Reagimi i anëtarit të shoqatës së prodhuesve të bukës Eduart Gjika: Jemi në kushtet e mbijetesës, çdo rritje e kostos do të reflektohet në çmim
Edhe pse nuk e kanë ndërprerë prodhimin për asnjë moment që prej shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, furrat e bukës kanë punuar dhe vijojnë të punojnë në kushtet e mbijetesës. Oraret e reduktuara, rënia e shitjeve dhe rritja e çmimit të lëndës së parë, (miellit), i kanë vënë në vështirësi prodhuesit e bukës. Furrat e bukës janë përballur me rritjen e çmimit të miellit të të gjitha llojeve që në mes të muajit mars. Rritja e produktit bazë për prodhimin e punës është “mbuluar”, nga vetë prodhuesit dhe çmimi i saj është mbajtur i pandryshuar. Një rritje e dytë e çmimit të miellit do të reflektohej drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të bukës, pasi prodhuesit e bukës pohojnë se po punojnë në kufijtë e mbijetesës. Rritja e çmimit, rënia e ndjeshme e shitjeve, oraret e kufizuara për të prodhuar e shitur i kanë vënë përballë vështirësish këto subjekte. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, Eduart Gjika, pronar i një furre buke në Laprakë, pohon se izolimi për shkak të pandemisë e ka vënë në vështirësi biznesin e tij. Gjika, i cili është edhe anëtar i shoqatës së prodhuesve të bukës, pohon se çmimi i miellit është rritur me 400 lekë për kuintal që në 15 mars. Ndërsa shitjet sipas tij rënë ndjeshëm, pasi qytetarët pas izolimit filluan ta gatuajnë bukën vetë në shtëpitë e tyre. Anëtari i shoqatës së prodhuesve të bukës kërkon masa lehtësuese, ku njëra prej tyre mund të jetë përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të furrave të bukës.
A ka ndikuar izolimi për shkak të pandemisë së COVID-19 në biznesin tuaj?
Ne kemi punuar çdo ditë. Oraret e reduktuara kanë ndikuar shumë në punën tonë. Kemi punuar me kapacitet të reduktuar, jo vetëm për shkak të kushteve të reja si pasojë e pandemisë, por edhe për shkak të rënies së shitjeve.
Prej sa vitesh e ushtroni këtë aktivitet?
Unë e kam filluar këtë aktivitet para 4 vitesh dhe kjo natyrisht ka qenë periudha më e vështirë.
Si kanë ndikuar zhvillimet e fundit në aktivitetin tuaj?
Jemi vënë përballë disa vështirësish. Kryesorja ishte reduktimi i orareve dhe kapaciteteve të prodhimit, për shkak të kushteve që u diktuan nga pandemia dhe masat që u morën për parandalimin e saj.
A ka ndryshuar çmimi i miellit gjatë kësaj periudhe?
Po. Çmimi i miellit është rritur që në datën 15 mars me 4 mijë lekë të vjetra për ton. Rritja e lëndës së parë na ka rritur kostot, por ne e kemi mbuluar vetë këtë rritje, pasi çmimi i bukës nuk ka ndryshuar. Gjithashtu, jemi përballur edhe me rënie të ndjeshme të shitjeve. Shumë klientë të mi kanë zgjedhur ta gatuajnë bukën vetë gjatë kësaj periudhe dhe nuk e blejnë më.
Ditët e fundit janë vë re disa ndryshime në tregjet ndërkombëtare. Rusi ka vendosur të bllokojë eksportin e grurit. Nëse kjo masë do të zgjasë, a pritet një rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare, çka do të pasqyrohet edhe në tregun tonë. Në rast të një rritjeje tjetër të çmimit të miellit, çfarë masash do të merrni?
Një rritje tjetër e çmimit të miellit në çfarëdo mase është e papërballueshme për t’u suportuar më nga ne. Do të jemi të detyruar të rrisim çmimin e bukës.
Çfarë masash lehtësuese mund të merrte qeveria për t’ju ardhur në ndihmë?
Masa e parë mund të ishte vendimi për shitjen e bukës vetëm në vendin ku prodhohet. Në rast se do të bëhet një inspektim, do të shihet se në çfarë kushtesh johigjienike transportohet një nga produktet bazë, buka. Transportuesit e çojnë bukën nga furrat në dyqane apo në pikat ku e shesin me furgona që nuk plotësojnë asnjë kusht për transportin e saj. Një tjetër masë lehtësuese do të ishte përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të Furrave të bukës. Prej vitit 2018 biznesi im është përfshirë në këtë skemë, dhe nxjerrja prej saj do të ishte një masë që do të ndihmonte në këtë situatë të vështirë.
Rritja e kostove na çon në faliment
Alma Koleci ka hapur një furrë buke prej 5 vitesh. Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të pandemisë COVID-19 ka vënë në vështirësi biznesin e saj. Koleci pohon se “për sa kohë vendi të jetë i mbyllur, edhe ne do të jemi në vështirësi”. “Ne prodhojmë e shesim bukë dhe ëmbëlsira. Në rast se njerëzit nuk dalin nga shtëpia, bizneset e tjera që operojnë në këtë zonë do të jenë të mbyllura, prandaj edhe ne do të kemi rënie të shitjeve, të cilat kanë nisur që në fillim, kur u morën masat shtrënguese”- thotë Koleci. Në lidhje me pritshmërinë për një rritje të mundshme të çmimit të miellit Koleci thotë se kjo tashmë ka ndodhur. “Që në mars, nuk e di saktësisht datën, por çmimi i të gjitha llojeve të miellit është rritur. Në nuk kemi rritur çmimet, as për bukën, as produktet e tjera që prodhojmë e tregtojmë, të cilat kanë bazë miellin. Në rast se rritet përsëri çmimi, nuk e di, por i bie të falimentojmë. Po operojmë në kushte shumë të vështira”- thotë Koleci. Ajo pohon se vetëm hapja e ekonomisë, rikthimi në normalitet i lëvizjes së qytetarëve, mund t’i ndihmonte ata për t’u kthyer, edhe pse me vështirësi, në kushte disi më normale.
Ministria e Bujqësisë/ Çmimi i miellit nuk ka ndryshuar, importi vijon rregullisht
Për Ministrinë Bujqësisë importi i të gjitha produkteve, përfshirë edhe miellin, vijon normalisht. Tregtia, importet dhe eksportet kanë vijuar normalisht, pavarësisht kushteve në të cilat është vënë gjithë bota për shkak të pandemisë së COVID-19. Në lidhje me “embargon” që pritet të vendosë Rusia për grurin, burime jozyrtare nga Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se gjithçka është nën kontroll. “Ne importojmë më shumë nga Ukraina dhe jo nga Rusia. Nuk kemi një shqetësim real në ketë moment. Importi ka vijuar rregullisht, sasitë e porositura kanë mbërritur, kontratat vijojnë të jenë në fuqi dhe nuk ka njoftim për ndryshime në çmime. Në varësi zhvillimeve që do të diktojë situata, e cila është shumë dinamike, do të ketë reagim apo masa konkrete në momentin e duhur, në rast se kjo do të jetë e nevojshme. Për momentin nuk ka asnjë problem, importuesit nuk kanë probleme me sasitë që kanë marrë, importi ka vijuar pa asnjë ndërprerje. Nga ana tjetër, eksportet e prodhimeve bujqësore vijojnë, madje janë rritur. Eksportet janë rritur me 20 % në muajin mars, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nuk ka pasur ndërprerje të zinxhirit të prodhimit, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën. Ndërkohë që situata po shkon drejt normalizimit, po merren masa lehtësuese për hapjen e të gjitha bizneseve dhe lëvizjen e qytetarëve”- pohojnë burimet për gazetën “Fjala”.