Nga Ina Allkanjari
Mbyllja e procesit të regjistrimeve të kandidatëve për strukturat drejtuese në Universitetin e Tiranës u shoqërua me fillimin e fushatës, ku tre kandidatët për rektor kanë nisur prezantimin e programeve. Përballë njëri-tjetrit në garë për drejtimin e universitetit më të madh të vendit, do të jetë një jurist, një fizikane dhe një informaticiene. Konkretisht në garë është dekani aktual i Fakultetit të Drejtësisë, prof. Artan Hoxha, prof. Mimoza Hafizi, astrofizikane në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, si dhe prof. Kozeta Sevrani, informaticiene në Fakultetin e Ekonomisë.
Në një intervistë për gazetën “Fjala” dekani i fakultetit të Drejtësisë, prof. Artan Hoxha, i cili hodhi i pari kandidaturën për rektor, tregon se arsyeja se pse u bë pjesë e kësaj gare, është nevoja që UT-ja të ketë një drejtim ndryshe. Ndërsa thekson se filozofia e tij është se universiteti nuk ka nevojë për njësha autoritarë, por ka organe, struktura, profesorë dhe studentë, që së bashku e çojnë përpara universitetin.
Lidhur me kundërshtitë e rektorit në detyrë, Mynyr Koni, lidhur me zhvillimin e këtij procesi zgjedhor, Hoxha shprehet se nuk mundet që rektori i universitetit, i vetëm, të dalë përballë të gjithë strukturës universitare që ai ka drejtuar për 4 vite. Për sa i përket faktit se Koni nuk e njeh KIZ-in aktual, ndaj dhe kërkon të mos mbahen zgjedhjet, Hoxha thekson se Senati Akademik i UT-së ka konfirmuar funksionimin e KIZ-it aktual, dhe njohjen e këtij procesi zgjedhor nga KIZ, që sot është në funksion prej disa muajsh, pa ndërprerje.
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë në përfundim të fjalës së tij, i fton të gjithë studentët dhe pedagogët që në ditën e zgjedhjeve të tregojnë se kanë interes që të përcaktojnë me votën e tyre të lirë se kush do të jenë drejtuesit dhe organet drejtuese në Universitetin e Tiranës, që nga njësia bazë e deri te kandidatët për rektor.
Ju jeni njëri ndër tre kandidatët për rektor në Universitetin e Tiranës, çfarë ju shtyu të bëheni pjesë e kësaj gare?
Shtysa ime është nevoja që Universiteti i Tiranës të ketë një drejtim ndryshe. Nevoja që në UT ligji dhe aktet që administrojnë veprimtarinë e institucioneve të arsimit të lartë, të zbatohen me korrektesë dhe jo sipas vlerësimeve subjektive. Nevoja që autonomia e brendshme funksionale, akademike dhe e kërkimit shkencor të funksionojë dhe të japë rezultatet që kërkohen për të përmbushur misionin e arsimit të lartë në Shqipëri, dhe rolin e veçantë që ka Universiteti i Tiranës, si një nga universitetet më të mëdha, më të vjetra, nga i cili kanë dalë me mijëra specialistë të lartë dhe kërkues shkencorë në gjithë këto vite që nga krijimi i universitetit.
Nevoja që universiteti mos të identifikohet me personin, por të identifikohet me kohezionin e veprimtarisë së të gjitha organeve dhe autoriteve drejtuese dhe përfshirjes dhe rritjes së interesimit të pedagogëve dhe të personelit ndihmës, por edhe të studentëve në jetën universitare. Nevoja që studentët të jenë prioriteti i Universitetit. Janë ata të cilët bëjnë të mundur që ne të kemi institucione të arsimit të lartë dhe vëmëndja jonë duhet të jetë e drejtuar nga ata.
Ata të kenë kushte më të mira, të kenë trajtim më të përshtatshëm, të ndihen në mirë universitet, të vijnë me kënaqësinë e të studiuarit, sepse Universiteti i Tiranës, në përbërje studentore është një nga universitetet që sjell dhe nxënësit më të mirë të shkollave të mesme, dhe studentët më të mirë në programet master dhe doktoraturë. Të gjitha këto, me eksperiencën e gjatë që kam si jurist në fusha të ndryshme, por edhe në administrimin e strukturave të ndryshme në Universitetin e Tiranës, si drejtor juridik i UT për 8 vite, dhe prej 4 vitesh si dekan i Fakultetit të Drejtësisë, mendoj se i kam të gjitha mundësitë, që këto nevoja dhe të gjitha këto prioritete që UT-ja duhet të ketë, t’i përballoj dhe t’i çoj përpara. Me filozofinë që nuk ka njësha, nuk ka persona autoritarë, por ka organe, struktura, ka profesorë, ka studentë, të cilët së bashku e çojnë përpara universitetin.
Kandidatura e parë për rektor në këto zgjedhje, ishte e juaja, ndërkohë aktualisht jeni tre kandidatë në garë. Cili është qëndrimi juaj?
Kandidaturat tregojnë që ka interes të ketë garë, dhe legjitimon të gjithë këtë proces, i cili ka pasur disa problematika, për shkak të rektorit në detyrë dhe se kjo garë do t’i vërë kandidatët në një moto dhe në një punë më të përgjigjeshme, që të paraqesin alternativat e tyre, platformat e tyre.
E gjithë kjo, me qëllim që t’i ofrojnë universitetit mundësi që të zgjedhë midis kandidatëve, atë që është më i miri dhe që universiteti nëpërmjet studentëve dhe pedagogëve do t’i besojë drejtimin në 4 vitet që vijnë. Unë e përshëndes shumë pjesëmarrjen e dy profesoreshave të nderuara dhe këto janë gara akademike, që në fund do të nxjerrin njërin nga ne drejtues të universitetit.
Rektori aktual, Mynyr Koni, e kundërshton këtë proces zgjedhor, duke mos njohur anëtarët e KIZ-it në këto zgjedhje. Mendoni se do të arrijë ta bllokojë zhvillimin e zgjedhjeve?
Absolutisht, jo. Kjo është filozofia e ndryshme që kemi për drejtimin e universitetit. Nuk mundet që rektori i universitetit, i vetëm, të dalë përballë të gjithë strukturës universitare që ai ka drejtuar për 4 vite. Ka një vullnet të plotë për zhvillimin e zgjedhjeve. Komisioni Institucional Zgjedhor dhe KZF-të në fakultete, kanë shpallur tashmë të gjitha kandidaturat për shefa departamenti, anëtarë senati, kandidatë për dekan dhe kandidatë për rektor.
Ka një konfuzion në opinionin publik, sikur zgjedhjet zhvillohen për rektor, në fakt zhvillohen për të gjitha organet dhe autoritetet drejtuese në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë, përfshirë edhe Universitetin e Tiranës. Në UT, të gjithë kandidatët që kanë paraqitur dokumentacionin, kanë aplikuar, janë shpallur nga KIZ, dhe të gjithë kandidatët që do konkurrojnë në këto zgjedhje.
Kështu që në këto kushte, i bie që një person i vetëm, që quhet rektor, aktualisht në detyrë, t’i dalë përballë të gjithë procesit zgjedhor. Nuk mundet, nuk është repart ushtarak universiteti, është një organ autonom, një institucion i arsimit të lartë autonom, i cili funksionon me të gjitha strukturat e tij. Senati Akademik i UT ka konfirmuar funksionimin e KIZ-it aktual, dhe njohjen e këtij procesi zgjedhor nga KIZ që sot është në funksion prej disa muajsh, pa ndërprerje.
Në lidhje me realizimin e zgjedhjeve ka pasur zëra që kanë dalë kundër, për shkak të situatës së krijuar në vend prej COVID-19. Cili është qëndrimi juaj?
Nuk besoj se ka pasur shumë zëra, pasi shumë zëra do të thotë të mos marrësh pjesë në procesin zgjedhor, ndërkohë të gjithë janë pjesmarrës në procesin zgjedhor. Ka individë ose grupime të cilat paraqesin për arsye të ndryshme këtë pretendim. Ajo çfarë dua të them ligjërisht, gjendja e jashtëzakonshme është hequr nga 23 qershori, dhe nga ky moment nuk ka asnjë shkak ligjor që zgjedhjet të mos zhvillohen në 30 korrik.
Zgjedhjet janë periodike, janë 1 herë në 4 vite. Duhet të ishin bërë përpara 2 muajsh, kështu që në këto kushte çdo pakt tjetër do të binte në kundërshtim me ligjin, do të binte në kundërshtim me rregulloren zgjedhore dhe askush nuk na thotë dot se në muajt që vijnë situata dhe zhvillimi i gjendjes së sëmundjes do të jetë e lehtësuar, apo do të jetë e rënduar.
Ajo që kanë për detyrë institucionet publike të arsimit të lartë është që të bëjnë të mundur që ky proces të zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara nga Mininstria e Shëndetësisë dhe të mbahen distancat, të zhvillohen në ambiente me më shumë qendra ku votohet, me qëllim që edhe kontakti të jetë sa më i pakët midis atyre që do të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Si mendoni se do të jetë pjesëmarrja ditën e zgjedhjeve?
Unë mendoj se do të jenë zgjedhje normale. Pjesëmarrja do të jetë e mirë, edhe pse është fundi i muajit korrik. Kjo sepse ka shumë më tepër konkurrencë për organet dhe autoritetet drejtuese, si nga pedagogë, ashtu edhe nga studentë, që tregon se ka një interes të shtuar për këto zgjedhje në Universitetin e Tiranës. Duke pasur një interes të shtuar, besoj se edhe pjesëmarrja do të jetë më e lartë sesa në zgjedhjet e shkuara.
I ftoj të gjithë studentët dhe pedagogët që në ditën e zgjedhjeve të tregojnë se kanë interes që të përcaktojnë me votën e tyre të lirë se kush do të jenë drejtuesit dhe organet drejtuese në Universitetin e Tiranës, që nga njësia bazë e deri te kandidatët për rektor.
/En.Br./Fjala.al