Stërvitje në kohë karantine/ Roland Peqini bashkon virtualisht 250 persona

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Përshtatja për të mbajtur trupin në formë edhe nga karantina. Ideja e “stërvitjes online” që bashkoi me 29-vjeçarin rreth 250 persona, sportistë të të gjithë moshave.

Nga Alessia Selimi

Qytetarët e këtij vendi janë izoluar brenda shtëpive të tyre në më shumë se 5 javë, si masë për të luftuar përhapjen e pandemisë Covid-19. Kronikat e ditës përmbajnë mbi të gjitha numrin e të prekurve, që duket se rritet dita ditës. Ka nga ata që i ndjekin me kërshëri, teksa ankthi dhe frika për jetën u dikton impostimin përballë ekranit. Por, ka disa që punojnë, edhe pse në kushte shtëpie.

Roland Peqini është një ndër ta. Prej kohësh trajner individual, 29-vjeçari ka zgjedhur që në këtë periudhë të vështirë të jetë aktiv. Orët e shumta të kaluara në palestër dhe në fushë, shtrihen tanimë në ambientet e shtëpisë së tij. Stërvit rreth 250 persona online, numër aspak i ulët për një trajner të vetëm. Ky vendim i marrë në një kohë kur bota shihet e tkurrur përballë koronavirusit, ridëshmon një karakter të fortë, që jo rrallë herë është përballur me disfata.

Rolandi u detyrua të hiqte dorë nga projeksionet e një karriere të suksesshme si futbollist në një moshë të re, ndonëse cilësohej element mjaft premtues i prapavijës. Dëmtimet e shumta ndalën rrugëtimin e tij me “Nëndetësen Blu” ( Dinamo), por jo lidhjen e ngushtë shpirtërore me fushën e gjelbërt, ku merr jetë emocioni për një pasim të mirëmenduar, lojë strategjike dhe fitore të merituar. Ka provuar të luajë me Tiranën, Apolloninë, Elbasanin, Tërbunin dhe Kukësin. Rolandi ofron sot gjithçka nga vetja për t’i ardhur në ndihmë ëndrrës së përbashkët të dhjetra të rinjve, që identifikohet lehtësisht nga një numër i stampuar në një fanellë të qullët.

Ai tregon për “Fjala” se si i lindi ideja e të qenit i pranishëm në një përditshmëri tashmë të kufizuar, ashtu sikurse edhe vështirësitë. Si një ekspert i fushës së gjelbërt, komenton ndikimin që mund të ketë ndërprerja e aktivitetit tek futbollistët e Superiores. Dhe, ndalet gjithashtu edhe tek ata të rinj që ëndërrojnë t’i përgjajnë yjeve botërorë të futbollit, duke i cilësuar si mjaft të talentuar, por shpesh fillikat, pa përkrahje.

“Në fillim nisa stërvitjen në palestër me kolegen time Rudina Xhaja. Ndërkohë, fillova të stërvisja edhe fëmijë tek Akademia AP Dinamo Junior, duke marrë shtysë nga dëshira që kisha për t’u marrë me to. Përpara se të nisja këtë punë, i vendosa disa parime vetes, që kanë të bëjnë me pasionin, i cili duhet të vijë para çdo gjëje, por edhe me korrektësinë. Nuk kam dashur kurrë të përfitoj nga askush. Përkundrazi! Kam dashur gjithmonë që të tjerët të përfitojnë, në kuptimin e mirë të fjalës, nga ajo se çfarë unë di të bëj”-thotë Rolandi, duke folur fill më pas për gjenezën e asaj se çka po bën momentalisht.

“Koronavirusi na mbylli brenda, duke mos patur kështu mundësi të stërvitemi dhe të dalim në natyrë për vrap. Në të tilla kushte, e kam kapur veten për disa ditë me radhë teksa mendoja se si të bëhesha i dobishëm për shumë të rinj që në këtë situatë nuk kanë asnjë mënyrë se si të stërviten. Rrjedhimisht, vendosa të futem online në rrjetin social “Instagram” dhe të stërvitem bashkë me to”-tregon Rolandi, i cili pohon gjithashtu se i është ofruar ndihmë nga shumë faqe sportive që e vlerësuan idenë, duke i ftuar të rinjtë të stërviteshin bashkë me të.

Lexo edhe :  Balluku për marrëveshjen Shqipëri-Itali-Emiratet: Rrugë e gjatë dhe sfiduese

Një veshje sportive, një program i hartuar specifik, me qëllimin për të kontribuar në mbajtjen e trupit në formë, dhe një kamera për të dokumentuar çdo lëvizje gjymtyrësh. Iniciativë kjo e Rolandit pa kurrfarë pagese në këmbim, përpos vlerësimit që  konfirmohet nga numri i lartë i pjesëmarrësve.

“Momentalisht jemi 200-250 persona që stërvitemi 5-6 herë në javë. Mendoj se deri më tani çdo gjë po shkon mirë dhe të gjithë çunat shprehen të kënaqur për atë që po bëjmë. Sikleti i vetëm që kam është se nuk e di moshën e atyre që stërvis dhe e theksoj në çdo seancë për djemtë e vegjël që të punojnë sa më pak. Kjo më jep mundësinë të shikoj me vëmendje mënyrën se si punoj teknikisht sepse për mua është më e rëndësishme se forca në këtë punë e nuk dua kurrsesi të dëmtohet dikush”-shprehet Rolandi teksa ndalet pashmangshmërisht tek futbollistët e Superiores.

“Virusi Covid-19 na detyroi të gjithëve të bëjmë hapa mbrapa dhe të paralizohemi plotësisht. Mendoj se me fillimin e stërvitjes ekipet do të kenë nevojë për një minifazë përgatitore. Kampionati duhet të rinisë më pas, sepse koha e pushimit i ka bërë të gjithë mos të kenë ritmin e duhur. Kushdo e di se nëse e lë stërvitjen, ajo të lë akoma edhe më shumë”-thotë Rolandi.

Ai trajnon futbollistë që luajnë në Gjermani dhe Portugali, lojtarë të kombëtareve të moshave, si dhe nga shumë qytete të Shqipërisë. Megjithatë, ndjen se duhet të flasë për ata djem të panjohur, të cilët rendin pas topit, përkundrejt shpinave të kthyera.

“Kam theksuar dhe do e theksoj gjithmonë që Shqipëria ka shumë djem të rinj të talentuar, por duhet besuar tek ta dhe t’i jepet mundësia që të tregojnë se sa vlejnë, jo të hidhen sytë jashtë vendit”-shprehet Rolandi.

Ky 29-vjeçar, i cili e ka lidhur tashmë jetën e tij me sportin, beson fort se kjo është rruga e vetme për të përqafuar një jetë të shëndetshme.

“U këshilloj të gjithëve, pa dallim moshe, sidomos prindërve dhe gjyshërve, që të fillojnë të lëvizin dhe të bëjnë sport me aq sa kanë mundësi. Sa më shumë të rrimë pa lëvizur,  nga aq më shumë sëmundje do të jemi të predispozuar për t’u prekur. Aktiviteti fizik ndihmon edhe për një qasje më pozitive ndaj jetës”- thotë Rolandi.

Padyshim, duke patur parasysh se nga armiku i padukshëm, i njohur me emrin Covid-19, më të rrezikuarit janë pikërisht të moshuarit.

Të fundit

Pas pengjeve izraelite, vazhdon lirimi i të burgosurve palestinezë

Tri pengjet izraelite të mbajtur nga Hamasi në Gaza pas marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar me Izraelin tashmë janë...

Harry dhe Meghan dhe dështimi i podcastit!/ Këngëtaret që refuzuan të shfaqeshin në të

Sipërmarrja e dështuar e podkastit të Princit Harry dhe Meghan Markle u pengua pjesërisht nga të famshëm si Taylor Swift dhe Beyonce që refuzuan...

KQZ apel qytetarëve: Nëse kërkesa për regjistrim ju është refuzuar, mund të riaplikoni

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndau sot disa prej pyetjeve më të shpeshta që bëjnë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë dhe që duan të regjistrohen...

Kristian Prenga hedh në tapet amerikanin Torres pas 2 raundeve, kampion në peshat e rënda

Philadelphia, SHBA - Boksieri shqiptar Kristian Prenga është fituesi i titullit "World Heavyweight Title" për peshat e rënda. Mirditori nuk e pati të vështirë kundër amerikanit Juan...

Trump nxiton për shpëtimin e TikTok/ Rrjeti rikthehet në funksion në SHBA

‘TikTok-u’ njoftoi të dielën se po rikthehej në funksion pasi Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha se do të rikthente qasjen në këtë aplikacion...

Lajme të tjera

Web TV