Në kulmin e pandemisë së koronavirusit, Rusia, eksportuesi më i madh në Botë i drithit ka paralajmëruar bllokim të eksporteve të grurit, duke shkaktuar shqetësim për sigurinë ushqimore. Po Shqipëria, sa do të ndikohet nga “bllokada ruse”, në një kohë kur importon rreth 80 për qind të nevojave për grurë prej saj? A rrezikojmë të përballemi me mungesë furnizimi dhe rritje të çmimit të bukës? Prodhuesi i bukës, Avni Nela: “Ndërprerja ose kufizimi i eksporteve nga Rusia do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të bukës nga prodhuesit ”.
-Analizojnë për gazetën “Fjala”, ekspertët e ekonomisë Adrian Civici, Arben Malaj dhe kreu i Shoqatës së Importuesve të Drithërave, Adi Haxhiymeri
Nga Blerina Gjoka
Vaporët rusë me grurë që mbërrinin në Shqipëri në vitet ‘50 të shekullit të shkuar janë një kujtim i largët për brezin e tretë sot në Shqipëri, por historia po përsëritet në një kohë të re, në një sistem të ri. Gruri i vëllezërve komunistë rusë për të ushqyer një vend të vogël në Evropën Juglindore , ishte besëlidhja e komunistëve për të ndërtuar “botën e re”. Në sistemin kapitalist ku të dyja vendet u dorëzuan pa luftë në fund të viteve ’90, gruri rus, është një domosdoshmëri për sigurinë ushqimore, jo vetëm për Shqipërinë, por për shumë vende të tjera në botë. Në zinxhirin e furnizimit me mallra e shërbime Rusia vijon të ketë rolin kryesor në furnizimin me drithë të shumë vendeve dhe ky zinxhir rrezikon të shkëputet për shkak të pandemisë së koronavirusit që po kalon globi. Për herë të parë pas një dekade, Rusia ka kufizuar shitjet deri në muajin qershor për të mbrojtur furnizimin e brendshëm me grurë, si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia. Ajo ka paralajmëruar se eksportet e grurit mund të kufizohen më tej, në varësi të të korrave në Rusi këtë verë. Në këtë situatë Shqipëria duket se ndodhet e pambrojtur, pasi rreth 70-80 për qind e tregut të miellit varet nga eksporti rus, pranojnë përfaqësuesit e importuesve në vend. Kompanitë e importit në Shqipëri kanë tentuar t’i dalin para së keqes duke importuar drithë në sasi të mëdha gjatë muajit prill, por çfarë do të ndodhë pas muajit qershor?
Sa e rrezikuar është Shqipëria nga ndërprerja e furnizimit me grurë nga Rusia? A do të rritet çmimi i bukës dhe do të rrezikohet furnizimi me këtë ushqim bazë në të ardhmen e afërt? Prodhuesit e bukës janë të shqetësuar, pasi e shohin veten si hallka e fundit e zinxhirit që nis me eksportin e drithit rus në vend. “Ndërprerja ose kufizimi i eksporteve nga Rusia do të ndikojë drejtpërdrejt rritjen e çmimit të bukës nga prodhuesit e bukës”, thotë për gazetën “Fjala”, Avni Nela, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës. Këtë rrezik e pranojnë edhe ekspertët e ekonomisë, të cilët pohojnë se vendi duhet të marrë masa për t’u përballur me kriza të tilla. Prof. dr. Adrian Civici, ekspert i ekonomisë , në analizën për gazetën “Fjala” thotë se “gjatë muajit mars 2020 regjistrohet shifra më e lartë e importeve të drithërave, veçanërisht grurit. 1,5 miliardë lekë importe në mars 2020, me një rritje prej 147% krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 69% krahasuar me muajin mars 2019”. Sipas tij, “kjo situatë ka bërë që kompanitë shqiptare të importit të drithërave dhe përpunimit të tyre, veçanërisht grurit, të kenë siguruar tashmë 1,5 – 2 muaj importe stok, çka nënkupton që për një periudhë të paktën 2 – 3 mujore, nuk pritet që çmimi i miellit dhe bukës të ndikohet në tregun e brendshëm, natyrisht duke përjashtuar mundësinë e spekulimeve dhe “manovrimeve”. Kreu i Shoqatës së Importuesve të Miellit, biznesmeni Adi Haxhiymeri, pranon se situata është nën kontroll aktualisht, pasi kompanitë importuese kanë siguruar rezerva për 2-3 muaj, por shqetësimi do të shfaqet pas të korrave ruse, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e çmimit të drithit. Për Prof. Dr. Arben Malajn, ekspert i ekonomisë, kjo situatë duhet të na japë një leksion për përballimin e krizave të ardhshme. Sipas tij, shteti duhet të marrë masa që sigurinë ushqimore ta bëjë pjesë të strategjisë për sigurinë kombëtare. “Kjo është një shkëputje e njëanshme e zinxhirit të shitjeve të mallrave dhe të shërbimeve, e cila krijon kosto, pasi zgjerohet kriza e mungesës së ushqimeve në shumë vende të botës. Ky vlerësohet një risk në rritje në të ardhmen e afërt. Kështu, në këtë aspekt, është e domosdoshme që pjesë e strategjisë së sigurisë kombëtare të jetë edhe siguria me ushqime. Në këtë aspekt duhet të studiojmë me përgjegjësi se cila është sasia e rezervave 3-mujore apo 4-mujore që duhet të sigurojmë për çdo rast të një situate kritike, të krijuar nga krizat e shkëputjes së hallkave në zinxhirin global të shitjes së mallrave dhe shërbimeve. Krizat nuk duhet të na gjejnë të papërgatitur në aspektin ligjor, institucional dhe operacional”, shprehet ai në analizën e tij për gazetën “Fjala”.
Prodhuesit: Nëse s’ka import mielli, rrezikohet rritja e çmimit të bukës
Prodhuesit e bukës në Shqipëri përballen me shumë vështirësi për mbajtjen e çmimit të bukës në nivelin që është aktualisht, 80 lekë për bukën masive 1-kilogramëshe. Por, përveç vështirësive me çmimin e energjisë elektrike, taksat etj., mungesa e furnizimit me miell që mund të sjellë bllokada ruse në muajt në vijim, do të rrezikonte direkt rritjen e çmimit të bukës.
Avni Nela, një nga prodhuesit e bukës, i tha gazetës “Fjala” se “ky është një sistem zinxhir, nëse kompanitë e importit nuk arrijnë dot të importojnë nga Rusia, nga e cila marrim sot pjesën më të madhe të drithit, atëherë kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të bukës nga prodhuesit e bukës”.
“Me informacionin që kam unë, është importuar drithë për një periudhë kohe të caktuar, derisa të fillojnë të korrat e reja në Rusi. Por, në varësi të këtyre të korrave, nëse Rusia bllokon eksportet me jashtë, ku përfshihet dhe vendi ynë, atëherë lind pyetja ku do ta marrim miellin? Nga do të vijë gruri? Kjo pyetje do të shtrohet pas 15 qershorit, por kjo s’do të thotë që të mos mendojmë që tani për këtë moment”- shprehet Nela.
Ai shton se “kompanitë shqiptare të përpunimit dhe tregtimit të miellit janë të ekspozuara nga kjo situatë e, për pasojë, edhe prodhuesit e bukës”.
“Shteti duhet të marrë masa urgjente që të ulë TVSH-në e miellit, është treg shumë i shtrenjtë. Furrxhinjtë po falimentojnë me këto çmime, imagjinoni ç’mund të ndodhë nëse lënda e parë do të bëhet edhe më e shtrenjtë sa është aktualisht”, thekson Nela, duke e parë këtë sektor si të rrezikuar.
-Bllokada e grurit, Haxhiymeri: Shqipëria siguron 80 % të nevojave të saj nga Rusia
-Siguria ushqimore duhet të jetë pjesë e sigurisë kombëtare
-Si do të ndikojë në Shqipëri bllokimi i eksportit të grurit nga Rusia?!