Sipas urdhrit të Ministrisë së Arismit më 12 qershor do të mbahen zgjedhjet për krerët e rinj të të gjithë universiteteve në vend, por ato nuk premtojnë asgjë të re dhe po zhvillohen pa fushatë, pa garë dhe pa veting akademik. Po ashtu po u mohohet vota të gjithë studentëve. Çfarë po ndodh në Universitetin e Tiranës, ku rektori në detyrë është përplasur me KIZ-in?
Nga Blerina Gjoka/Pandemia e koronavirusit ka vënë në punë universitetet dhe qendrat shkencore në gjithë botën në analiza, studime dhe në raste ambicioze dhe në punë për të shpikur vaksinimin ndaj virusit sars-cov-2 që shkakton sëmundjen Covid-19. Por, në Shqipëri shkencëtarët dhe pedagogët tanë po harxhojnë energjitë për të realizuar zgjedhjet e reja për krerët e universiteteve. Në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore që zgjat zyrtarisht deri më 23 qershor dhe kur auditorët kanë qenë të mbyllur prej datës 9 mars, pedagogët do të rikthehen në punë më datë 12 qershor për të hedhur votën e tyre në kutitë e votimit.
Por, ky proces votimi në kushte të jashtëzakonshme ka ngritur disa problematika dhe debate.
Shqetësimi i parë është përjashtimi i studentëve nga e drejta e votës, e cila sipas ligjit për arsimin e lartë dhe kontrektisht nenit 39 të tij, ka peshën 10 për qind.
Studentët janë pushim më 12 qershor për shkak të epidemisë së koronavirusit. Ata kthehen në auditore vetëm në fund të qershorit dhe fillim të korrikut sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit. Shqetësimi i dytë lind me mungesën e garës dhe fushatës zgjedhore, që do t’u jepte mundësinë kandidatëve të shpalosnin platformat e tyre. Në kushtet e epidemisë me auditoret mbyllur gara nuk e ka plotësuar këtë kriter të rëndësishëm. Në shumicën e universiteteve rikandidojnë vetëm drejtuesit aktualë duke e kthyer procesin zgjedhor në një votëbesim. Shqetësimi i tretë është mungesa e vetingut akademik, një premtim i paketës së qeverisë në “Paktin për universitetin” që lindi si pasojë e protestave të zgjatura të studentëve në dhjetor 2018. Vetingu do të kalonte në sitë kandidatët për krerë të institucioneve për plagjiaturizëm në punimet e tyre dhe pastërtinë e figurës, por asgjë nuk është bërë në këtë drejtim. Kur të gjithë universitetet e rretheve i janë bindur urdhrit ministror dhe kanë vijuar procedurat ligjore për realizimin e këtyre zgjedhjeve në afatin e caktuar pavarësisht këtyre problematikave, në Universitetin e Tiranës ka një ngërç institucional mes rektorit dhe Komisionit Institucional të Zgjedhjeve. KIZ, edhe pse i ka mbaruar mandati, ka marrë vendimin të shpall hapjen e regjistrimit të kandidatëve për rektor e anëtar senati. Aplikimet për garën kanë nisur nga 4 prilli dhe përfundojnë me 8 maj. Nga ana tjetër rektori i UT-së, Mynyr Koni, në një deklaratë për shtyp, e konsideron veprimin e personelit akademik të paprecedentë dhe në shkelje të ligjit të arsimit të lartë dhe siguron studentët se shumë shpejt zgjedhjet do të zhvillohen të ndershme.
Kush ka të drejtë?!
Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qendrës Qytetare, një organizatë që monitoron zgjedhjet në universitete, i tha gazetës Fjala se “të dyja palët janë në shkelje ligjore”. “KIZ ka nxjerrë një vendim në kohën kur këtij komisioni i ka mbaruar mandati juridik dhe senati akademik ka shkelur rregulloren sepse nuk ka zgjedhor KIZ-in e ri dhe janë të dy palët njëri me veprim dhe tjetri me mosveprim në shkelje të ligjit”- u shpreh Xhemollari. Sipas tij, ky proces nuk ka zbatuar asnjë kriter për t’u quajtur një proces zgjedhor normal dhe për më tepër në kushtet kur u mohohet padrejtësisht vota studentëve. “Zgjedhjet janë bilanci i 4 viteve, zgjedhjet janë vizioni për 4 vite, zgjedhjet mbahen për zgjedhësit, por universitet po shkojnë drejt zgjedhjeve pa bilanc, pa vizion (platforma) dhe më e keqja pa zgjedhësit (pjesë e së cilës janë edhe studentët)”- thekson Xhemollari. Sipas tij, nuk është realizuar as procesi i vetingut akademik dhe pedagogët do të shkojnë të votojnë në një gjendje presioni, për këtë kemi shumë ankesa që vijnë në organizatën tonë, dhe pa pasur mundësinë të zgjedhin mes dy ose më shumë alternativave dhe platformave.
Luftë klanesh në UT
Koni: Shpallja e zgjedhjeve nga KIZ e paligjshme
Rektori në detyrë i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, e ka cilësuar të paligjshëm vendimin e senatit akademik të këtij universiteti për shpalljen e datave të procesit zgjedhor në këtë universitet. Ndërsa akoma nuk ka sqaruar nëse do të rikandidojë për postin që mban Koni ka lënë të kuptojë se nuk i pranon zgjedhjet sipas urdhërit të ministres së Arsimit, Besa Shahini, të cilat përjashtojnë studentët nga votimi. Në një deklaratë publikuar në faqen zyrtar e të UT-së thuhet se “në media është lançuar lajmi se në Universitetin e Tiranës do të zhvillohen zgjedhje për autoritete dhe anëtarë tëSenatit Akademik të UT, kjo bërë me dije mediave nga një grup personash, që në fakt janë ish anëtarë të KomisionitInstitucional të Zgjedhjeve (KIZ) në Universitetin e Tiranës.Sqarojmë për mediat dhe mbarë opinionin publik se veprimi i kryer nga këta persona që në fakt, janë personel akademik iUniversitetit të Tiranës, është një veprim i paprecedentë, krejtësisht në shkelje të ligjit të arsimit të lartë 80/2015, tëRregullores “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës”, tashmë tëmiratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës, dhe i publikuar edhe në faqen zyrtare të UT, ëëë.unitir.edu.al, metë cilën mund të njihet gjithkush për të kuptuar edhe më mirë shkeljet ligjore të personave në fjalë.Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni me anë të kësaj deklarate për shtyp siguron personelin akademikdhe studentët e UT se në Universitetin e Tiranës, shumë shpejt do të zhvillohen zgjedhje të ndershme, me procedura tëligjshme, me qëllim për të zgjedhur autoritete drejtuese dhe anëtarët e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës”.
Në një intervistë në televizionin Neës24 Koni theksoi se i takon atij të shpallëdatën e fillimit të procesit zgjedhor dhe atë të zgjedhjeve sipas ligjit dhe një gjë të tillë mund ta zhbëjë vetëm një urdhër i ministres së Arsimit, Besa Shahini, që mund ta shtyjë sërish këtë proces.
“Autoriteti që ka të drejtë të shpallë zgjedhjet në universitet është rektori, pra unë. Ministrja Shahini e ka përcaktuar me urdhrin e saj, por që e ndryshoi atë për shkak të pandemisë. Edhe pse afati ndryshoi urdhri i ri është që procesi zgjedhor të fillojë më 11 maj dhe dita e zgjedhjeve në UT të jetë më 12 qershor. Unë kam detyrim të shpall fillimin e procesit zgjedhor. Unë kam detyrim të bëj shpalljen, por jemi në pritje të urdhërit. Nëse ministrja nuk bën ndryshim urdhëri unë do shpall procesin zgjedhor për universitetin. Kjo është faza ligjore e procesit”,- tha Koni.
Ai më tej e cilësoi “të paligjshme tentativën e një grupi pedagogësh për t’i shpallur zgjedhjet”.
“Unë nga ana ime i’u kërkoj studentëve të jenë të vëmendshëm. Thirrje bojkoti nga ana ime nuk do të ketë”, tha Koni më tej. Në lidhje me vendimin e ministres për të rihapur për 3 javë universitetet për studentët e viteve të fundit, Koni tha se i duket i guximshëm si vendim.“Shahini guxoi në kushtet ku jemi, megjithatë unë e kam shpërndarë urdhrin e saj. Ne po bëjmë të pamundurën që viti akademik të mbyllet me sukses”.
Keta: UT po drejtohet me bajraktarizëm
Kryetarja e Komisionit Institucional Zgjedhor, KIZ në Universitetin e Tiranës, Majlinda Keta, ka sqaruar vendimin e marrë prej këtij institucioni për shpalljen e zgjedhjeve në këtë universitet. Ajo sulmoi rektorin Mynyr Koni për sjellje jo të denjë institucionale dhe për rrezikimin e procesit.
“Dita e djeshme ka qenë dita përfundimtare. Ne kemi marrë të gjitha masat për të realizuar zgjedhjet, në mënyrë të qartë dhe të drejtë. Ne kemi riskuar deri ditën e fundit. Këto zgjedhje ishin detyrim ndaj Universitetit të Tiranës. Kemi marrë përgjegjësi në emër të Universitetit të Tiranës.Rektori erdhi me një zhurmë të madhe dhe po ikën jo në një mënyrë normale. MASR po kryen të gjitha procedurat, ndërsa iu jemi përmbajtur ligjeve e normave. Punët tona shikohen nga njerëz intelektualë, që kanë jetë publike, që kanë personalitetin e tyre. Di që edhe kolegët tanë në rrethe kanë shkuar shumë mirë”, tha Keta për News24
Me akuza të drejtpërdrejta për rektorin ajo tha se universiteti të drejtohet me një bajraktarizëm dhe kjo sjellje nuk duhet lejuar më.
“Ne nuk jemi autoritete drejtuese. Ne kemi vendim kolegjial. Ne kemi qenë në vendimet tona koherent dhe në kohezion. Sa i përket pjesës që si do bëhet fushata, varet sa zgjat Covid-19. Unë di se ka një urdhër, që ne njëfarë mënyre e kemi zbatuar. Z.Koni në 4 vite nuk ka kryer ndonjëherë proces, që nga incidenti i tij në vitin 2016. Edhe në tetor ndoshta zgjedhjet mund të bëheshin, por mendoj se rektorët përfshirë edhe zotin Koni nuk kanë bërë presionin e duhur tek ministrja. Ne zakonisht vuajmë nga sindroma e njëshit.Koni nuk ka komunikuar fare me ne dhe vazhdon të bëjë luftë me akuza, që në fund të fundit ndikojnë në prestigjin e UT-së. Këtu janë në lojë UT, por jemi para syve të një publiku që na jep taksa. Çdo denigrim i UT-së, çdo prekje e demokracisë së brendshme të universitetit, është dëmtim i Universitetit të Tiranës, duke dëmtuar inteligjencën e vendit. Universiteti nuk drejtohet me bajraktarizëm. Ne jemi këtu për t’ju shërbyer studentëve. Në përcaktimin e fituesit, ka votë edhe studenti”, vlerësoi kryetarja e KIZ.