Nga Alessia Selimi
Një letër e shkruar nga artistët Vincent Van Gogh dhe Paul Gauguin, në të cilën ofrohen detaje rreth vizitave të tyre në bordello, është shitur në ankand për 210600 €. Letra u ble nga fondacioni “Vincent Van Gogh” në shtëpinë e ankandit “Drouot” në Paris, të martën. Artistët i drejtohen përmes saj mikut të tyre, piktorit francez Emile Bernard, në fund të vitit 1888.
Në të ata përshkruajnë jetën dhe punën së bashku në qytetin francez të Arles-it. Van Gogh-u dhe Gauguin-i, të dy piktorë postimpresionistë, ishin të bindur se po drejtonin “një rilindje të madhe të artit”.
Artistët e shtrinë vizionin e tyre artistik në Arles por, pasi kaluan disa muaj së bashku, miqësia e tyre mbaroi në mënyrë akromonike dhe Gauguin u largua. Letra u shkrua disa javë përpara se Van Gogh-u të pësonte një tronditje mendore dhe të priste veshin e tij të majtë, konkretisht në 1-2 nëntor të vitit 1888.
Muzeu “Van Gogh” në Amsterdam tha se kjo letër është korrespondenca e vetme që piktori kishte pasur ndonjëherë me një artist tjetër. Muzeu e përshkroi letrën si “dokumenti më domethënës i shkruar nga Van Gogh-u”.
Shtëpia e ankandit “Drouot” e cilëson letrën “të jashtëzakonshme” për shkak të faktit se sa të sigurt ishin artistët që pikturat e tyre do të revolucionarizonin artin. Van Gogh-u dhe Gauguin-i, sipas “Drouot”, ishin plotësisht të vetëdijshëm që arti i tyre shënoi një pikë kthese dhe se vetëm gjeneratat e ardhshme do ta kuptonin atë.
“Ne jemi shumë të kënaqur dhe mirënjohës që fondacioni “Van Gogh” ka bërë të mundur shtimin e një letre kaq të mrekullueshme si kjo në koleksionin tonë, veçanërisht në këto kohë sfiduese”, tha drejtoresha e muzeut “Van Gogh”, Emilie Gordenker. Nga 9 tetori 2020 letra do të jetë një nga 40 dokumentet që do të shfaqen në një ekspozitë të muzeut në Amsterdam.
Çfarë shkruhet në letër
“Tani diçka do të të interesojë – ne kemi bërë disa vizita nëpër bordello dhe ka të ngjarë që përfundimisht të shkojmë atje shpesh për të punuar”, shkroi Van Gogh-u në letrën prej katër faqesh. “Gauguin ka për momentin një kanavacë të papërfunduar të së njëjtës kafene që edhe unë pikturova, por me fytyra që shihen në bordello.
Ai premton se do të dalë diçka e bukur.” Në letër, Van Gogh-u e përshkroi Gauguin-in si “një krijesë të paprishur me instinktet e një bishe të egër”. “Me Gauguin-in, gjaku dhe seksi kanë avantazhin e ambicies”, shkroi ndër të tjera ai. “Por, mjaft nga kjo, ti ke ndenjur me të më gjatë se unë, thjesht doja të ndaja përshtypjet e mia në pak fjalë.”
Autoportreti i Van Gogh-ut rezulton origjinal
Vincent Van Gogh u lind më 30 mars të vitit 1853 në Groot-Zundest, një fshat i vogël në jug të Holandës. Ai nisi të punojë që në moshën 16-vjeçare në Hagë si shitës i veprave të artit. Për sa u takon pikturave të tij, janë përshkruar gjithnjë si të errëta. Por pas takimit me piktorë impresionistë, mes të cilëve edhe Paul Gauguin, ai nisi ta çelte disi paletin dhe të pikturonte me dorë më të vendosur.
Një autoportret i këtij lloji është shpallur së fundmi origjinal, pas disa vitesh pasiguri. Ekspertët e artit e kanë identifikuar “Autoportretin” (1889) si veprën e vetme të pikturuar nga mjeshtri holandez, ndërsa ai vuante nga psikoza. Ai u konfirmua si autentik po nga muzeu “Van Gogh”, në Amsterdam.
Ekspertët vërtetuan se ai ishte pikturuar në kohën kur Van Gogh-u ishte në një azil në Saint-Remy, në Francë, në fund të verës së 1889-s. Dyshimet për origjinalitetin e pikturës ekzistonin prej vitit 1970.
Galeria Kombëtare në Oslo, Norvegji, e cila zotëron veprën, ua dërgoi ekspertëve holandezë, të cilët e analizuan kanavacën me rreze X dhe studiuan furça dhe referencat nëpër letrat drejtuar vëllait të Van Gogh-ut, Theo-s. Në njërën prej tyre Van Gogh-u e përshkruan pikturën si “një përpjekje për t’u rimëkëmbur nga sëmundja”.
Muzeu në Oslo e bleu pikturën në vitin 1910 nga një koleksionist në Paris, duke e bërë atë autoportretin e parë të Van Gogh-ut që hyri në një koleksion publik. “Portreti që qëndron pas meje ka hasur dyshime për një kohë shumë të gjatë”, tha Louis Van Tilborgh, studiues i vjetër në muzeun “Van Gogh”, për agjencinë e lajmeve AFP.
“Është një vepër arti që për të gjitha llojet e arsyeve ishte prej tij, por, megjithatë, kishte elemente të caktuara që të bënin të dyshoje. Kështu që ne duhej të gjenim një shpjegim për këtë dhe kjo ishte e vështirë”, shtoi ai. Dyshimet u ngritën për shkak të përdorimit të ngjyrave më pak të gjalla se të veprave të tij të së njëjtës periudhë.
“Van Gogh-u kishte frikë të pranonte se ishte në një gjendje të ngjashme me bashkëfshatarët e tij në azil, dhe me siguri e pikturoi këtë portret për t’u pajtuar me atë që pa në pasqyrë”, argumenton Van Tilborgh, professor i historisë së artit në universitetin e Amsterdamit.
“Kjo është një pjesë e asaj që e bën pikturën kaq të jashtëzakonshme dhe, madje, terapeutike”, shton ai. Piktura ndodhet aktualisht në ekspozitën e muzeut “Van Gogh” në Amsterdam dhe do të kthehet në Oslo kur të hapet muzeu i ri kombëtar, në vitin 2021.
Arma vetëvrasëse e piktorit holandez
Arma që Vincent van Gogh përdori për të vrarë veten, u shit vitin e kaluar për 162500 €, gati tri herë më shumë sesa pritej. Revolveri i ndryshkur u ble nga një koleksionist privat përmes telefonit. Arma u gjet nga një fermer në vitin 1965 pranë fshatit ku artisti kaloi ditët e tij të fundit.
Më 27 korrik 1890, artisti i trazuar holandez u fut në një fushë afër Auvers-sur-Oise, një fshat pak milje në veri të Parisit, dhe qëlloi veten në gjoks. Pistoleta me madhësi xhepi kishte fuqi të kufizuar dhe duheshin ditë që Van Gogh-u të vdiste nga plagët. Arma, megjithatë, duket se nuk lidhet zyrtarisht me vdekjen e Van Gogh-ut.
Ankandi i cili shiti armën, pranoi se nuk kishte asnjë mënyrë për të garantuar se bëhet fjalë për të njëjtën armë, por tha se datat përputhen. “Testet mbi armën tregojnë se është përdorur dhe se ka qëndruar në tokë për një periudhë që përkon nga viti 1890. Të gjitha këto të dhëna i japin besim teorisë se kjo është arma që Van Gogh-u ka përdorur për të vrarë veten”, tha ankandi i Artit.
Sende të tjera të çuditshme historike, të shitura në ankand
Një copë tortë nga dasma e mbretëreshës Elizabeth II dhe duka i Edinburgh-ut, u shit për 672 £ më 2013.
Unaza e martesës që i përkiste Lee Harvey Oswald-it, burrit që vrau presidentin John F Kennedy, u shit për 118000 dollarë në vitin 2013. Blerësi qëndroi anonim.
Në të njëjtin vit, një violinë që u luajt për të qetësuar pasagjerët e anijes Titanik, gjatë momenteve që u kanosej fundosja, u shit për 900000 £ në vetëm 10 minuta. Asokohe interpretuesi ishte Wallace Hartley, i cili vdiq së bashku me 1517 të tjerë.
la.mi/Fjala.al