Testi i matematikës, kompensim për Gjuhë-Letërsinë?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pas përfundimit të 4 provimeve të maturës shtetërore 2020, në një intervistë për gazetën “Fjala”, nxënësja e ekselencës, Xhejsi Bakaj, tregon vështirësitë që hasi gjatë testimeve.

Maturantja e konsideron testin e Gjuhë-Letërsisë absurd, duke theksuar se testet ndjekëse, ai i matematikës dhe provimi me zgjedhje, ishin të një niveli mesatar. Ndërkohë, dy pedagogë të matematikës në Fakultetit të Shkencave të Natyrës tregojnë se testi i matematikës nuk mund të jetë vetëm me alternativa.

Nga Ina Allkanjari

Ditën e djeshme maturantët u ulën për herë të fundit në bankat e shkollës për të përmbyllur ciklin e provimeve. Rreth 31 mijë maturantë për 2 orë e 30 minuta zhvilluan provimin me zgjedhje, edhe këtë herë nën masa të rrepta sigurie, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Pas përfundimit të testit, maturantë të shumtë, mes emocionesh, treguan se provimi me zgjedhje mund të konsiderohet i një niveli mesatar, ashtu siç konsideruan edhe provimin pararendës, atë të matematikës. Por a mund të konsiderohet ky një kompensim, pas kritikave të shumta që mori provimi i Gjuhës dhe Letërsisë, nga vetë maturantët, por edhe nga aktorë të tjerë?!

Në një reagim për gazetën “Fjala”, Xhejsi Bakaj, nxënëse e ekselencës, maturante në shkollën “Harry Fultz”, ndan emocionet e përfundimit të këtij cikli trevjeçar, dhe shpreh ëndrrën e saj për të vazhduar studimet e larta për mjekësi. Teksa tregon që provimi i Gjuhë-Letërsisë ishte absurd, Bakaj thekson se provimet pasardhës nuk ishin të një niveli të lartë vështirësie.

Sipas maturantes, niveli mesatar i vështirësisë në provimet pasardhëse mund të jenë kompensim i testit të Gjuhë-Letërsisë, por nënvizon që këtë gjë nuk mund ta vendosë ajo. “Tashmë prej 3 vitesh jam nxënëse ekselente dhe ky rrugëtim, pa diskutim, nuk ka qenë aspak i lehtë.

Ka pasur shumë net që kam ndenjur pa gjumë, për shkak të mësimeve të shumta. Madje, më të fundit kanë qenë këto ditët për përgatitjen e provimeve. E njëjta gjë edhe me provimin e matematikës. Ndoshta sepse e kisha marrë me stress, për shkak të gjithë asaj që ndodhi dhe doja të dilja sa më mirë”, tregon maturantja Xhejsi Bakaj.

Sipas Bakajt, provimi i Gjuhë-Lletërsisë i shkaktoi shumë ankth dhe paqartësi për nivelin e vështirësisë së provimit pasardhës, atë të matematikës. Por përballja me tezën e matematikës doli jashtë pritshmërive, pasi, sipas maturantes, ishte një provim mesatar.

“Nota mesatare e lartë e gjimnazit është një kriter bazë për të arritur shkollën që dua, kështu që kam punuar fort gjatë gjithë kohës. Ama ndodhi që të nesërmen, kur u përballa me tezën e matematikës, nuk doli fare ashtu siç e prisja. Ishte relativisht një provim mesatar, që zgjidhej shumë mirë, sidomos nga një nxënës ekselent. Kisha një qetësi të përgjithshme që ma lehtësoi goxha punën sepse i lashë emocionet mënjanë dhe u përqendrova te fleta që kisha përpara”, tregon Bakaj teksa shpreh besimin se rezultati do të jetë i kënaqshëm.

Ndërkohë, brenda datës 23 qershor maturantët do të kenë përgjigjet e 4 testimeve të maturës shtetërore, ndërsa më 1 korrik do të dalin dhe diplomat.

Pedagogët e matematikës

Pas përfundimit të provimeve të maturës shtetërore dhe reagimeve të nxënësve, lidhur me nivelin e ulët të vështirësisë që hasën në provimin e matematikës, gazeta “Fjala” iu drejtua prof. Kujtim Dules, lektor në Departamentin e Matematikës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, i cili mbart një eksperiencë 32-vjeçare në këtë fushë.

Sipas pedagogut, problemi kryesor qëndron në faktin që testi i matematikës është zhvilluar i gjithi me alternativa. “Unë jam kundër testeve me kuitz-e në matematikë, pasi duhet parë logjika e studentit, në mënyrë që të bëhet diferencimi mes nxënësit të dobët dhe një nxënësi të mirë.

Me alternativa nuk mund ta kuptosh logjikën e nxënësit. Mund të jetë 70% e testit me alternativa, por 30% duhet të jetë me zhvillim”, u shpreh prof. Dule. Për sa i përket nivelit të vështirësisë së testit të matematikës, profesori theksoi se në një test me alternativa nuk mund të kuptosh vështirësinë dhe nivelin e nxënësit, por, sipas tij, niveli i studentëve është në rënie.

“Niveli cilësor i studentëve që po vjen në universitet lë për të dëshiruar, kjo ka të bëjë me programet e shkollës së mesme”, tha pedagogu i matematikës. Ndërkohë Arbër Qoshja, lektor në Departamentin e Matematikës së Aplikuar, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, tregon për gazetën “Fjala” se në lëndët shkencore duhet që testet të jenë me shtjellim. Teksa thekson se niveli i maturantëve që ndjekin studimet e larta në universitet nuk është shumë i lartë.

“Për aq kohë sa programi mësimor është i cunguar, edhe niveli i studentëve nuk vjen shumë i lartë. Programi është cunguar, pasi ka disa probleme, si p.sh., janë hequr integralet, është hequr limiti, pra limiti i funksionit nuk shpjegohet më ashtu si më parë. Matematika është shumë e vështirë, si të mësohet me mësim online, si të zhvillohet një test me alternativa. Pasi, të paktën, në lëndët shkencore duhet parë dhe mënyra e shtjellimit të ushtrimeve”, tregon pedagogu Arbër Qoshja.

Protesta e maturantëve

Kujtojmë se provimi i Gjuhës dhe Letërsisë pati shumë polemika, ku maturantët protestuan për disa ditë radhazi, duke kërkuar rivlerësim dhe heqjen e disa prej pyetjeve të testit, të cilat i konsideruan si absurde. Pas protestave të maturantëve, Ministria e Arsimit u tërhoq, duke pranuar që pyetjet e një niveli të lartë vështirësie në testin e Gjuhë-Letërsisë nuk do të llogariten në vlerësim.

Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) njoftoi më herët se vendosi të vlerësojë shpërndarjen e pikëve në bazë të rezultateve të nxënësve, “si dhe do të konsiderojë heqjen nga vlerësimi përfundimtar i ndonjë pyetjeje specifike, që rezulton të ketë pasur nivel më të lartë vështirësie sesa niveli i njohurive të nxënësve” sqarohej në vendim. Njëra prej pyetjeve që bëri jehonë në media ishte ajo e Turit që, sipas maturantëve, ishte subjektive, si dhe pati kontestime lidhur me poezinë e Lasgush Poradecit, për nivelin e vështirësisë, por edhe të tjera.

Lexo edhe :  Rama poston pamjet/ Transformim epokal në sektorin e energjisë që nga 2013

Konkretisht në njoftim nuk u specifikua se cilat pyetje do të hiqen nga vlerësimi. Ndërkohë Ministria theksoi se testi i Gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk ka dalë jashtë programit orientues dhe nuk ka gabime shkencore. Grupi i maturantëve protestoi për 4 ditë radhazi përpara Ministrisë së Arsimit. Protestat u shuan pas realizimit të provimit të matematikës, i ndjekur nga ai me zgjedhje, të cilat u konsideruan nga maturantët, si teste të një niveli mesatar vështirësie.

Eksperti i Arsimit, Mehmeti: Testi i Matematikës, kompensim qesharak i Gjuhë-Letërsisë

“Ministria e Arsimit i futi maturantët në provim dhe mori një sërë kritikash për provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Gjithçka u mbyt nga kompensimi qesharak me provimin e Matematikës që, sipas specialistëve, ishte nën nivelin mesatar të nxënësit në klasën e 9-të”. Kështu u shpreh në një intervistë për gazetën “Fjala”, eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, teksa theksoi se arsimi shqiptar është në ditën më të keqe.

Eksperti nënvizoi se vështirësia e provimit të Gjuhës dhe Letërsisë u kompensua me nivelin e ulët të vështirësisë në provimin e Matematikës, duke sjellë zbutjen e zërave kritikë të maturantëve.

Sipas tij, mënyra e sjelljes së ministres së Arsimit ndaj maturantëve bën të humbasë besimi te shkolla, edukimi dhe institucionet përgjegjëse për arsimin në Shqipëri. Prej datës 9 mars, për shkak të pandemisë COVID-19, vendi u izolua totalisht, përfshirë dhe mësimin, i cili u pezullua, kjo sipas Mehmetit solli mospërgatitjen e maturantëve.

Çfarë ndodhi me Maturën Shtetërore 2020?

Matura Shtetërore 2020 u zhvillua në kushte të jashtëzakonshme dhe në një atmosferë të rënduar, për faktin se prej datës 9 mars 2020 vendi u izolua totalisht, mësimi u pezullua dhe nxënësit mbetën në “mëshirën” e mësimit online. Ky i fundit u zhvillua sa për sy e faqe.

Ministria e Arsimit nga njëra anë propagandonte suksesin e padiskutueshëm të mësimit online dhe, nga ana tjetër, deklaroi se nuk do t’i njihte rezultatet dhe notat e vëna në periudhën e izolimit.

Duhet sjellë në vëmendje fakti se arsimi parauniversitar dhe ai universitar kishin humbur kush dy e kush tri javë nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, të cilat nuk ishin zëvendësuar, shto këtu edhe faktin që shumë shkolla bënin mësim me dy e tri turne, për shkak të shkatërrimit të godinave, po prej tërmetit.

Pavarësisht të gjitha këtyre rrethanave, Shqipëria, si pak vende, i riktheu maturantët në bankat e shkollës për tri javë, duke menduar se do të arrinte që nxënësit të bënin përsëritje dhe të ishin të gatshëm të bënin provime normale, për aq sa mund t’i lejonte situata.

Ministria e Arsimit e mori këtë vendim, ndërkohë që vende të zhvilluara me një infrastrukturë shumë herë më të mirë se e jona e me mundësi më të mëdha se ne, si Anglia, Italia, Franca etj., i anuluan provimet e tyre kombëtare, duke i vlerësuar nxënësit me mesataren e viteve të shkollimit të mesëm.

Pse Ministria e Arsimit e mori këtë vendim?

Sepse ia kishin kërkuar maturantët me e-mail dhe ministrja Shahini ishte mallëngjyer dhe ua plotësoi dëshirën, pa harruar pasojat e këtij veprimi tejet të nxituar. Ministria e Arsimit i futi maturantët në provim dhe mori një sërë kritikash për provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, nga maturantë dhe shumë profesorë e specialistë të fushës. Por çfarë bëri Ministria e Arsimit dhe, në veçanti, znj. Shahini.

Iu turrën maturantëve, i quajtën njerëz politikë, i kërcënuan me burg dhe nuk denjuan t’i dëgjonin. Të gjithë ata që dolën me argumente kundër, po ashtu u luftuan si maturantët, gjithçka u mbyt nga kompensimi qesharak me provimin e Matematikës që, sipas specialistëve, ishte nën nivelin mesatar të nxënësit në klasën e 9-të.

Ende dhe sot asnjë nga strukturat e Ministrisë së Arsimit nuk ka përgjigje për pretendimet e maturantëve dhe asnjë reagim për argumentet e shtruara prej gjuhëtarëve dhe profesorëve të letërsisë. Testet e Maturës, përtej përmbajtjes së tyre (për të cilat duhet një analizë e thelluar e profesionistëve) na mësuan se kurrikula e sjellë nga Anglia dështoi me sukses, në kurriz të maturantëve.

Eksperimenti anglo-sakson vdiq dhe përpjekjet e mëtejshme, për ta mbajtur me oksigjen janë të kota. Arsimi shqiptar është në ditën më të keqe. Mënyra e sjelljes së ministres së Arsimit ndaj maturantëve, bën që të humbas besimi te shkolla, edukimi dhe institucionet përgjegjëse për arsimin në Shqipëri.

Nga ana tjetër, OJF-të në mbrojtje të të drejtave të nxënësve, të rinjve dhe fëmijëve, kanë heshtur në mënyrë të turpshme, duke u bërë bashkëfajtorë në këtë situatë. Asgjë më të rëndësishme nuk ka sesa fati i të rinjve tanë, madje edhe më shumë se fati i një personazhi simbol në tezë.

A ishte transparente në këtë proces MASR-ja?

Jo. Dhe kjo është një tjetër anë e errët e procesit të MSH 2020. Ministria e Arsimit mund të kursente një debat kaq të madh, ndonjëherë edhe doza emocionale më shumë sesa duhet, nëse, do të ulej me maturantët, specialistë, hartuesit e testit dhe do të vinin gishtin mbi plagë.

Në këtë mënyrë maturantët do të sqaroheshin dhe gjithçka mund të zgjidhej fare lehtë. Aty ku ishte gabuar kërkohej falje, maturantët merrnin pikët e tyre dhe ktheheshin në shtëpi plot motivim e besim se shteti i dëgjonte dhe kujdesej për ta.

Në mungesë të transparencës, gjithkush nga ne ka të drejtën të dyshojë dhe të akuzojë: pse i trembet transparencës MASR-ja? A mos po fsheh gjë?

la.mi/Fjala.al

 

 

Të fundit

Shpërthen tritoli në një hotel në Theth, zbulohen detajet e para

Një sasi lende plasëse e dyshuar si tritol i është vendosur një hoteli në Theth, mëngjesin e sotëm. Rreth orës...

Rënie e ndjeshme temperaturash/Reshje shiu dhe dëbore, si pritet të jetë moti gjatë ditës

Orët e paradites do të paraqiten nën mbizotërimin e vranësirave dhe reshjeve të dendura të shiut dhe dëborës në pjesën më të madhe të...

Horoskopi 12 janar 2025, zbuloni parashikimet e yjeve

Dashi Nuk do të duhet shumë për të drejtuar mendjen tuaj drejt rrugëve të reja të mendimit. Kjo do të sjellë disa ndryshime të dobishme...

Milani zhgënjen sërish në Serie A, kuqezinjtë ndalen në barazim ndaj Cagliarit

Milani nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 përballë Cagliarit në javën e 20-të të Seria A. Një rezultat zhgënjyes, pasi kuqezinjtë riktheheshin në...

Stuhi dimërore në jug e lindje të SHBA, ndërpriten fluturimet në disa aeroporte

Mes një numri të madh fluturimesh të anuluara, zyrtarët në disa shtete jugore paralajmëruan të shtunën qytetarët të mos udhëtojnë për shkak të rrezikshmërisë...

Lajme të tjera

Web TV