Gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë konfirmuar pozitive me koronavirus, 5 raste. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend ka shkuar në 1511.
Ndërkohë gjatë 24 orëve dy pacientë kanë humbur betejën me koronavirusin, duke çuar numrin e vdekjeve në vend në 84.
Gjithashtu Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë lajmin e mirë se 95 pacientë janë shëruar. Nga këta 95, 32 janë nga Shkupi, 38 nga Kumanova, 16 nga Prilepi, 7 në Veles dhe dy të shëruar nga Tetova. Për momentin, numri i rasteve aktive me koronavirus në Maqedoni është 482.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
“Ka ndërruar jetë një paciente 94-vjeçare nga Kumanova, e shtruar në spitalin “8 Shtatori” më 28 prill, ndërsa sot instituti regjistroi edhe një paciente 69-vjeçare nga Struga, e cili ka vdekur më 29 prill rrugës për në spitalin e Ohrit. Nga ana e Qendrës së Shëndetit Publik në Ohër i është marrë mostra pas vdekjes”
Për dallim nga statistikat e djeshme, kur në Klinikën e Sëmundjeve Infektive nuk kishte asnjë pacient të ri të shtruar, sot atje janë pranuar dy pacientë të ri. Për momentin atje janë të shtruar 39 persona, 21 prej të cilëve janë me mbështetje të oksigjenit dhe një është në ventilim mekanik.
Në spitalin “8 Shtatori” janë pranuar tre pacientë dhe tani atje janë shtrirë 23 persona. Katër janë në aparat frymëmarrjeje, ndërsa pesë të tjerët kanë pasqyrë më të rëndë klinike. Dy pacientë të ri janë shtruar në spitalin e Shtipit.
Katër pacientët mbeten për kurim në spitalin e Manastirit, ndërsa autoritetet shëndetësore vazhdojnë të monitorojnë tre persona që janë duke kaluar mjekimin e tyre në shtëpi.
Në repartet infektive në Prilep, Veles, Kumanovë, Gostivar dhe Tetovë, numri i pacientëve është zvogëluar për tre dhe tani në këto reparte të shtrirë janë 44 pacientë pozitivë ose pacientë të dyshuar për COVID- 19.”