Lëçitëse e fjalës dhe mjeke në “qytetin që nuk fle kurrë”. Veneta rrëfen situatën aktuale të pandemisë Covid-19 në Nju-Jork, si dhe mënyrën si është përballur me frikën dhe ankthin e injektuar
Nga Alessia Selimi
Veneta Çallpani, një lëçitëse e fjalës dhe mjeke në “qytetin që nuk fle kurrë”, ishte veçse njëzet vjeç kur mori përsipër të niste një jetë të re. Larg çdo arome dhe shijeje familjare, Veneta ndoqi dhe mbaroi studimet e larta në Shtetet e Bashkuara për Imazheri, sikurse iu përkushtua edhe pasionit për të shkruar; si dy fusha që kompensojnë më së miri njëra-tjetrën, kështu e sheh mjekësinë dhe letërsinë.
Ajo është autore e një sërë librave me romane dhe poezi, si dhe mbart një tjetër diplomë në shkencat biologjike për studimin e trurit. Veneta nuk ka patur aspak një rrugëtim të lehtë, përkundrazi. Por pavarësisht njohurive të kufizuara në gjuhën angleze, pikësynimet e saj ishin mëse të qarta.
Veneta punon sot si teknike e ultrazërit në spitalin Montefiore, Nju-Jork. Ky shtet me qytetin e Nju-Jorkut në krye, mbetet më i godituri nga pandemia Covid-19, si kurrë më parë me një jetë pasive. 27-vjeçarja rrëfen në një intervistë për gazetën “Fjala” situatën aktuale, si dhe nuk ngurron të ndalet në mënyrën se si është përballur personalisht me frikën dhe ankthin e injektuar nga koronavirusi.
Dëshira për të shkruar duket se e ka ndihmuar tmerrësisht shumë në ushtrimin e profesionit, edhe kur i është dashur të përballet me situata të një tjetërlloji. Kësisoj, Veneta ndalet edhe në pasionin e të shkruarit.
“Sikurse është treguar edhe në lajme, Nju-Jorku është goditur shumë. Është një situatë mjaft e vështirë. Askush nuk ishte përgatitur për këtë, por mendoj se situata duket pak më mirë tani. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë, por shpresoj së paku që mësimet e marra nga kjo pandemi të mos harrohen lehtë, sepse përbën shumë rëndësi për të ardhmen tonë”, thotë Veneta.
“Për nga vetë natyra njerëzore, gjithkush frikësohet nga e panjohura. Unë do të gënjeja nëse do të thoja se nuk u frikësova në fillim, kur u raportua se i tërë globi ishte prekur nga pandemia Covid-19. Ajo që bën ndryshimin është mënyra se si përballesh me këtë ndjesi. Truri ynë luan hile me ne. Megjithatë, nuk përjashtohet një akt i ndërsjelltë. Vendosa ta luftoja frikën duke shkurtuar kohën e kaluar në internet ose duke lexuar lajme të rreme dhe teori komploti.
Kam tre burime të besueshme që i kam përdorur për t’u informuar dhe azhurnuar. Nëse diçka perceptohet si kërcënim, truri do të reagojë dhe shumë ndryshime do të ndodhin edhe me trupin. Për fat të keq, njerëzit mund të jenë shumë vetë-shkatërrues. Kështu që, vendosa ta shoh këtë virus jo si kërcënim, por si pjesë të jetës sonë”, shprehet Veneta, së cilës i prevalon dukshëm zëri i mjekes.
“Ne nuk do të ekzistonim nëse nuk do të ishte për të gjitha mikrobet dhe organizmat që ekzistojnë në tokë. Ne duhet ta pranojmë këtë, si dhe të gjejmë një mënyrë më të mirë për t’u përshtatur dhe jetuar. Kam parë shumë burime toksike që kanë përdorur këtë kohë të vështirë për të shkaktuar më shumë panik tek njerëzit”, vijon ajo teksa i këshillon këto të fundit që të jenë më skeptik lidhur me informacionet që hasin.
“Në këtë kohë ne duhet t’i besojmë vetëm mjekësisë dhe shkencës, jo të famshmëve ose njerëzve të tjerë që duan të komentojnë mbi gjithçka. Është mirë ta informoni veten, por askush nuk mund të bëhet mjek ose shkencëtar brenda natës. Përpjekja për të marrë çfarëdolloj informacioni nga të gjitha burimet e mundshme, do t’ju shkaktojë vetëm panik”, thotë Veneta.
Ajo nuk ka një qendrim për masat e ndërmarra të qeverisë shqiptare për parandalimin e Covid-19. Veneta thotë se nuk i ndjek shumë lajmet dhe nuk dëshiron të japë një mendim për diçka që nuk ka informacion të vazhdueshëm për të arritur në vëzhgim dhe përfundim personal. “Më bën të lumtur të di se nuk ka shumë vdekje, kjo është gjithçka që ka rëndësi për mua”, thotë 27-vjeçarja, duke shtuar se gjithnjë e ka menduar veten si dikush që vjen nga planeti Tokë, jo nga Shqipëria.
“Kjo nuk do të thotë se unë mohoj se nga vij, krejt e kundërta. Nga Shqipëria më mungojnë njerëzit me të cilët kaloj kohë, kushërinjtë dhe miqtë e mi. Më mungon po ashtu natyra e bukur dhe ushqimi. Por ndaj mendimin se nuk ekziston vetëm një shtëpi, një familje, apo një vend.
Shtëpia është çdo vend në të cilin keni hyrë, çdo person që keni takuar dhe ju ka bërë një person më të mirë. Shtëpia është çdo vend ku i kushtoni kohën, kontributin, dashurinë dhe mençurinë tuaj; çdo vend që ju ndihmon të mësoni, të rriteni dhe të përjetoni. Shtëpia është kujtimet që krijojmë; dhe kur shtrihemi dhe mendojmë për to, ndihemi të sigurt dhe të lumtur.
Toka është shtëpia jonë, pa marrë parasysh nëse jemi nga Shqipëria, apo Afrika. Siç e keni parë tani me këtëpandemi, secili nga ne, nga çdo cep i botës ka ndikim, prandaj duhet të tregohemi të sjellshëm dhe të kujdesshëm për njerëzit dhe tokën kurdo dhe kudo ku jemi”,sqaron Veneta e cila e ka të pamundur të mos flasë për pasionin ndaj fjalëve të lidhura së bashku.
“Kalimi i shkrimit nga njëra gjuhë në tjetrën nuk ishte i lehtë, prandaj përveç punës, ndoqa edhe pasionin tim tjetër: atë të të shkruarit.
Shkrimi është një aftësi shumë e fuqishme jo vetëm në art dhe në letërsi, por edhe në shkencë, prandaj këtë vit studiova dhe mora Certifikatën e Shkrimit në Shkencë nga Universiteti i Mjekësisë Stanford. Asnjëherë nuk kam menduar të shkruaj për të bërë karrierë, ose për të përfituar financiarisht. Unë kam përfituar gjithmonë nga ajo që shkrimi më bën të përjetoj dhe dua ta ndaj këtë me botën, sepse nuk mund të jem aq egoiste për të mbajtur gjithë këtë magji për veten time.
Arti ( jo vetëm poezi apo romanet, por të gjitha format e artit) do të jenë gjithmonë të rëndësishme në jetën time”, shprehet Veneta. “Ka shumë për të studiuar në shkollën mjekësore dhe studentët mezi kanë kohë të kujdesen për veten e tyre, që do të thotë se nuk ka shumë kohë për lidhje me njerëzit dhe botën e jashtme.
Të shkruarit në një moshë fare të re, duke u ekspozuar ndaj kulturave të ndryshme dhe të jem në gjendje të lidhem me njerëzit në kaq shumë mënyra dhe nivele, është bërë natyra ime e dytë. Kjo është e rëndësishme kur bëhet fjalë për trajtimin e pacientëve. Asgjë që lexohet në libra nuk të përgatit se si të reagosh kur një pacient vdes, kur një pacient përjeton një abort spontan, ose kur anëtarët e familjes fillojnë t’ju bërtasin në ndikimin e frikës dhe dhimbjes.
Shkrimi më ka ndihmuar të njoh veten dhe të zhvilloj këto aftësi që kanë nevojë për përmirësim të vazhdueshëm. Por mjekësia dhe shkenca duket se janë një botë tjetër nga arti dhe filozofia, por ne po flasim për njerëzit këtu, dhe të dish se si të merresh me këtë kërkon shumë më tepër sesa disa lexime dhe disa statistika”, përfundon ajo.