Një 27-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar nga policia e Dibrës në kuadër të operacionit të koduar “Vajkal”.
Pas hekurave ka përfunduar shtetasi A. T., 27 vjeç, banues në fshatin Vajkal, Bulqizë. Mësohet se ai është me precedent penal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje dhe dyshohet dhe si bashkautor në një gjobëvënie.
Gjykata e Shkallës së Parë Dibër, në qershor 2019, ka caktuar për 27 vjeçarin masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim, mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ngjarja
Më datë 16 qershor 2019, në vendin e quajtur “Unaza e Re” Bulqizë, shtetasi A.T. në bashkëpunim me vëllanë e tij M. T., i cili është arrestuar pas ngjarjes, ka qëlluar me armë zjarri, për motive të dobëta, në drejtim të shtetasit B. D. i cili mbeti i plagosur në dorë, jashtë rrezikut për jetën.
Përveç ngjarjes së sipërpërmendur, 27-vjeçari gjithashtu dyshohet dhe se është bashkautor i ngjarjes së ndodhur më 19 qershor 2020, në qytetin e Bulqizës, ku në bashkëpunim me shtetasin F. Sh., kanë kërcënuar për gjobëvënie biznesmenin Gëzim Balla, si dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër në momentin që kanë konstatuar se po ndiqeshin nga Policia.
Mësohet se shtetasi F.Sh. është ende në kërkim, për gjobëvënie dhe armëmbajtje pa leje.
Materialet hetimore shtesë do t’i kalojnë Prokurorisë Dibër, për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë” , e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
/En.Br./Fjala.al