Poliagjentët/ Koliqi-Camaj, apo dosjet e Sigurimit?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kemi të bëjmë me dokumente të deklasifikuara, ku ndeshemi me emra të rëndësishëm të kulturës shqiptare: Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. Ajo çfarë rëndoi mbi ta është se, edhe nëse nuk kanë punuar për shërbimet e huaja sekrete, kanë firmosur si bashkëpunëtorë të tyre.

Një analizë e mbështetur mbi reagimet ndaj studimit të Auron Tares ku kanë dhënë opinionet e tyre: Ndreca, Gurakuqi, Zhiti, Tufa, Shllaku, Turdiu e Cani.

Nga Leonard Veizi

Debati për hapjen e dosjeve të shkrimtarëve është rrahur nxehtë edhe vite më parë, por duket se prej kohësh ishte lënë të ftohej në harresë. Debati për hapjen e dosjeve në përgjithësi, është bërë në vazhdimësi. Por në kaosin e krijuar në thëniet e kundërthëniet e atyre që përfshiheshin vazhdimisht në debat, ajo që dukshëm binte në sy ishte fakti se shumë shkrimtarë nuk ishin aq të larë sa deklaronin dhe shumë të tjerë që nuk kishin lënë gjë pa thënë për monstrën komuniste, kishin qenë vetë pjesë e ingranazhit shtypës e denoncues.

Pra, shumëkush i druhej hapjes së tyre e, për më tepër, publikimit. Dosje të pastra, me sa duket, nuk ka, sepse në çdonjërën prej tyre me siguri do të gjesh një fletë me firmë të hedhur “gabimisht”. Dosjet as që bëhej fjalë të hapeshin atëherë, por edhe nëse hapen tani, sërish do të sjellin një furtunë të vërtetë…

…Në fakt furtuna sapo ka nisur. Dhe dosje jo të zakonta ka hapur studiuesi Auron Tare dhe i ka publikuar. Kemi të bëjmë me dokumente të deklasifikuara, ku ndeshemi me emra të rëndësishëm të kulturës shqiptare: Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. Ajo çfarë rëndoi mbi ta është se, edhe nëse nuk kanë punuar për shërbimet e huaja sekrete, kanë firmosur si bashkëpunëtorë të tyre.

Sigurimi i Shtetit, edhe pse në hapat e parë të tij, ende i pastrukturuar sipas leksioneve të KGB-së, por gjithsesi duke marrë ca mësime nga UDB-ja, ka arritur që mes viteve 1944-1948 të rekrutojë njerëz që ose ishin të rëndësishëm gjatë Luftës Antifashiste, apo pas çlirimit nga nazizmi, ose u bënë të rëndësishëm vite më pas. Një gjë dihet që nga krijimi i strukturës së shërbimit sekret shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore, po të futeshe në rrethin e kuq të Sigurimit të Shtetit, apo më keq, nëse futeshe në zyrat e tij, vështirë se dilje ashtu siç kishe qenë.

Në shumicën absolute të rasteve prej aty dilje pasi kishte firmosur diku. Në të kundërt, mundësia që t’i kaloje një gjyqi popullor, ose të mos dilje fare prej aty, ishte më e madhe. Në këto kushte edhe për Martin Camaj, i arrestuar në vitin 1948, është gjetur një material komprometues, ku ai pranon të bashkëpunoje me strukturat e Sigurimit të Shtetit nën pseudonimin “Bregu i Kuq”.

Ernest Koliqi dhe Martin Camaj janë të njohur për publikun si antikomunistë pa kompromis. Dhe sipas një dokumenti të deklasifikuar e të bërë publik tashmë, paskan nënshkruar “me dëshirën e plotë” si agjentë të shërbimeve sekrete, dhe aktiviteti i tyre në fushën e letrave ka qenë i përzier me veprimtari spiunazhi. Kështu duket dhe nga materiali i servirur, letra formati të zverdhura nga koha, ku firma dallohet qartësisht.

Mbi këto dokumente Auron Tare ka hartuar një studim prej 36 faqesh, i cili u botua i plotë në revistën “Peizazhe të Fjalës” që drejtohet nga Ardian Vehbiu. Por këtu nuk ka rëndësi se në cilën media u botua dhe se kush e administron atë, pasi në një botë të hapur e internet pa kufi, botimi i çdo materiali, qoftë ai dhe abuziv, është mundësia më e madhe e cila i është vënë në dispozicion njeriut.

Auron Tare, si autori i shkrimit, duke iu referuar dokumenteve arkivore, bën lidhje logjike, interpretimin e fakteve dhe provave, dhe del në përfundimin se dy shkrimtarët shqiptarë kanë qenë të përfshirë në shërbimet e huaja sekrete. Dhe bëhet fjalë për UDB-në jugosllave, CIA-n amerikane, SIM-in e italian etj. Këtu futet dhe Sigurimi i Shtetit.

Dhe po të lexosh materialin në fjalë, pa dyshim që do të gjesh aq dokumente dhe ngritje pikëpyetjesh, saqë arrin të bindesh se si Ernest Koliqi, ashtu dhe Martin Camaj, ishin agjentë e poliagjentë. Një gjë e tillë ka shpështjelluar botën e letrave shqipe, por dhe më gjerë se kaq. Dhe reagimet nuk kanë munguar.

Tashmë gurët janë hedhur në shesh dhe loja quhet e nisur. Argumentet pro dhe kundër janë të vetmet që mund ta kthejnë çështjen në favor të njërës apo tjetrës palë. Për ta zhvlerësuar studimin 37-faqesh të Auron Tares, kanë dhënë opinionet e tyre dhe shumë autorë të tjerë.

Camaj sipas Tares

Historia e Martin Camajt nis më 5 maj 1948 kur u arrestua si mësues në fshatin Prekal të Malësisë së Madhe. Kur u soll në Shkodër ai u bë pjesë e Sigurimit të Shtetit me pseudonimin Bregu i kuq, madje sipas studiuesit Auron Tare ai ka dhënë dëshmi kundër disa personaliteteve të kohës, që njiheshin si antikomunistë, si padër Fausti. Vetëm 5 ditë më pas ai lirohet dhe Sigurimi e dërgon në Jugosllavi si të arratisur.

Vetëm dy vjet më pas CIA e kishte nën vëzhgim si agjent të UDB-së. Kjo u bë me arsyen e një dyshimi, sipas të cilit mësuesi nga fshati arriti të marrë bursë studimi në Universitetin e Beogradit. Vetëm 1 vit më vonë Martin Camaj martohet me studenten serbe Nina Bogdanoviç, vajza e ish-nënkryetarit të Bashkisë së Beogradit.

Koliqi sipas Tares

Koliqi ishte një personalitet kulturor i njohur i kohës. Ministër Arsimi në kohën e pushtimit fashist, ai kishte ndërmarrë një akt të rëndësishëm në dobi të Kosovës. Hapjen e shkollave shqipe. Besnik i idesë së një bashkëpunimi me Italinë, ai mbahej si një prej personaliteteve më filoitaliane të kohës.

Me kapitullimin e Italisë më 1943, Koliqi u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Vatikan, si ambasador. Pas Luftës pati një aktivitet të rëndësishëm letrar, veçanërisht në Universitetin e Romës. Por aktiviteti më i rëndësishëm i Koliqit në këtë periudhë ishte fakti se ai qe ideologu dhe drejtuesi i Bllokut Independent Kombëtar, organizatës politike proitaliane, për të cilën interesoheshin shumë si CIA amerikane, si UDB-ja jugosllave.

Reagimet publike

Primo Shllaku: Që kritika të mos degjenerojë në përleshje fejsbukiste, ju lutem ju, anëtarit ma të ri të këtij institucioni, që Akademia ta ndjejë për detyrë të sajën të na japë sa ma shpejt nji opinion paraprak rreth çështjes dhe, në vijim, të dalë para publikut e studiuesve specifikë të letrave shqipe me një konkluzion shterues. Marrja e një opinioni nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve tashti në fillim të verës, si kohë jetë e mot e studiueme me hedhë në tregun e mendimit shqiptar këso mënxyrash që asgjësonin fizikisht, por edhe moralisht, do ta paqtonte tek njerëzit tundimin e ndershëm dhe logjik për ta mbrojtë individualisht e sporadikisht atë pjesë të kulturës kombëtare, e cila nuk u poq në arat e socializmit real e të diktaturës. Akademia duhet të shprehë mendimin e vet dhe të krijojë nji shtrat të arsyeshëm debatesh mbi tema kaq madhore. Heshtja e Akademisë ku ju bani pjesë, do të ishte nji shprehje e moskompetencës së saj kulturologjike dhe profesionale, megjithëse i ka ata që e mbulojnë këtë sektor. Uroj që Akademia ta konsiderojë si të ligjshme dhe të arsyeshme këtë kërkesë e, kësisoj të vërtetohet, se ndryshimet në udhëheqjen dhe rekrutimi i elementëve të rinj që ndodhi para pak ditësh, të mos kenë qenë formale.

Lexo edhe :  PD drejt humbjes/ Berisha reagon për herë të parë

Romeo Gurakuqi –  Për ditë shtohen ata që më sulmojnë. Zyrët italiane, amerikane, ingleze, vatikane etj., janë plot (kam prova) me raporte sidomos kundra meje: mason, aventurjer, agjent zyrësh sekrete, çarlatan etj., Nji amerikan tash nja dy muaj me tha: “E din pse shumica e shqiptarëve ju lufton? Pse s’munden me ju kuptu, tue kenë ju, për sa marr vesht vetë, ma i oksidentalizuemi ndër shqiptarë”. Kjo cilësi s’asht vetëm e imja; asht e të gjithë shkodranve. Ai amerikani me njifte vetëm mue, por të kishte njoftun Dom Lazrin, Pader Benardinin, ty Karl, etj., do të kishte dhanë nji gjykim ma kolektiv. Duket se jemi ndryshe prej tjerve, …. e ata burrnin t’onë e kanë mëni si mzati pecën e kuqe. “Vetëm me Lahuten e Malcis s’bahet Shqipnija”, paska thanun nji intelektual tash së fundi. Po shka kanë me Pader Gjergjin e shkretë! Ai në vorr. Lahuta e Malcis e debume nga radhoi i veprave letrare të Shqipnis? Duen qi as emnin mos t’përmendet. Kena vojtë mbrapa lum miku, e s’diej se si do të përfundojë kjo punë…”

Parid Turdiu– Auron Tare ka kërkuar në arkivat e Sigurimit dhe të CIA-s dhe ka zbuluar fakte se Martin Camaj ishte i Sigurimit dhe i UDB-së, kurse Koliqi, i italianëve (që dihej), i gjermanëve dhe i një sërë agjenturash të tjera. Më duket se “të pastër” ishin vetëm nga familjet e mia (Ramazan dhe Faik Turdiu, Arshi Pipa, etj.) Ata që nuk janë spiuna nuk kanë katapulte që t’i ngrejë dhe ngelën me forcat e veta. E lexova shkrimin e Tares dhe m’u duk hulumtim serioz (arkivial, jo letrar). Pse eksitohet Adrian Ndreca?

Adrian Ndreca- Tarja asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist.

Agron Tufa – Dosjen e plotë të Martin Camajt, të cilën Autoriteti i Dosjeve ia dorëzoi Auron Tares, dihej që ai do ta shfrytëzonte selektivisht. Ai që ia ka përgatitur e dorëzuar, e di këtë dhe bën mirë të flasë. Megjithatë dosja nuk gjendet vetëm në AIDSSH dhe është lehtë të demonstrohet shfrytëzimi i saj selektiv. Do ta ketë pasur sekëlldi të madhe Tare kur esencën e kësaj dosjeje e publikoi Kastriot Dervishi gjatë këtij dimri, me disa vijime, ku dëshmohet se si u tall Camaj me Sigurimin dhe se si Sigurimi për 40 vjet u përpoq ta “diskreditonte” atë me çdo mënyrë. Camaj i tregoi rregullisht Sigurimit komunist Gishtin e Mesit. Edhe kuazidedektivin e Tares, që ndokush e merr për studim, me koleksionimin e zellshëm e heroik të dokumentave kudo ku përmendet Camaj, mandej të endur në tekstin e tij sipas parimit të “gërshërës dhe mastiçit, – edhe për Taren pra, njëlloj si për Sigurimin, Camaj ka veç një përgjigje: Gishtin e Mesit! E gjithë perpjekja sistematike e Tares në këto dokumente rreth implikimit te Camajt, del jashtëzakonisht intencional, sikur ka inat të vjetër e të personalizuar me të, sikur mban inat që Camaj iu shpëtoi burgjeve dhe kampeve të internimit nën drejtimin, asokohe, të Myftar Tares. Gjithë koleksioni i mbledhur me dokumente ku përmendet emri i Camajt nuk të thotë asgjë, e tekefundit, mund të përmblidhet në një idiomë: “Gola në përfytyrim!”. Po kujt i duhen “golat e përfytyruar” të Tares?

Agim Cani – Për njerëzit që kanë lexuar, Aleksander Issajewitsch Solschenizyn nuk është i panjohur. Shkrimtar i madh rus, në kohën e sistemit komunist në BS ishte quajtur si disident, e kishte qëndrim kritik ndaj sistemit. Në një vizitë në Perëndim në atë kohë e pyet një gazetar: Përse nuk je dhe më i ashpër ndaj sistemit? Solschenizyn iu përgjigj: Jam shkrimtar, por jam dhe prind!

Në i kërkojmë shkrimtarët, poetët, monumente, perfektë deri sa i himnizojmë si perëndi. Edhe ATA janë njerëz. Me të meta dhe gabime. Bile dhe me faje. Ca herë i zbukurojmë këto faje e gabime  dhe shumë herë i bëjmë gabimet tragjedi.

Çfarë nuk u bë pas 90 – tës që të nxirrej Kadare si disident. Në asnjë varg, në asnjë faqe romani të atyre viteve nuk ka disidencë. Shikoni tek “Dimri i vetmisë së madhe” çfarë thotë…: “Enver Hoxha piu kafe dhe pa dashje përmbysi filxhanin . Të gjithë duart e rreshkura të nënave shqiptare do të zgjateshin ta merrnin Atë filxhan për të parë fatin e mëtejshëm të Shqipërisë”. Pra në atë filxhan ishte dhe fati i Kadaresë. Është e vërtetë që qëndrimi i Enver Hoxhës ishte vendimtari që ne sot kemi një talent Botëror të pazëvendësueshëm, Ismail Kadarenë. Edhe Goete ky gjigant i madh i letrave gjermane dhe Botërore ka qenë servil i Kaizerit. Esenin ky bukurosh rus dhe poet i dashurisë njerëzore , ka dhe një poemë për Leninin. Martin Camaj është vlerë kombëtare. Ka kontribuar me të shkruar për shqiptarinë dhe Shqipërinë. Ky temalas i Dukagjinit, ka mbrojtur doktoraturën me veprën e Gjon Buzukut në Beograd. Ka qenë Profesor i Albanologjisë në Ludwig – Maximilian Uni në München. Një shqiptar që për të kanë shkruar shumë njerëz të letrave në Gjermani. Me gjeni në veprat e tij antishqiptari…?…  Nuk ka! “Werba wolant, Scripta mannent” thotë latini. Çfarë shkruan, mbetet! “Was schreibt bleibt!” Lexoni dhe mësoni veprën e Martin Camajt. Dhe mos harroni: kur shkruani diçka për Martin Camajn, njerëzit të njohin Ty dhe jo Martin Camajn. Stoiku i famshëm grek Epiktet thotë: “Themeli filozofik i gjërave është të njohësh dobësitë dhe pafuqinë tënde”. Kjo i takon çdo Njeriu. Dhe atyre që i shikojmë nëpër monumente.

 /En.Br./Fjala.al

Të fundit

Kandidoi për PS por nuk fitoi, reagon Endrit Braimllari

Endrit Braimllari, i cili u largua nga Partia e Lirisë dhe iu bashkua PS-së duke kandiduar në zgjedhjet parlmentare...

Darka private në Pallatin e Brigadave! Spiropali publikon fotot e pritjes së Macron,

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ka publikuar foto nga darka private e pritjes së Presidentit të Francës, Emmanuel Macron së bashku me Zonjën e Parë Brigitte...

“Qytetarët i besuan Edit”- Linda Rama: Ndjej peshën për të mos zhgënjyer askënd!

Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, ka komentuar në Forumin Ekonomik fitoren e katërt të të shoqit në krye të qeverisë, duke u...

PD rrezikon mandatin në Lezhë, PS e ngushton diferencën në 621 vota.

Numërimi i votave të Greqisë për qarkun e Lezhës po ngushton diferencën mes koalicionit të PD-së që deri tani ka 4 mandate dhe PS-së...

“Muzika është në gjak tek ne”, rrëfimi prekës i babait të Beatriçes

Babi i Beatriçe Gjergji rrëfenë se para se të ngjitej në skenën madhështore të Eurovizionit, muzika ishte tashmë pjesë e pandashme e jetës së...

Lajme të tjera

Web TV