UT në kaos/ Dekanët i “grisin” vendimin rektorit Koni

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Fakultetet vijojnë procedurat e regjistrimit dhe refuzojnë urdhrin e rektorit Mynyr Koni për t’i ndërprerë ato, duke paraqitur kandidaturat. Ministrja e Arsimit ende e pavendosur se cilën anë duhet të mbajë. Flet ekskluzivisht për gazetën “Fjala”, profesor Ardian Doka, anëtari i “shkarkuar” i KIZ-it: Shkarkimi i kundërligjshëm, sjellja e Konit jo institucionale.

Nga Ina Allkanjari

Zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe anëtar të Senatit Akademik në Universitetin e Tiranës janë shoqëruar me përplasje të forta mes rektorit të UT-së, Mynyr Koni, Ministrisë së Arsimit dhe Komisionit Institucional Zgjedhor. Lufta e “shkresave” me shkarkime, pezullime, deklarata dhe akuza të ndërsjelta mes profesorëve për “abuzim me detyrën” dje ka marrë një tjetër kthesë. Të gjitha fakultetet dorëzuan dokumentacionin dhe emrat e kandidatëve për të zhvilluar procesin “normal” zgjedhor, ndërkohë që rektori Koni ka urdhëruar ndërprerjen e procedurave me motivacionin e pandemisë. Deri më tani emri i parë që ka dorëzuar kandidaturën për rektor të Universitetit të Tiranës është Prof. Dr. Artan Hoxha, aktualisht dekan i Fakultetit të Drejtësisë.  ndërsa për “anëtar Senati” mësohet se kanë aplikuar profesorë nga Shkencat e Natyrës, Shkencat Sociale, Gjuhët e Huaja, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë. Në KZF-të e 5 fakulteteve, konkretisht në Fakultetin e Drejtësisë, Ekonomik, Shkencat Sociale, Histori-Filologji dhe Gjuhët e Huaja vijojnë procedurat e aplikimeve për dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë. Aplikimet e kanditatëve për rektor, por edhe për anëtarët e Senatit, në Universitetin e Tiranës do të mbyllet gjatë ditës së sotme, më 8 maj, që do të kishte qenë dita e zgjedhjeve, sipas urdhrit të parë të ministers Shahini dhe në muajin kur mbaron edhe mandati i Rektorit aktual të UT, Mynyr Koni. Burime për gazetën “Fjala” konfirmojnë se padagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës janë përfshirë në procesin zgjedhor, duke aplikuar për anëtarë Senati Akademik nga personeli akademik. Një ditë më parë dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Spiro Drushku, u shpreh se është e rëndësishme që zgjedhjet të realizohen pasi të sigurohet edhe vota e studentëve. “Nuk ka shanse që të bëhen zgjedhje pa qenë të gjithë studentët në auditor. Në lidhje me këtë situatë duhet të prononcohet ministria që ka organizuar zgjedhjet. E vetmja që e mbyll konfliktin në këtë rast është ai që ka shpallur zgjedhjet. Ne as nuk inkurajojmë dhe as nuk frenojmë. Ne presim nga dita në ditë një reagim që detyrimisht duhet ta bëjë Ministria e Arsimit. Deklarata që mund të jenë emocionale të njerëzve, për mua nuk janë të bazuara ligjërisht”, u shpreh më herët Drushku. Është një situatë kaotike ku drejtuesit e Universitetit të Tiranës për të disatën herë janë në konflikt mes tyre, për sa i përket jo vetëm zgjedhjeve, por edhe për çështjet e autonomisë dhe të administrimit të fondeve. Në një situatë të tillë, i vetmi autoritet i cili do të shuante këtë “mish-mash akademik” është Ministria e Arsimit, e cila deri më tani është mjaftuar me shprehjen: “po minotorojmë situatën dhe do të vendosim në të ardhmen”.

Ministria duhet të vendoste, heshtja shtoi konfliktin

Lexo edhe :  Shqipëria pranë Kosovës/ Begaj bën thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Prishtinës

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, pas vendimit për largimin nga puna të anëtarëve të KIZ-it, i drejtoi një letër të hapur ministres së Arsimit, Besa Shahini, duke i kërkuar që të anulojë zgjedhjet që janë planifikuar në 12 qershor. Një ndër arsyet e shfaqura në letër, ku kërkohet anulimi i zgjedhjeve është fakti se studentët nuk kanë mundësi për të votuar. Koni kërkon që zgjedhjet të realizohen pas përfundimit të gjendjes së fatëkeqësisë natyrore.

“Keni urdhëruar se kur dhe se cilët studentë do të paraqiten në auditore, pra, e thënë ndryshe, keni urdhëruar se cilët studentë mund apo duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e votës, apo të drejtën për t’u zgjedhur, dhe cilët të tjerë, nuk duhet ta kenë këtë të drejtë. Në fakt, të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, studentëve ua ka dhënë ligji i arsimit të lartë 80/2015 dhe Rregullorja e Zgjedhjeve, duke i caktuar ata si një nga dy trupat zgjedhore në institucionet publike të arsimit të lartë, për të zgjedhur rektorin dhe dekanin; apo edhe përfaqësuesit e tyre në Senatin Akademik, dhe për t’i përfaqësuar denjësisht ata në këtë organ kolegjial”, shkruan Mynyr Koni.

Në letër rektori thekson se janë duke u përjashtuar mbi 15 mijë studentë të Universitetit të Tiranës nga procesi zgjedhor dhe e drejta e tyre ligjore për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Por pavarësisht se janë shkarkuar 5 përfaqësuesit e KIZ-it në fakultete po vijon procesi i aplikimit të kandidatëve. Në këtë situatë të krijuar, kur vendimi i rektorit nuk pranohet nga dekanët dhe është krijuar situata absurde, Ministria e Arsimit nuk ka dalë në vendim.

Zëvendëministri i Arsimit, Olti Rrumbullaku, në një prononcim të dy ditëve më parë për gazetën “Fjala” tha se po monitorojnë situatën dhe brenda javës do të dalim me një vendim. Nga ana tjetër, vetëm afatet ligjore dhe rregullorja e zgjedhjeve vetëm faktorin “kohë” nuk ka në favor, pasi ditën e sotme ligjërisht përfundon aplikimi për kandidatët që dëshirojnë të marrin pjesë në strukturat drejtuese në Universitetin e Tiranës. Nëse nuk aplikohet në kohë për shpalljen e kandidatëve, kjo do të fusë në kolaps të gjithë procesin zgjedhor. Në deklaratën e fundit, të dhënë për mediat në lidhje me këtë situatë, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini u shpreh se zgjedhjet në Universitetin e Tiranës mund të shtyhen, për shkak të situatës së epidemisë.

“Urdhrin për zgjedhjet këtë vit e kemi nxjerrë në janar. Pas nisjes së pandemisë bëmë një shtyrje me një muaj. Sot jemi në një situatë paqartësie. Ne duhet të marrim parasysh atë që rekomandon Ministria e Shëndetësisë. Zgjedhjet duan pjesëmarrjen e shumë studentëve që të dëgjohet zëri i tyre.  Mendoj se përgatitjet duhet t’i bëjnë universitetet që të jenë gati. Edhe nëse shtyhet data ata duhet të përgatiten që të jenë gati”, tha Shahini.

-Ardian Doka: Shkarkimi i kundërligjshëm, sjellja e Konit jo institucionale

Të fundit

“The Simpsons” parashikuan vde*kjen e Papa Françeskut dhe fundin e botës? (Video)

Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të Papa Françeskut, ka ‘ngjallur’ dhe teoritë konspirative nëpër rrjetet sociale. Së fundmi, po qarkullon...

Veliaj e gjen më në fund/ Më ka futur në burg Saliu

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia. Në këtë reagim të tijin më në fund Veliaj e ka gjetur...

A do mundet SPAK-u ta kthejë besimin tek zgjedhjet?

Nga Ben Andoni Në një logjikë, kreu i opozitës, Sali Berisha e ka gati argumentin për gjendjen “humbëse” pas përfundimit të zgjedhjeve: Na u vodhën...

Përpjekja greke për t’i bërë makjazh Sali Berishës!

Nga Ylli Pata Shkrimet tangenciale të disa mediave greke që nuk hyjnë tek ato gazeta të njohura e me traditë në Athinë, në lidhje me...

Të huajt zënë vendin e shqiptarëve të larguar!

Indiane dhe filipineze janë punësuar në Vlorë kryesisht në turizëm dhe peshkim, për shkak se në vend mungon krahu i punës. Haxhiu, është njëri...

Lajme të tjera

Web TV