Petraq Papajorgji – profesor, Canadian Institute of Technology
Proçesi normal akademik, ashtu si gjithë proçeset ekonomike, kulturore e shoqërore të vendit, është ndërprerë nga pandemia Covid19. Sistemi arsimor në vend u gjend para një ngjarje traumatike dhe të pa parashikuar. Java e parë pas ndërprejes së mësimit kaloi duke u menduar se sa do të zgjasë kjo situatë dhe çfarë do të bëhët me mësimin. Ishte e qartë se, nuk dihej as me afërsi se kur do të mund të rifillonte proçesi normal nëpër institucionet arsimore të vendit. Përgjigja ndaj këtij problemi ka qenë pak a shumë kaotike se na zuri në befasi të plotë. Disa institucione kishin filluar në një farë mënyre të mendonin që më parë për përdorimin e një sistemi të “Distance Learning” (Mësimdhënie në Distance). Shumë të tjerë filluan të kërkojnë me urgjencë një zgjidhje cilado qoftë ajo. Për herë të parë në shkallë masive në vendin tonë filloi, si padashur, një qasje e re e mësimdhënies.
Vlen te theksohet fakti se nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë (MASR) erdhi udhëzimi për zhvillimin e proçesit akademik online, duke e lënë në diskrecion të institucioneve të arsimit të lartë përcaktimin e platformës bashkë me menaxhimin e pjesës teknike dhe logjistike të zhvillimit të këtij proçesi. Kjo e shoqëruar gjithashtu edhe me pjesën proçeduriale akademike të zhvillimit të mësimit (leksione, seminare, praktika, laboratorë etj), vleresimin e studentëve si dhe monitorimin e mbarëvajtjes së proçesit në tërësi.
Në këto kushte, menduam të bëjmë një sondazh shkencor për të vlerësuar mendimet e studentëve dhe të pedagogëve lidhur me këtë qasje te re dhe nëse rezultatet do të ishin bindes, të mund t’i ofronim MASR ndonjë këshillë të bazuar në të dhëna statistikore. Si metodë anketimi u përdor teknologjia “Mind Genomics” ose “Algjebra e Mëndjes”, e përdorur me shumë sukses në fushën e marketingut. Kjo teknologji përdor modele statistikore komplekse, përsa i përket data minig dhe clustering. Më konkretisht, teknologjia në fjalë përdor një grup teknikash shumëfaktoriale çka mundëson një analizë të thelluar të të dhënave në kampione të mëdha. Kësisoj ajo arrin që të zbulojë modele të rëndësishme të sjelljes së studentëve dhe të pedagogëve lidhur me Mësimdhënien në Distancë.
U vendos që fokusi i anketës të ishin këto bloqe: Efektiviteti, Interaktiviteti, Fizibiliteti dhe Perspektiva e metodës të mësimdhënies online. U intervistuan mbi dy mijë studentë dhe disa qindra pedagogë në disa universitete të vendit në IAL publike dhe private në dy programe studimi (Bachelor dhe Master). Ndër të dhënat e mbledhura nga studentë e pedagogë janë: mosha, gjinia, si dhe një nga tre arsyet e përdorimit të metodës së mësimdhënies në distancë/linjë, që janë: mësim i shpejtë duke përdorur tutoriale, mëson në çdo kohë e në çdo vend si dhe mëson duke qenë në punë.
Rezultatet tregojnë se në përgjithësi, 38% e studentëve kanë predispozicion pozitiv në kushte të mungesës së çdo informacioni mbi këtë çështje. Duke vlerësuar rëndësinë statistikore blloqet renditen si më poshtë: Perspektiva, Efektiviteti, Interaktiviteti, dhe në fund Fizibiliteti. Kjo tregon se perspektiva e përdorimit të kësaj qasjeje është e rëndësishme për studentët dhe pedagogët. Kështu, 48% e pjesëmarrësve kanë zgjedhur si arsye të përdorimit të qasjes “mëson në çdo kohë e në çdo vend”, 27% arsyen “mësim i shpejtë duke përdorur tutoriale” dhe 25% “mëson duke qenë në punë”.
Elementi i studimit që u vlerësua me shumë nga studentët e pedagogët është “Mësimdhënia online shtyn studentët të jenë më racionalë”. Kuptohet që studenti, larg pedagogut, e larg kontrollit vizual të këtij të fundit, është i detyruar të zgjidhë një sërë problemesh vetë; shkak ky që vështirëson situatën e studentit duke e detyruar atë të punojë më shumë. Mundet që ky problem të dekurajojë një pjesë të studentëve për pjesëmarrje aktive në mësim.
Një element tjetër në studim ishte edhe krahasimi i vështirësisë së përdorimit të platformave të mësimit online me ato të mediave sociale si Facebook, Instagram, etj. Dihet që këto të fundit janë kompani të mëdha me fonde disa miliarda dollarë që jo vetëm përdorin teknologjinë më të përparuar por edhe zhvillojnë teknologji të reja. U vu re se studentët nuk dallonin ndryshime në këtë aspekt, ndërsa për pedagogët e moshave të avancuara, mbi 50 vjeç, ky është një problem. Ndërsa e parë në këndvështrimin gjinor, femrat nuk shohin ndryshim midis përdorimit të platformave të facebook, etj dhe atyre të mësimdhënies në linjë; përkundrazi për meshkujt ky është një problem prezent. Krahasimi i mësimdhënies online me atë tradicionale nuk shfaqet si problem për studentët por është problem për pedagogët e moshave mbi 50 vjeç. Edhe çështja që mësimdhënia online është një qasje individuale e të mësuarit bëhet problematike vetëm me rritjen e moshës së pedagogëve.
Si përfundim, nga këndvështrimi teknik mund të themi se sistemet e ardhshme të mësimdhënies në linjë, duhet të jenë sa më afër qasjes “ballë për ballë” me pedagogun; të jenë interaktive e të mundësojnë komunikimin jo vetëm midis studentëve e pedagogëve por edhe ndërmjet studentëve, si në klasat tradicionale.
Një problem i rëndesishëm që del nga studimi është se si do të veprohet për zbatimin e kësaj qasjeje të re në sistemin e edukimit në vend. Vendet Europiane tashmë kanë konceptuar dhe implementuar sisteme mjaft komplekse. A do të importohen nga jashtë apo do të zhvillohen në vend platformat telematike të mësimdhënies? Të dy zgjidhjet kanë avantazhe dhe disavantazhe. Importimi i një sistemi të huaj detyron një filozofi mësimdhënieje që është e konceptuar për një vend tjetër e mund të mos i përshtatet mentalitetit shqiptar. Krahasimisht zhvillimi i një teknologjie të tillë do të kërkonte kohë e njerëz të kualifikuar, por do të hapte gjithashtu një degë të re të IT-së me përmasa të konsiderueshme. Po kështu duhet marrë parasysh që kjo qasje e re mësimdhenieje do të kërkojë një drejtim të centralizuar nga MASR përsa i përket standarteve telematike institucionale. Proçesi i akreditimit institucional sot kërkon plotësimin e një sërë kriteresh lidhur me numrin e studenteve, si: hapesira në m3 për studim e shërbim, aktivitete rekreative, etj. të cilat respektohen me rigorozitet nga institucionet e arsimit të lartë. Ndaj, e njejta praktikë e përkthyer në shifra duhet të vlerësohet e projektohet nga çdo IAL edhe në funksion të aspektit telematik.
Për më tepër BE (nëpërmjet MSA-së së vitit 2012) ka ndërmarrë një sërë vendimesh e masash lidhur me proçesin e punës dhe mësimdhënies në distancë e kërkon që këto standarte të zbatohen edhe nga vendet kandidate duke i vlerësuar ato me impakt të gjerë ekonomik e social. Me këtë llogjikë Ligji per Aresimin e Larte ne Republiken e Shqiperise Nr. 80/2015 “PËR ARSIMIN E LARTË DHE KËRKIMIN. SHKENCOR NË INSTITUCIONET E. ARSIMIT TË LARTË NË REPUBLIKËN E SHQIPERISE, parashikon në nenin 24 pika c të kreut IV-të edhe formën e mësimdhënies online, por nuk parashikohet ndonjë akt nënligjor për zbatimin e kësaj forme dhe as se çfarë standartesh duhen plotësuar. Të gjithë këto probleme duhen analizuar me kujdes nga MASR për të vënë në rrugë të mbarë një proçes të ri që sapo e kemi filluar.
Rekomandimi i fundit i yni për MASR lidhet me faktin që në proçesin e diskutimit të kësaj vendim-marrjeje të perfshihen të gjithë aktorë-faktorët e sistemit publik ose jo të cilët mund të ndajnë ekspertizën bashkëkohore si në drejtim teknologjik, ashtu edhe në atë didaktik dhe administrativ.