Auditimi për vitet 2006-2019, legalizohen ndërtime në shkelje të ligjit dhe nuk mblidhet taksa
Nga Ornela Bereti
Në zyrat e ish-Drejtorisë së ALUIZNI-t Tirana Rurale, kanë humbur 3563 dosje të ndërtimeve pa leje. Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë konstatuar se këto dosje kanë dalë nga arkivi dhe nuk janë kthyer më.
Në raport nuk evidentohet periudha së cilës i përkasin dosjet, por thuhet se nuk ka asnjë të dhënë apo dokument për administrimin e tyre. “ish-Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana Rurale për periudhën objekt auditimi ka lëshuar gjithsej 5585 leje legalizimi për objekte informale, ndërsa, sipas të dhënave, konstatohet se periodikisht brenda periudhës objekt auditimi kanë dalë nga arkivi i institucionit për t’u punuar 11967 dosje të objekteve informale, për një pjesë të të cilave është kryer edhe kualifikimi i objekteve informale, për të vazhduar procedurat deri në lëshimin e lejes së legalizimit, ndërkohë, sipas pasqyrave të paraqitura, konstatohet se janë kthyer 2819 dosje, pra me një diferencë 3563 dosje, të cilat kanë dalë dhe nuk janë bërë hyrje në arkiv, ndërkohë nuk ka asnjë të dhënë apo dokument për administrimin e tyre, veprime këto në kundërshtim me përcaktimet ligjore për administrimin dhe arkivimin e dokumentacionit.” – thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilin e disponon të plotë gazeta “Fjala”.
KLSH-ja thekson në raport se në dosjet e kthyera në plot raste janë rikthyer dhe nxjerrë disa herë dosjet dhe pa asnjë motiv, nuk përshkruhet arsyeja e tyre e rikthimit në arkiv në sasinë 2819, kur rezulton se për këto subjekte janë kryer matjet, genplanet, planimetritë dhe nuk kanë marrë vendime, duke shkelur të gjitha afatet ligjore, dhe deri tani nuk janë legalizuar, duke e zgjatur këtë afat me vite.
Për zgjidhjen e këtij problemi, Kontrolli i Lartë i Shtetit u rekomandon drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Tirana Rurale 1 dhe 2, të marrin masa që në vazhdimësi për objekte informale të pajisura me leje legalizimi të evidentojnë respektimin e afateve të matjeve në terren, kualifikimin e tyre deri në lëshimin e lejes së legalizimit, si dhe për objektet informale, për të cilat kanë përfunduar evidentimin faktik në terren të ndërtimeve pa leje, të bëhet evidentimi i gjendjes juridike të truallit, si dhe hartimi i genplanit dhe planimetrive, por pa përfunduar procesi i legalizimit.
“Të operojnë me vazhdimin e procedurave të legalizimit, duke i trajtuar në funksion të afatit kohor të qëndrimit në arkiv, si dhe të bëhet dokumentimi i vazhdueshëm i lëvizjes së dosjeve që futen dhe nxirren nga arkivi për punë.” -thuhet në raport.
Auditimi
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t Tirana Rurale, referuar bazës së të dhënave të disponuar nga viti 2006 deri në 31.05.2018. Sipas pasqyrave të paraqitura për objektet informale, kërkesat për legalizim (të vetëdeklaruara) të objekteve informale pranë Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Tirana Rurale janë 21138 procedues. Për periudhën objekt auditimi janë pajisur me lejen e legalizimit 6599 objekte informale.
Dokumentet ndahen sipas viteve dhe për vitin 2016 janë dhënë 1431 leje legalizimi (nga të cilat për periudhën 01.01.2016 – 28.05.2016 janë 1014 leje legalizimi, ndërsa për periudhën 28.05.2016 – 31.12.2016, janë 417 leje legalizimi) në vitin 2017 janë dhënë 1654 leje legalizimi, në vitin 2018 janë dhënë 2804 leje legalizimi dhe në periudhën 01.01.2019 – 31.08.2019 janë dhënë 710 leje legalizimi. Gjatë auditimit Kontrolli i Lartë i Shteti ka gjetur një sërë shkeljesh në lidhje me procedurën që është ndjekur për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Kështu, kjo drejtori ka legalizuar ndërtime pa leje, pa marrë taksën e ndikimit në infrastrukturë. “Në procedurën e kualifikimit të objekteve informale, ka dërguar pranë bashkive të qarkut Tiranë shkresën për llogaritjen e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë vetëm për 5002 objekte informale, për 583 objekte nuk është nisur shkresa, dhe përsëri ka proceduar me vendim kualifikimi, pa marrë konfirmim mbi pagesën e saj, duke krijuar një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit në vlerën 281867438 lekë.” – thuhet në raport.
Aneksat harrohen në sirtarë
Ish-Drejtoritë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tirana Rurale 1 dhe 2) nuk kanë mbajtur evidencë më vete të ankesave të trajtuara ndër vite, afatet e shqyrtimit të tyre, përgjigjet dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre, gjithashtu nuk është ngarkuar me urdhër të veçantë një person kompetent apo një grup specialistësh për shqyrtimin e ankesave, në asnjë nga dokumentet e punës të paraqitura për auditim nuk është adresuar përgjegjësia për shqyrtimin e ankesave, por ato u janë adresuar specialistëve përkatës rast pas rasti.
Kontrolli i Lartë i Shtetit bën të ditur se ka munguar bashkëpunimi dhe rakordimi ndërmjet sektorëve, madje duke lënë pa adresuar problematikat e ngritura në ankesat e qytetarëve, si dhe zgjidhjen brenda afateve ligjore, konkretisht gjatë periudhës 01.01.2016 -31.08.2019, në 1089 raste nuk është kthyer asnjë përgjigje për ankesat e bëra nga qytetarët apo institucione të ndryshme.
la.mi/Fjala.al