Ndërron jetë në moshën 80-vjeçare aktori shkodran i humorit, Gëzim Kruja, pas disa problemeve shëndetësore. Ai u shua paraditen e sotme, ndërsa lajmi është konfirmuar nga familjarët. Gjendja e tij ka qenë e rënduar, ndërsa kohët e fundit e kishte të pamundur të fliste për shkak të sëmundjes.
Gëzim Kruja lindur në qytetin e Shkodrës më 1939, filloi karrierën humoristike që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me Estradën amatore i nisi në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me Estradën profesioniste të Shkodrës.
Gëzim Kruja mbaroi në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër. Shkroi 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit.
Në vitin 2004 mori titullin “Krenaria e Qytetit”. Ndërsa në vitin 2005 mori titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.