Një buqetë me lule dhe disa qirinj ndodhen në derën e një kabine në qendër të qytetit Oakland, Kaliforni. Dy vrima plumbash shenjojnë xhamat e saj. Këtu u qëllua fatalisht Dave Patrick Underwood, 53 vjeç, pasditen e së premtes, ndërsa punonte si oficer në Departamentin e Sigurisë së Brendshme. Të shtënat, të cilat gjithashtu plagosën rëndë një tjetër rojë, u dëgjuan nga disa blloqe nga ku ishin mbledhur mijëra protestues për të shënuar vrasjen e George Floyd.
46-vjeçari afro-amerikan vdiq pasi një oficer policie i bardhë i bllokoi frymëmarrjen për gati nëntë minuta me vendosjen e gjurit në qafë. Oficeri u pushua nga puna dhe është akuzuar për vrasje. Njëlloj si Floyd, Underwood ishte afro-amerikan. Raportet fillestare të lajmeve për të shtënat e Underwood e lidhën incidentin me protestat. Siç ndodh shpesh, hamendësimet në Twitter dhe faqet e tjera të mediave sociale u larguan nga faktet.
Departamenti i Policisë Oakland dërgoi mbrëmjen e së premtes një alarm për gazetarët, duke thënë se të shtënat nuk dukeshin se kishin të bënin me demonstratat e asaj nate. Dhe FBI-ja nuk i ka lidhur asnjëherë të dy rastet në deklaratat e saj me shtypin. Ajo konfirmoi për CNET që Underwood vdiq nga një atentat me makinë, por nuk pranoi të komentojë më tej, sepse hetimi po vazhdon. Megjithatë, hashtagët si #PatrickUnderwood dhe JusticeForPatrickUnderwood tashmë kishin filluar të qarkullonin në Twitter, me idenë se Underwood ishte vrarë nga protestuesit dhe rebelët.
Mosinformimi në mediat sociale nuk është asgjë e re. Agjentët rusë u përpoqën të ndikonin në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, në vitin 2016 me tweet-et përçarëse dhe postimet në facebook.
Skandali i “Pizzagate” është një tjetër tregues i ndikimit që mund të ketë publikimi i një lajmi të rremë. Ky skandal ka të bëjë me publikimin e lajmit se në picerinë “Comet Ping Pong” në Washington, fëmijët ishin abuzuar seksualisht dhe aty ishin përfshirë edhe kandidatja për presidente në SHBA, Hillary Clinton, si dhe krahu i saj i djathtë gjatë fushatës zgjedhore, John Podesta. Përveç mesazheve me kërcënim për jetë që kishin shkuar në adresë të pronarit të picerisë, një 28-vjeçar i revoltuar nga Karolina e Veriut qëlloi me armë brenda picerisë, por, fatmirësisht, nuk u lëndua askush.
Paaftësia e mediave sociale për të parandaluar shpërthimin e dezinformatave po merr së fundmi urgjencë të re, pasi protestuesit paqësorë po luftojnë perceptimin se të gjitha demonstratat janë zhvendosur në plaçkitje dhe dhunë. Roli i Twitter në përhapjen e lajmeve në kohë reale, pa asnjë kontroll, e bën atë veçanërisht të prekshëm nga manipulimet.
Gjatë ditëve të kaluara, së bashku me tweet-et rreth protestuesve që janë përgjegjës për vdekjen e Underwood, teori të tjera të rreme kanë bërë jo pak xhiro në rrjet, duke përfshirë një ndërprerje të internetit në Uashington dhe dërgimin e protestuesve për të shkaktuar trazira në qytetet e SHBA-së nga një grup militant i majtë. Dhe pasi diçka shfaqet në facebook, me mbi 2,6 miliardë përdorues aktivë mujorë, është e vështirë ta kundërshtosh.
“Është shumë e rëndësishme që të dyja këto platforma të marrin informacionin e duhur, jo vetëm njëra ose tjetra”, thotë Jennifer Grygiel, ndihmëspedagoge për Komunikim në Universitetin Siracuse. “Ne kemi nevojë për të dyja platformat.”
Presidenti Donald Trump tha të hënën se “kombi është kapur nga anarkistët profesionistë, turmat e dhunshme, plaçkitësit, kriminelët dhe rebelët”, duke pikturuar një pamje të zymtë të protestave kryesisht paqësore që janë mbajtur në më shumë sesa 140 qytete në të gjithë vendin. Madje, Trump përmendi edhe Underwood.
“Një oficer federal në Kaliforni, një hero afro-amerikan, u qëllua dhe u vra”, tha ai. “Këto nuk janë protesta paqësore. Këto janë akte të terrorizmit në familje.”
Edhe pse dezinformata ka lulëzuar në mediat sociale, duke i lejuar kritikët e protestave të sjellin një rrëfim subjektiv rreth demonstratave, platformat vazhdojnë të shërbejnë për një qëllim tjetër. Organizatorët janë mbështetur në mediat sociale, veçanërisht në Twitter, për të koordinuar demonstrimet dhe për të shkëmbyer përditësime të rëndësishme në terren. Gazetarët i përdorin për të raportuar zhvillimet, dhe qytetarët i ndjekin për të mësuar së çfarë po ndodh në të vërtetë.
Por disa njerëz kanë përfituar nga përdorimi i gjerë i mediave sociale, për të mbjellë konfuzion midis protestuesve. Twitter thotë se është duke u përpjekur ta adresojë këtë problem.
“Ne jemi duke ndërmarrë një veprim në mënyrë proaktive për çdo përpjekje të koordinuar për të prishur bisedën publike rreth kësaj çështjeje”, tha një zëdhënës i saj. “Për shembull, ne jemi duke hetuar në mënyrë aktive hashtag-un #dcblackout dhe gjatë këtij procesi kemi pezulluar tashmë qindra llogari.”
Zëdhënësi tha gjithashtu se Twitter mund t’i parandalojë trendet me përmbajtje të caktuar, si tema që nxisin urrejtje racore.
“Ekziston një erozion i tillë i besimit, që ne me të vërtetë e kemi dekriminuar këtë platformë që është jashtëzakonisht e vlefshme për organizimin.”
Facebook, nga ana e saj, tha në një deklaratë se ekipet e saj “kanë punuar për të gjetur dhe hequr aktivitetin shkelës që nga fillimi i protestave, duke përdorur sisteme të automatizuara të zbulimit, kontrollimin e fakteve, zvogëlimin e shpërndarjes së përmbajtjes dhe heqjen e asaj përmbajtjeje që shkel politikat e platformës.”
Facebook paguan një ushtri të kontrolluesve të fakteve, për të verifikuar postimet potencialisht problematike, por twitter nuk ka atë lloj të fuqisë punëtore. Ajo ka tendencën të mbështetet në makineri dhe, ndërsa ndonjëherë vendos një etiketë paralajmëruese, siç bëri kohët e fundit në disa postime nga Trump, shumë keqinformime thjesht do të derdhen në platformë.
“Nuk ka rëndësi se kush ose nga vjen”, tha Maddy Webb, një studiues hetues në First Draft, një organizatë që gjurmon dhe lufton dezinformimin në internet.
Mëngjesin e të hënës, hashtag #dcblackout kishte filluar të qarkullonte në twitter. Ajo i referohej një historie të rreme që thoshte se asnjë media sociale nuk do të ishte e arritshme në qytet, për shkak të trazirave civile. Pretendimet u bënë më të egra, se telefonat dhe mjetet e tjera të komunikimit po bllokoheshin dhe policia po zëvendësonte plumbat e gomës me ata të vërtetët. Deri pasditen e së hënës, hashtag ishte përdorur rreth 1 milion herë, sipas NPR.
Netblocks, një grup që gjurmon ndërprerjet e internetit, ndoqi tweet-et në lidhje me #dcblackout dhe monitoroi trafikun e rrjetit në kohë reale. Nuk u vu re paqëndrueshmëri në lidhje. Kjo tregoi se thashethemet nuk ishin të vërteta.
Në një mjedis me zhvillim të vazhdueshëm, si protestat rreth vdekjes së Floyd, informacioni i rremë e mposht lehtësisht Twitter-in. Vetëm të dielën, Black Lives Matter, Floyd dhe protestat për vdekjen e tij u përmendën 21,2 milionë herë në të gjitha format e mediave, përfshirë edhe Twitterin, sipas Zignal Labs. Që nga 25 maj ka pasur mbi 101 milionë përmendje, tha ndërmarrja e inteligjencës së mediave. Disa nga këto informacione janë duke “u armatosur” për t’u përshtatur me agjendat politike të njerëzve.
Kathleen Carley, pedagoge e Shkencave Kompjuterike në Universitetin Carnegie Mellon, tha që një studim i tweet-eve rreth protestave tregon se në thelb asnjë person nuk ka përdorur hashtagun nga grupi radikal i majtë Antifa. Ajo vlerëson se 30% deri 49% e përdoruesve që postojnë në lidhje me protestat ka të ngjarë të jenë kompjuterë, jo njerëz.
“Nuk do të thotë që po postojnë informacion të pasaktë, por po ndihmojnë të mbjellin konfuzion”, tha ajo. “Dezinformimi është vërtet i vështirë për t’u dalluar ndonjëherë,” tha Carley. “Bazuar në hashtag-s, duke përjashtuar ato të Black Lives Matter dhe të tjerat nga George Floyd, janë duke i bërë protestat një çështje politike për gjëra të tjera.”
Trump e ka etiketuar grupin e majtë radikal Antifa një organizatë terroriste, dhe i ka fajësuar ata për protestat e vendit.
Gjatë javës së kaluar, njerëzit bënë postime me ndjesi të ngjashme në facebook më shumë se 6 mijë herë, sipas The New York Times. Dhe ato postime u pëlqyen dhe u shpërndanë më shumë se 1,3 milionë herë, tha gazeta të hënën.
Shqyrtimi i gjerë dhe kaosi në mediat sociale po bëjnë që Twitter dhe Facebook të reagojnë.
Javën e kaluar, Twitter bëri diçka që nuk ishte parë kurrë më parë në faqen e saj. Ajo vendosi një etiketë në dy postimet nga presidenti Trump, duke paralajmëruar se ato përmbajnë “informacione potencialisht mashtruese në lidhje me proceset e votimit”. Disa ditë më vonë, Twitter fshehu një postim brenda natës nga Trump pas një etikete, duke thënë se shkelte rregullat e kompanisë për nxitje dhune. “Kur plaçkitjet fillojnë, të shtënat fillojnë”, kishte paralajmëruar Trump, duke përdorur një frazë nga një shef i policisë në Miami, në vitet 1960 që shihet gjerësisht si një kërcënim i dhunshëm kundër protestuesve.
Facebook, ndërkohë, mori një qasje më të ngadaltë. Gjiganti i rrjeteve sociale, i cili fiton shumë para nga reklamat politike (diçka që Twitter e ndalon në faqen e saj), nuk e pengoi një postim të ngjashëm nga Trump. Si përgjigje, punonjësit e Facebook-ut organizuan një protestë të rrallë dhe disa thanë se ata do të jepnin dorëheqjen.
Online Talkspace gjithashtu përfundoi diskutimin e saj të partneritetit me Facebook-un me argumentin se “nuk do të mbështesë një platformë që nxit dhunën, racizmin dhe gënjeshtrën”.
Të enjten, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që bëri thirrje për një riinterpretim të nenit 230 të ligjit për vendosmërinë e komunikimit të vitit 1996. Ligji, i cili siguron fjalën e lirë në platformat e teknologjisë, cakton ndërmarrjet në internet, si Facebook dhe Twitter si “shpërndarës” e jo si “botues” të përmbajtjes. Kjo i ndalon ata që të paditen për çdo përmbledhje negative ose koment të postuar në faqet e tyre. Shumë ekspertë thonë se urdhri i Trump është kryesisht simbolik dhe i pazbatueshëm.
Kontrolluesit e fakteve u bëjnë thirrje mediave sociale të ndërmarrin disa hapa kur bëhet fjalë për luftimin e dezinformatave. Ata sugjerojnë të moderohet përmbajtja, si dhe të hiqen qafe butonat retweet dhe share, gjë që do ta vështirësonte shpërndarjen e shpejtë të informacioneve të rreme.
Ndërsa shkëmbimi i informacionit mund të përhapë dezinformata shpejt, ky mjet gjithashtu është jetik për koordinimin e protestuesve. Dhe ka shumë informacion që rrjedh gjatë protestave në faqet e mediave sociale për t’i moderuar ato pa dëmtuar fjalën e lirë dhe pa e etiketuar informacionin e saktë si të rremë.
Nëse Twitter dhe Facebook nuk mund të gjejnë mënyra për të shqyrtuar veten e tyre, mund t’u takojë përdoruesve të jenë më të kujdesshëm për atë informacion që ata ndajnë dhe besojnë. Kjo do të thotë të bësh gjëra të tilla, si kërkime dhe të presësh para se të rishfaqësh menjëherë diçka. Dhe përfundimisht, kompanitë mund të përballen me më shumë rregulla qeveritare.
Ndërsa Twitter përpiqet të ecë në vijën midis lejimit të fjalës së lirë dhe frenimit të dezinformatave, emri i Underwood po përdoret ende si një mënyrë për të kapur një narrativë.
Ndërkohë, miqtë dhe familja e tij po përpiqen të kujtojnë njeriun që humbi jetën natën e së premtes. Ndërtesa federale ku punoi Underwood është ende e rrethuar me shirita policie. Në memorialin e improvizuar në kabinën e rojave, ku ai vdiq, është fotografia e tij, e shoqëruar me adresën ku mund të dhurohen shuma parash për ata që ka lënë pas vetes.
“Dy nga oficerët tanë u zunë në pritë nga disa frikacakë të dhunshëm,” shkroi Jennifer Tong, mbikëqyrësi i Underwood dhe kolegut të tij, në faqen e mbledhjes së fondeve. “Unë kam punuar krah për krah me të dy njerëzit, dhe nuk mund ta përshkruaj dot dhimbjen.”/Fjala.al