Luan Rama: Shkrimtarët, diplomatët që “pushtuan” Parisin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Letërsia i bashkon popujt më shpejt se politikat zyrtare

“Përmes letërsisë lexuesi duhet të kuptojë thelbin e jetës, të qenies, të shpirtit, jetës së përkohshme njerëzore të secilit prej nesh, të thelbit njerëzor: cilët jemi, nga vijmë dhe ku shkojmë”

Nga Leonard Veizi

Si diplomat ka hyrë e dalë në institucionet qendrore të Evropës, duke u marrë me punët e Shqipërisë, por dhe me ato të UNESCO-s ku ka qenë i atashuar për mjaft kohë. Shkëlqimi marramendës i kancelarive ka mbetur i fiksuar në fotografi me ngjyra, ku ai dallohet mes ca burrash shteti e gra me influencë ndërkombëtare. Por bota e tij e vërtetë është ajo e letrave. Dhe po të kalkulosh, –pa mjete të avancuara logaritmesh,–se sa kohë ka shpenzuar për këto dy qëllime të mëdha të jetës së tij, padyshim diplomacia mbetet një sport i kuruar. Në raftet e bibliotekës sime numëroj 16 tituj me emrin e tij. Në jetëshkrimin që gjendet pa vështirësi kur kërkon në google, janë 51 të tillë. Poezi, romane, studime, ese historike, publicistikë e prozë poetike. I papërtuar të punojë me dritën e agimit, por dhe nën ndriçimin fosforeshent të prozhektorit natën vonë, ai është vazhdimisht në kërkim të gjurmëve arkivore, në halucinacione përsiatjesh dhe thurje vargjesh poliedrike.

Nuk është nevoja të flasësh më shumëpërpunën e tij, dhe as t’i bësh superlativa. Tollovia e fjalëve për vlera të pashembullta nuk thotë asgjë, përveçse të tregon me mangësi serioze. Nderi i vetëm që mund t’i bësh, duke mos hapur gojën, në fakt është  të hapësh njërin prej librave të korpusit të tij, dhe t’i shkosh deri në faqen e fundit. Nëse shkruan mbi ato që ai thotë është e kotë, sepse para tij pakkush do të donte të lexonte një shënim modest, qoftë dhe të sofistikuar me fjalë jo të përdorimit komun. Por ajo që thuhet më poshtë, padyshim merr më shumë vlera, nëse lexohet me kujdesin e duhur. Janë fjalë të thëna nga një skrupuloz si Luan Rama, për lexuesit e “Fjalës”, sigurisht. I qartë deri në fund, transparent dhe eksplicit gjithashtu, ai kërkon të shterojë çdo përgjigje, në bazë të një pyetjeje të bërë.

Kontributi juaj është i gjithanshëm, si poet, prozator, skenarist, publicist e studiues. Ku e ndieni veten që mund të jepni maksimumin tuaj?

Që me ardhjen time në Francë, jeta ime letrare është kthyer në një udhëtim të përhershëm Francë-Shqipëri-Francë, një shtegtim midis dy brigjeve dhe kjo është gjithnjë pasionante, pasi gjithnjë ka diçka të re për të treguar. Është interesante se kur isha një djalosh i ri ëndërroja të shikoja Francën dhe të zbuloja vendet ku ishin krijuar letërsitë e mëdha të Prustit, Hygosë, Mopasanit, Floberit apo të poetëve Rembo dhe Bodler… Por fati e solli të vija në këtë vend dhe të qëndroja. Një ëndërr që çuditërisht u realizua. Por, sidoqoftë, ajo që ka rëndësi është se si e përjeton këtë atdhe të dyfishtë nga pikëpamja letrare, si ngjizen këto dy vende brenda shpirtit letrar. Mendoj se ajo fillon me njohjen e vendit ku vjen, cilido qoftë ai, me letërsinë, artin dhe historinë e tij, me njerëzit dhe jetën e përditshme. Dhe, kur pajisesh me këto njohuri, ke dëshirë t’i përcjellësh në vendin e origjinës, të përkthesh poezi, letërsi, të bësh të njohura histori përmes gazetarisë, të bësh të njohura personazhe shqiptare në Francë, ngjarje, pikëtakime historike etj. Kështu, dalëngadalë, kthehesh në një lloj mesazheri, shtegtonnë këtë urë ajrore, shkon e rivjen duke mbartur gjithnjë diçka të re, interesante, mundësisht të panjohur. Pastaj vjen faza e krijimit të vërtetë letrar Duke u hedhur një sy krijimeve të mia konstatoj se mjaft libra janë frymëzime të këtyre shtegtimeve, lidhjeve historike mes dy vendeve, personazhesh që kanë dhënë diçka në bregun tjetër. Kështu, njohja me poetikën e magjishme të Artur Rembosë më frymëzoi të shkruaj librin për të “Udhëtimi i mbramë i Artur Rembosë”; njohja e poetit arvanitas Jani Papadiamantopulo, apo i francizuar, Jean Moras, më ngacmoi ta bëj të njohur këtë figurë të njohur në Shqipëri përmes librit “Jean Moréas, poeti nga Moreja”… Zbulimi i krijimeve të Jean Cocteau-së, me ngacmoi të shkruaja librin:“Pikëtakim me Jean Cocteau”, e kështu me radhë, siç ndodhi me librat “Gjenerali De Gol-një legjendë e gjallë”, “Miterand-dhe Zotërit vdesin gjithashtu”, libri “Bujtës të largët”, mbi udhëtarët francezë në Shqipëri gjatë shekullit XIX, “Konsullatat franceze në Shqipëri gjatë shekujve XVII-XIX”, si dhe disa libra për piktorët që njoha në Paris si Abedin Dino, Omer Kaleshi, Valdet Hamidi etj. Por rëndësi kanë veprat e mirëfillta letrare, siç ishte romani “Santa Quaranta” – mbi historinë e balerinës së famshme Isadora Duncan, gjatë qëndrimit të saj në Sarandë, në vitet 1913-1914; “Camera obscura – Origjina e botës”, me një personazh shqiptar në Francë dhe historinë karamboleske të tablosë emblematike të erotizmit, të quajtur “Origjina e botës” e piktorit Kurbe.

Si e shikoni zhvillimin e letërsisë shqipe në vitet e fundit? – Lexuesi shqiptar, a po humbet ai? Kam parasysh që statistikat flasin për rënie drastike të leximit në Shqipëri.

Një pyetje disi e vështirë për mua, meqë nuk jetoj në Shqipëri, edhe pse e ndjek letërsinë shqipe, librat e disa miqve të mi, por është ndryshe të jetosh aty, ku është jeta krijuese. Padyshim, ka vepra që spikasin në morinë e botimeve, por nuk i shoh të shumta dhe kjo është e kuptueshme. E njëjta pyetje mund të bëhet dhe për Francën: ku janë penat e fuqishme që tronditnin botën letrare me romanet e tyre, siç ishin Albert Kamy, Sartri e një plejadë e tërë shkrimtarësh. Kështu dhe në Shqipëri. Letërsia dhe artet në përgjithësi janë si një lloj sizmografi, me ngritjet dhe zbritjet e tyre, edhe pse lënda letrare shqiptare, pra vetë jeta shqiptare është tepër komplekse, shumëdimensionale, me shumë kolorit dhe tepër dramatike. Është një lëndë bashkëkohore që premton shumë, por që pak vend ka zënë deri tani në letërsinë e mirëfilltë. Këtu është dhe roli i shkrimtarit, se sa i zoti është ta rrokë këtë dramacitet në vlimin e vet…

Ju keni qenë edhe një diplomat gjithashtu. Kam parasysh se të paktën në Paris, Shqipëria është paraqitur me disa ambasadorë të cilët kanë qenë edhe shkrimtarë. Në fakt, çfarë i jep letërsia një diplomati? Ose dhe e kundërta: çfarë përfiton një shkrimtar nga diplomacia.

Tradita e shkrimtarëve-diplomatë është një tradicion francez që në shekujt e kaluar. Diplomatët bënin një shkollë të qytetërimeve dhe të gjuhëve dhe shkonin pastaj nëpër botë. Të gjithë e kishin zakon të shkruanin: të marrim Pukëvilin në kohën e Ali Pashë Tepelenës, ai shkroi disa libra për Shqipërinë dhe Greqinë; Hecquart në Shkodër shkroi një libër të mrekullueshëm për Shqipërinë, apo Degrand për Shqipërinë e Veriut, pa përmendur të tjerë. Në shekullin XX kishte shumë diplomatë letrarë, si nobelisti Chateaubriand, Lamartine, konsulli Stendhal, Saint John Perse, ambasadorët Paul Claudel apo Romain Gary etj… Por me fundin e shekullit XX ky tradicion mori fund. Edhe në vendet e Lindjes evropiane, pas ndryshimeve politike, në diplomaci hynë shumë letrarë, si në Rumani, Bullgari, Shqipëri, Çeki, Hungari, Maqedoni etj. Letërsia e një diplomati në metropolet e diplomacisë e bën atë një personazh interesant. Ai nuk është si të tjerët, është më i çlirët, më i afërt me vendin ku është akredituar, më i sinqertë. Zakonisht letrarët i dashurojnë vendet ku shkojnë. Edhe presidentët, kryeministrat, ministrat e Jashtëm kanë dëshirë të komunikojnë me një letrar apo artist që është ambasador. Letërsia i bashkon popujt më shpejt sesa politikat zyrtare.

Jeta juaj profesionale është një jetë shkrimtari. Çfarë është letërsia për ju, edhe në kuptimin filozofik, por dhe në atë praktik të saj?

Letërsia më parë nuk ka qenë primare për mua. Kam qenë vazhdimisht i shpërndarë: kinematografia, shkrimet gazetareske, kritike, pastaj diplomacia, vëllimet poetike, libri historik, më pas romani, tregimi, letërsia për fëmijë, pa folur këtu për përkthimet e mbi 15 librave që interferonin herë pas here në krijimtarinë time. Shkrimtari francez i shekullit XX, Paul Morand, kur shkruante për mikun e tij, Jean Cocteau, të konsideruar “princ i poezisë”, thoshte se “ai i ngjan një balerini që danson në majë të gishtave mbi një tastierë artesh”, pasi Cocteau (Kokto) ishte dhe poet, dhe piktor, eseist, regjisor filmash, dramaturg, aktor… Padyshim, ishte një njeri pasionant dhe i uritur i arteve, saqë binte menjëherë në dashuri me to, si një “dandy” që kishte njëherësh dhjetë të dashura…

Lexo edhe :  Zgjedhjet parlamentare/ Më 11 Janar fillon regjistrimi i Diasporës në “PER”

Letërsia, padyshim, është e lidhur ngushtë me filozofinë, pasi duam të shprehim gjithnjë një ide, një mendim për gjendjen sociale, një problematikë që lidhet gjithnjë me ardhmërinë e njeriut, shoqërisë, përballë sfidave shpirtërore, apo me natyrën, produktivitetin, ekzistencën, çka e tregon më së miri gjithë letërsia ekzistencialiste. Po kështu, letërsia prustiane është shumë e lidhur me filozofinë, ashtu siç ishte një “Madame Bovary”. Përmes letërsisë lexuesi duhet të kuptojë thelbin e jetës, të qenies, të shpirtit, jetës së përkohshme njerëzore të secilit prej nesh, të thelbit njerëzor: cilët jemi, nga vijmë dhe për ku shkojmë,këtë frazë lapidare që piktori francez, Paul Gaugin, e kishte vendosur në një nga tablotë e mëdha të tij pikturuar në Tahiti. Ja pse letërsia është një lloj filozofie letrare apo arti figurativ, një filozofi pikturave qëndrimet tona ndaj së mirës dhe të keqes. Letrari e qëmton jetën dhe e rikrijon atë në art. Ai i e kupton se jeta është sa e thjeshtë, aq dhe komplekse, ajo nuk është bardh e zi, te personazhe të kritikueshme gjen gjëra poezitive dhe e kundërta. Pra, tjetrin, duhet ta pranojmë në kompleksitetin e vet. Librat që i referohen lirisë së fjalës, shtypit, lëvizjes së lirë, padyshim që hyjnë në sferën e mendimit, të filozofisë, mendimit të lirë.

A përballeni me kritikën? Domethënë, sipas jush, a funksionon ky institucion për letërsinë shqipe?

Me kritikën? Jo… kritika e vërtetë është e rrallë në Shqipëri. Më ka bërë përshtypje një fakt: libri “Epistolari i Zaratës” u botua në anglishte, në Melburn të Australisë, pastaj në frëngjishte në Francë, më pas në Firence të Italisë në italishte, si dhe do të botohet në Greqi në shtator të këtij viti, në gjuhën greke. Kjo tregon se ka një lloj interesi. Ndërsa rreth këtij libri nga kritika shqiptare ka vetëm dy artikuj: një i Kliton Nesturit dhe tjetri nga Belerina Suta, në një ligjëratë në Napoli, në një takim në kuadrin e studimeve orientale në shkurtin e kaluar. Për librat e tjerë ka shkrime të ndryshme, por jo shënime kritike. Nuk e kam fjalën këtu për shënimet që shkruhen zakonisht në facebook. Mendoj se diçka mund të shkruhej për romanin “Një kohë pa kohë”, mirë apo keq, pasi ka vend mendoj për të folur për strukturën dhe konceptin e kohës relative, kur personazhevetë “tri romaneve në një” koha u ka ndalur prej shumë vitesh dhe në pikëtakimin e mëvonshëm me partnerët e tyre të dikurshëm, kjo kohë rifillon të ecë, të fillojë aty ku kishte ndalur, thua se koha e deriatëhershme e kishte humbur sensin e drejtimit dhe nocionin e vet. Koha, në fakt, është përjetim, një përjetim i fuqishëm. Monotonia, një jetë pa ngjarje, pa emocione, ku gënjen veten, ngjan me një jetë të humbur. Koha humbet nocionin e vet, ajo zhbëhet.

Në Shqipëri më duket nganjëherë se shkruajmë për njëri-tjetrin. Është fakt që kritika sot nuk përfaqëson diçka të institucionalizuar. Kritikët e pavarur tashmë janë të pakët. Vallë ngaqë lexuesi nuk e lexon më kritikën. Vallë ka dëshirë të lexojë vetëm librin? Disa dekada më parë kritika lexohej me ëndje, informohej, shkruhej për profilet e shkrimtarëve, tendencat krijuese, mjeshtërinë letrare, gjuhën etj., por sot kjo nuk ekziston më. Prandaj dhe librat me shënime kritike nuk lexohen më…

Ju e ndani jetën mes Tiranës dhe Parisit. Çfarë i ofron Parisi një shkrimtari, qoftë dhe një artisti në përgjithësi? Po Tirana?

Parisi, si çdo metropol ofron shumë. Jo më kot shumë shkrimtarë e artistë gjatë shekullit erdhën të krijojnë në Paris: shkrimtarë e piktorë siç ishin Picasso, Chagall, Braque, Dali, Modigliani etj., çka krijuan atë që do të quhej “École de Paris”. Shumë shkrimtarë anglosaksonë erdhën të krijojnë në Francën jo puritane, siç ishin Heminguei, Fitzgerald, Joyce, Ezra Pound, Dos Passos etj., eseistë si Gertrude Stein, fotografë si Man Ray e shumë e shumë të tjerë. Por ndodh dhe e kundërta, siç ndodhi jo me pak letrarë e artistë që u larguan nga metropoli i zhurmshëm, nga publiciteti për të qenë të lirë dhe për t’iu kushtuar artit tërësisht. Një shembull i përkryer ishte Paul Gauguin që shkoi në Oqeaninë e largët, në Tahiti dhe ishujt pranë, për të krijuar afreskun e tij të mahnitshëm indigjen. Kështu Saramago në kohën tonë shkoi në një ishull mes peshkatarëve që të krijonte opusin e vet letrar etj. Për mua (dua ta them me modesti, pasi nuk jam dikushi) Tirana nuk është një vend për të krijuar. Ka shumë zhurmë dhe eufori në fushën mediatike. Madje, është marramendëse dhe dëshpëruese. Ideale do të ishin vende të largëta, por që mbartin histori njerëzore: brigjet e shkreta detare, qytezat e vogla. Mua më pëlqejnë shumë malet e veriut, rrafshet malore, Dukagjini me Nikaj Mërtur, Curraj i Epërm, Vermoshi etj. Në gjenetikën e atyre njerëzve ka shumë histori, supersticione, mite, çka të jep mundësinë e krijimit të një letërsie të realizmit magjik, por shumë modern. E, padyshim, kjo do mjeshtëri, të cilën na duhet të bëjmë përpjekje ta zotërojmë. Sidoqoftë, është një ngasje frymëzuese.

Cilat janë punimet më të fundit që keni në duar, duke pasur parasysh se ju keni qenë aktiv edhe gjatë ditëve të karantinës?

Koha e karantinës padyshim ishte frytdhënëse për mua, pasi ma vuri në dispozicion kohën totalisht për të krijuar. Nuk ishin më daljet për të takuar miq, kinematë, teatri, ekspozitat, bibliotekat për të kërkuar librat etj. Kështu botova librin “Shtigjeve të hershme të historisë“, tregime, një skenar filmi, si dhe poezi të shumta. Kohët e fundit po më ndodh diçka interesante që nuk e di si është tek të tjerët: botoj tregime dhe më vonë kam ngasjen t’u rikthehem për t’i shndërruar në novela apo romane, pasi brenda tyre më ngjan se ka karaktere dhe lëndë për t’u shpalosur më gjerësisht. Më ka ndodhur kjo më tregimin “Vjeshta e Alberto Savianit”, “Një mungesë e gjatë”, apo “Burri që donte të vdiste”. E njëjta gjë dhe me një tregim të fundit “Dashuri e nëmur në Maligrad”, të cilën e shkrova skenar për një film artistik dhe që më shtyu ta rishkruaj tashmë si novelë. Regjisori është entuziast dhe ka dëshirë ta realizojë së shpejti.

Sapo kam krijuar një website, si dhe kam vendosur nja rreth 30 libra në Smashwords dhe në Amazone, çka janë një lloj vitrine ndërkombëtare, por kjo s’do të thotë se janë të përkryera. Në letërsinë shqiptare ka vepra të mrekullueshme që, për fat të keq, nuk janë në vitrinat ndërkombëtare. Moria e shkrimtarëve anglosaksonë dhe aventurat e tyre pariziene më kanë shtyrë të përgatis librin “Kronikë anglosaksone në Paris” me autorë amerikanë e anglezë që i përmenda më sipër. Ndërkohë, po punoj për të mbaruar librin mbi stratiotët shqiptarë në Francë, në shekullin XVI, një libër historik për të treguar bëmat historike të kalorësve shqiptarë nga brigjet shqiptare dhe shqiptarët e Moresë, që pas luftërave të Italisë erdhën në Francë dhe u inkuadruan në ushtrinë e mbretërisë franceze, duke krijuar madje atë që shkruajnë dhe historianët francezë“chevalerie albanaise” (kalorësia shqiptare). Deri tani kisha shkruar artikuj të ndryshme rreth kësaj teme, por mendoj se ka nevojë për një libër më vete dhe me ilustrime. Po kështu, po përfundoj së përgatituri një vëllim tjetër me tregime, si dhe një vëllim poetik./Fjala.al

Të fundit

Nevojat e shoqërisë dhe deontologjia e “Big Brother”

NGA GËZIM TUSHI  U bënë tashmë disa vite që shoqëria shqiptare jeton nën ethet sociale e spektakolare të promovimit të...

“Jemi tanët o burrë…”/Braçe tregon kush tentoi ta korruptonte kur ishte zv.kryeministër

Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, i ftuar në emisionin “Quo Vadis” ka folur për politikën dhe sfidat e saj, por dhe presionin e...

Ulja e çmimit të energjisë/ Rama: Nuk ka lidhje me zgjedhjet, fitoren e kemi të sigurt

Kryeministri Edi Ram ka reaguar pas akuzave se ulja e çmimit të energjisë elektrike u bë për efekt elektoral. Në një video në rrjetet...

Fluksi i lartë i futjes së automjeteve nga jashtë, në diskutim rregulla të reja importi

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka nisur diskutimin për të mos lejuar importin e automjeteve më të vjetra se Euro 5....

A i shkonin gocat Dash Shehit nga mbrapa? Politikani flet për rininë e tij

I ftuar në podcastin e Ilnisa Agolli “Flet”, politikani Dashamir Shehi dha jo pak deklarata në një rrëfim ndryshe nga sa ne e njohim....

Lajme të tjera

Web TV