Nga Silvana Tresa
Kur do t`i kthehet jeta normalitetit? Kjo është pyetja që po na mundon të gjithëve këto kohë, pasi kemi kaluar 2 muaj të plota nën masat e rrepta të izolimit dhe distancimit social. Në një intervistë për gazetën “Fjala” mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, shprehet se në vendin tonë epidemia po shkon drejt shuarjes, dhe kjo duke u bazuar dhe te shifrat e ulëta të të infektuarve që janë regjistruar ditët e fundit.
Ai shprehet optimist bazuar në indikatorët epidemiologjikë se në muajin qershor jeta do t`i jetë kthyer tërësisht normalitetit, dhe nuk ngurron që t`u bëjë apel qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën dhe të vazhdojnë të respektojnë masat e distancimit social, pasi virusi ende nuk është zhdukur plotësisht.
Profesor Pipero nuk e përjashton mundësinë e rikthimit të virusit edhe në vjeshtë, por ai shprehet se eksperienca e akumuluar deri më tani dhe fakti që shumë persona mund të kenë fituar imunitet do ta bëjë më të lehtë përballimin e situatës. Për sa i përket debatit që vazhdon ende se kur ka hyrë në vendin tonë virusi, Pipero shprehet se ky është një debat që mund të ketë interes në rrafshin shkencor, por që nuk duhet të politizohet, siç ka ndodhur deri më tani.
Profesor Pipero, të hënën bëhen 2 muaj që prej fillimit të pandemisë në vendin tonë, periudhë që është shoqëruar me masa te rrepta të izolimit. A mendoni se këto masa kanë qenë çelësi i suksesit, duke vlerësuar se jemi ndër vendet e rajonit me nivelin më të ulët të vdekshmërisë?
Po, të hënën bëhen dy muaj nga dita e fillimit të aplikimit të masave të rrepta të distancimit social, vetëm dy tri ditë pas diagnostikimit të dy rasteve të para me Covid-19 në vendin tonë, dhe shtrimit e kurimit me shumë sukses të tyre në spitalin e sëmundjeve infektive, raste të cilat shënuan edhe zyrtarisht prekjen e vendit tonë nga pandemia e Covid-19.
Masat e distancimit social, apo siç i quani ju të izolimit të rreptë, ishin vërtet “të rrepta”, por jo ekstreme, dhe unë mendoj se ishin shumë të rëndësishme e të marra në kohën e duhur. Masat krahas respektimit të tyre nga pjesa më e madhe e qytetarëve, për të cilët ishte një praktikë e jashtëzakonshme, si dhe komunikimi i specialistëve të shëndetit publik me qytetarët, si rrallëherë jo vetëm përmes medias elektronike, por dhe asaj të shkruar, dhe rrjeteve sociale, bënë të mundur përballimin e pandemisë dhe, sigurisht, janë çelësi i suksesit.
Natyrisht, pandemitë kanë kosto të madhe, shëndetësore, psikologjike, ekonomike, në jetë njerëzish gjithashtu, por unë mendoj, dhe faktet janë në sytë e të gjithëve sot, që ne e përballuam dhe po e përballojmë jo vetëm me sukses, por, mbi të gjitha, me humbje minimale jetësh njerëzore, çka është shumë e dhimbshme por edhe e paevitueshme, natyrisht.
E për këtë të gjithë së bashku duhet të ndihemi bashkëfitues, së paku deri tani, mbi këtë epidemi. Them së paku deri tani, edhe pse jam shumë i sigurt për fundin e shpejtë të saj, pasi virusi ende qarkullon dhe ne së bashku duhet të jemi ende të kujdesshëm, madje për një periudhë relativisht të gjatë.
Sa të shtruar janë aktualisht në Spitalin Infektiv, dhe si paraqitet gjendja e tyre?
Në të dy spitalet Covid sot janë rreth 30 të shtruar, shumica e të cilëve në gjendje të mirë shëndetësore, dhe vetëm katër apo pesë prej tyre në gjendje kritike për jetën. Të gjithë pacientëve u ofrohet shërbim shëndetësor maksimal dhe bashkëkohor.
Duke qenë se gjatë kësaj jave numri i të prekurve me Covid-19 ka qenë i ulët, a mund të themi se pandemisë po i vjen fundi?
Natyrisht, bazuar në rastet e konfirmuara pozitive nga vazhdimi i gjurmimit, identifikimit dhe testimit të rasteve të kontaktit dhe kontakteve të kontaktit nga epidemiologët në terren, që vazhdon të jetë në ulje të qëndrueshme dhe, sidomos, i rasteve të shtruara në spital apo dhe gravitetit të tyre, epidemia e Covid-19 në vendin tone, si dhe në shumë vende të botës dhe Evropës, po shkon drejt fundit të saj ose, sikundër mund ta quajmë, drejt shuarjes, gjë e cila në vendin tonë mendoj se duhet të ndodhë ne harkun e dy ose tri javëve.
Në këndvështrimin tuaj, dhe kjo është një pyetje që i mundon të gjithë qytetarët shqiptarë, kur jeta mund t’i kthehet normalitetit?
Jeta ka filluar prej tri javesh t’i kthehet gradualisht, por dhe vendosmërisht normalitetit, normalitet i cili është tërësisht në duart e qytetarëve tani, pasi nuk duhet të humbasim kujdesin dhe vigjilencën për të ruajtur ende distancën fizike, kujdesin për duart, kujdesin për maskat dhe dorezat kur hyjmë apo shërbejmë në ambiente publike.
Unë mendoj dhe shpresoj, indikatorët epidemiologjikë dhe klinikë më lejojnë ta bëj këtë deklaratë, që ne duhet dhe mund t’i kthehemi normalitetit në gjysmën e dytë të majit dhe besoj fillimi i qershorit do të jetë plotësisht normal.
Kur them plotësisht normal duhet të kemi parasysh që qershori dhe muajt e tjerë të këtij viti nuk do të jenë si një vit më parë, ne ende duhet të kemi kujdes, bluzat e bardha dhe epidemiologët veçanërisht, pasi, siç ju thashë, edhe më lart sa kohë nuk kemi një vaksinë dhe virusi pavarësisht se me qarkullim shumë të ulët dhe me virulencë ndoshta të ulët gjithashtu, është ende midis nesh, ndoshta në gjendje të përgjumur, por ende “gjallë”, ndaj duhet të jemi vigjilentë.
A druheni se mund të kemi një rikthim të një vale të dytë, që mund të jetë edhe më e madhe se e para?
Askush nuk e përjashton një valë të dytë të këtij virusi në fund të vjeshtës apo fillim të dimrit të këtij viti. Por një valë e dytë na gjen më të përgatitur, e njohim më mirë virusin dhe sjelljen e tij, kemi më shumë evidencë dhe studime, kemi më shumë eksperiencë, më pak frikë dhe si e tillë një valë e dytë pasojat do t’i ketë shumë herë më të lehta se kjo që përjetuam.
Një pjesë e qytetarëve bien në kontakt me virusin dhe fillojnë të krijojnë imunitet, kapacitetet shëndetësore do jenë më adekuate, besoj do të kemi një medikament anti Covid-19 efikas, dhe, nga ana tjetër, qytetarë më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm për t’iu pergjigjur më shpejt dhe më mirë masave të distancimit social që, sipas meje, në një valë të mundshme të dytë do të konsistojnë kryesisht në masa të distancimit fizik dhe kujdesit higjienik.
Ka vazhduar debati mes ekspertëve lidhur me kohën e saktë se kur ka hyrë në Shqipëri Covid- 19? Cila është bindja juaj, kur mendoni se ka hyrë vërtet në vendin tonë?
Është një debat jo vetëm në vendin tone, por kudo, mendoj se do të zgjasë dhe ndoshta ka interes në rrafshin shkencor, por është tërësisht debat profesional dhe nuk duhet të politizohet. Sipas meje, duke marrë në konsideratë indikatorët epidemiologjikë, klinikë dhe, sidomos, ata virologjikë, pasi diagnoza apo konfirmimi është tërësisht virologjik, epidemia në vendin tonë ka filluar në gjysmën e dytë të muajit shkurt.
Sa mendoni se e ka ndryshuar kjo situatë raportin mes pacientëve dhe mjekëve, duke qenë se shpesh bluzat e bardha kanë rënë pre e sulmeve verbale apo fizike nga të afërmit e pacientëve?
Së pari, mjekësia nuk është shkencë ekzakte, dhe së dyti ka të bëjë me jetën e njeriut. Mjeku dhe mjekët si ushtrues të këtij profesioni janë shpesh të paragjykuar në vendin tone, shpesh dhe të dënuar mbi bazën e paragjykimit. Mendoj se kjo pandemi foli shumë, foli edhe për qytetarët, por foli edhe për politikanët. Shpresoj kujtesa këtë radhë të mos jetë e shkurtër dhe bluzat e bardha të vazhdojnë të jenë jo vetëm të respektuara, por edhe të vlerësuara më mirë.
Besoni se ka ardhur momenti që pas ngritjes në piedestal të figurës së mjekut gjatë kësaj periudhe, të bëhet diçka nga ana e institucioneve shtetërore që statusi i personelit shëndetësor të rishikohet, si për sa i përket vlerësimit monetary, ashtu dhe atij profesional?
Besoj se po, duhet të reflektojmë të gjithë, së pari institucionet shtetërore, por dhe politikëbërësit për të vlerësuar më mirë jo vetëm bluzat e bardha përmes një statusi të veçantë pse jo, por në radhë të parë e, mbi të gjitha, duke përmirësuar e modernizuar sistemin dhe sistemet shëndetësore kudo, për të ofruar kujdesin e shërbimeve shëndetësore drejt komunitetit./l.m/Fjala