Nga Patrick Wintour “The Guardian”
“Andrà tutto bene”, gjithçka do të shkojë mire, na kanë mësuar italianët që të mendojmë këto kohë. Por në fakt, a do të jetë nesër më mirë? Mund të duket e parakohshme, në mesin e asaj që Emanuel Makron e ka përshkruar si “një luftë kundër një armiku të padukshëm”, që të analizosh pasojat politike dhe ekonomike të një paqeje që duket ende e largët.
Gjithsesi, udhëheqësit botërorë, diplomatët dhe analistët e gjeopolitikës, e dinë që po jetojnë nëpër një periudhë ndryshimesh epokale. Ideologjitë konkurruese, blloqet e pushtetit, lidershipet dhe sistemet e kohezionit social, janë duke u vënë në provë para opinionit botëror.
Tashmë të gjithë në “fshatin global”, kanë nisur të nxjerrin mësime. Në Francë, Makron ka parashikuar se kjo periudhë do të na mësojë shumë. “Shumë siguri dhe bindje të deritanishme do të zhduken. Shumë gjëra, që ne i mendonim të pamundura po ndodhin” – thotë ai, ndërsa premton se do të ndëmarrë investime të mëdha në shëndetësi.
Në Gjermani, ish-ministri i jashtëm i Partisë Socialdemokrate, Sigmar Gabriel, është ankuar se “ne shpërfillëm shtetin kombëtar për 30 vjet”, teksa parashikon se brezi i ardhshëm do të jetë më pak naiv në raport me globalizimin. Henri Kisinger, sekretari amerikan i shtetit në presidencën e Riçard Niksonit, thotë se udhëheqësit duhet të përgatiten tani për të kaluar në një rend botëror post-koronavirusit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka deklaruar:”Marrëdhënia midis fuqive më të mëdha, nuk ka qenë kurrë kaq jofunksionale se sa sot. Covid-19, po tregon në mënyrë dramatike se duhet të bashkohemi, ose mund të mposhtemi”.
Në Britani, ky debat ka qenë relativisht i fshehtë. Ka pasur shpesh paralele me vitin 1945. Por nuk ka ende shumë diskutime për një politikë të re. Ndoshta i rraskapitur nga Brexit, ky vend nuk ka luksin të përballojë më shumë reflektime të thella dhe trazira.
Në Evropë, SHBA dhe Azi, debati është zgjeruar. Në diskutim është gjithçka:dilema midis një ekonomie në krizë dhe shëndetit publik, virtytet relative të sistemeve të centralizuara apo të rajonalizuara shëndetësore, brishtësitë e ekspozuara të globalizmit, e ardhmja e BE-së, populizmi, apo avantazhi i dukshëm i autoritarizmit në disa aspekte.
Duket sikur pandemia është shndërruar në një garë për udhëheqjen globale, dhe do të jenë vendet që reagojnë më efektivisht ndaj krizës, ato që do ta fitojnë atë. Grupi i Krizave, një think-tank i njohur, vlerëson se virusi do të ndryshojë përgjithmonë politikën ndërkombëtare. “Tani për tani, ne dallojmë dy narrativa konkurruese. E para që vendet duhet të bashkohen për të mposhtur më shpejt Covid-19, dhe e dyta që ato duhet të qëndrojnë larg njëra-tjetrës, në mënyrë që të mbrohen më mirë nga pandemia”- thekson ai.
Shumë analistë, po pretendojnë se Lindja e ka fituar tashmë garën e narrativave konkurruese. Filozofi koreano-jugor Bjung-Çul Han, ka argumentuar në një ese të botuar në gazetën spanjolle “El Pais”, se fitimtarët janë shtetet aziatike si Japonia, Koreja, Kina, Hong Kongu, Tajvani apo Singapori që kanë një mentalitet autoritar, që rrjedh nga kulturat e tyre të bazuara tek Konfucianizmi.
“Njerëzit janë më pak rebelë, dhe më të bindur se sa në Evropë. Ata i besojnë më shumë shtetit. Jeta e përditshme është shumë më e organizuar. Mbi të gjitha, për të përballuar virusin aziatikët janë të angazhuar shumë për mbikëqyrjen dixhitale. Epidemitë në Azi, luftohen jo vetëm nga virologët dhe epidemiologët, por edhe shkencëtarët e kompjuterave”- shprehet ai.
Ai parashikon:”Kina do të jetë tashmë në gjendje ta propagasndojë shtetin e saj policor dixhital, si një model suksesi kundër pandemisë. Kina do të reklamojë edhe më me krenari epërsinë e sistemit të saj”. Han pretendon gjithashtu se votuesit perëndimorë, të joshur nga siguria dhe komuniteti, dhe mund të jenë të gatshëm t’i sakrifikojnë liritë që kanë aktualisht.
Edhe teoricieni i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, Stefën Uollt mendon se Kina mund të ketë sukses. Në shkrimin e tij të fundit në ‘Foreign Policy’ ai sugjeron:”Koronavirusi, do të përshpejtojë ndryshimin e balancës së pushtetit dhe ndikimit nga Perëndimi në Lindje. Koreja e Jugut dhe Singapori, kanë treeguar një reagim më të mirë, ndërsa Kina bëri mirë pas gabimeve të saj fillestare. Ndërkohë reagimi i qeverive në Evropë dhe SHBA ka qenë shumë i ngathët, dhe ka të ngjarë që ta dobësojë fuqinë e markës perëndimore”.
Humbësi më i madh në Perëndim, rrezikon që të jetë BE.
Disa nga kritikët më të fortë të Brukselit këto javët e fundit kanë qenë pro-evropianët. Nikol Gnesoto, nënkryetare e Institutit Zjak Delor thotë:“Mungesa e përgatitjeve nga BE, pafuqia dhe ndrojtja e saj janë befasuese. Sigurisht, shëndetësia nuk është pjesë e kompetencës së saj, por unioni nuk është pa mjete apo pa përgjegjësi”.
Instikti i parë ishte mbyllja e kufijve, dhe mbajtja për vete e pajisjeve mjekësore. Italia, vendi më i goditur nga pandemia, u ndje e braktisur. Hendeku u zgjerua në një betejë të shëmtuar midis Evropës Veriore dhe asaj Jugore, mbi kushtet e borxhit të përbashkët.
Por pozicioni i BE-së nuk është i pashpresë. Jozep Borrel, kreu i politikës së jashtme të BE-së, u shpreh në një artikull të shkruar së fundmi se “pas një faze të parë të divergjencës së vendimeve kombëtare, tani po hyjmë në një fazë të konvergjencës, në të cilën BE-ja ka një rol qëndror”. “Tashmë është e qartë, se e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo krizë, është të jemi bashkë”- thekson Borrel. Ai mund të ketë të drejtë. Por shumë sfida janë përpara, dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë.
S.T