Në vend të një reportazhi/ Epoka e akullnajave në mes të sezonit veror

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Rrezet e tejshpuese të diellit përthyhen mbi ujin e kaltër që dallgëzon ngadalë dhe tej në horizontin e largët një masë fosforeshente shtrihet mbi një kuadrat të gjerë gradësh e sekondash detare.

Kjo është qershia mbi tortë, si për ta filluar mbarë një reportazh.

…E tmerrshme të shkosh për një fundjavë në Durrës. Doni t’u dalë shpirti nga hundët? Merrni autostradën. Domethënë atë që ne e quajmë autostradë. Ka vite që them të njëjtën gjë dhe, sërish, bëj të njëjtën gjë. Sepse të shkosh në Durrës, qyteti më i afërt bregdetar me kryeqytetin, të duket sikur po shkon andej nga Mali me Gropa. Por këtë herë është edhe më ndryshe, edhe më keq. Sapo kemi dalë nga “muajt e madhërishëm” të pandemisë.  Kalojmë dhe Shkëmbin e Kavajës dhe, si ndalojmë, kujtohemi që gara e shpejtësisë Tiranë-Durrës, ka qenë me pengesa.

Mëngjesi

Mëngjesi është i bukur buzë detit, ku ngjyrat ngatërrohen dhe nuk arrin ta ndash dot qiellin nga deti. Por kjo është shumë poetike, pasi ke kaluar me makinë në rrugën e Unazës së Re, e cila do të zgjerohet, pastaj ke pritur nëpër semaforë, ku na u desh 40 minuta për të dalë deri te rrethrrotullimi i ish-Shqiponjës. Dhe kjo punë ka nja dy vjet të mira në Tiranë, që kur nisi puna për zgjerim dhe do të vazhdojë kush e di dhe sa vite të tjera. Pas kësaj, mes një trafiku të dendur me gjithfarë shoferësh halabakë që të krijojnë premisa për aksident çdo katër minuta, të duhet të udhëtosh nëpër autostradën e parë shqiptare që tanimë ngjason as më pak e as më shumë, por me një rrugë fshati. Patrulla policie me radarë ka përgjatë rrugës, por trima me makina të viteve të fundit, të alkoolizuar a të droguar, këtë nuk di ta them, fluturojnë me shpejtësi marramendëse ku të kalojnë te hunda. Këtyre nuk u hiqet patenta.

Plazhi

Plazhi ka filluar të gjallërohet pas ditëve të paqëndrueshme të qershorit. Pandemia e ka kryer misionin edhe nën presionin e mjekëve astrologë që parashikojnë një valë të dytë në shtator.

Makinën e parkoj te hoteli ku shkoj prej vitesh.

-Ç’thotë sezoni? – pyes të zotin e hotelit.

-Dobët, – më thotë ai i pezmatuar, duke më sqaruar se ka 40 dhoma, por vetëm tri të zëna.

Shkoj te një furrë buke, ku disa mjeshtra prej Kosove bëjnë gjithfarë gjërash brumi.

-A keni pasur ndopak punë? –  pyes shitësen.

-Dobët, – ma kthen ajo dhe mundohet të ruajë një buzëqeshje në fytyrë.

Me të drejtë. Një vit më parë duhet të mbaje radhë të merrje një byrek me gjizë. Këtë sezon mbaroje punë fët e fët.

Më poshtë marrim ca fiq, dardha, e kumbulla nga një katundar Kavaje.

-Ke shitur ndonjë gjë sot?

-Dobët, – më thotë ai, duke manovruar me kandarin dhe duke vazhduar të më sqarojë se ka rënë fuqia blerëse.

Midis parcelave me shezlongë ka dhe rripa rëre që janë të programuar për plazhe publike. Por meqë nuk kemi çadër me vete, shkojmë tek i njëjti vend si gjithmonë. Administratori na zgjat faturën demek.

-Si duket puna? – e pyes për mirësjellje.

-Shyqyr që erdhi fundjava të lëvizin pak gjërat, se u mykëm, – ta kthen ai, dhe ndërsa i zgjas 300-lekëshin e tarifës me të cilin jam mësuar prej vitesh marr lajmin e gëzuar: – A jo, 400 lek. E kemi rritur këtë vit.

Lexo edhe :  PD reagon për 6 milionë dollarët e lobimit në SHBA/ Financohet nga patriotë shqiptarë

Mirë keni bërë, them me vete. Duhen kompensuar humbjet. Pastaj kishin investuar dhe për dy bidona me alkool të holluar te hyrja, ku mund të laje duart sa herë ta donte qejfi.

Drekën familjarisht e hamë tek i njëjti vend, ku jemi familjarizuar dhe me personelin.

-Keni pasur ndonjë çikë punë? – pyes kamerierin e lokalit.

-Dobët, – më thotë, duke mbledhur supet, dhe shton se vetëm në fundjavë arrijnë të kapin ndonjë gjë, se gjatë javës aha…

Duket sikur trauma e tërmetit që më shumë nga të gjitha shkundi zonën e Durrësit ka kaluar dhe pasojat i mbajnë mbi shpinë ata që kanë mbetur pa çati, por pasojat e Covid-it duken qartë. Përgatitemi për vazhdimin e luftës gjithsesi.

Shumica e dyqaneve sezonale janë me qepena mbyllur. Investimet e premtuara për shtrime rrugësh as që dukeshin kund. Gurë e gropa kudo, sa të dhimbsej makina e shkretë, se mund të prishje ndonjë amortizator, por mund të çaje dhe sotokartin e të mbeteshe peng i karroatrecit.

Sezoni turistik, pa dyshim, është i falimentuar. Natyrisht, një dorë në malore na i japin vëllezërit tanë kosovarë, se pa ta edhe më zi do të ishte. Për optimizëm po themi se turizmi do të arrijë të mbajë veten në dy muajt në vazhdim. Por nga shtatori e në vazhdim askush s’e di se çfarë do të ndodhë, Covid-i do të rrafshojë njerëzimin, do të ulen alienët në Tokë, apo do të lëvizë boshti nga forcat gravitacionale dhe do të përsëritet epoka e akullnajave.

Pasdite

Kthehemi për në shtëpinë tonë, në Tiranë. Autostrada e mbushur me makina. Me Covid a pa Covid, shqiptarët nuk i lënë makinat. Nafta ka zbritur tashmë, nga 175 lekë që e gjenim kudo, tani pa vështirësi e kapim edhe 150 lekë. Goxha progres.

Në një cep rruge shoh një trajner dhe ca piketa në rrugë. Aksident. E po, domosdo, mund të jetë e vetmja autostradë ku maunet e ngarkuara futen në korsinë e shpejtësisë dhe parakalojnë pa iu dridhur qerpiku. Ose në një rast tjetër, një kamion transportonte një ngarkesë aq të lartë, sa dukej sikur do ta merrte me vete atë dhe ne që mundoheshim ta parakalonim. Jallah, – thashë me vete – të kesh patentë shqiptare, të udhëtosh në rrugët e Tiranës dhe të garosh në autostradën e Durrësit, duke hequr këtu vetëm shansin e rrugës plot kthesa të Kërrabës, pa dyshim që në Francë apo Angli të japin të ngasësh pa duar një F-16, prodhim amerikan.

-Marrim ndonjë rrugë dytësore këtej nga Kashari a Yzberishi, se nuk durohet Astiri, – sugjeron bashkëshortja.

E dëgjoj këshillën e saj. Kot nuk thonë “mendje femër”. Mbërrijmë në shtëpi për bukuri, duke shmangur 40-minutëshin e dytë të trafikut në hyrje të Tiranës, që do ta bënte udhëtimin tonë edhe më të kushtueshëm, pavarësisht nga ulja e çmimit të karburantit.

Pasi sistemohemi në shtëpinë tonë, për t’u çlodhur nga udhëtimi skëterrë, marrim vendimin më të rëndësishëm të ditës: Dalim për një kafe te klubi i lagjes.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Kandidati i listës së Berishës në Kavajë tërhiqet nga gara: Nuk ishte vendim i lehtë

Kandidati i 'Aleancës për Shqipërinë Madhështore', Rudin Hylviu, ka marrë vendimin për të tërhequr fushatën e tij aktive dhe...

Interi pëson humbjen e tretë në 7 ditë, zikaltrit në krizë para Barcelonës

Interi ka pësuar humbjen e dytë radhazi në Serinë A, pas asaj me Bolonjën, dhe të tretën brenda javës, po të përfshijmë edhe derbin...

Rama nga Vlora: Thanë se Trump do hiqte ‘non gratën’, por u dashkan 6 mln euro

Kryesocialisti Edi Rama po vijon ditën e sotme nga Vlora takimet e tij në kuadër të fushatës elektorale të 11 Majit. Rama është duke zhvilluar...

Napoli merr “timonin” e Serie A, Interi pëson disfatë në shtëpi ndaj Romës

Interi ka pësuar humbjen e dytë radhazi në Serinë A, pas asaj me Bolognan. Zikaltërit e Inzagit janë mposhtur në shtëpi nga Roma me shifrat...

Tirana fiton derbin, mbyll kampionatin e teta! Partizani zyrtarisht në “Final 4”

Tirana fitoi derbin me Dinamon me rezultatin 2-0 falë golave të Rafael në minutën e 29-të dhe Zharmuni në të 88-ën. Ekipi i drejtuar nga...

Lajme të tjera

Web TV