Avokat Spartak Ngjela në një intervistë për gazetën “Fjala” analizon situatën në vend dhe sfidat që e presin Shqipërinë pas pandemisë. A mund të matet qeveria vetëm me “suksesin” e menazhimit të mirë të situatës për sa i përket aspektit shëndetësor? Po ekonomia ku po shkon!
Për vendin tonë nuk do jetë vetëm një vit pandemik, por mbi të gjitha politik, ku palët në fillim do të përplasen ku qeveria do nxjerrë “sukseset”, ndërsa opozita “dështimet”. Askush nuk mund të fitojë nga kjo betejë, por sfida e vërtetë është pikërisht ekonomia.
Kryeministri Rama po duket se e ka harruar pandeminë dhe ka nisur të inspektojë ndërtimet e rrugëve dhe stadiumeve. Mos ndoshta kjo tregon se po i vjen fundi pandemisë, dhe, si e mendoni skenën politike pas Covid 19?
Në të vërtetë shenjat janë se pandemia po shkon drejt fundit, në qoftë se nuk do të kemi një rikthim, por kjo nuk besohet. Për sa i përket aktivitetit të kryeministrit Rama në kwtë periudhë, dhe toleranca që ka filluar të operojë rast pas rasti dhe në progres, në funksion të karantinës së rreptë që ka qenë deri tani, kuptohet se kryeministri aktual këtë kërkon të thotë. Por, a është koha që të kthehemi në normalitet?
Për këtë nuk di çfarë të them, sepse kthimi në normalitet të jetës shoqërore është mendim i ekspertizës shkencoro – epidemiologjike. Ajo që pyesni ju është se: çfarë mund të ndodhë me politikën shqiptare pas periudhës së gjatë ndaluese nga pandemia e Covid 19? Si rregull, në shoqëritë e pazhvilluara si me pandemi si pa pandemi, “këneta” mbetet “kënetë”.
Ne jemi një “kënetë” shoqërore, e cila vjen nga apatia, mungesa e profesionalizimit, shitja e interesit kombëtar e shumë gjëra të tilla, që kanë pasur si natyrë ose motiv lidershipet shqiptare në këta 30 vitet e fundit.
“Këneta” jonë nuk ndryshon, as me pandemi, as pa pandemi, në rast se shqiptarët nuk do jenë të aftë të zgjedhin lidershipin e tyre, të aftë profesionalisht dhe të pakorruptuar, “këneta” jonë shoqërore është korrolar direkt i korrupsionit shqiptar, edhe varfëria shqiptare gjithashtu; por, edhe ky ngulmim pensimist i shqiptarëve që duan të largohen nga atdheu i tyre.
Dhe, pyetja e fundit që bëhet këtu është kjo: a mos ndoshta kjo karantinë e gjatë antiepidemike, kjo frikë e gjatë me vdekjet që solli Covid-19, a e ka ndërgjegjësuar shoqërinë shqiptare për të gjetur veten e vet në drejtimin politik dhe në qeverisje? Këtë duhet ta shohim hap pas hapi, që nga muaji korrik e deri në muajin shtator.
Çfarë fitoi e çfarë humbi Rama nga menaxhimi i situatës së epidemisë?
Duhet të theksoj se Rama nuk e filloi mirë luftën me një kujdes antiepidemik, sepse duhej të kishte ndaluar qarkullimin e njerëzve me mbyllje kufiri, që në momentin kur në Itali shpërtheu në mënyrë eksponenciale pandemia e Covid-19. Ai nuk e bëri dot këtë.
Por, mbas ardhjes së dy rasteve të para në Shqipëri që u diagnostikuan në Tiranë, me një të infektuar që kishte ecur si në shtëpinë e tij në shumë ambiente; na duhet të pranojmë se masat e marra me ekstrem maksimal e përmirësuan situatën, dhe sot mund të thuhet se Shqipëria ka dalë nga rreziku i një virulence epidemike, në funksion të Corona virusit vdekjeprurës.
Për këtë arsye, na duhet ta pranojmë se, për faktin që Shqipëria është aktualisht një nga vendet më të paprekura të Evropës, masat që mori shkenca shqiptare e epidemiologjisë dhe pranimi që i bëri atyre kryeministri shqiptar, dhe nëse situata do të ecë kështu, edhe Inspektoriati i Lartë Shëndetësor si shkencë mjekësore, edhe kryeministri shqiptar si kredibilitet politik do të marrin vlerë të caktuar në këtë çështje.
Por, a do ta shfrytëzojë kryeministri shqiptar këtë vlerësim, në funksion të zgjedhjeve të reja që vinë pas një viti? Nuk besoj se shqiptarët do ta mbajnë mend këtë vlerësim për tetë muaj apo një vit, sepse pyetja dhe çështja që ngrihet në këtë rast është kjo: si do të ecë ekonomia shqiptare?
Këtë nuk e dimë, sepse është shpejt të flitet për ekonominë, në një kohë që ne ende nuk kemi evidenca dhe prova të natyrës ekonomike për të ditur: sa ka rënë konsumi në tregun shqiptar, sa është humbja e shtetit, dhe në çfarë niveli e kemi aktualisht varfërinë në shoqërinë shqiptare? Fakti që nuk i dimë këto ende, nuk kemi mundësi të japim aktualisht një mendim normal. Duhet të presim – ashtu siç ju thashë – periudhën korrik – shtator.
Po opozita, a e shfrytëzoi këtë moment për të forcuar pozitat e saj, çfarë duhej të bënte ndryshe sipas jush?
Opozita ishte “ku thërret qameti”: një injorancë që nuk kuptohet se nga i vjen: nga paaftësia e liderëve, nga pasioni infantil, apo nga rruga e gabuar që ndoqi kur u largua nga Parlamenti? Ka mundësi që të jenë të gjitha këto bashkë që e katandisën opozitën jashtëparlamentare në një zë të papërfillshëm dhe jashtë natyrës së vërtetë të opozicionit.
Opozicion do të thotë: “ide që tentojnë nga e vërteta” dhe jo fjalë që tentojnë nga gënjeshtra. Si mund t’iu thuash shqiptarëve se sot vdekjet janë të shumta, se epidemia ka frustruar gjithë Shqipërinë, ku Shqipëria është një vend i vogël me rreth 3 milionë banorë, shoqëri fisnore dhe e survejuar nga ekspertiza perëndimore.
Mënyra se si opozita e bëri rolin kundërshtues nuk ishte as politike, dhe as shkencore. Po të themi se ishte keqdashëse, në funksion të shoqërisë shqiptare do të ishte një kauzë shumë e rëndë, të cilën unë nuk kam natyrë ta bëj pa prova. Por, të ishte një mendjelehtësi e një lidershipi që në Gjirokastër i thonë “pafille”, për këtë jam i bindur.
Opozita jashtëparlamentare duhej të ishte në këmbë, të merrte në dorë mbrojtjen e shoqërisë shqiptare nga një virus vdekjeprurës; duhej të ishte prezente nëpër spitale, duhej të organizonte donacione për ndihmë shoqërore me para për familjet e varfra, duhej të kishte nxjerrë ekipin e vet shkencor edhe me ekspertë të huaj, dhe t’u përgjigjej flakë për flakë nevojave të shoqërisë, dhe jo ta acaronte atë.
Nëse do të kishte vepruar kështu, do të ishte njw opozitë e iluminuar dhe do të kishte marrë shumë vlerë në sytë e opinionit publik. Por, që të vepronte në këtë hulli duhej të ishte një opozitë me ide. Opozita shqiptare jashtëparlamentare fakti që nuk ka ide, kuptohet se nuk ka asgjë.
Reforma zgjedhore, negociatat me BE-në e plotësimi i kushteve të Brukselit janë disa nga sfidat që e presin politikën tonë, sa e gatshme është ajo të përballet me to, a do jetë ky viti i marrëveshjeve apo i thellimit të konfliktit?
Që të ecin negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, domosdoshmërisht na duhet të kemi një marrëveshje të brendshme, në funksion të përmbushjes së kushteve që ka dhënë Brukseli për të vijuar me sukses negociatat drejt anëtarësimit, por, tani është një fakt i njohur ndërkombëtarisht se lidershipi i lartë shqiptar i të dy krahëve të politikës është i përfaqësuar nga individë të korruptuar maksimalisht. Pyetja që ngrihet këtu është kjo: a i intereson korrupsionit të lartë shtetëror anëtarësia e Shqipërisë në Bashkimin Evropian?
Kurrë mos e mendoni këtë. Në funksion të këtij fakti korruptiv, i cili është një sëmundje tërësore në politikën e lartë shtetërore, mund të themi se korrupsioni i lartë shtetëror nuk do ta çojë deri në fund çështjen e negociatave, por ne e kemi një shpresë.
Shpresa jonë është lufta antikorrupsion që do të bëhet nëpërmjet SPAK-ut, dhe Reforma në Drejtësi që po bëhet nëpërmjet ONM-së. Këta janë dy faktorët realw që përmbushin arsyetimin perëndimor si ekspertizë se, Shqipëria do ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në funksion të kësaj, dhe në lidhje me këtë, më duhet të theksoj se: fati i Shqipërisë drejt prosperitetit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sot nuk është në dorë të qeverisë aktuale, por të Gjykatës së Posaçme, Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit – këto janë tri organet kompetentë të SPAK-ut, që duhet të shuajnë korrupsionin shqiptar.
Lufta e SPAK-ut kundër korrupsionit shqiptar është ingrendienti themelor për të sjellë mundësinë reale të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kur do t’i shohim shenjat e para që SPAK-u e ka marrë seriozisht, me ndershmëri, dhe me arsye të lartë profesionale luftën kundër korrupsionit të lartë në Shqipëri?
Ashtu sikurse u shpreha dhe më lart, përiudha korrik – shtator e këtij viti duhet të jetë testi edhe kundrejt SPAK-ut në lidhje me luftën e tij kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri./l.m/Fjala