Nga Ina Allkanjari
Probiotik për një numër të madh njerëzish është një fjalë e re, një fjalë e panjohur, por për një pjesë tjetër kjo është një fjalë më se familjare. Shumica e njerëzve e di se antibiotikët janë barna të cilat përdoren për të luftuar infeksionet dhe bakteret që ndodhen në organizmin tonë. Por probiotikët janë të kundërt me antibiotikët. Qëllimi i probiotikut është që të nxisë dhe të rrisë bakteret e mira që ndodhen në organizmin tone. Këto baktere të mira rriten, zhvillohen dhe i kryejnë funksionet e tyre në zorrën e trashë. Antibiotikët vërtet janë barnat më të mira mjekësore që përdoren sot në infeksionet e rënda, por efektet negative që ato japin janë shumë më të mëdha dhe kanë epërsi ndaj efekteve pozitive. Një nga efektet negative, të rrezikshme, të tyre është pikërisht dëmtimi i florës së mirë bakteriale në zorrë.
Në një intervistë për gazetën “Fjala”, mjekja gastro-hepatologe, Vigjilenca Demiraj, na tregon çfarë janë probiotikët dhe pse këshillohen ata. Gjithashtu, mjekja na tregon risqet e dëmtimit të florës bakteriale, si dhe cilat janë ushqimet e produktet që duhet të konsumojmë për të nxitur shtimin e baktereve të mira në zorrë. Më tej Demiraj thekson se stresi që i ka përfshirë njerëzit, për shkak të COVID-19, ka bërë të ulet imuniteti dhe të predispozohen për t’u infektuar. Sipas saj, është shumë e rëndësishme rritja e imunitetit në zorrë, për të pasur një imunitet të përgjithshëm të organizmit.
Pse quhen baktere të mira, çfarë funksioni kryejnë?
Sepse këto baktere kanë veti që të nxisin tretjen e ushqimeve. Pra, duke bërë tretjen e karbohidrateve, proteinave dhe të yndyrnave i përgatitin ushqimet e gatshme për t’u futur në gjak dhe për të kaluar në sistemet e organizmit. Këto baktere të mira ndryshe quhen dhe flora bakteriale e zorrëve ose mikroflora. Mirëpo, në zorrë flora bakteriale e mire, apo ajo miqësore, është në ekuilibër me florën bakteriale të keqe, domethënë me atë që shkakton sëmundje. Prishja e këtij ekuilibri mes baktereve të këqija dhe atyre të mira, në favor të njërës apo të tjetrës kategori, do të sjellë pasoja.
Në rast se do të kemi dëmtim të baktereve të mira, atëherë do të rriten bakteret e këqija, të cilat do të prodhojnë toksina, helme, duke shkaktuar sëmundje në organe dhe sisteme të organizmit. Prandaj që këtu lind nevoja që ne t’i ruajmë bakteret e mira dhe mundësisht të nxisim zhvillimin e shumimin e tyre. Në zorrë jetojnë rreth 400 lloje bakteresh të mira që ndryshe quhen Laktobacila, por numri i këtyre baktereve në zorrë i kalon të 100 trilionët.
Cilët janë shkaktarët e dëmtimit të florës bakteriale?
Ndër shkaktarët kryesorë që dëmtojnë florën e mirë baktriale, pra mikroflorën, së pari janë antibiotikët, kur këta përdoren pa kriter dhe në doza të larta. Së dyti, ulja e imunitetit të organizmit apo e rezistencës së organizmit të njeriut. Së treti, janë sëmundjet kronike, p.sh. të mëlçisë apo të veshkave. Së katërti, mungesa e vitaminave, pra avitaminozat, kur kemi mungesë të vitaminës C, të grupit të vitaminës B, të vitaminës A, D që është shumë e rëndësishme.
Gjithashtu, mund ta kemi në rastet e anemive të ndryshme të gjakut, apo në rast parazitozash, siç mund të jetë Lambia. Një shkak madhor i saj është edhe stresi. Një stres emocional i zgjatur çon në ulje të imunitetit të zorrës, gjë që shkakton prishjen e ekuilibrit të baktereve të mira dhe të këqija në favor të baktereve të këqija.
Tashmë dihet që studiuesit në botë e kanë zbuluar hormonin e stresit dhe është pikërisht kortizoli që prodhohet në gjëndrat mbi-veshkore dhe si pasojë e kësaj kemi dëmtimin e shkatërrimin në masë të baktereve të mira. Kjo sjell zhvillimin e baktereve të këqija, të cilat do të favorizojnë zhvillimin e mykrave në zorrë, do të ulin imunitetin e zorrës dhe njëkohësisht do të sjellin çrregullime të funksionit të zorrës, duke shkaktuar diarre. Përveç antibiotikëve janë edhe medikamentet kortizonike që merren, p.sh. në sëmundjet e ndryshme autoimune apo në poliartritet. Si pasojë e këtyre medikamenteve zhvillohet një lloj sëmundjeje që quhet dizbioza e zorrës, e cila shoqërohet me lodhje, mungesë oreksi, fryrje barku, me kapsllëk ose heqje barku, me dhimbje abdominale. Një dhimbje që vjen në një pikë dhe përhapet në të gjithë barkun. Sjell një tretje të pakët të ushqimit.
Gjithashtu, mund të favorizojë për alergji ushqimore. Mund të favorizojë ulje të sheqerit në gjak dhe të gjitha këto gjëra bëjnë që këta të sëmurë të drejtohen të mjeku. Këto mund të japin edhe forma të tjera, p.sh. ekzemë, infeksione, mund të favorizojnë sëmundje autoimune të organizmit. Ndaj dhe kjo sëmundje, dizbioza, është bërë dhe sëmundje e shekullit. Sot në botë po i mëshohet shumë informacionit lidhur me përdorimin e probiotikëve dhe domosdoshmërinë e përdorimit të tyre. Kjo sepse të sëmurët invalidizohen si pasojë e prishjes së kësaj flore bakteriale.
Përse këshillohen probiotikët, çfarë efekti japin?
Efektet pozitive që japin probiotikët janë të shumta. Së pari, përmirësojnë tretjen e ushqimeve në zorrë. Së dyti, rrisin sintezën e vitaminave të grupit B, që janë shumë të nevojshme për organizmin, duke filluar B1, B2, B3, B7, B12.
Gjithashtu, mbrojnë kundër infeksioneve të tilla, siç është “Escherichia coli”, që është tipik për infeksionet e zorrëve, të veshkave. Këto ndihmojnë kundër helmeve ushqimore dhe përmirësojnë intolerancën ndaj laktozës, që kanë shumë personave ndaj produkteve të qumështit.
Gjithashtu, probiotikët përmirësojnë edhe funksionet imune, kanë efekt antikanceroz, ndihmojnë në parandalimin e shfaqjes së ulçerave të stomakut. Pakësojnë njëkohësisht dhe ulin nivelet e kolesterolit në organizëm. Probiotikët janë probiotikë dhe prebiotikë.
Probiotikët nëpërmjet kapsulave futen baktere të gatshme të mira në zorrë, ndërsa prebiotikët kanë funksion që të nxisin shumëzimin dhe zhvillimin e baktereve ekzistuese të mira në zorrë.
Cilat janë ushqimet dhe produktet që nxisin shtimin e baktereve të mira zorrë?
Sigurisht që njerëzit janë të prirur drejt mjekësisë alternative, pra të përdorimit të ushqimeve dhe produkteve të cilat nxisin shtimin e baktereve të mira zorrë. Në rast dëmtimi të baktereve të mira marrja e suplementeve me probiotikë dhe prebiotikë është e rekomandueshme, por, njëkohësisht, unë do të them çfarë ushqimesh ndalohen, pra që dëmtojnë florën e mirë bakteriale të zorrëve, dhe çfarë ushqimesh nxisin zhvillimin e florës së mirë bakteriale.
Ushqimet që dëmtojnë florën e mirë bakteriale të zorrëve:
-Sheqernat
-Mjalti kur nuk është origjinal
-Frutat e thata,
-Frutat e pjekura shumë
-Fiku
-Molla e ëmbël
-Rrushi
-Lëngjet e gatshme të frutave
-Kosi i frutave
-Ushqimet e konservuara
-Ëmbëlsirat
-Gatimet me përmbajtje sheqeri
-Mielli
-Alkooli
-Qumështi
Ushqimet që nxisin zhvillimin e florës së mirë bakteriale të zorrëve:
-Qitroja
-Molla e pjekur në sobë
-Frutat e freskëta, por jo të ëmbla
-Perimet
-Kosi natyral
-Çajrat bimore
-Çaji i karafilit
– Lëngu i shtrydhur i perimeve
-Hurdhra
-Qepa
-Xinxeri
-Rigoni
-Kanella
-Rozmarina
Në një kohë kur probleme të tilla me zorrët shoqërohen me rënie imuniteti, kur ende është në qarkullim virusi COVID-19, sa e rrezikshme bëhet?
Sigurisht, bëhet e rrezikshme, sepse stresi që i ka përfshirë njerëzit ka bërë të ulet imuniteti dhe të predispozohen për një infektim të tillë.
Pra, lufta kundër koronavirusit është vetëm rritja e imunitetit. Ky imunitet rritet duke përdorur ushqimet e mësipërme, duke marrë vitamin C 1 gram në ditë, që është antioksidant i rëndësishëm për zorrën për mëlçinë, për zemrën dhe rrit imunitetin.
Vitamina C është suplementi që duhet përdorur, gjithashtu, edhe probiotiku. Këtë gjë e thonë edhe profesorët amerikanë.
Për të rritur imunitetin duhen probiotikë, sepse 70% e imunitetit të organizmit është i instaluar në zorrë. Tashmë ata thonë që kardiologët nuk duhet ta fillojnë mjekimin e aritmive, të tensionit të gjakut, pa mjekuar më parë defektet ose çrregullimet që mund të ketë një pacient në sistemin tretës, ku përfshihet stomaku, tëmthi, pankreasi, zorrët e holla, zorrët e trasha. Pasi të korrigjohen problematikat që kanë këto organe, atëherë mund të fillojë mjekimi i sëmundjes kardiake. Është shumë e rëndësishme rritja e imunitetit në zorrë, për të pasur një imunitet të përgjithshëm të organizmit. Prandaj dhe për COVID-19, këto të dyja rekomandohen edhe në Amerikë, probiotikë dhe vitaminë C.