‘Future Nostalgia’ ka arritur në vend të parë këtë javë në klasifikimin e albumeve më të mira muzikore në Britaninë e Madhe. Albumi i dytë i Dua Lipës u ngjit në krye të klasifikimit pasi u mposht një javë më parë, gjatë debutimit, nga albumi 5 Seconds of Summer, të cilët shitën vetëm 600 kopje më shumë.
‘Future Nostalgia’ është ngjitur nga vendi i dytë në të parin, duke u bërë albumi i parë i këngëtares me origjinë shqiptare që arrin këtë sukses në Britani. Albumi i parë i saj, i publikuar në 2017-ën, u ngjit deri në vend të tretë, por që i mjaftoi këngëtares për të hyrë fuqishëm në tregun muzikor britanik dhe ndërkombëtar.
Tre këngë të albumit të ri ndodhen në 10 këngët më të dëgjuara të momentit në Britani: “Don’t Start Now” në vend të dytë, “Physical” në vend të tretë dhe “Break My Heart” në vend të gjashtë.