Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, zhvilloi sot një takim me deputetët e opozitës parlamentare, ku u diskutua për çështjen e reformës zgjedhore.
Në këtë takim ishin të pranishëm deputetët Krenar Rryçi, Kujtim Gjuzi, Selami Jenishehri, Vasil Steriovski, Zef Shtjefni.
Opozita parlamentare i paraqiti Kryetarit të Kuvendit kërkesat për përfshirjen në reformën zgjedhore të sistemit proporcional kombëtar, listave të hapura, heqjen e pragut elektoral, votimin e emigrantëve, identifikimin biometrik të votuesve, ndalimin e financimit të partive në fushatat zgjedhore nga buxheti i shtetit etj.
Ndërsa, Ruçi i garantoi ata se propozimet për nismat ligjore t’i formulojnë e t’i paraqesin dhe ato do të diskutohen në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, në komisionet e Kuvendit dhe në seancë plenare.
Kreu i Kuvendit tha ndër të tjera se procedurat parlamentare që do të ndiqen nuk do të cënojnë aspak, por do të respektojnë plotësisht të drejtën e secilit deputet për të propozuar, diskutuar, shqyrtuar, votuar ose kundërshtuar nismat ligjore që paraqiten në Parlament.ka.ta/Fjala.al/