Kush ia bëri “gropën” Thaçit?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Hakmarrje? Nuk mund të mos interpretohet kështu, ndryshe do të ishte një rastësi shumë e çuditshme. Ndërkohë që Gjykata Speciale e Kosovës bëri publik lajmin për akuzën (e cila kishte mbërritur që në datën 20 prill) Presidenti Thaçi po bënte gati valixhen për t’u nisur drejt Brukselit. Si Thaçi dhe kryeministri i ri të Kosovës, Avdullah Hoti ishin të përgatitur se takimi me palën serbe në kryeqytetin evropian nuk do të ishte i lehtë. Por askush nuk ishte i përgatitur për tërmetin politik që shkaktoi Haga. Të paktën jo sot.

Pala shqiptare do të takohet për herë të parë në dy vite me presidentin Aleksandër Vuçiç me ndërmjetësimin e BE-së, në një “shfaqje të orkestruar” nga Bruskeli zyrtar, për të treguar se dialogun e udhëheq Evropa. Nga Brukseli, të dyja palët do të nisen drejt Uashingtonit, për të marrë pjesë në një samit në Shtëpinë e Bardhë ku Kosova dhe Serbia janë përfolur madje se mund të nënshkruanin një marrëveshje. Nëse Beogradi dhe Prishtina do të vulosnin paktin që do t’u vihej përpara nga Shtëpia e Bardhë, kësaj “shfaqjeje”, do t’i bashkohet edhe presidenti Donald Trump. Megjithatë, askush nuk e kishte idenë se shfaqja e vërtetë politike do të fillonte që sot.

Në akuzën e Hagës, dërguar Gjykatës Speciale të Kosovës, Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte. Ndaj tij hidhet akuza për më shumë se 100 vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përfshirë edhe kundërshtarët politikë dhe përndjekje e tortura.

Me nisjen e hetimeve nga Gjykata Speciale kundër tij, presidenti Thaçi do ta ketë pothuajse të pamundur të negociojë për paqen përballë Serbisë. Akuzat e Hagës dëmtojnë në fakt jo vetëm pozitën e presidentit, por edhe atë të shtetit të Kosovës, i cili ndodhet përballë momentin më të rëndësishëm pas shpalljes së Pavarësisë: paktit me Beogradin.

Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë.
Kosova ndodhej po ashtu, shumë pranë marrëveshjes me Serbinë edhe verën e kaluar, kur Haga ngriti akuza për krime lufte ndaj ish-kryeministrit Ramush Harandinaj, duke e detyruar këtë të fundit të japë dorëheqjen. Presidenti i Kosovës mund të jetë i detyruar të bëjë sot të njëjtën gjë dhe zbrazë valixhen që kishte bërë gati për të udhëtuar drejt Brukselit dhe Uashingtonit. Në këto rrethanë, pyetja e vetme që lind është përse akuzat u bënë publike sot? Kush e do Thaçin jashtë tryezës së negociatave?

Gjykata Speciale për krimet e luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Duke shpjeguar përse kjo aktakuzë është bërë publike para konfirmimit të saj, Gjykata thekso se Thaçi dhe Veseli kanë bërë përpjekje të përsëritura për të penguar dhe sabotuar punën e Gjykatës.

Toby Vogel, ekspert evropian në Këshillin për Politikën e Demokratizimit thotë se nuk ishte sekret që Prokuroria po punonte në aktakuzë, por se askush nuk e priste që lajmi të publikohej sot.

“Sidoqoftë, koha dhe formulimi i ashpër i njoftimit për shtyp, tregojnë se Prokuroria ka frikë nga një lloj marrëveshjeje e presidentit Thaçi, i cili mund të dëmtojë punën e Gjykatës. Ka mundësi që ky njoftim publik, të jetë i provokuar nga takimi në Shtëpinë e Bardhë, të shtunën”, ka thënë Vogël.

Presidenti është përfshirë përgjatë muajve të fundit jo vetëm në një sërë negociatash me Administratën Amerikane për arritjen e një marrëveshje, por edhe në një “betejë” të egër politike me Brukselin. Vetëm një javë më parë i dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak ndodhej në një vizitë në Prishtinë, ku u prit nga Thaçi pas shumë përplasjesh në distancë.

Lajçak bëri të pamundurën për të treguar se Brukseli ishte ai që do të ndërmjetësonte bisedimet, por mesazhi i Thaçit është i qartë: bisedimet i udhëheq SHBA-ja. “Kosova gjithmonë ka besuar në SHBA dhe ka dalë fitimtar,” tha Thaçi gjatë konferencës me të dërguarin e BE. “Këtë herë Shtetet e Bashkuara kanë marrë rolin udhëheqës, një vendim të cilin ne e mirëpresim”, tha ai..

Thaçi duket se hyri në luftë të hapur me Unionin, kur tha se përpara se të ndërmjetësojë dialogun, BE duhet të heqë njëherë kufizimet e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi ka rreth dy vjet që Prishtina ka përmbushur të gjitha kushtet. Po ashtu ai ka kritikuar ashpër Unionin, për zgjedhjen e zotit Lajçak si i dërguar për Ballkanit duke pasur parasysh se vendi i tij Sllovakia është një nga pesë shtete e BE që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Lexo edhe :  “Sherifi” i demokracisë? Berisha pozon me kapelen e kaubojsëve

Thaçi deklaroi se vendi i tij ka besim të palëkundur dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E theksoj, BE, i thash edhe zotit Lajçak, është vonuar në raport me procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën, është vonuar shumë, dhe duhet të lëvizë më shpejtë. Natyrisht që Kosova do të jetë me datën 27 qershor më Shtëpinë e Bardhë, ne besojmë plotësisht në angazhimin e sinqertë dhe shumë të vendosura të administratës së SHBA-ve”, tha Thaçi.

E pyetur nga gazetarët e Kosovës për akuzat ndaj Thaçit, Zyra e BE-së nuk ka pranuar të komentojë.

“Nuk komentojmë procedurat e Gjykatës Speciale”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano. “Ato janë demonstrim i rëndësishëm i angazhimit të Kosovës për sundim të ligjit, që është një element thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit në BE dhe për angazhimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor në tërësi”. Sipas tij është me rëndësi të veçantë që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të jenë në gjendje të vazhdojnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndonjë ndërhyrje nga jashtë.

Qëndrimi i tij pro-amerikan nuk ka “qenë muzikë” në veshët e BE-së, e cila ka qenë e dëshpëruar në përpjekjet e saja për të rimarrë frenat e dialogut. Në një vizitë në Serbi, Lajcak njoftoi në mënyrë të befasishme se BE do të mbante me 25 qershor një takim në Bruksel, vetëm dy ditë përpara atij në SHBA, duke deklaruar se dialogu do të fillonte nga Brukseli dhe me ndërmjetësimin e tij.

Megjithatë, për shumë analistë SHBA mësohet se ka bërë të mundur që të dyja palët të bien dakord për disa pika, në mënyrë që të mund të ketë një marrëveshje paraprake. Dhe njeriu më i qëndrueshëm i SHBA-së në Prishtinë deri më tani ishte Thaçi.

Në një artikull të publikuar gjatë fundjavës, gazeta amerikane “New York Times” shkruante se Thaçi e Vuçiç po dialogojnë fshehtas për një marrëveshje paqeje.

“Prapa skenave, ata kanë arritur mirëkuptim për disa kushte të një traktati të ardhshëm, përfshirë idenë e rregullimit të kufijve të Kosovës, sipas katër ish-zyrtarëve amerikanë që kanë cituar njerëzit e përfshirë në negociata”, shkruan “NYT”. Gazeta shkruan se bisedimet mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë ngecën kur në pushtet erdhi Albin Kurti, i cili tha se e drejta për udhëheqjen e dialogut i takon atij dhe jo presidentit Thaçi. Një nga këta katër ish-zyrtarë, James R.Hooper, ka thënë se Grenelli kishte dalë kundër Kurtit nga frika se ai mund të hidhte poshtë bashkëpunimin e krijuar nga Thaçi e Vuçici.

Thaçi e ka mohuar vazhdimisht se ka një marrëveshje të gatshme në Uashington, pa e ditur se ndoshta nuk do mund të shkojë në samitin e së shtunës në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se presidenti nuk “kishte nuhatur diçka”.

Në fund të vitit të kaluar , Thaçi i ka dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Amerikan Mike Pompeo ku ka shprehur bindjen e tij se Gjykata e Hagës po e bën të kundërtën e asaj që ishte parashikuar në fillim, duke mos dënuar agresorët (Serbinë), por viktimat.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në përgjigjen e tij, kishte siguruar Thaçin që puna e Gjykatës Speciale nuk është e drejtuar në mënyrë specifike kundër asnjë grupi etnik, lëvizje, force apo njësie. Por faktet janë se brenda një viti, Haga ka vënë në bankën e të akuzuarve tre udhëheqës të lartë të Kosovës, ndërkohë që në Serbi nuk është dënuar deri më tani asnjë zyrtar i lartë për krime lufte, shkruan Gazeta Si.

Nuk është sekret se gjatë karrierës së tij politike, Thaçi ka bërë më shumë armiq, se miq. Kjo e bën edhe më të vështirë të kuptohet se kush e do presidentin jashtë loje, në këtë moment historik për Kosovën. Por një gjë duket pothuajse e pamundur… rastësia.

 

 

 

 

Bo.Ba/fjala.al

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit

Reshje shiu dhe rritje temperaturash, moti bën kthesë javën e ardhshme

Për javën që vjen, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme për shkak të masave...

Rama e pret në aeroport, mbërrin në Tiranë presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe

Presidenti i Emirateve Arabe Mohamed bin Zayed Al Nahyan ka mbërritur në Tiranë për një takim me Ramën. Në këtë takim do të firmosen...

Papa Francesku në gjendje kritike për jetën, Spiropali: Presim me shpresë shërimin tuaj

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka dërguar një mesazh për Papa Françeskun, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Spiropali shprehu shpresën...

​Mijëra kanadezë nënshkruajnë peticionin “për t’i hequr shtetësinë Elon Musk”

Mijëra njerëz kanë nënshkruar në mënyrë elektronike një peticion parlamentar që bën thirrje për revokimin e shtetësisë kanadeze për Elon Musk për rolin e...

Prej gati 2 vitesh larg muzikës, çfarë ndodhi me Flori Mumajesin?

Ai i mungon prej kohësh muzikës shqiptare e skenës, por emri i tij mjafton për të trazuar ujërat në çdo lajm, me shpresën se...

Lajme të tjera

Web TV