Politika e grave apo gra në politikë?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Xhoi Jakaj

Në realitet është e dhuruar apo e fituar karriera në politikën shqiptare. Politika është një profesion historikisht i udhëhequr nga burrat, që nga gjeneza e saj më saktë. Gjithmonë është cilësuar si një punë e denjë vetëm për gjininë mashkullore dhe se prania e grave në të ka sjellë vetëm çoroditje. Në çdo diskutim ku flitet për rëndësinë e përfshirjes së plotë të femrës në politikë, të gjithë kujtojnë “Helenën e Trojës” bukuroshen që u bë shkak i një lufte, Kleopatrën që nuk u rezistoi dot tundimeve dhe mbeti në histori lufta për të fituar atë dhe trojet rreth saj.

Me gjithë lëvizjet e shumta dhe të hershme feministe (të gjitha bazuar në të drejtën e barazisë gjinore!) për të çrrënjosur stereotipat, e vetmja gjë që është arritur, është mënyra se si shihen gratë në politikë: gruaja për politikën është një make-up i bukur, një dekor i domosdoshëm, ose “gratë-burra” janë të vetmet që mund të japin kontributin e tyre në jetën politike të vendit. Në një vështrim të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, nga niveli lokal në atë global, lidershipi i grave dhe pjesëmarrja politike mbetet e kufizuar.

Gratë janë pak të përfaqësuara në pozita udhëheqëse: qoftë si të zgjedhura, në shërbimin civil, në sektorin privat apo në atë akademik. Kjo ndodh pavarësisht nga aftësitë e tyre të dëshmuara si udhëheqëse dhe agjentë të ndryshimit, bazuar në të drejtën e tyre për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në qeverisjen demokratike. Gratë përballen me një mori pengesash për të siguruar pjesëmarrje në jetën politike të një vendi. Barrierat strukturore përmes ligjeve dhe institucioneve diskriminuese ende kufizojnë mundësitë e tyre për të kandiduar në zyra përfaqësimi e drejtimi. Boshllëqet e kapaciteteve nënkuptojnë se gratë kanë më pak gjasa se burrat që të kenë arsimimin, kontaktet dhe burimet e nevojshme për t’u bërë udhëheqëse efektive. Domosdoshmërisht që duhet të pajtohesh me këtë konkludim, përderisa sot të gjithë i shikojnë gratë nga mënyra se si vishen, si qëndrojnë, apo se si kujdesen për veten, a thua se burrat nuk i kryejnë këto rituale!

Nisur nga traditat e hershme e të forta, ligjet zakonore, historiku komunist e një mori me ndodhi e ngjarje në të ashtuquajturën ‘demokraci e jona’, lidershipi mbeti gjithmonë në dorë të burrave. Për kujtesë, le të kthehemi pas në vite. Të gjithë e kujtojnë shfaqjen e Jozefina Topallit në politikë, rreth viteve ‘96, jo pak vite të vështira për një grua që tē ishte në poltron krah burrave shqiptarë, e për t’ia dalë duhej të dukeshe e fortë, si një burrë në pamje, zë dhe sjellje, pra një “burrneshë” e ndërkohë e fortë u cilësua nga të gjithë! Kur në fakt, Jozefina ishte një grua si gjithë të tjerat, që kishte një burrë e fëmijë me të, pra diçka që koncepti i burrneshës nuk e pranon. E, megjithatë, ajo vazhdoi të cilësohej si e tillë deri ditën që vendosi të kujdesej për lukun e saj, të ndiqte trendet e modës, të shfaqej me çanta dhe fustane elegante në seancat parlamentare e të tjera “histori femrash” siç rëndom i quajnë burrat. Kur numri i grave në parlament ishte shtuar, dhe znj. Jozefinë i duhej të përballonte edhe sfidën femërore, ajo nisi të sillej ndryshe edhe me veten. Por kjo ndodhi filloi ta zbehte paksa forcën prej “burri” të gruas lider në parlament. E sot ajo nuk është pjesë e tij, dhe as nuk u bë dot kryetare e PD-së, sepse një burrë me rr të fortë si Berisha, partinë ia besoi një burri tjetër me një rr jo aq të fortë sa e vetja, por, gjithsesi, me fuqi më të madhe se e një gruaje.

Angela Merkel është kancelare e Gjermanisë prej vitit 2005. Për mbarë botën zonja Merkel është lidere de facto e Evropës e, megjithatë, (ka gjithmonë një të tillë) nuk mundi dot t’u shpëtonte stereotipave kur filloi të vishte funde. Në dy-tri raste kur doli në publik me dekolte kudo në botë, media filloi ta komentonte këtë ndryshim të saj dhe e cilësoi atë si një ogur të zi për vijueshmërinë e saj në krye të Gjermanisë. Ndoshta nga natyra e saj “prej gjermaneje”, kancelarja duket se nuk i kushton shumë nga koha e saj pamjes së jashtme, e ndoshta kjo është arsyeja pse masa nuk e sheh atë si një grua që rrezikon politikën!!! Historia botërore ka hasur një numër të konsiderueshëm grash të suksesshme në politikë: Britania e Madhe është një prej superfuqive botërore, sepse mbretëresha Elizabeta I e bëri të tillë, mbretëreshë Viktoria një epokë e tërë e artë mban emrin e saj, Eleanor Roosevelt drejtoi komisionin për të drejtat e njeriut në OKB, nga e cila kemi trashëgimi Deklaratën e famshme për të Drejtat e Njeriut; ndikimi i Margaret Thatcher, zonjës së hekurt, në stabilitetin e ekonomisë ishte i paarritshëm, Benazir Bhutto kryeministrja e parë femër në një vend mysliman (Pakistan) që udhëhoqi vendin nga diktatura në demokraci. Pa lënë jashtë kësaj liste edhe një numër të madh emrash si humanistja Nënë Tereza, Eva Peron në Argjentinë, Zhaklin Kenedi, Anna Frank, Zhan D’Ark, Annie Besant që ndikoi në pavarësinë e Indisë, apo edhe emra të tjerë të njohur që ndoshta edhe pse mund të ndiqen nga një numër i madh skandalesh ia kanë dalë të bëjnë histori si gra të forta e të afta.

Lexo edhe :  Opozita ka nevojë për një pakt publik për mosbashkëqeverisje me Albin Kurtin

Hillary Clinton mbetet idhulli i shumë grave në botë. Rruga e politikës për këto gra nuk ka qenë aspak e lehtë. Ndërsa ne, në vendin tonë, duke qenë se nga traditat e trashëguara dhe nga kanunet që shpeshherë i zbatojmë më shumë se ligjet, për t’u dukur demokratë e bashkëkohorë, në njëfarë mënyre ua kemi shtruar rrugën vajzave e grave që duan të merren me politikë me një dorë zhavorr. Politika jonë ka vetën zonja e zonjusha të kuruara deri në detajet më të vogla, ku për pjesën më të madhe të tyre të gjithë e dinë se potenciali financiar i secilës është i pamjaftueshëm për shfaqje të tilla… dhe detyrimisht i lidhim ato me hijen e disa meshkujve të tjerë që i financuan për të qeverisur nëpërmjet tyre. Dhe kjo, përkthehet në aksiomën e famshme se gratë nuk janë për politikë dhe ku fatkeqësisht, nisur nga kjo në duhet të biem dakord, duam apo s’duam, nga modelet që na janë servirur në politikën shqiptare. Sot jetojmë në një botë që vazhdimisht ndryshon dhe përparon, zakonisht për mirë në drejtim të barazisë gjinore; megjithatë, nuk mjafton thjesht të kuptohet problemi.

Lëvizjet feministe kanë pasur një ndikim të fuqishëm pozitiv në vende pothuajse tërësisht demokratike, dhe duke mbështetur kauzat gjinore, në vend që t’i shkatërrojnë ato, mund të bëhen përparime të rëndësishme. Arritja e barazisë gjinore në të gjitha etapat e zhvillimit e, aq më tepër, në atë të përfaqësimit, është më tepër se e rëndësishme; është jetike nisur nga kompleksiteti që edhe vetë mbart. Por për këtë është e rëndësishme që edhe këtu të vendoset sita. Njerëzit kanë talente e prirje nga më të ndryshmet, jo të gjithë janë të aftë për politikën, pavarësisht dëshirës së madhe që mund të kenë. E kjo vlen edhe për gratë! Për të arritur ndryshimin duhet parë nga vetja. Nuk mund t’i tejkalosh kapacitetet e aftësitë personale, sepse më pas, kthehesh në një matës dhe tregues të qartë të steriotipit që thua se po lufton për të drejtat e grave dhe për të zgjeruar pushtetin e tyre, por në realitet ke mbetur aty në rrethin tënd të ngushtë, pa treguar asgjë tjetër përveç elegancës në veshje e dukjes sipërfaqësore.

Të fundit

Ja pse Michelle Obama nuk do të jetë në ceremoninë e betimit të Trump më 20 janar

Hipokrizia nuk i përket asaj: «Michelle Obama nuk është dikush që bën sikur», konfirmon për revistën amerikane People një person i afërt...

Nënshkruhet marrëveshja për partneritet 100-vjeçar mes Britanisë dhe Ukrainës

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkruan një marrëveshje partneriteti 100-vjeçare mes dy vendeve, me qëllim thellimin e lidhjeve të sigurisë...

Gjendet pa shenja jete një person në Tiranë

Një person është gjetur pa shenja jete këtë pasdite në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Policia bën me dije se: Me datë 16.01.2025, rreth orës...

Erion Braçe nga Divjaka drejt “Stalingradit” socialist, Njësisë 5 Tiranë?!

Senatori socialistëve deputeti Erion Braçe, i cili mbikëqyr aktivitetin partiak të PS në Divjakë në qarkun e Fierit që drejtohet nga zv.kryeministrja Belinda Balluku,...

Rritet numri i viktimave nga sulmet izraelite disa orë pas marrëveshjes

Sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 77 njerëz në Gaza gjatë natës, disa orë pasi u njoftua një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e...

Lajme të tjera

Web TV