Rritja e mesatares/Drejt mbylljes disa degë në rrethe, mësuesia në rrezik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rritja e pragut minimal të mesatares për pranimet në bachelor ka sjellë reagimet e rektorëve dhe të pedagogëve.

Në një intervistë për gazetën “Fjala” rektori i Universitetit të Korçës, prof. Ali Jashari, tregon efektet e këtij vendimi teksa thekson se më të rrezikuara për rënie të numrit të regjistrimeve janë degët e mësuesisë.

Nga Ina Allkanjari

Rritja e pragut të notës mesatare për pranimet në arsimin e lartë ka ndikuar çdo vit në uljen e numrit të studentëve. Këtë fakt e konfirmon rektori i Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës, prof. Ali Jashari, i cili në një intervistë për gazetën “Fjala” tregon efektet që mund të sjellë vendimi i qeverisë, i datës 3 qershor 2020.

Në vendim përcaktohet se për vitin akademik 2020-2021 kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë, maturantët me notë mesatare mbi 6,5, ndërsa për vitin akademik 2021-2022 pragu minimal i mesatares do të jetë 7.

Sipas Jasharit, numri i studentëve për disa degë pritet të ketë rënie, ndërsa thekson se kriteri i notës mesatare duhet të përcaktohet për çdo vit akademik, siç është parashikuar në ligj.

Për sa i përket numrit të studentëve të regjistruar gjatë dy viteve të fundit në Universitetin e Korçës, Jashari shprehet se në disa programe studimi ka rënie të numrit, sidomos në programet e bujqësisë dhe të mësuesisë.

Ndërkohë, nëse një maturant dëshiron të ndjekë një ndër degët e mësuesisë, në VKM është përcaktuar si kriter pragu minimal i mesatares 7,5. Në lidhje me këtë vendim, Jashari thekson se ka një rënie të ndjeshme në numrin e studentëve në programet bachelor të mësuesisë.

Sipas tij, shifrat janë vërtet shqetësuese dhe shqetësimi i rektorëve, i dekanëve, i drejtuesve të tjerë, por edhe i stafit akademik është se si do të dalim nga kjo gjendje. Por, nga ana tjetër, rektori sqaron që, nëse do të ketë prurje cilësore në hyrje të studimeve, atëherë kjo e zgjidh edhe cilësinë e mësuesve të ardhshëm.

Edhe këtë vit akademik, 2020-2021, mbështetur në VKM-në nr. 436, datë 3.6.2020, kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë në Universitetin “Fan S. Noli” maturantët me notë mesatare 6,5 e lart. Mendoni se ky vendim do ta ulë numrin e kërkesave në fakultetet e universitetit tuaj?

Në fillim, dua t’ju falënderoj për këtë intervistë. Po t’i përgjigjesha me një fjalë pyetjes suaj, do të thosha “po”: rritja e pragut të notës mesatare për pranimet në arsimin e lartë ka ndikuar çdo vit në uljen e numrit të studentëve, pothuajse në të gjitha programet bachelor.

Por ky nuk është i vetmi faktor që ka ndikuar në prurjen e maturantëve në arsimin e lartë. Ka edhe të tjera gjëra, të cilat i dinë të gjithë, si ulja e numrit të lindjeve, emigracioni, prirja e maturantëve për të studiuar jashtë vendit apo në universitetet e Tiranës. Mendoj se këto duhen marrë në sy, për të gjykuar saktë mbi këtë gjendje në arsimin e lartë shqiptar.

A ka pasur ulje të numrit të studentëve që janë regjistruar në Universitetin e Korçës, nga viti akademik 2018-2019 në 2019-2020, kur u përcaktua dhe pragu minimal i mesatares 6,5?

Pas miratimit të ligjit të ri për arsimin e lartë (nr. 80/2015), kanë dalë disa VKM për kriterin e notës mesatare të pranimeve në arsimin e lartë. Këtu më duhet t’ju kujtoj, edhe për të qartësuar ndonjë pështjellim lidhur me çështjen e mesatares, se ky prag përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në ligjin që përmenda më sipër, neni 74, pika 1, thuhet “Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave”, ndërsa në pikën 2 të këtij neni përmendet se institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere shtesë.

Kështu, për vitet akademike 2016-2017 dhe 2017-2018 pragu i pranimit ka qenë nota gjashtë për të gjitha programet e studimit; për vitin akademik 2018-2019 u la si prag pranimi nota gjashtë për shumicën e programeve të studimit, ndërsa për programet e mësuesisë u vendos nota shtatë. Në vitin akademik 2019-2020, që po përfundojmë, pati rritje të pragut nga 6 në 6,5 (për shumicën e programeve) dhe nga 7 në 7,5 (për programet e mësuesisë).

Duhet përmendur se për programet profesionale dyvjeçare, që zhvillohen sot në universitete, nuk ka kriter të notës mesatare. Për vitin e ardhshëm akademik (2020-2021) mbeten kritere të njëjta pranimi (6,5 për shumicën e programeve dhe 7,5 për programet e mësuesisë), duke vendosur që programet e gjuhëve të huaja për herë të parë do të kenë si prag pranimi notën 7. U zgjata pak këtu edhe për lexuesit, por edhe për t’iu përgjigjur pyetjes suaj të dytë.

Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, në të katër fakultetet e tij, zhvillon 58 programe studimi gjithsej, nga të cilët: 26 programe të ciklit të parë bachelor, 7 programe profesionale 2-vjeçare dhe 25 programe master profesional dhe master i shkencave.

Po të krahasojmë shifrat për numrin e të regjistruarve në këto dy vite akademike për programet bachelor, del se në disa programe studimi ka rënie të numrit, sidomos në programet e bujqësisë dhe të mësuesisë. Por, ndërkaq, ka rritje të numrit në disa programe të tjera, si: administrim dhe politika sociale, teknologji informacioni, infermieri etj., dhe në programet profesionale.

Por, përmbi sasinë, ka rëndësi cilësia. Mund të them se në mjaft programe studimi në këto dy vite ka prurje cilësore të maturantëve, si në financë-kontabilitet, matematikë-informatikë, biologji-kimi, gjuhë angleze etj., ku numri i studentëve të regjistruar është me mesatare mbi tetë.

Në Universitetin e Korçës, në dy fakultete, të cilat zhvillojnë programe të ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë, në bachelor kërkohet nota minimale mesatare 7,5. Si ka ndikuar ky vendim në këto programe studimi vitin e kaluar akademik? Si ka qenë interesi i maturantëve për t’u regjistruar?

Siç e thashë dhe më lart, në këto dy vitet e fundit ka një rënie të ndjeshme në numrin e studentëve në programet bachelor të mësuesisë. Kjo është një dukuri që vihet re gjithandej në universitetet shqiptare.

Shifrat janë vërtet shqetësuese. Meraku i rektorëve, i dekanëve, i drejtuesve të tjerë, por edhe i stafit akademik është se si do të dalim nga kjo gjendje. Disa “qahen” se fajin na e ka mesatarja e lartë (çka do të rritet edhe më shumë në vitin akademik 2021-2022) për pranimin në programet e mësuesisë, dhe frikën e kanë “se mos mbetemi pa punë”(!)

Mendimi im është se rritja e vazhdueshme e mesatares nuk është “leva e Arkimedit”, pra, po të kemi prurje cilësore në hyrje të studimeve, atëherë kjo e zgjidh edhe cilësinë e mësuesve të ardhshëm.

Duhet ta themi troç se për përgatitjen e studentëve-mësues ne kemi kusuret tona, që lidhen me cilësinë e mësimdhënies, me pajisjen e tyre me kompetencat e duhura, që ata ta zotërojnë njohuritë dhe shprehitë e domosdoshme për t’u bërë mësues, që atyre t’u krijojmë një mjedis pune të ngrohtë dhe frymëzues etj. Përgatitja e studentëve-mësues është e një lloji të veçantë, jo si në programet që përgatitin specialistë të fushave të tjera.

Mund t’ju them se në Universitetin e Korçës, pjesa më e madhe e stafit akademik që jep mësim në programet e mësuesisë, ka një përvojë të gjatë mësimdhënieje në arsimin parauniversitar, si i thonë një fjale “e ka ngrënë pluhurin e shkumësit me grushta”. Ata e dinë mirë se cila duhet të jetë figura e mësuesit që po përgatitin për nesër. Por ka edhe faktorë të tjerë, që dua t’i përmend.

Sot për sot, ka një kohëzgjatje të madhe të studimeve për t’u bërë mësues. Mendoni: 3 vjet bachelor, 2 vjet master, 1 vit praktikë profesionale dhe pastaj provimi i shtetit, e më pas radha në portal për t’u punësuar në arsim. Një familjeje shqiptare kjo i vete sa bishti koka. Mësues nuk mund të bëhet kushdo.

Një maturant, që të bëhet mësues, duhet ta dashurojë një gjë të tillë, duhet ta ketë në shpirt, sepse mësuesia nuk është zanat si gjithë të tjerët, por është mision. Nuk e harroj krahasimin që bënte një kolegu im i bujqësisë.

Ai thoshte se një agronom i mangët në njohuri që mund të diplomojmë ne, shumë-shumë, do të prishë një dynym me grurë, kurse një student që diplomoni ju pa e merituar, prish një brez të tërë fëmijësh! Dhe kjo është e vërtetë.

Si do të kapërcehet kjo gjendje në përgatitjen e mësuesve?

Të gjithë themi se mësuesia është përparësi kombëtare. Por, që të mos mbetemi në fushën e fjalëve dhe as të mos e bëjmë “gogol” mesataren, duhen bërë ndryshime konkrete. Për mendimin tim, mësuesia duhet të jetë “monopol” i institucioneve publike të arsimit të lartë, si “një veprimtari akademike specifike” që “duhet të gëzojë status të veçantë”, sikurse përcaktohet edhe në ligjin për arsimin e lartë në Shqipëri.

Si është pritshmëria për këtë vit akademik, mendoni se mund të ketë programe studimi në Universitetin e Korçës që rrezikojnë të mbyllen, për shkak të pragut të mesatares së vendosur dhe numrit të ulët të maturantëve që mund të aplikojnë?

Ju gazetarët e keni qejf të përmendni fjalën “mbyllje”. Asnjë program studimi nuk mund të mbyllet, pavarësisht nga numri i ulët i aplikimeve që mund të ketë. Programet e studimit mund të ndërpriten përkohësisht, kur nuk ka aplikime (regjistrime) dhe më vonë mund të bëhen përsëri aktive.

Ne mendojmë se këtë vit akademik (2020-2021) do të kemi më shumë të regjistruar se vitin e kaluar (se aplikime mund të ketë shumë, por sa regjistrohen në sekretari), paçka se studentët po përballojnë një situatë jonormale. Dhe këtë nuk e them për optimizëm.

Lexo edhe :  Rama takim urgjent me drejtuesit politikë të qarqeve, zbulohet shkaku

A ka pasur ndonjë konsultim me rektorët e universiteteve që ofrojnë të njëtat programe studimi dhe kanë hasur të njëjtat probleme?

Po, sigurisht që kemi qenë gjithnjë në komunikim të vazhdueshëm. Si të thuash “i qajmë hallet mes vedi”, por çdo institucion i zgjidh vetë problemet që ka.

Po konferenca e rektorëve është mbledhur dhe ka diskutuar për këto probleme?

Sa për konferencën e rektorëve, mos e pyet! Këta katër vjet nuk kishte konferencë rektorësh, që me ligj është një organ kolegjial, i cili zgjidh gjëra të njëmendta. Rektorët e universiteteve publike janë mbledhur herë pas here për të diskutuar probleme që kanë qenë të rëndësishme, por pa statusin e konferencës së rektorëve.

Më i rëndësishëm dhe frytdhënës është forumi i universiteteve publike shqiptare, që ka si anëtarë të gjithë rektorët e universiteteve publike të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Konferenca e parë e këtij forumi u zhvillua në shkurt të vitit të kaluar në Prishtinë, konferenca e dytë u mbajt në Universitetin e Korçës më 6-7 mars të këtij viti, ku rektorët kanë miratuar dokumente të rëndësishme për arsimin e lartë shqiptar në këto tri shtete.

A ka pasur një konsultim mes universiteteve dhe qeverisë për kriterin e notës mestare?

Janë bërë disa takime të tilla në Ministrinë e Arsimit, ku rektorët ose drejtues të tjerë të universiteteve kanë dhënë mendimet e tyre. Në disa raste, për shembull, për fusha të veçanta, si artet, sportet, gjuhët e huaja etj., janë marrë parasysh propozimet e universiteteve dhe janë ndryshuar me VKM, ndërsa për të tjerat, jo.

Për sa i përket vitit akademik 2021-2022, ç’efekte mendoni se do ketë nga rritja e pragut të mesatares?

Këtë nuk mund ta parashikoj dot, aq më tepër që në ligjin e përmendur më lart thuhet se kriteri i notës mesatare përcaktohet për çdo vit akademik. Për programet e mësuesisë shpresoj se do të vijnë ditë më të mira!

Ndoshta Ministria e Arsimit do të bëhet një rregullator i drejtë për përcaktimin real të kuotave, sipas kapaciteteve pritëse (auditorët, infrastruktura e mësimit, stafi mësimdhënës dhe ndihmës etj.) të çdo universiteti dhe, siç e kërkon standardi evropian, sidomos për programe të njëjta që ofrohen nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë, ashtu sikurse ndodh edhe në vendet fqinje.

Arsimi i lartë/Rektori i Universitetit të Elbasanit: Jemi kundër vendosjes së mesatares

 Rektori i Universitetit të Elbasanit, prof. Skënder Topi, në një prononcim për gazetën “Fjala”, shpreh shqetësimin lidhur me pragun minimal të mesatares të përcaktuar në VKM. Sipas tij, të njëjtin mendim ndajnë thuajse të gjithë rektorët e universiteteve në rrethe, teksa thotë se në asnjë vend të Evropës dhe botës nuk ka mesatare në bachelor.

Ndërkohë, Anila Neziri, pedagoge bio-kimie në Universitetin e Shkodrës, shpreh shqetësimin lidhur me autonominë e universiteteve. Pasi, sipas saj, përcaktimi i mesatares për degë të ndryshme u duhet lënë në dorë universiteteve.

Disa prej fakulteteve në universitetet e rretheve janë drejt mbylljes. Këtë gjë e dëshmon numri i ulët i regjistrimeve gjatë dyvjeçarit të fundit, përkatësisht në degët e mësuesisë. Rektorë dhe pedagogë të disa prej këtyre universiteteve u shprehën për gazetën “Fjala” se shkak i rënies së numrit të studentëve është vendosja e mesatares në degët e mësuesisë.

Skënder Topi, rektori i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, tregon se nuk kanë qenë asnjëherë dakord për vendosjen e mesatares për pranimet në bachelor. Topi thekson se thuajse të gjithë rektorët ndajnë të njëjtin mendim, që mesatarja duhet të vendoset për pranimet në master dhe jo në ciklin e parë të studimeve.

“Ne nuk kemi qenë dakord asnjëherë për vendosjen e mesatares në bachelor. Është e gabuar vendosja e mesatares për pranimet në trevjeçar. Pothuajse të gjithë rektorët ndajnë të njëjtin mendim, pasi në asnjë vend të Evropës dhe botës nuk ka mesatare në bachelor. Mesatarja duhet të vendoset në master”, u shpreh rektori i Universitetit të Elbasanit.

Teksa deklaroi se nuk e di a do të ketë kërkesa të maturantëve këtë vit për të ndjekur studimet e larta në Universitetin e Elbasanit, Topi tha se me vendosjen e pragut të mesatares në degët e mësuesisë, ka rënë numri i studentëve me rreth 20%.  “Ne ende nuk e dimë nëse do ketë kërkesa të maturantëve këtë vit për të ndjekur studimet e larta në Universitetin e Elbasanit.

Normalisht, me vendosjen e mesatares në degët e mësuesisë ka rënë numri i studentëve, kjo është e vërteta. Nëse më herët kemi pasur 100 studentë, me vendosjen e pragut të mesatares në degët e mësuesisë, ka rënë numri i studentëve me rreth 20%.

Nuk e di se çfarë do të ndodhë këtë vit, si do të jenë kërkesat”, tha Skënder Topi. Teksa theksoi se në Universitetin e Elbasanit aktualisht janë tri fakultete mësuesie, sipas tij, për sa i përket numrit të studentëve, ky universitet ka pësuar më pak rënie se të tjerët.

Universiteti i Shkodrës

E pyetur nga gazeta “Fjala”, lidhur me vendosjen e pragut minimal 7,5 të mesatares për degët e mësuesisë, Anila Neziri, pedagoge në Departamentin e Biologjisë dhe Kimisë në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër, u shpreh se vendimi nuk është i drejtë. Kjo pasi, sipas Nezirit, jo çdo student që diplomohet në bachelor për degët, si Bio-Kimi, Histori-Gjeografi, Gjuhë-Letërsi, Shkenca Edukimi etj., i vazhdon studimet master për mësuesi. “Për mendimin tim, vendimi ku përcaktohet pragu i mesatares 7,5 në degët e mësuesisë, nuk është i drejtë. Ne si degë nuk përgatitim vetëm mësues.

Kjo pasi përveç masterëve të mësuesisë, që deri tani nuk kanë qenë te ne, por te Fakulteti i Edukimit, kemi dhe master shkencor Biologji Mjedisore. Ky master nuk ka lidhje me mësuesinë. Trevjeçari është bazë dhe ti mund të ndjekësh master për Teknolog Ushqimi, mund të shkosh për analiza mjekësore etj.

Pra, kjo është arsyeja pse ne të gjithë e kundërshtojmë, pasi nuk mund të etiketohemi që përgatisim mësues që në bachelor.  Pra, ai student që do të bëhet laborant duhet ta ketë minimumi mesataren 7,5 që të ndjekë studimet bachelor për Bio-Kimi. Shumë studentë bëjnë trevjeçarin në Universitetin e Shkodrës për Bio-Kimi, dhe më pas bëjnë masterin kudo, jo domosdoshmërisht për mësuesi”, deklaroi Anila Neziri.

Nga ana tjetër, Neziri shpreh shqetësim lidhur me autonominë e universiteteve. Sipas saj, përcaktimi i mesatares për degë të ndryshme u duhet lënë në dorë universiteteve, teksa thekson se në të gjithë botën çdo universitet i vendos vetë kriteret. Për sa i përket ndikimit që pati në këtë universitet vendosja e pragut të mesatares 6,5 një vit më parë, dhe 7,5 për degët e mësuesisë, Neziri shprehet se numri i studentëve të regjistruar ka rënë ndjeshëm, ndërsa në degën e Bio-Kimisë vitin që lamë pas pati vetëm 10 studentë.

“Nëse bëj një rezyme të tri viteve të fundit, kur ka qenë mesatarja 6,5 për degën tonë, kemi pasur 30 deri në 40 studentë në bachelor. Kur u vendos mesatarja 7, numri i studentëve që ndoqën studimet për Bio-Kimi shkoi në 15. Vitin që shkoi, kur pragu i mesatares u vendos 7,5 ne kishim 9 studentë dhe në fund erdhi edhe një student tjetër që u bë e mundur hapja e degës.

Besoj që edhe këtë vit, me gjithë këto situata e vështirësi që po kalojmë, njerëzit nuk janë shumë të prirur te shkolla por synojnë t’i dërgojnë të rinjtë jashtë Shqipërie, të paktën për studentët me mesatare të ulët”, tha pedagogia e Bio-Kimisë në Universitetin e Shkodrës. Sipas vendimit të qeverisë, për vitin akademik 2021-2022 pragu minimal i mesatares për degët e mësuesisë do të jetë 8.

Në lidhje me këtë vendim Neziri shprehet se kjo gjë do të sjellë mbylljen e degës. Ajo thekson se në Universitetin e Shkodrës ka shumë fakultete që automatikisht rrezikojnë të mos kenë studentë, teksa shprehet se kjo gjë është shumë e trishtë. “Me këto ritme shumë shpejt besoj se do të mbyllemi komplet, dega jonë të paktën besoj se po.

Mund të mbijetojë informatika, pasi në këtë degë mund të vijnë 20 deri në 30 vetë, jo më shumë. Ne kemi dhe Institutin e Studimit të Ujërave, që është shkencor, është Instituti i Albanologjisë që përsëri nuk mendoj se do të mbijetojë me këtë mesatare. Për mua, ky vendim është regres. Zona nuk zhvillohet kështu, po bie. Godinat e universiteteve do të jenë bosh, nuk do të ketë më as profesorë dhe as studentë. Nuk ka zhvillim pa universitet”, tha Neziri.

Qëndresa Qytetare: Kriteri i mesatares ka prodhuar tkurrje të degëve në universitetet e rretheve

Në lidhje me vendimin e qeverisë për ngritjen e pragut të mesatares për pranimet në universitete për ciklin e parë të studimeve, ka reaguar edhe Qëndresa Qytetare. Sipas Rigels Xhemollarit, kryetarit të Qëndresës Qytetare, nga analizat e bëra ndër vite, rritja e përvitshme e kriterit të mesatares ka prodhuar tkurrje të degëve në universitetet e rretheve dhe mohim të së drejtës për arsim të shumë studentëve, të cilët në pamundësi të studimit në Shqipëri u janë drejtuar unviersiteteve të rajonit ose Evropës.

“Kriteri i mestares është një kriter arbitrar, i vendosur dhe i ndryshuar sipas dëshirës së qeverisë, pa realizuar asnjë konsultim me universitetet të cilat nga viti në vit tkurrin degët e tyre në fushën e edukimit”, tha Xhemollari.

Ai thekson se ky kriter cenon në thelb autonominë e universiteteve, pasi vetë ligji 80/2015 i IAL-ve neni 25 pika 8, shprehet se: “Departamenti propozon kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore”.

Pjesa e parë e këtij neni, shprehet Xhemollari, i jep departamentit kompetencën dhe autonominë e kritereve, ndërkohë Këshilli i Minsitrave shkel ligjin dhe vendos kritere përtej kërkesave të departamentit.

 

l.m/Fjala.al

Të fundit

Topalli: Vota e diasporës do të sjellë rotacion politik në Shqipëri

Ish kryeparlamentarja demokrate, Jozefina Topalli ka folur për angazhimin e saj të ri si Koordinatore Kombëtare e Partisë Demokratike...

Zgjedhjet/ Berisha: Të bëjmë të pamundurën që të fitojmë më 11 maj, s’ka paqe

Këtë të shtunë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon një takim me drejtuesit e departamenteve të ish-të Përndjekurve Politikë pranë Partisë Demokratike. Berisha...

“5 Maji”, Veliaj jep certifikatat dhe premton përfundimin e projekteve

Në një realitet të transformuar krejtësisht, siç është lagjia e re e “5 Majit”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau certifikatat e...

“S’kam frikë nga sfidat”/ Topalli: Kam provuar kallashin në kokë dhe s’jam tërhequr

Koordinatorja e selisë blu për diasporën, Jozefina Topalli, është shprehur se është e vetëdijshme se detyra që ka për zgjedhjet e 11 majit është...

Gjykata Kushtetuese rrëzoi Berishën/ Reagon kreu i PD-së: Janë në kaos, shpik çështje që…

Kreu i PD-së Sali Berisha reagoi në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi një ditë më parë ankimin e tij për...

Lajme të tjera

Web TV