Dy maturantë ekselentë, Kiara Sala dhe Eni Likaj, tregojnë për gazetën “Fjala” arsyet që, sipas tyre, teza e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë duhet rivlerësuar. Me ëndrra për të ardhmen dhe frikën se do t’u nëpërkëmbet mundi ndër vite, dy maturantët gjenden në protestë. Jo për bindje politike, por për veten.
Nga Alessia Selimi
Të rinjve të sotëm u mësohet në vegjëli se ëndrrat marrin formë me besim, këmbëngulje, pa u stepur nga zëra që u mëshojnë projeksioneve të një tjetër lloji. Megjithatë, kur ngrihen në këmbë me kurajë, ndodh të etiketohen nga ministrja e Arsimit si militantë politikë; të fryrë, të shtyrë, pa kurrfarë dinjiteti apo fuqi mendimi.
Kiara Sala nuk rezulton të jetë e tillë. Ora shënon 11:00 dhe maturantja ekselente e shkollës “Harry Fultz”, po proteston për të tretën herë para Ministrisë së Arsimit. Kërkon rishikimin e tezës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Ndërkohë, në fytyrën dhe zërin e kësaj 18-vjeçareje mund të shquash lehtësisht shqetësimin përzier me trishtim për të ardhmen, të planifikuar dhe projektuar tjetërkund.
Kiara është e pakënaqur nga sistemi arsimor në vend. Dhe duket se absurditeti i pretenduar i tezës s’bën gjë tjetër veçse ia amplifikon këtë ndjesi.
“Kam vendosur që të dal në protestë, sepse i gjithë investimi im në arsim, gjatë 12 viteve, po hidhet poshtë nga një provim me pyetje makabre, të ngatërrueshme, të cilat nuk mund t’i quash as të vështira”, thotë Kiara për gazetën “Fjala”.
Sakaq jemi shkëputur paksa nga grumbulli i nxënësve. “Një i përgatitur e kap vështirësinë e pyetjes, e kupton ku është dallimi i një alternative nga një tjetër. Teza e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë përmbante megjithatë pyetje që merrnin përgjigje jo vetëm nga një alternativë, por nga disa të tilla”, sqaron ajo ndërkohë që në duar mban një pankartë ironizuese, tallëse. Kiara
ofron gjithashtu shembuj konkretë, duke përmendur pyetje rreth poezisë të autorit shqiptar Lasgush Poradeci “Dritë Fshehtësije” dhe poemës epike “Iliada” nga Homeri i Greqisë të lashtë. Nuk ndalet! I lexohet qartazi në sy frika për pamundësinë e të veshurit përparësen e bardhë të mjekut.
“Unë gëzoj prej tre vitesh mesataren 10. Ka qenë një punë e vazhdueshme, strapacuese, që ka kërkuar angazhim maksimal. Pa dyshim, kam investuar gjithçka nga vetja, duke kursyer ndoshta edhe daljet me miqësinë, për ëndrrën e të qenit mjeke”, tregon Kiara duke shtuar se deri në këto momente, për një sërë arsyesh, i mendonte studimet e larta dhe karrierën e saj në Itali.
“Nëse në Shqipëri, në sistemin arsimor akoma janë të pakta rastet kur nxënësit apo studentët seleksionohen në bazë të aftësive të tyre, në edukimin jashtë vendit, kjo është një nga rregullat e arta që funksionon. Më pëlqen kjo gjë, sikurse edhe terreni për të përmirësuar aftësitë sociale e komunikuese, përvetësuar gjuhën e huaj, si dhe për të krijuar lidhje ndërkombëtare.” Kiara pohon se vështirësitë nuk kanë dalë në sipërfaqe vetëm në tezën e bërë të enjten (11 qershor).
“Jo pak herë më është dashur të përballem me një pjesë mësuesish të cilët nuk pranojnë një tjetër mendim, vetëm për hir të egos së tyre personale. Kanë qenë momente shumë demoralizuese, dhe e pranoj se më është dashur të dal nga klasa. Nuk ia dilja dot ndryshe…” Ajo nuk ngurron t’i krahasojë këto episode të së shkuarës me të tashmen, me protestën e të rinjve përballë Ministrisë së Arsimit.
“Jam pesimiste për pjesën që nuk do të na dëgjohet zëri. S’ mund të mos jem! Më duken si copëza të të njëjtit libër”, thotë Kiara. “Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), e cila ka hartuar tezën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duhet ta pranojë se ka bërë një punë që lë shumë për të dëshiruar. Për më tepër, kemi dorëzuar një material mbi konstatimet dhe ankesat, që s’mund të hidhet lehtësisht poshtë.” 18-vjeçarja e argumenton prerazi praninë në protestë.
Kiara kërkon rishikimin e pikëve, që me shumë gjasë do të jenë të ulëta, si dhe njëfarë zgjidhjeje. “Një njeri pa ëndrra është si një zog pa pendë, dhe unë nuk dua të heq dorë nga mjekësia”, përfundon ajo. “Sa keq më vjen që e jashtëzakonshmja është rregulli, dhe realja, përjashtim nga realiteti.
” Kjo është vetëm një fjali e ndier nga letra e hapur e një 17-vjeçari në Fier, drejtuar ministres së Arsimit, Besa Shahini. 245 radhë, shkruar nga Eni Likaj, u pëlqyen dhe u shpërndanë nga qindra vetë në rrjetin social facebook. Bëhet fjalë për një tjetër nxënës ekselent që s’mund të etiketohet si militant partie, vetëm sepse zgjodhi t’i komunikonte hapur përshtypjet, emocionet dhe ndjesitë, pasi iu nënshtrua provimit kombëtar të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Maturanti i gjimnazit “Janaq Kilica”, i cili synon degën e Inxhinierisë Elektronike në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit në Universitetin Politeknik të Tiranës, refuzon të varet nga një provim që e konsideron qesharak. Dhe për këtë arsye Eni është bërë gjithashtu pjesë e një proteste të mirëfilltë përpara Zyrës Vendore Arsimore dhe Bashkisë Fier.
“Shqetësimet e mia dhe jo vetëm, janë të shumta. Përpos faktit që pranuam që fati ynë të peshohet nga një provim në të cilin alternativat janë të diskutueshme, kishte plot paradokse të pakrahasueshme. Jo vetëm që nuk kishte lidhje me modelin që QSHA publikoi disa ditë më parë, por kishte gabime në hartim, në kohezion dhe në shumë aspekte të tjera gjuhësore dhe letrare”, thotë Eni teksa vijon me të njëjtën revoltë kur përmend kërkesën për të gjetur alternativën e saktë midis katër të dhënave për shpjegimin e fjalës “dlirnja”, shkëputur nga poezia e Lasgush Poradecit.
“Drejtoresha e QSHA-së, Rezana Vrapi prononcohet se nuk ka asnjë gabim shkencor në tezë. Ndërkohë, e bija e poetit, Marie, thotë përmes një postimi në facebook se asnjë nga alternativat nuk është e saktë. Nivelit i abstraksionit ka arritur majat në këtë tezë”, shprehet Eni. 17-vjeçari rreshtohet krah qindra bashkëmoshatarëve, përfshirë këtu Kiara Stalën, për atë se çka synon të arrijë. “Duhet të plotësohen të gjitha pikat e draftit (10) që është dorëzuar në Ministrinë e Arsimit. Është e vetmja rrugë që maturantët të mos ndihen të nëpërkëmbur dhe të tallur. Fundja, maturantët janë fryma që nuk mund të mposhtet”, thotë i riu.
Eni dhe Kiara janë vetëm dy zëra, dy nxënës që shprehin lirshëm qëndrimin e tyre kundrejt hartimit të tezës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Por nuk janë të vetmit. Janë të shumtë ata që kërkojnë një të drejtë, dhe në numër jo të pakët ata që kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë provimet e mbetura, nëse nuk do të ketë një zgjidhje.
la.mi/Fjala.al