Ditët e fundit po tërheq gjithënjë e më shumë vëmendje blerja e materialeve mjekësore në Turqi, ndërkohë që BE ka ndaluar shitjet, apo testet që po vijnë falas nga Kina. Kryeministri Edi Rama do të përsëriste disa herë në fillim të luftës me COVID-19 se Shqipëria ishte vetëm në këtë situatë dhe se miqtë nuk e ndihmonin dot.
E megjithatë, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka qenë e kujdesshme që vazhdimisht të bëjë pubike ndihmën që po i jepet vendit tonë në këtë moment kritik.
Së fundmi bëhet me dije se USAID po koordinohet me OBSH-në për ndihmën që po i jepet Shqipërisë kryesisht në furnizimin e laboratorëve me pajisje testimi, për rritjen e mundësive të zbulimit të rasteve pozitive dhe të gjurmimit të kontakteve të rasteve, si dhe për masa të tjera.
Ambasada bën me dije se gjatë 20 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë investuar në Shqipëri mbi 51.8 milionë dollarë në fushën e shëndetësisë, dhe mbi 693 milionë dollarë në total.
Reagimi i plotë
Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përmes USAID/Albania, po bashkërendon me Organizatën Botërore të Shëndetësisë ndihmën për autoritetet shqiptare të shëndetësisë në luftën kundër pandemisë COVID-19. USAID po ndihmon Shqipërinë për furnizimin e laboratorëve me pajisje testimi, për rritjen e mundësive të zbulimit të rasteve pozitive dhe të gjurmimit të kontakteve të rasteve, si dhe për masa të tjera. Kjo ndihmë ofrohet në vijim të një partneriteti prej dekadash. Gjatë 20 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë investuar në Shqipëri mbi 51.8 milionë dollarë në fushën e shëndetësisë, dhe mbi 693 milionë dollarë në total.