Që nga 8 Marsi kur u zbulua pacienti i parë e deri më 19 prill kur sëmundja vijon të shtrihet në territorin e vendit, cili është bilanci i “luftës” me pandeminë e Covid-19 që na ka ndryshuar jetën. Me 562 të infektuar dhe 26 të vdekur, a është gati vendi që të nisë rihapjen e jetës? Si do të menaxhohen pasojat e mëdha në ekonomi me humbjet e vendeve të punës dhe falimentimin e bizneseve?
Nga Blerina Gjoka
E hënë, 9 Mars 2020. Tirana dhe e gjithë Shqipëria u gdhi nën një vel ankthi. Personi i parë i infektuar me virusin Covid-19 ishte konfirmuar një natë më parë dhe pamjet që vinin nga Italia fqinje, prej dhe nga erdhi sëmundja, e kishin bërë punën e vet duke përgatitur shqiptarët për atë që i priste. Epidemia e coronavirusit, që kish nisur në Kinë në Dhjetor 2019 dhe po merrte mijëra jetë njerëzish me shpejtësi në Itali dhe vende të tjera të Europës, kishte mbërritur në shtëpinë tonë. Vetëm një ditë më pas qeveria mbylli të gjitha shkollat në territorin e vendit dhe kërkoi nga qytetarët që të zbatonin masat e higjenës me larje duarsh dhe ruajtjen e distancës nga njëri-tjetri. Ditë pas dite masat nisën të bëheshin më të rrepta duke mbyllur baret e restorantet dhe çdo biznes tjetër përveç ushqimoreve, furrave të bukës dhe farmacitë. Jeta që kishim njohur deri në atë moment nuk do të ekzistonte më. Pranvera do të gjente më shumë se 2 milionë shqiptarë në shtëpitë e tyre para ekranit të televizorit duke numëruar çdo darkë të infektuarit e të vdekurit. Por për fat të mirë skenari italian nuk u përsërit në vendin tonë; në vend të makinave të ushtrisë me arkivole që shiheshin në Bergamo, këtu pamë pushtetarët me qese ushqimesh nëpër familjet e varfëra. Dhe këto familje shtohen çdo ditë. Për shkak të pandemisë dhe mbylljes së bizneseve mijëra shqiptarë kanë humbur punën. Por tani kur kanë kaluar 40 ditë nga fillimi i izolimit të vendit rihapja e vendit dhe e ekonomisë ka nisur gradualisht. Fundjava që lamë pas ishte e para pas 4 fundjavash që u lejua pjesërisht lëvizja e njerëzve, të shtunën pensionistët dhe të dielën nënat me fëmijë. Por masat e rrepta për lëvizjen e njerëzve në rrugë me fasha oraresh, mbyllja e bareve e restoranteve, mbyllja e shkollave, trasportit publik dhe izolimi i qyteteve nga njëri-tjetri vijojnë. Gjithsesi jeta po i kthehet gradualisht normalitetit me hapjen e shumë bizneseve të tjera dhe lejimin e qarkullimit dhe një farë shprese po çel bashkë me uljen e numrit të të infektuarëve dhe mungesën e viktimave të reja që prej disa ditëve.
A mund të shpresojmë tek statistikat?
Megjithëse shumë besojnë se për shkak të numrit të vogël të testeve në Shqipëri nuk është zbuluar numri real i të infektuarëve nga Covid-19, shifrat zyrtare janë shpresëdhënëse se pandemia në vendin tonë nuk ka marrë përmasa të frikshme dhe se në fillim të prillit ka nisur të zbutet. Prej të paktën një jave numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të infektuarëve dhe nuk janë shënuar humbje jete të tjera që prej 3 ditësh. Vetëm gjatë ditës së djeshme të paktën 14 raste të reja pozitive me COVID-19 janë konfirmuar në vend. Në daljen e zakonshme për mediat Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale bëri me dije se në 24 orët e fundit janë kryer 231 testime prej të cilëve 35 për personelin shënderësor. “Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID19 prej të cilëve një personel shëndetësor në Shkodër. Nga rastet e reja 7 i përkasin Krujës, 5 raste të Tiranë 2 raste në Shkodër. Janë testuar 5542 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 562 raste, pra 10% e të gjithë të testuarve.Kjo shifër, e komentuar nga epidemiologët, tregon për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm tesimesh për të vlerësuar situatën. Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 314. Në vendin tonë janë 222 persona të infektuar aktivë dhe numri i të shëruarve është më i lartë, dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje që prej më shumë se një jave. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Në Shërbimin Infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 42 pacientë. Ndërkohë harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Shkodër dhe Krujë” sqaroi Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.
40 ditët e përballjes me Covid-19
Sinjalet e pandemisë së sëmundjes Covid-19 që nisi në Kinë në fund të vitit që shkoi ishin dhënë para se ajo të konfirmohej edhe në territorin shqiptar. Në fund të shkurtit, kreu i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skender Brataj, njoftoi se COVID-19 do të përhapet në Shqipëri, duke u kërkuar qytetarëve që nëse dyshojnë se janë prekur të telefonojnë numrin e caktuar të Urgjencës Kombëtare 127. Ai udhëzoi të gjithë shtetasit shqiptarë që vijnë nga Kina, Singapori, Irani, Koreja e Jugut ose Italia, të telefonojnë në atë numër, në mënyrë që një grup mjekësor të mund tu kryejë atyre testimin përkatës. Po atë ditë ministria e Shëndetësisë vendosi të rrisë buxhetin e spitalit me 1 milion dollarë, për të rritur stokun e pajisjeve të mbrojtjes personale. Udhëtimet me Italinë vijonin lirshëm ndërsa të kthyerve nga qyteti fqinj u matej temperatura në kufi, një masë që nuk rezultoi efikase në parandalimin e virusit. Më 8 mars 2020 në orët e vona të natës në një konferencë për shtyp ministria e Shëndetësisë konfirmoi dy rastet e para me Koronavirus, baba e bir, të cilët kishin patur një udhëtim në Firence, dhe nga veriu i Italisë, kishin hyrë me rrugë tokësore nga Kroacia e Mali i Zi në vend. Të nesërmen qeveria ndaloi të gjitha fluturimet dhe tragetet që vinin nga zona veriore e Italisë deri më 3 prill dhe u mor vendimi për për mbylljen e shkollave fillimisht me një afat dy-javor, vendim që vijon të jetë në fuqi. Më 10 mars, të gjithë qytetarët u njoftuan për masat e reja të bllokimit. Përdorimi i makinave private dhe automjeteve të transportit ndërkombëtar u ndalua në Tiranë dhe Durrës, dhe të gjitha transportet private dhe publike u ndaluan në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnjë, Fier dhe Vlorë, me të vetmet automjete që lejoheshin të ishin ambulancat dhe automjetet me autorizim të veçantë. Mesditën e 11 marsit u shënua vdekja e parë nga coronavirusi në Shqipëri. Viktima ishte një grua 73- vjeçare nga Durrësi e cila ndërroi jetë nga komplikime vaskulare. Një ditë më vonë u njoftua se në shkallë vendi ishin kryer 145 teste për COVID-19. Të infektuar kishin rezultuar 23 vetë, 18 prej të cilëve ishin asimptomatikë. Të gjithë të infektuarit kishin patur histori udhëtimi në Itali. Po atë ditë (12 mars) kryeministri Rama njoftoi për masa shtesë të bllokimit përfshirë një shtetrrethim 72-orësh. Bankat e kufizuan orarin e punës deri në orën 13.00 ndërkohë entet fetare njoftuan pezullimin e shërbesave deri në 3 prill. Më 13 mars u vendos izolim i plotë dhe qeveria njoftoi mbylljne e qyteteve të mëdha. U bllokuan rrugët dhe qarkullimi i makinave private si dhe u urdhërua mbyllja e të gjithë bizneseve (me përjashtim të farmacive dhe dyqaneve ushqimore). Udhëtimi me det nga Greqia dhe Italia u ndalua, përveç anijeve të mallrave. Më 15 mars Ministria e Shëndetësisë njoftoi se numri i të prekurve me Koronavirus kishte shkuar në 33, pas kryerjes së 159 testeve në total. Po në atë ditë, qeveria njoftoi mbylljen e qyteteve të mëdha, përfshirë edhe Tiranën. Po atë ditë Shqipëria mbylli të gjithë kufijtë e saj tokësorë me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Institucionet arsimore u urdhëruan të përgatiten për lëvizjen e udhëzimeve në internet. Të gjitha operacionet fizike të qeverisë përveç veprimtarive thelbësore u mbyllën. Të gjitha muzetë, kinematë, teatrot dhe parqet publike u mbyllën përfundimisht. Përveç ndalimit të automjeteve private, ndalimi i transportit publik u shtri edhe në akset kombëtare Shkodër-Lezhë, Elbasan-Korçë, Lushnjë-Fier, dhe Fier-Vlorë.
Më 16 mars, Shqipëria pezulloi të gjitha fluturimet ajrore dhe u miratua një tjetër “legjislacion urgjence” i gjerë, duke specifikuar gjobat e ndryshme për shkelje të protokollit, që të ishin efektive menjëherë. Stacionet televizive u ndaluan të kishin më shumë se dy persona në të njëjtën studio. Një “Akt Normativ” i qeverisë, që ishte një ligj emergjent hyri në fuqi pa miratimin paraprak nga parlamenti. U vendos një shtetrrethim kombëtar duke ndaluar daljet pas orës 18:00 e më tej. Më pas statistikat u kthyen në “rutinë të frikshme”. Lajmëroheshin raste të reja, qytete të reja të prekur dhe më pas zinxhir infektimesh, duke sjellë një bilanc tragjik deri më tani me 562 të infektuar dhe 26 viktima.