10 më të pushtetshmit e PS-së

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Prej 7 vitesh në pushtet në Partinë Socialiste janë skicuar ata që vlerësohen më të pushtetshmit. Nga kryeministri Rama, Ruçi, Veliaj, Balla, Braçe, Lleshaj, Fuga, Agaçi, Ahmetaj, e te ministrja Balluku. Kush janë 10 “të fortët” e PS-së që kanë grumbulluar pushtet politik, që kanë më shumë ndikim, kulisat dhe rivalitetet, por edhe një parashikim për të ardhmen e tyre politike. Një profil-analizë nga Roland Qafoku, e ndërthurur me informacion dhe detaje që vijnë për herë të parë.

https://youtu.be/mg_7Z6G-omo

NGA ROLAND QAFOKU

Për pak javë mbushen 7 vjet nga fitorja dhe ardhja në pushtet e Partisë Socialiste. Që nga zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013 kur kjo parti mori 713 mijë vota, si dhe zgjedhjet e 25 qershorit vitit 2017 kur mori 765 mijë vota, është ravijëzuar plotësisht jo vetëm pushteti ekzekutiv i kësaj force politike, por edhe ata që janë përfaqësuesit më të pushtetshëm të këtij grupimi.

Kryetari dhe kryeministri Edi Rama është bërë në parti gjithnjë edhe më i pushtetshëm, më i fortë, më i  qëndrueshëm dhe pa asnjë rival. Beteja bëhet se kush është ai që ndodhet më pranë tij, që i shërben atij dhe më e rëndësishmja fare, kush është ai që ka besimin më të madh të tij.

Në fakt, në pushtet ka një rregull: një drejtues e shijon shumë rivalitetin mes vartësve, sepse vetëm kështu ulet ndjeshëm mundësia që ata të bëjnë komplot ndaj tij. Duket se në Partinë Socialiste ky rregull ka gjetur vend mirë. Është fakt që rivaliteti mes njerëzve më të fortë të pushtetit që janë pranë kryeministrit Edi Rama është më i madh se normalja dhe parashkimi. Përveç njërit, Gramos Ruçi.

Ai është i vetmi që qëndron i përhershëm aty, i dyti. Të tjerë, ose kanë qenë dikur dhe nuk janë më, ose nuk kanë qenë fare në start të pushtetit dhe tashmë janë “neë entry”. Nëse kjo listë do të ishte bërë në vitin 2013 – deri në 2016, pa dyshim që aty do ishte Saimir Tahiri.

Por, ai u tret sa nga ky rivalitet politik, sa nga gabimet e tij, por më shumë nga besimi i tepruar që pati te vetja. Në atë listë pa dyshim duhet të ishte edhe Fatmir Xhafaj, I cili e pati kulmin e tij si pushtetar.

Por ministri i Brendshëm u bë viktimë e komploteve të denja për skenare të dala nga shkolla e spiunëve Luftës së Ftohtë në Lindjen Komuniste.

Por, as Tahiri e as Xhafa tani nuk janë më pjesë e top 10 listës duke u zëvendësuar me të tjerë që vërtet janë pjesë e listës, por nuk e kanë kurrë fuqinë politike të tyre. Një pjesë e kësaj liste janë në një karrierë në ngjitje me antenat ngritur, që të mos u rrëshqasë këmba, si Tahiri dhe Xhafa.

Të tjerë akoma pothuajse janë të rinj, duke zbatuar rregullin e vendosur nga Rama kur tha se asnjë socialist nuk do qëndronte në ekzekutiv më shumë se 5 vjet, sigurisht përveç tij. Më poshtë kemi renditur 10 më të të pushtetshmit dhe ata që kanë më shumë ndikim në Partinë Socialiste, por edhe arsyet dhe një parashikim për të ardhmen e tyre politike.

  1. EDI RAMA

Kryeministri i 33-të në historinë e shtetit shqiptar po gëzon rekordet e tij në politikë. Edi Rama ka 22 vjet në politikë, nga të cilat 7 vjet kryeministër, 2 vjet ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe 11 vjet kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Të gjitha këto përbëjnë një bilanc që në 30 vitet e postkomunizmit askush nuk e ka. Ka qëndruar në opozitë si kryetari Partisë Socialiste vetëm dy vjet dhe shumëkush asokohe kishte nuhatjen që ato dy vite ishin thjesht pritje e sigurt se ai do vinte në pushtet.

Asnjë politikan i rangut të lartë në këto 3 dekada në Shqipëri nuk e ka bilancin e tij. As Berisha që ka qenë 5 vjet president dhe 8 vjet kryeministër, por ka qenë dhe vijon të jetë prej 17 vjetësh në opozitë. As Fatos Nano që u bë tri herë kryeminstër, por që në këtë detyrë e gjithë koha i përmblidhet vetëm në 4 vjet e gjysmë, edhe pse Partia Socialiste qëndroi 8 vjet në pushtet dhe 6 vjet në opozitë.

Pikërisht te këto 6 vite opozitë nuk duhet të harrohet se i ka qenë në burg nga 31 korriku 1993 deri më 13 mars 1997, ose për 1516 ditë burg të padrejtë si kundërshtar politik. Ndërsa Lulzim Basha duket “vocërrak” përballë Edi Ramës me bilanc. Pyetjes sime në një intervistë që i mora më 1 mars 2018, pikërisht për çelësin e këtij bilanci kaq pozitiv, Edi Rama e lidhi me dy arsye: “Çelës të veçantë nuk ka.

Një çelës ka. Besimi i kryeministrave që më dhanë mundësinë të ushtroj detyrën e ministrit, pastaj besimi i njerëzve që më kanë dhënë votën dhe më kanë bërë nderin e madh që të  jem në një pozicion t’u shërbej atyre, duke bërë me timen më të mirën që unë kam mundësi”.

Por a është reale kjo që Rama e thotë vetë për arsyen e këtij bilanci unikal në Shqipëri? Edhe mund të jetë, por e rëndësishme është ajo që vlen të theksohet se Edi Rama e ka shtuar ndjeshëm pushtetin e tij politik në PS dhe ekzekutiv. Ai është një kryeministër që nuk ndien asnjë puhizë të fryjë rreth karriges së tij brenda dhe jashtë PS-së.

Ndërsa nga viti 2013 deri më 2017 në parti kishte një Ben Blushi që e sikletoste sa herë që merrte fjalën dhe bënte opozitë nga Brenda. Tani ai është arkivuar. Zëri i Ditmir Bushatit që i kujton Edi Ramës se Partia Socialiste është e progresistëve, më shumë duket si variacion që Rama dëshiron të ketë sado pak ngjyra në parti, sesa një sikletosje alla Blushi.

Sa për zërat e vjetër që dikur i bënim gjëmën Fatos Nanos, ata janë tretur si kripa në ujë. Të fundmit e mohikanëve në PS janë strukur në skutat e padukshme të partisë dhe as nuk mendojnë se mund t’i bëjnë ndonjë kritikë Edi Ramës.

Dhe kështu ai është bërë njëshi pa rival, pa konkurrencë, pa kritikë dhe plot pushtet. Por ndërsa i janë pakësuar në minimum armiqtë, Edi Ramës i janë shtuar në maksimum servilët. Nuk besoj se në këto tri dekada një kryeminstër dhe një kryetar partie të madhe të jetë rrethuar nga kaq shumë puthadorë të neveritshëm.

Shikoni ata që shkruajnë pro tij, apo ata që dalin në ekrane dhe thonë sa i mirë dhe sa i ëmbël është kryetari, një mënyrë të shprehuri që edhe vetë Edi Ramës besoj i vjen ndot nga kjo lloj mbrojtjeje që i bëjnë ata pa asnjë turp. Në fakt, në kushtet që Edi Rama ndodhet, në PS ai nuk ka fare nevojë për mbrojtje. Sepse pushteti i tij nuk ka të krahasuar.

E shikon me dylbi edhe Fatosi që e mori Ramën nga Parisi “me thonj të paprerë”. Me dylbi e shikon edhe centrali bërthamor politik i Shqipërisë, Sali Berisha që ç’nuk ka bërë dhe bën për ta dëmtuar dhe nuk ia ka arritur dot.

Ne nuk mund të parashikojmë se ku do shkojë ky pushtet, kur do të largohet si kryemnistër dhe kur do largohet nga drejtimi i PS-së dhe nga politika. E sigurt është se të vetmin rrezik që ka në këto momente Edi Rama është vetë Edi Rama.

Ky përqendrim pushtetesh dhe vetësiguria mund ta çojë atë në largim nga pushteti ekzekutiv. E, megjithatë, çfarëdo të ndodhë, bilanci i tij do të vijojë edhe për disa kohë të jetë më i miri, duan apo nuk duan kundërshtarët politikë, apo armiq qofshin.

Pavarësisht se vetë Rama i ndan ata. Në intervistën që i mora më 1 mars 2018, Edi Rama e shpjegoi kështu endjen e tij mes kundërshtarëve dhe armiqve: “Unë kam pasur dhe kam kundërshtarë, por jo armiq.

Armiqësinë e kam parë të më shfaqet përballë, por asnjëherë nuk kam qenë i gatshëm të investohem në armiqësi. Dhe  mbase kam besuar fort me të drejtë gjithmonë te një shprehje që ma thoshte gjyshja ime e mrekullueshme kur isha i vogël: Inati është e zeza e atij që e ka. Armiqësia është forma më ekstreme e inatit”. Për këto dhe arsye të tjera Edi Rama vijon të jetë Zoti në PS.

  1. GRAMOS RUÇI

Gramoz Ruçi, Dita e Europës

I cilësuar si dyshi i përhershëm në PS, Gramos Ruçi në aspektin e jetëgjatësisë politike mund të quhet më i pushtetshëm edhe sesa edhe vetë Rama. Kryetari aktual i Kuvendit, ndonëse ka ruajtur një profil të ulët publik gjatë këtyre 7 viteve të pushtetit, duket se i ka mjaftuar vetëm puna skrupuloze aty dhe në parti. Hija e tij është e tillë që, edhe pse nuk jep intervista dhe nuk shkon nëpër studio televizive, në PS e dinë mirë të gjithë sesa peshon. Vërtet në Partinë Socialiste nuk i shkon ndër mend kujt t’i zërë vendin Edi Ramës, por nuk i shkon ndër mend as për Ruçin gjithashtu.

Duke e pyetur pikërisht për një largim të mundshëm të tij nga politika, në intervistën që i kam marrë më 14 maj 2012 vetë Ruçi tha: “E drejta që Gramos Ruçi duhet të jetë apo jo në politikë, nuk del nga gurmazi i askujt. Ka vetëm një gurmaz, elektorati shqiptar. Unë kokën time politike nuk ia lë në sini askujt, shqiptari apo ndërkombëtari qoftë ai.

Vetëm elektoratit, po”. Mjaftojnë këto fjalë dhe në PS kjo përkthehet “as gëk e as mëk”. Një largim i tij nga PS-ja dhe politika mund të ndodhë vetëm kur të dëshirojë ai. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Gramos Ruçi do jetë 70 vjeç dhe çdokush në PS e mendon edhe një tërheqje të tij. Kjo sigurisht do të ishte një mundësi e artë për këdo që ëndërron t’i zërë vendin. Çdo gjë mund të ndodhë, por “gurmazi” i çdokujt është pa vlerë përpara dëshirës së vetë Ruçit.

A do të vijojë apo do largohet ai nga politika, nuk dimë ta themi. Ajo që është e sigurt lidhet me faktin që Gramos Ruçi është pushteti i vjetër që ende vazhdon të ketë pushtet të ri në PS. Këtë nuk ia “falin” Ruçit ata që kanë milituar me të në parti në kohë të vjetra. E shikojnë me dyshim, me xhelozi dhe me inatin se si ai vijon të qëndrojë krah Edi Ramës, ai që i largoi një e nga një senatorët e PS-së.

Partia Demokratike nuk ka asnjë politikan me bilancion e Edi Ramës, por nuk rezulton të ketë një politikan as si Gramos Ruçi. Nuk e arriti këtë as Azem Hajdari që, ndonëse ishte themeluesi i PD-së, uljet dhe ngritjet e mjënuan nga politika, ndërsa kthimi në politikë u shoqërua me vrasjen makrabe, më 12 shtator 1998.

Nuk e ka arritur dot as Eduard Selami që iku në SHBA dhe pritej si shpresë. Por kur u kthye në atdhe ai solli zhgënjim në PD po e po, por deri te familja e vet. Nuk u bë dot një lloj Gramos Ruçi i PD as Jozefina Topalli që tashmë ndonëse cilësohet femra më e pushtetshme në historinë e PD, sot është një e papunë politike. Ndërsa Gramos Ruçi ka 30 vjet në politikë si i dyti i përhershëm.

Edhe në momente më të vështira, edhe kur u largua nga Shqipëria, ai u kthye pas disa muajve dhe rinisi atje ku e la. Sot pushteti i tij është i padukshëm në publik, por shumë i dukshëm në Partinë Socialiste. Në PS nëse thonë Edi Rama, menjëherë pas tij fjala shkon te Ruçi. Duket se kjo do të vijojë derisa ai dhe vetëm ai të vendosë. Sigurisht, jo nga gurmazi i të tjerëve.

  1. ERION VELIAJ

Erion Veliaj është e tashmja dhe e ardhmja e Partisë Socialiste. Si askush tjetër, ai është amalgama mes pushtetit aktual dhe atij që pritet të jetë në PS. E kishte parashikuar vetë këtë pushtet që pa u futur mirë në politikën e madhe, atëherë kur endej mes “Mjaft” -it dhe miqësisë me Edi Ramën.

Por befas në vitin 2009 krijoi “G99” dhe më pas akoma u bë pjesë e Partisë Socialiste. Në një intervistë që unë i mora më 21 mars 2009, Erion Veliaj e parashikoi fiks të ardhmen e tij politike: “Nëse PS-ja fiton zgjedhjet, Edi Rama bëhet kryeministër, ndërsa unë do të jem në vend të tij”.

Profecia e tij rezultoi e saktë; Edi Rama u bë kryeministër vetëm 4 vjet më pas nga kjo thënie dhe 6 vjet më pas Erion Veliaj u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Që nga vera e vitit 2015 Veliaj, pa diskutim, është figura kryesore e PS-së pas Gramos Ruçit dhe Edi Ramës. Por ndërsa Ruçi që është e vjetra në ikje, Veliaj është e reja në ardhje. Një ardhje që dukshëm përgatitet që një ditë të jetë premier në parti. Për 5 vjet ka grumbulluar aq shumë pushtet, sa rruga e tij në parti është shtruar me tapet të kuq. Ka fituar dy palë zgjedhje locale, duke marrë dy mandate, njeh shumë mirë strukturat në bazë e, për më tepër, interesi ndaj tij është në maksimum.

Por kjo ka pasur edhe anën tjetër, që shpesh Veliaj ka qënë në qendër të ciklionit të sulmeve. Partia Demokratike ka raste që më shumë sulmon Veliajn sesa edhe vetë Edi Ramën. Ka raste që Rama harrohet dhe Veliaj kthehet në tabelën e madhe të qitjes, ku çdokush hedh shigjetën e tij.

Afërmendsh këtu bëhen disa pyetje ku dy më kryesoret janë: Si ka mundësi që ndodh kjo? A kanë interferim sulmet e PD-së me elementë në Partinë Socialiste? Pa dyshim që po. Kjo është pjesë e përplasjeve dhe rivalitetit në këtë parti. Në fillim të vitit 2017 u duk sikur kishte një lloj lëkundjeje të pozitave të tij në parti. Në PS kishte deri zëra që nuk do të ishte më kandidat për kryetar bashkie. Ndërsa Monika Kryemadhi, më shumë se një herë deklaronte asokohe se Veliaj nuk e kishte të sigurt rikandidimin.

Situata shkoi deri aty saqë një personazh rishtar në nivelet e larta në qeveri, por i panjohur fare në PS, kishte porositur deri kostumet si kandidat në vend të Veliajt. Sigurisht që nuk besohet se këtë “skemë” e bëri Partia Demokratike. Nuk besohet as që këtë e bëri ky personazhi me kokën e vet. Shumëkush e kupton mirë se kush e ka bërë, por më shumë se kaq e gjithë kjo nënkupton se pushteti politik i Erion Veliajt shqetësoi edhe vetë Edi Ramën. Ndoshta i kujtoi atij skemën që përdori vetë, që nga bashkia të katapultohej në krye të partisë dhe dyshoi se mos edhe Veliaj po përdorte këtë. Një fiksim sa i kotë, aq edhe i panevojshëm.

Megjithatë, loja tërhiq e mos e këput vijoi në formën e udhëzimit në parti: Veliaj të vazhdojë punën i qetë, por të jetë nën kontroll. Aktualisht në PS nuk ka asnjë personazh me performancën dhe atë që bën ai. A ka kritika reale ndaj tij dhe a ka vend për ta kritikuar. Pa dyshim që po. Por pyetja e madhe është: A mund të japë Veliaj një leje, një vendim apo diçka madhore pa ok-in e Edi Ramës? Vështirë të besohet se kjo nodh. Rrjedhimisht Veliaj është duke paguar edhe faturën e pushtetit qendror. Një pushtet që ka 7 vjet që konsumohet dhe nuk shkon në përpjesëtim të drejtë me energjinë dhe punën e Veliajt.

Ai vazhdon të mos e ketë kompleksin të numërojë punët që ka bërë në rininë e tij si borëpastrues, shitës apo kamerier, ndryshe si disa që numërojnë vetëm detyrat e e dhuruara që kanë bërë në zyra me kondicioner. Por sot situata ka ndryshuar. E ardhmja e pushtetit kryesor politik në PS pritet të jetë Erion Veliaj. Veliaj është atje në krye të bashkisë dhe të gjithë e ndiejnë që një ditë do të  jetë pikërisht ai pasardhësi i Edi Ramës.

Jo vetëm se kryetari i bashkisë së Tiranës ka jo pak pushtet ekzekutiv, por rregulli i pashkruar i 20 viteve të fundit në politikën shqiptare tashmë është i tillë që kush drejton Bashkinë e Tiranës vendos kandidaturën për kryeministër. Në rastin e Veliajt ka jo pak justifikim për këtë. Transformimi i Tiranës në shumë aspekte, puna masovike e Velijat, por edhe ambiciet e tij për punë te reja e kanë bërë atë të jete një figurë e konturuar si punëtor dhe kjo i ka dhënë shumë kredite në PS dhe jo vetëm. Erion Veliaj e ka të shtruar me tapet të kuq rrugën drejt karrierës së lartë në PS.

Lexo edhe :  I shkaktoi humbje prej 9,5 milionë euro, David Beckham padit aktorin e famshëm

  1. TAULANT BALLA

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste cilësohet sot jo vetëm me post numri tre. Dukshëm, përgatitjet e tij janë një lloj exercise për të ngjtur edhe shkallë të tjera. Një prej tyre është një zëvendësimi i Gramos Ruçit në një largim të mundshëm të tij.

Në fakt, në parti Taulant Balla është realisht numri dy. Madje, aty kanë nisur ta thërrasin  Ruçi i ri i partisë. Një playmaker që bën jo vetëm detyrën e sekretarit të përgjithshëm, por edhe ato punë partiake që vetë Edi Rama nuk i bën. Një natyrë masovike, i kudogjendur në parti dhe, sidomos në bazë, bën gjëra që s’para janë në tipin e vetë Ramës, Taulant Balla di t’i bëjë shumë mirë dhe  duken si të prera enkas për të.

Në fakt, karriera e tij ka pësuar një ngritje me shpejtësinë e raketës. Pushteti politik i Taulant Ballës pas vitit 2009 pësoi një ngritje që ndoshta edhe vetë ai nuk e kishte parashikuar. I endur mes hijes së Fatos Nanos si një zbulim i tij, Balla fitoi besimin e Ramës duke punaur fort në bazë me një durim që rrallë e kishin moshatarët e tij.

Në një intervistë që unë i mora më 28 mars 2009, vetë Balla e shpjegoi më së miri atë që po ndodhte me të. Vlerësoi deri në maksimum Edi Ramën si kryetar të PS-së. Habitej me energjitë e tij dhe gati e teproi kur tha: Jam mahnitur nga puna e Ramës”, duke lënë të kuptohet se paska qenë pranë dembelëve.

Por ndoshta fraza që i ngjiti më shumë te kryetari ishte: Edi Rama dhe vetëm ai e shëroi Partinë Socialiste. Sot nuk ka vendim politik në PS që të merret pa ok e Ballës. Zëri i tij është pasues i Ramës. Ndonëse jo me elokuencën e tij, Balla duket se edhe në natyrë po modelon veten si Gramos Ruçi.

Dhe në PS thonë se në një të ardhme Erion Veliaj do të jetë kryetar i partisë, ndërsa Taulant Balla do të jetë numri dy i saj. Po a mund të bashkëjetojë politikisht një ditë çifti Veliaj-Balla? Sot kjo nuk mund të thuhet me siguri.

E sigurt është që aktualisht ata janë në rivalitet për numrin tre dhe katër për nga fuqia politike në PS. Rregullat e shkruara në Shqipëri nuk kanë funksionuar që numri 3 dhe numri 4 të bëhen një ditë numri 1 dhe nurmi 2. Por le të presim. Taulant Balla është 43 vjeç. Erion Veliaj 41. Janë shumë të rinj dhe karrierën e kanë të dy përpara.

  1. ERION BRAÇE

Është nga rastet e rralla në PS kur dikush ka pasur pushtet edhe kur nuk ka pasur detyrë qeveritare. Por Erion Braçe e ka arritur këtë me dy cilësi: me ndershmëri dhe me punë. Është nga të rrallët që nuk është përfolur në asnjë rrethanë për asnjë aferë korruptive dhe si e tillë kjo i ka dhënë vlerë morale dhe pushtet.

E ka bërë këtë edhe kur PS ka qenë në opozitë, por edhe në pushtet. Janë të shumta rastet që fjalimet dhe deklaratat e Erion Braçes ndaj kundërshtarëve politikë nuk janë bajate dhe me fjalë boshe e militante, por me fakte, argumente dhe dokumente. Madje, këtë e ka bërë edhe ndaj socialistëve kur ka qenë nevoja.

Tashmë që ka edhe detyrën e lartë të numrit dy të qeverisë, natyrisht që pushteti rreth tij është më i madh. Kundërshtarët nuk gjejnë asnjë argument për ta goditur, përveç peshës trupore, dhe kjo tregon se ai qëndron më lart se ata.

Po përse Braçe 48-vjeçar duket sikur është nga socialistët e vetëm bio që jo vetëm ka qenë prezent që nga viti 1990 në historinë e kësaj partie, por që mendohet se do të jetë edhe në të ardhmen pjesë e rëndësishme e saj.

Ka një arsye në fakt: Erion Braçe njeh shumë mirë PS-në e vjetër dhe PS-në e re. Ndërsa Gramos Ruçi vijon të simbolizojë të vjetrit në këtë parti,  Erion Braçe bën lidhjen e të vjetrës me të renë. Por Braçe ka edhe një gjë më shumë: si socialist bio ai bën lidhjen e të vjetrës me të renë, por edhe me të ardhmen.

  1. SANDËR LLESHAJ

Pa pushtet në forumet e PS, Sandër Lleshajt i majfton pushteti ekzekutiv i ministrit të Brendshëm. Një ndërthurje mes ushtarakut dhe deutsche kultur, atij i mjafton gjithashtu mënyra se si funskinon dhe mënyra se si i arrin gjërat.

Në një intervistë që i mora më 11 mars 2019, vetë Lleshaj e shpjegoi këtë: “Nga shkolla ime në Gjermani kam mësuar që një drejtues i mirë është ai që përcakton vetëm qëllimet dhe destinacionin, por nuk përcakton itinerarin se si do shkohet dhe unë i rri shumë konsekuent këtij parimi”.

Ministri i 63-të i Brendshëm në historinë e shtetit shqiptar është një njerëzit më të pushtetshëm aktualisht në mazhoracën socialiste. I vemti problem i tij është se detyra që mban është tejet delikate. Vetë grumbullon shumë pushtet dhe informacion për të gjithë, por nga krijon shumë armiqësi.

Armiqësi krijon edhe nga kundërshtarët politikë të cilët shikojnë te ministri i Brendshëm pikërisht njeriun kyç të goditjeve që marrin. Sipas rregullit të pashkruar, ministrat e Brendshëm të shtetit shqiptar kanë vetëm dy opsione: ose ngrihen shumë në karrierë, ose rrëzohen duke qenë në detyrën e ministrit.

Në këto 30 vite, mesatarasisht një ministër i Brendshëm në Shqipëri ka qëndruar në detyrë 1 vit e 1 muaj. Deri më sot Sandër Lleshaj ka 1 vit e gjysmë në këtë detyrë dhe duket se po noton në ujëra të qeta. Por duhet të kalojë shumë kohë, sepse kjo nuk i volit shumë as forumeve në PS e as drejtuesve të saj.

Saimri Tahiri qëndroi 3 vjet e gjysmë si minstër i Brendshëm, duke thyer redordin e jetëgjatësisë për tranzicionin, por u largua në një formë të palavdishme. Fatmir Xhafaj qëndroi 1 vit e 1 muaj dhe u largua me metoda aspak fair. Si do të jetë e ardhmja e Sandër Lleshajt? A do ketë ai të njëjtin fat si dy paraardhësit e  vet?

Si një njeri i hapur, vetë Lleshaj e përjashtoi ambicien për të thyer rekorde:  “Parashikime nuk bëj. Do të qëndroj deri sot. Janë një mijë faktorë të tjerë, por kam një gjë, nuk jam i lidhur me këtë post përmes ndonjë ambicjeje. Nuk kam luftuar për ta pasur këtë post. Kështu që e di të sigurt që, edhe kur ta lë, nuk do të kem asnjë lloj brejtjeje dhe brenge. Edhe marrja e kësaj detyre ka qenë pa entuziazëm, edhe largimi do të jetë pa brejtje, kurdo që të jetë.

  1. ENDRI FUGA

Edhe kundërshtarët më të flaktë tashmë kanë nisur ta kopjojnë. Eminenca gri e Edi Ramës është Endri Fuga i Kryeministrisë dhe pa dyshim një nga njerëzit më të fuqishëm politikë në pushtetin qendror të PS-së. Ai nuk është thjesht një drejtor Komunikimi, por shefi qendror i një aparati perfekt që ka krijuar një model të papërsëritshëm në këto 30 vjet.

Endri Fuga jo vetëm që menaxhon Public Relation-in e kryeministrit Edi Rama, jo vetëm që është i vetmi që “i jep urdhra Edi Ramës”, jo vetëm se çdo gjë për imazhin kalon nga dora e tij, por Fuga është një lloj ideologjie me vete në PS. Një personazh që nuk bën vetëm drejtorin e Komunikimit, por është syri, veshi dhe zëri i të gjithë qeverisë, madje i të gjithë pushtetit të Partisë Socialiste.

Kundërshtarët e sulmojnë, e urrejnë, e ç’nuk bëjnë ndaj tij, pikërisht për arsyen se Endri Fuga krijoi modelin e vet të komunikimit, por tani e ndjekin këmba-këmbës duke e kopjuar, dhe është ai që përcakton agjendën.

Që ditën e parë që iu bashkangjit Edi Ramës, Endri Fuga nisi nga puna me parimin e Barac Obamës: “Për publikun e gjerë, unë jam ai që mediat thonë se jam. Them atë çfarë thonë ato se them. Bëhem ai që ato thonë se jam bërë”.

Dhe ngriti një PR që nuk është e tepërt të themi se tashmë është kombiant. Ka krijuar një profil që është stiluar mes mes Alastair Campbell-it të Tony Blair-it dhe Anthony Scaramuci-t të Donald Trump-it, dy drejtorë të famshëm të komunikimit që kanë pasur sukses mbi parashikimet në punën e tyre.

Që të kuptoni se përse kryeminstri Edi Rama herë duket sikur sillet si Tony Blair dhe herë si Donald Trump duhet të kuptoni filozofinë e komunikiomit të Endri Fugës që mbështet te kryemnistri i dikurshëm i Britanisë dhe presidenti aktual i SHBA-së. Tony Blair-in e kopjoi shumë në mandatin e parë të PS-së në pushtet, duke qenë se e kishte edhe afër.

Janë me dhjetëra teknika të aplikuara nga Edi Rama në komunikim që ngjajnë fiks me ato të Tony Blair-it. Ndërsa Donald Trump është i preferuari i momentit të Edi Ramës. Mënyra se si Edi Rama debaton me gazetarët është pothuajse ajo që bën Donald Trump.

Mënyra se si i etiketon gazetarët Edi Rama është pothuajse e njëjtë me atë që bën Donald Trump. Në fakt këto janë teknikat drejtorit të Komunikimit, Endri Fuga, ai që vetë Rama nën zë dhe me zë e thotë: vetëm ai më urdhëron.

  1. ENGJËLL AGAÇI

Në katin e dytë të Kryeministrisë ndodhet një derë në dukje më se e zakonshme, por që rëndon më shumë se çdo zyrë tjetër e asaj administrate. Në shënimin e mbuluar me plastikë shkruhet: Sekretari i Përgjitshëm Engjëll Agaçi.

Për dikë që nuk i njeh fare skutat e politikës shqiptare, në dukje kjo është një zyrë e zakonshme dhe njeriu që është aty brenda, po ashtu. Por, në fakt, është krejt ndryshe. Në historinë e 30 viteve postkomunizëm nuk ka asnjë personazh hije të këtë rëndësinë e tij. Ka qenë në këtë detyrë fjala vjen edhe Fatmir Xhafaj, por fuqia e tij politike u rrit vetëm pas iku nga kjo detyrë.

Ndërsa Agaçi, pa qenë i tillë, pa marrë post, pa marrë asnjë detyrë të lartë e ka fuqinë politike pikërisht nën petkun e detyrës sekretar i përgjithshëm. Vetëm 3 ditë pasi kishte marrë madatin e kryeministrit Edi Rama bëri prezantimin e parë të stafit të tij si sekretar të përgjisthëm Engjëll Agaçin.

Për askënd tjetër Rama nuk ka shkruar kaq fjalë lavdëruese sa për të: i shkëlqyer në studime, i pandalur në punë, i papërtuar për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në Itali, i respektuar në mjedisin profesional të Romës, ai la studion e tij të avokatisë në kryeqytetin italian për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës sime që të jetë sekretari i ri i përgjithshëm i Kryeministrisë.

Por si ka arritur ish-studenti i Institutit Bujqësor të Kamzës nga Roskoveci të jetë kaq i rëndësishëm në PS dhe ekzekutiv? Sigurisht që startin në politikë e ka pasur të shkëlqyer teksa u bë pjesë e Lëvizjes Studentore në vitin 1990. Më tej me studimet dhe diplomimin si jurist në Itali dhe më tej akoma në shumë çështje të bujshme që i fitoi atje.

Më e bujshmja është fitimi i procesit gjyqësor me një dëshmpërblim prej 3 milionë eurosh, pas padisë së kryeministrit Fatos Nano ndaj revistës “L’Espresso”, e cila më 2 gusht 2002 pubklikoi një shkrim me titull: “Il padrino dell Albania”, apo edhe si avokat i 27 familjerve të të mbyturve të Otrantos në vitin 1997.

Kjo mjeshtëri, por edhe natyra tejet operative, e kanë bërë Engjëll Agaçin një nga njerëzit më të besuar të Edi Ramës. Dhe që të kesh besimin e Edi Ramës të mjafton që në PS të jesh shumë i pushtetshëm. Nuk ka asnjë problem juridik në qeveri që të mos ketë vulën e njomë dhe të thatë të juristit Agaçi. Nuk ka çështje të rëndësishme poltike dhe ekonomike që të mos kalojë nga dora e tij.

Kjo ka bërë që ai vërtet të ketë besimin e Edi Ramës, por të bëjë edhe kundërshtarë e armiq. Sali Berisha më shumë se një herë e cilëson atë me epitetet që në shumë raste e teprojnë, por ajo që është e sigurt është se Agaçi është realisht një nga më të pushtetshmit në qeverisjen e PS-së. Është vërtet jo rast i rrallë, por unikal edhe ky në historinë politike të 30 viteve.

  1. ARBEN AHMETAJ

“Return to Eden” ka qenë një film serial australian i prodhuar në vitin 1983 që transmetohej në fund të vitteve ’80 në stacionin e vetëm televiziv në Shqipëri, RTSH. Bëhej falë për një personazh që u kthye në të njëjtin vend për t’u hakmarrë për krimin që kishin bërë ndaj saj (personazhi ishte femër). Hakmarrja vetëm duke takuar ata që mendonin se ishte zhdukur, duke thënë se ishte gjallë, se jetonte jetën e vet dhe se kishte sukses. Arben Ahmetaj i ngjan shumë kësaj historie. Rikthimi i tij në politikën e lartë ekzekutive të PS-së është një lloj hakmarrjeje si filmi te filmi australian.

Një politikan për të cilin shumë në PS menduan se karriera e tij u mbyll me kaq, befas mori kredite nga kryeministri dhe u kthye sërish në kabinet. Ministër i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj duket sikur i bëri restart karrierës së vet. “Ndërsa për shumë tërmeti i 26 nëntorit 2019 ishte një fatkeqësi, për Arben Ahmetajn ishte një rikthim.  Edi Rama duhet të ketë menduar shumë emra ditën që ideoi konferencën e donatorëve, por playmaker-i i kësi punësh ishte vetëm një për të. Arben Ahmetaj.

Dhe vetë Rama u ndie i kënaqur kur siguroi 1,15 miliardë euro. Dhe sigurisht kjon ishte falë asaj që bëri Arben Ahmetaj. Nuk janë të paktë ata në PS dhe jashtë saj që thonë se në qeveri mund të kishin një ekonomist të specializuar në anglishte dhe jo një të diplimuar në anglishte të specialzaur në ekonomi. Por për Edi Ramën, Arben Ahmetaj vlen më shumë si playmaker sesa si një economist race.

Pikërisht për këto arsye Edi Rama Rama në fakt nuk e mbajti fjalën kur tha se asnjë ministër nuk do qëndrojë në detyrë më shumë se 5 vjet. Duke u zgjedhur për herë të dytë ministër, Arben Ahmetaj ia prishi rregullin Ramës, por u tha të tjëreve në PS se ai që mendoi se ylli i Ahmetajt ishte shuar, e kishte gabim. Ai është kthyer në ekzekutiv si të ishte një sfidë personale e vete atij sesa e Edi Ramës.

Ka besimin e tij, ka mbështetjen e tij dhe Ahmetajt tani i duhet të mos e zhgënjejë. Përpara ka një aksion kombëtar të rindërtimit, që do të ndikojë shumë jo vetëm në karrierën e tij, por edhe të jetëgjatësisë së vetë mazhorancës. Se si do të menaxhohen paratë e donatorëve dhe si do jetë ndërtimi i objekteve të shkatërruara nga tërmeti, ashtu do jetë edhe e ardhmja politike e Arben Ahmetajt. Të presim.

  1. BELINDA BALLUKU

Ndonëse në qeveri ka më shumë femra sesa meshkuj, pushteti nuk është kështu. 8 ministret gra të PS-së, vërtet janë më shumë se 6 ministrat burra, por fuqia e tyre politike në këtë mund të përmblidhet në këtë fjali: femrat e PS-së kanë numra, por jo pushtet. Megjithatë, mes tyre një qëndron më lart për nga fuqia e pushtetit.

Në adminitratën e kësaj mazhorance askush nuk e ka pushtetin e Belinda Ballukut. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë menaxhon buxhete si askush tjetër në qeveri dhe projektet më të rëndësishme të kësaj mazhorance kalojnë nga ajo. Duket sikur ka zëvevendësuar dikë tjetër, po femër në PS, por tashmë ish-drejtoresha e Bashkisë së Tiranës është në top listën e më të pushtetshmëve të kësaj partie.

Ndonëse nuk është pjesë e forumeve, kjo për Ballukun nuk ka rëndësi, sepse vetë ajo nuk preferon shumë jetën e partisë sesa punën. “Shtrigës”, siç e quan shefi i saj, i është besuar aktualisht menaxhimi i fondeve më të mëdha buxhetore për ndërtim, kryesisht në infrastrukturë.

Dhe sa më shumë para të menaxhosh, aq më shumë pushtet ke. I vetmi problem i Ballukut është se kjo fuqi mund të bjerë menjëherë, nëse nuk do ta ketë më këtë post. Ajo nuk është pejsë natyrale e forumeve të PS-së.

Nuk është natyrë partiake dhe është aty për besimin që ka Edi Rama. Ky është momenti për të parë të ardhmen e saj. Nëse ajo do jetë pejsë e listës për kandidate për deputetë në zgjedhjet e vitit 2021, pa dyshim që Balluku do të vijojë të jetë edhe pjesë më të pushtetshmëe në PS. Në të kundërt, pushteti i saj do tretet si ai i të tjerëve që u bëjë pjesë e listës dhe u hoqën nga kjo listë, kur nuk kishin më një detyrë në qeveri./l.m/Fjala

Të fundit

Nuk ka befasi, Manchester City shkatërron Brightonin dhe merr kryesimin e Premier League

Manchester City me shpejtësi maksimale në sprintin final të sezon. Kampionët në fuqi të Premier League-s fituan thellë 4-0...

FOTO/ Çfarë ka ndodhur? Jetmir Salaj në zi, humb personin e afërm

"Zoti merr pranë vetes gjithmonë më të mirët"– kështu shkruan Jetmir Salaj në ‘instastory’ bashkangjitur me një foto me disa qirinj. Kjo është fotoja tipike...

Shkencëtarët thonë se kanë zbuluar ‘vendbanimin e parë’ të gjithë racës njerëzore

Ata publikuan zbulimet e tyre pasi studiuan ADN njerëzore, por studiues të tjerë ende nuk janë të bindur. Shkencëtarë në Australi kanë hapur një debat...

E bujshme/ Qatip Osmani largohet nga pankina e Vllaznisë

Qatip Osmani nuk do të jetë më trajner i Vllaznisë. Mbrëmjen e së enjtes, klubi shkodran përmes një njoftimi në rrjetet sociale njoftoi ndërprerjen...

Kryeqyteti më i mirë i Evropës për të qenë turist në 2024

Kryeqyteti më i mirë evropian i vitit 2024 për t'u vizituar si turist është Lisbona. Kryeqyteti i Portugalisë ka qenë një destinacion magjepsës prej kohësh,...

Lajme të tjera

Web TV