Basha shpërndan postimin e Yuri Kim: Çdo vonesë në emërimin e gjyqtarëve të GJK mban mbyllur dyert e BE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ripostuar shkrimin e ambasadores amerikane Yuri Kim, pas opinionit të Komisionit të Venecias.

Ai shprehet se çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vonon daljen nga kriza politike dhe mban mbyllur dyert drejt Bashkimit Evropian.

Basha shkruan se vënia në funksion të Gjykatës Kushtetuese plotëson dy nga kushtet e vendosura për negociatat.

“Çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të GJK vonon daljen nga kriza politike dhe mban mbyllur dyert e BE për shqiptarët. Funksionimi i GJK shërben për plotësimin e 2 prej 15 kushteve për hapjen e negociatave dhe për rikthimin e legjitimitetit në qeverisjen vendore.”, shkruan Basha.

Pasditen e sotme, ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim dha mendimin e saj në lidhje me Opinion e publikuar nga Komisioni i Venecias, për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Kim theksoi se është në një mendja me ‘Venecian’ dhe se liderët duhet t’iu japin shqiptarëve gjykata funksionale dhe një Reformë në Drejtësi./Re.Gu/Fjala.al