Alfred Muharremi/ Jetimi që ndihmon jetimët, i nominuar për çmimin SOS

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Sot konsiderohet me karrierë dhe një jetë të arrirë, por Alfred Muharremi nuk e harroi vendin ku u rrit në fshatin SOS, pa dashurinë e nënës, që u nda nga jeta, pak pasi e solli atë në jetë. Pas nismës së 40 projekteve kombëtare dhe lokale, Muharremi përzgjidhet si një nga tetë finalistët për çmimin ndërkombëtar në ndihmë të jetimëve

Nga Alessia Selimi

Shqipëria ka aktualisht mbi 31 mijë fëmijë jetimë që jo rrallëherë ekspozohen ndaj ligjësive të rrugës.  Kanë humbur njërin apo të dy prindërit, dhe më e pakta për të cilën kanë nevojë është një buzëqeshje, e atij lloji që u tregon se nuk janë të vetëm, të braktisur. Këtë e di fare mirë Alfred Muharremi, i cili nuk pati fatin ta njohë të ëmën. Kjo e fundit vdiq pak pasi e solli atë në jetë. Mirëpo, Alfredi u transferua në moshën 5-vjeçare në fshatin SOS, ku ka qëndruar për rreth 18 vite nën kujdesin e institucionit. Kësisoj, vështirësitë për të ishin të kapërcyeshme. Ai njohu se ç’ishte kujdesi, mbrojtja dhe dashuria e një familjeje jo nga i njëjti gjak, por nga e njëjta histori. Jo më kot e shohim sot nën kostumin e agjentit të kredisë në një bankë të nivelit të dytë, dhe si anëtar i bordit drejtues të Shoqatës Kombëtare të Jetimëve në Shqipëri.

Së fundmi, Alfredi është nominuar ndër tetë finalistët e çmimit ndërkombëtar “Hermann Gmeiner”, krijuar në nder të figurës së themeluesit të SOS, me synimin për të vlerësuar në nivel global të rinjtë nën kujdesin e kësaj organizate të pavarur, që janë model për shoqërinë.

29-vjeçari tregon për gazetën “Fjala” se si vendosi të jetë zë përfaqësues i kategorisë së fëmijëve pa kujdes prindëror, si dhe ndan motivet e dëshirës për të sjellë “Hermann Gmeiner” në Shqipëri.

“Fryma me të cilën u rrita në familjen e madhe SOS ndikoi jashtë mase në jetën time, dhe doja që pikërisht këtë frymë t’ia përçoja edhe brezit më të vogël. Për më tepër, fëmijët në SOS dhe fëmijët në institucionet e përkujdesjes sociale kanë mjaft vështirësi në përftimin e të mirave dhe benefiteve që ofron statusi i jetimit”, thotë Alfredi teksa sqaron që së bashku me ata që i konsideron motra dhe vellezër nga SOS, ka iniciuar dhe realizuar 40 projekte kombëtare dhe lokale me karakter human, financiar, social dhe artistik, me në fokus 1230 fëmijë dhe 212 të rinj.

“Jemi përpjekur që të rinjtë t’i integrojmë në procesin edukativ dhe të punësimit”, shton ai. Alfredi ndalet gjithashtu te çmimi “Hermann Gmeiner”, i cili jepet prej 70 vitesh një herë në çdo dy vjet nga 559 fshatra SOS në 136 vende të botës.

“Dua ta sjell në Shqipëri ( i referohet çmimit) për t’i thënë botës se Shqipëria gëzon tradita të hershme humane, ndonëse është një vend i vogël. Por edhe për t’i përçuar një mesazh shoqërisë: me përkujdesje të vazhdueshme ndaj një kategorie të veçantë, siç janë fëmijët në mungesë të dashurisë prindërore, shënohen momente të rëndësishme në histori”, thotë 29-vjeçari i entuziazmuar.

Në fillim të këtij muaji, një vajzë jetime, 27 vjeçe, pohoi përpara kamerave të një emisioni televiziv se ishte dhunuar dhe abuzuar për vite me radhë nga punonjësit e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër. Kjo nuk ishte hera e parë që ajo bënte denoncime kaq të forta ndaj stafit të këtij institucioni. Megjithatë, nuk pati asnjë reagim institucional apo nisje të një hetimi nga prokuroria.

Lexo edhe :  PËRGJAKU mbi 50 njerëz, kapet skifteri 'vrasës'!

Kundrejt kësaj situate të cilën e konsideron “të tmerrshme”, Alfredi shfaq revoltë dhe ofron zgjidhje se si mund të parandalohen akte të tilla kriminale.

“Zyra e rekrutimit të kujdestarëve duhet detyrimisht të luajë rol. Për fat të keq, përzgjidhen punonjës të papërgjegjshëm dhe pa vlera humane. Kjo vjen si rrjedhojë e listave emërore me baza partiake, dhe kjo ka ulur standardin e kujdesit. Strukturat e shtetit duhet po ashtu të luajnë rol në fuqizimin e familjeve që janë të prirur të braktisin fëmijën/ ët për arsye të ndryshme ekonomike, sociale dhe fizike”, thotë qartazi Alfredi, gjithashtu me mendimin se vetëm kështu nuk do të kemi kërkesa të shumta për institucionalizim të fëmijëve.

Sakaq, pandemia COVID-19 vijon të mbetet kryefjala e kronikave të ditës. Dy ditë më parë, OBSH-ja paralajmëroi se pandemia po vijon të përshkallëzohet dhe se efektet e saj ekonomike e jo vetëm do të ndihen për dekada. Ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje botës të mbrojë fëmijët, duke theksuar se jeta e tyre po cenohet çdo ditë e më shumë.

Por si paraqitet situata aktuale në fshatrat e fëmijëve SOS?

Fshatrat nën ombrellën e SOS Kinderdorf International ofrojnë standarde të larta. Për sa u takon shtëpive, janë të ndërtuara me bazë kujdesin familjar. Ato kanë atmosferë, ritëm dhe zakonet e një shtëpie të mirëfilltë. Në strehën e tyre, fëmijët gëzojnë një ndjenjë të vërtetë sigurie dhe përkatësie. Por COVID-19 e ka mobilizuar organizatën që me burimet e saj lokale dhe jashtë saj të mbështesë financiarisht të rinjtë në programin e pavarësisë dhe familjet në programin e fuqizimit”, thotë Alfredi, i fokusuar në përmirësimin e kuadrit ligjor të statusit të një fëmije jetim që prej vitit 2012.

Për fëmijët pa kujdes prindëror, shteti është e vetmja familje që, për fat të keq, nuk e ka luajtur rolin e tij për të ofruar kujdesin dhe sigurinë e duhur. Në vitin 1996 u hartua edhe miratua ligji  “8153“ për të sanksionuar institucionet publike apo ato private për integrimin dhe mbrojtjen e fëmijëve jetimë. Një ligj që, për hir të së vërtetës nuk ka njohur asnjë ndryshim që prej miratimit të tij, por ka shkaktuar problemin më të madh të mospërfshirjes së 93% të tyre (atyre të fëmijëve me një prind)”, shprehet ai duke nënvizuar vështirësitë e një të riu jetim, të cilit, porsa del nga kujdesi institucional në moshën 18-vjeçare, nuk i mbetet veçse t’i drejtohet një rruge të panjohur dhe pa kthim.

Shteti u ofron jetimëve vetëm 3 mijë lekë të rinj në muaj, ndihmë ekonomike kjo që nuk mbulon as kushtet më minimale të jetesës.

Alfredi pohon se ka kërkuar pa fund amendime në ligj, për zgjerimin e përfituesve, rritje të ndihmës ekonomike në vlerën 10 mijë lekë të reja, ofrim falas të studimeve pasuniversitare, si dhe strehim të detyrueshëm për këtë kategori.

Ky djalë që ka shkruar një histori suksesi dhe që pret ta kurorëzojë me fitoren e çmimit ndërkombëtar “Hermann Gmeiner”, e di fare mirë se për të arritur të mundurën duhet të synosh të pamundurën.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

SHBA ndërton ‘bishën’ Frankenjet, avioni luftarak ngrihet nga rrënojat e F-35 dhe AF-27

Forcat Ajrore Amerikane kanë blerë një lloj të ri avioni luftarak, unik në botë. Ai është i ashtuquajturi "Frankenjet",...

Zbulimi shokues në pikën më të thellë të detit Jon

Një ekspeditë shkencore në pikën më të thellë të Mesdheut në Detin Jon ka zbuluar një realitet shqetësues: mbetjet njerëzore kanë depërtuar deri në...

Thirrja e Trump/ Ndaloni ndërrimin e orës, është shumë e kushtueshme!

Donald Trump ka risjellë propozimin e tij për të bërë të përhershme kohën e kursimit të ditës, duke sugjeruar që të shtohet një orë...

Skandal në Itali/ 12 futbollistë të Serisë A, pjesë e skemës së basteve të paligjshme

Futbollin italian është përfshirë në një skandal të madh pas një hetimi të thelluar të Prokurorisë së Milanos, që ka zbuluar një rrjet të...

Dyfishohen të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara, 50 mln lekë për 3 muaj

Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka raportuar një rritje të ndjeshme të të ardhurave për 3-mujorin e parë të vitit...

Lajme të tjera

Web TV