes kurrë, barazon në minutën e fundit

Përballja mes Interit dhe Barcelonës në gjysmëfinalen e Champions League duket sikur nuk do mbarojë asnjëherë. Pas spektaklit në ndeshjen e parë në Katalonjë,...

‘Buf kënete’, ‘çyryk’, Rama komenton gjuhën në fushatë: Epo, mua më mbetet satira!

Kryeministri Edi Rama flet në Report Tv edhe për tonet e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, etiketimin e Sali Berishës si buf...

Schmidt në OKB: Bosnja, në krizën më të thellë që nga Marrëveshja e Dejtonit

Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, duke paraqitur raportin gjashtëmujor para Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi situatën në Bosnje,...

“Këta të PS dalin natën me makina të huaja”, Gjin Gjoni: Janë njerëz të armatosur

Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni ishte i ftuar në Ditarin e mbrëmjes në A2 CNN me Loneta Progni ku...

Lajme të tjera

Web TV