Infrastruktura/ Rrugë po, buxhet jo, ARRSH-ja 4 miliardë lekë detyrime

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Sipas raportit të KLSH-së (Kontrollit të Lartë të Shtetit), Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) nga viti 2017 deri më tani ka një detyrim të pashlyer prej 4 miliardë lekësh ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve. Në fund të vitit 2013 vlera e detyrimeve për t’u likuiduar nga ARRSH-ja, për punime të deklaruara dhe të përfunduara ka qenë 14,1 mld lekë

Nga Ornela Bereti

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka një detyrim të prapambetur të akumuluar nga viti 2017 deri në mes të vitit 2019, në vlerën e 4 miliardë lekëve. Shifra e detyrimit është bërë e ditur në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas auditimit që ky ka kryer në ARRSH. Gazeta “Fjala” disponon raportin e plotë të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar për periudhën kohore 01.01.2017 deri më 31.07.2019. Në raportin prej 172 faqesh janë analizuar të gjitha shkeljet që grupi i auditimit ka gjetur në ARRSH, të cilat nisin nga shkeljet me tenderët për ndërtim e rikonstruksion rrugësh deri tek abuzimet me dietat e pagesat për punonjësit e këtij institucioni.

Detyrimet

Vetëm me buxhetin e vitit 2019 është parashikuar likuidimi 100% i të gjithë zërave të investimeve, përveç zërit Vendime Gjyqësore, i cili, për mungesë fondesh buxhetore, është parashikuar të likuidohet në masën 60%. “Detyrimet e prapambetura të kontratave të mirëmbajtjes në fund të vitit 2018 janë në vlerën 765977778 lekë dhe me buxhetin e vitit 2019 është parashikuar likuidimi i detyrimeve të prapambetura në vlerën 389090377 lekë ose 50% e tyre, kështu që mbeten pa u likuiduar detyrime në vlerën 379844976 lekë.” -thuhet në raport.

Borxhet

Në raportin për auditimin e ushtruar në Autoritetin Rrugor Shqiptar KLSH-ja thotë se në disa kontrata për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, gjatë zbatimit të punimeve janë konstatuar punime të kryera nga kontraktorët dhe të paguara nga ARRSH-ja në vlerën totale rreth 223747 lekë. Por këto punime janë të parakorduara me dokumentacionin justifikues teknik si, libreza masash, fatura, analiza laboratorike të materialeve etj. dhe, për pasojë, kemi menaxhim pa eficencë, efektivitet dhe ekonomicitet të këtyre fondeve. “Përgjithësisht nuk ka përcaktuar mekanizma të mirorganizuar dhe funksionalë të procesit të menaxhimit të riskut, efekt që pasqyrohet edhe në rezultatet e treguesve të performancës së buxhetit dhe thesarit, duke shfaqur mangësi gjatë zbatimit të kontratave për punë e shërbime dhe rezerva në planifikimin e buxheteve dhe në parashikimin e nevojave për likuiditete, çka ka çuar në rritjen e nivelit dhe të stokut të detyrimeve të prapambetura. Kështu, në çdo fund viti pasardhës ARRSH-ja vazhdon të trashëgojë të njëjtin borxh që shkon nga 3 miliardë lekë në 4 miliardë lekë.” -thuhet në raport. ARRSH-ja është institucion i akredituar për administrimin e fondeve nga buxheti i shtetit, si dhe nga donatorë të huaj, si Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, qeveria italiane, qeveria kuvajtiane, Banka Islamike etj. Ai ka realizuar disa objekte të rëndësishme në rrjetin rrugor nacional.

Monitorimi

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka monituar shpenzimin e fondeve për vitet 2017, 2018 dhe 4-mujorin e parë të vitit 2019. Në analizën e fondeve për periudhën e fundit të auditimit KLSH-ja vëren se për 4-mujorin e parë të vitit 2019 performanca e produkteve të programit “Transporti rrugor ” paraqitet si më poshtë: shpenzimet kapitale (me financim të brendshëm) tё kёtij programi, sipas konfirmimeve të marra nga degët e thesarit, u realizuan nё masёn 590376135 lekë ose, e shprehur në përqindje, 5% e planit të buxhetit të vitit 2019. Për 4-mujorin e parë të vitit 2019, fondet e planifikuara janë 11359600000 lekë pra 11,3 mld lekë dhe realizimi për 4-mujorin e parë të vitit 2019 është 590376135 lekë, ose 5%. “Me buxhetin e vitit 2019 në ARRSH u mbështetën me fonde buxhetore të gjitha kontratat në vazhdim dhe u parashikuan fonde buxhetore edhe për hapjen e kontratave të reja. Detyrimet e prapambetura në fund të vitit 2018 në ARRSH ishin në vlerën 2547679738 lekë për zërin investime dhe 765977778 lekë për kontratat e mirëmbajtjes. Me buxhetin e vitit 2019 Autoriteti Rrugor Shqiptar ka parashikuar likuidimin e detyrimeve të prapambetura në vlerën 2172150661 lekë ose 85% të zërit investime dhe 386090377 lekë ose, 50% të detyrimeve të kontratave të mirëmbajtjes.” – thuhet në raport.

Borxhet nga viti 2013

Në llogarinë “Investime“, në fund të vitit 2013, vlera e detyrimeve për t’u likuiduar nga ARRSH-ja, për punime të deklaruara dhe të përfunduara ka qenë 14,1 mld lekë, ku pjesa më e madhe, ose, rreth 80%  ka qenë detyrime që i përkasin ndërtim e sistemim rruge. “Nga dokumentet e vëna në dispozicion, rezulton se borxhi i mbartur nga viti 2013 është evidentuar dhe ka vijuar të shlyhet gjatë vitit 2014 dhe 2015 me buxhet të veçantë. Për vitin 2014 nuk ka pasur detyrime të reja, të krijuara në zërin investime, për faktin se në këtë vit nuk ka pasur procedura të reja investimi. Në datën 31.12.2015 detyrimet për investime të krijuara rishtazi në këtë vit kapin vlerën e 961 mln lekëve, të cilat janë likuiduar gjatë vitit 2016. Në datën 31.12.2016 detyrimet për investime të krijuara rishtazi në këtë vit kapin vlerën e 2366 mld lekë, të cilat janë likuiduar gjatë vitit 2017. Në datën 31.12.2017 detyrimet për investime të krijuara rishtazi në këtë vit kapin vlerën e 2457 mld lekë, të cilat janë likuiduar gjatë vitit 2018. Në datën 31.12.2018 detyrimet për investime të krijuara rishtazi në këtë vit kapin vlerën e 2547 mld lekë, të cilat janë likuiduar në vlerën 1118 mld lekë deri më 30.06.2019.” – thuhet në raport.

Detyrimet për sinjalistikën

Ndërtim dhe sistemim rruge, i përbërë si vlerë për 16 subjekte, deri më 31.12.2018 kap vlerën 1228623005 lekë, ose 50% të vlerës totale të borxhit të ARRSH-së. Vlerën më të lartë për t’u likuiduar nga ARRSH-ja e përbëjnë tri subjekte. Sinjalistikë rrugore në vlerën 126769530 lekë, e përbërë nga dy objekte me vlera përkatëse 116080806 lekë dhe 10688724 lekë. 3-Supervizion punimesh që përfshin 12 subjekte në vlerën 4853242 lekë.

Dieta e rritje rroge për punonjësit, dëmi 51 milionë lekë

Lexo edhe :  Bilanci i janarit, Koçiu: Investime në shëndetësi dhe mbrojtjen sociale

Vendimet e gjykatës, faturat 34% e buxhetit të ARRSH-së

Punonjësit e ARRSH-së kanë përfituar dieta e rrije page në kundërshtim me ligjin. Vlera totale i kalon 51 milionë lekët. “Nga auditimi i kryer në ARRSH, mbi hartimin dhe zbatimin e buxhetit për vitet 2017,  2018 dhe 2019, u konstatua se për vitin 2018 në zërin “Transferta për Buxhetin Familjar & Individ“ u janë dhënë shpërblime punonjësve të ARRSH-së në vlerën 51238754 lekë. Nga verifikimi i njëpasnjëshëm i vendimeve konstatohet se, nuk ka ndryshim të pozicioneve të punës për secilin punonjës dhe as ristrukturim, pra shkurtim të vendeve të punës apo largim të punonjësve nga puna, por vetëm ndryshim të marrëdhënieve të punës (kalim nga nëpunës civil në marrëdhënie me kod pune). Për pasojë, vlera prej 51238754 lekësh, e dhënë si shpërblim ndaj punonjësve të ARRSH-së, konsiderohet dëm ekonomik.” – thuhet në raport.

Vendimet e gjykatave

Detyrimet për Vendimet Gjyqësore janë në shumën 938763746 lekë, nga të cilat 843478890 lekë ose 34% të borxhit total të ARRSH-së, janë për vitin 2018 dhe 95284856 lekë janë për vitin 2017. Pra, konstatohet një vlerë në rritje nga viti në vit, gjë që tregon një mosmenaxhim dhe planifikim jo të saktë në fazat e projektbuxhetit të vitit 2018. Janë gjithsej 24 persona fizikë dhe juridikë me vendime gjyqësore të formës së prerë. KLSH-ja ka audituar dokumentet dhe nga dokumentacioni i urdhërshpenzimeve për vitet 2017-2019 janë paguar gjyqe, fituesit dhe subjektet përmbaruese gjyqësore private për tarifën e shërbimit përmbarimor. Shumat e detyrimeve për vendimet gjyqësore të paguara nga buxheti i shtetit për vitin 2017 janë në shumën 305034921 lekë, për vitin 2018 në shumën 350000000 lekë, dhe për vitin 2019 deri në qershor në vlerën 83015068 lekë. “Për të gjitha këto vendime, edhe pse kanë qenë të formës së prerë, të gjitha pagesat nuk janë kryer vullnetarisht nga ARRSH-ja, por janë kryer në bazë të urdhërekzekutimeve të lëshuara nga përmbaruesit privatë, duke e rënduar buxhetin e shtetit me kosto shtesë në shumën prej 31744946 lekësh për tarifa përmbarimore.” – thuhet në raport. KLSH-ja bën të ditur se nga auditimi u konstatua që nga institucioni ndër vite nuk ka një fond të planifikuar për proceset gjyqësore, të cilat nuk kanë marrë formën e prerë. Sektori i financës ka bërë kontabilizimin dhe konstatimin e detyrimeve gjyqësore vetëm në momentin e likuidimit të personave me urdhërshpenzim kaluar nëpërmjet degës së thesarit, ndërsa detyrimet e lindura për t’u paguar nuk janë të kontabilizuara në pasqyrën financiare, për faktin se nga Sektori Ligjor dhe i Prokurimeve nuk janë dërguar informacione në lidhje me proceset gjygqsore, por informojnë sektorin e financës vetëm kur duhet të bëhet pagesa në bankë, në favor të gjyqfituesit.

Disa nga shkeljet për projektet e rrugëve

1.Gjetje nga auditimi: Në zbatim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, gjatë periudhës objekt auditimi, për vitin 2017 janë paguar nga buxheti i shtetit 305034921 lekë, për vitin 2018 janë paguar 350000000 lekë, dhe për vitin 2019 deri në qershor, janë paguar 83015068 lekë. Nga auditimi u konstatua që edhe pse këto vendime gjyqësore kanë qenë të formës së prerë, të gjitha pagesat nuk janë kryer vullnetarisht nga ARRSH, por janë kryer në bazë të urdhërekzekutimeve të lëshuara nga përmbaruesit privatë duke e rënduar buxhetin e shtetit për tarifat përmbarimore me kosto shtesë në shumën prej 31744946 lekësh.

  1. Gjetje nga auditimi: Procedurat e prokurimit për “Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi Pallati me Shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja (Unaza e Re), të realizuar në vitin 2018: Ky segment rrugor është me gjatësi prej 2,2 km dhe me vlerë kontrate 6000000000 lekë. Realizimi i këtij objekti është ndarë në tri lote dhe janë realizuar tri procedura prokurimi, si më poshtë: Loti I. “Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi Pallati me Shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja, Loti 1”, me fondin limit 2246450297, me vlerë oferte 2246450000 lekë. Loti II. “Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi Pallati me Shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja, Loti 2”, me fondin limit 1571942368 lekë, me ofertë 1568794185 lekë. Loti III. Rehabilitim i segmentit rrugor, mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – rrethrrotullimi Shqiponja Loti 3, me fond limit 1180297580 lekë, me ofertë në vlerën 1170134219 lekë.
  2. Gjetje nga auditimi: Në vijim të zbatimit të procedurave për prokurimin për zbatimin e kontratave, menjëherë dy ditë mbas kthimit të përgjigjes nga MIE me shkresën me nr. 8546/5, datë 06.09.2018 që në parim e ka lejuar ARRSH-në t’i vazhdojë procedurat ligjore të prokurimit të objekteve të mësipërme, ARRSH-ja në datën 08.09.2019 ka bërë shpalljen e njoftimit të kontratave në faqen e internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik. Pra, duket qartë se ARRSH-ja ka nxituar për ta realizuar tenderin e zbatimit dhe nuk ka bërë më parë kontrollin e preventivit dhe llogaritjen e fondit limit. Siç u tha më lart, ky segment rrugor është me gjatësi prej 2,2 km me vlerë kontrate 6000000000 lekë.
  3. Gjetje nga auditimi: Procedura e prokurimeve me objekt: “Menaxhimi e Mirëmbajtja e Pajisjeve dhe Operimi i Tunelit të Kërrabës për vitin 2018”, me fond limit 98180000 lekë, me ofertë në vlerën 98120000 lekë dhe procedura e prokurimeve me objekt: “Menaxhimi e Mirëmbajtja e Pajisjeve dhe Operimi i Tunelit të Kërrabës për vitet 2019-2020”, me fond limit 194920000 lekë, me ofertë në vlerën 194820000 lekë.
  4. Gjetje nga auditimi: Për kontratën nr. 10110, datë 24.12.2007 me objekt ndërtimi i rrugës Kardhiq-Delvinë loti 1, nga mbikëqyrësi i punimeve, si dhe nga Këshilli Teknik i ARRSH-së janë miratuar ndryshime dhe modifikime në projekt përmes përdorimit edhe të fondit rezervë, ndryshime të cilat nuk kanë ardhur si rrjedhojë e faktorëve të paparashikueshëm, pasi duke konsideruar faktin që projekti është bazuar në një raport gjeologjik, këto volume punimesh duhet të parashikoheshin në projekt.
  5. Gjetje nga auditimi: Në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë mungojnë shumë elemente të sigurisë rrugore, ku më të rëndësishmet janë guardrailët, të cilët nuk janë të vendosur gjatë gjithë gjatësisë së rrugës dhe nëpër kthesa, ku trupi i rrugës ka diznivel të konsiderueshëm me fundin e skarpatit.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Pesë arsyet pse duhet të pini kafe para se të shkoni në palestër

Hulumtimet e fundit zbulojnë 5 arsye që janë të mira për ne dhe duhet të pini një filxhan kafe...

Bilanci i janarit, Koçiu: Investime në shëndetësi dhe mbrojtjen sociale

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë publik këtë mëngjes, bilancin e investimeve dhe reformave të ndërmarra nga institucioni që ajo...

Po na “zhgënjen” shumë zoti President!

Nga Myslim Murrizi Të “ lutem” shumë, të paktën mos na i pengo pagesat për komisionin Xhafaj të “specialistëve” të Sorosit, se ndryshe na “more”...

Fundjava me aksidente/ Qibini: Përveç gjobës, duhen dhe masa administrative për shkelësit

Kjo fundjavë që lamë pas ka qenë e mbushur me aksidente. Sipas ekspertit rrugor, Islam Qibini, shkak janë bërë lëvizjet e shtuara dhe shpërfillja...

Preç Zogaj për protestën e 8 shkurtit: Ndoshta demokratët duan të testojnë…

Analisti Preç Zogaj ka komentuar protestën e planifikuar nga Partia Demokratike më 8 shkurt, duke u shprehur skeptik mbi efektivitetin e saj. Sipas tij, PD...

Lajme të tjera

Web TV