Lojtari i skuadrës së Kukësit, Valon Et’hemi, në një intervistë për gazetën “Fjala” thekson se ndeshja e ekipit të tij me bardheblutë e kryeqytetit tregoi cilësinë e vërtetë dhe skuadrën më të mirë në Shqipëri
Sulmuesi i skuadrës së Kukësit, Valon Et’hemi,ka thënë se ndeshja e ekipit të tij me Tiranën tregoi se cili prej tyre është më i miri.
23-vjeçari i verilindorëve ka theksuar se ekipi i tij renditet i dyti, për shkak të gafave me ekipe të vogla.
Ndërsa më tej në një intervistë për gazetën “Fjala” ai është shprehur se vendosmëria për të treguar cilësinë e vërtetë, sipas tij, e bën Kukësin ekipin më të mirë në Shqipëri.
“Vendosmëria për t’u karikuar dhe për të treguar cilësinë e vërtetë, padyshim na bën ekipin më të mirë në Shqipëri, por e përsëris, se nuk jemi liderë,nga shkaku i gabimeve në disa ndeshje që s’duhej të kishim ecur fals.”- u shpreh ai.
Ndërsa ka folur për sfidat e së ardhmes, lojtari ka theksuar se ndonëse Teuta është një skuadër e fortë, verilindorët do të triumfojnë.
“Kam shumë respekt për Teutën, dhe jam i vetëdijshëm se do të kemi punë të vështirë. Por është fakt se ne në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin, ndërsa duke parë se nuk luajmë prej kohësh në shtëpi, nuk është se na preokupon shumë faktori fushë.”-vijoi ai.
Ndërsa ka folur për të ardhmen dhe se cilën Kombëtare mund të zgjidhte midis asaj shqiptare dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, ai ka theksuar se është profesionist dhe se pavarësisht që është shqiptar, në atë moment do të vendosë.
“Jam shqiptar dhe nuk besoj të ketë shqiptar në botë që nuk krenohet me kombin e tij dhe nuk dëshiron të përfaqësojë kombin në rrafsh ndërkombëtar. Por jam edhe profesionist që jetoj nga futbolli dhe, duke qenë i lindur në Maqedoninë e Veriut, kam të drejtën të luaj edhe për përfaqësuesen e vendit të lindjes. Në këtë drejtim do të vendos me kokë të qetë dhe kryekëput për motive profesionale, duke pritur të shikoj se kush do të më besojë dhe vlerësojë si futbollist dhe si profesionist.”-tha ndër të tjera Et’hemi.
Nga Katerina Tafa
Ishit një nga kontribuesit e fitores së Kukësit ndaj Tiranës, si ishte ai moment për ju?
I lumtur për suksesin si grup dhe fitoren përballë liderit, që provon edhe një herë se jemi ekipi më cilësor në kampionat, por që vuajmë gabimet në ndeshjet e ashtuquajtura të vogla. Më vjen mirë që munda të kontribuoj me gol, posaçërisht pasi më herët gjatë ndeshjes shpërdorova një rast shumë të mirë.
U dukët shumë këmbëngulës në këtë ndeshje, çfarë ju ndikoi?
Ishte përballje ndërmjet dy ekipeve të para në renditje dhe mundësi për të treguar vlerën e vërtetë në fushën e kundërshtarit.
Cilat ishin fjalët që ju tha trajneri Orges Shehi, pas atij goli të veçantë mund të themi?
Jo diçka e veçantë. Vetëm më ka uruar për golin, pasi, fundja, kjo është puna ime si lojtar i repartit ofensiv.
Pas karantinës kemi parë sërish një Kukës të vendosur, çfarë ndikoi gjatë kësaj periudhe te skuadra juaj?
Vendosmëria për t’u karikuar dhe për të treguar cilësinë e vërtetë, padyshim na bën ekipin më të mirë në Shqipëri, por e përsëris se nuk jemi liderë nga shkaku i gabimeve në disa ndeshje që s’duhej të kishim ecur fals.
Çfarë mendoni se e bën Kukësin një skuadër të fortë dhe pretendente për titull?
Cilësia padyshim, harmonia brenda grupit dhe kombinimi i mirë i kolektives dhe individuales.
Sa shanse mendoni që keni për ta marrë trofeun, duke parë që kryeqytetasit tashmë janë 6 pikë përpara jush?
Jam gjithmonë pozitiv dhe e përsëris se personalisht besoj deri në momentin që matematika na lejon. Ne duhet të shikojmë punën tonë dhe pastaj bëjmë llogaritë. Keq që nuk varet titulli vetëm nga ne, por deri sa matematika na lejon, ne duhet të besojmë.
Si ka qenë ky sezon për ju, çfarë do të veçonit që bëtë më mirë dhe ku çaluat, si skuadër dhe personalisht ju?
Tirana është lider dhe nga 4 ndeshje me ta ne kemi fituar 3. E kuptoni dallimin në përballjet direkte? Ndërkohë kemi gabuar në disa ndeshje që është e pafalshme dhe si pasojë jemi prapa vendit të parë.
Keni qenë një lojtar kyç i këtij sezoni te verilindorët, a mendoni se do të vazhdoni të qëndroni aty?
Faleminderit për vlerësimin. Fokusi im është të mbyllim kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme. Pastaj ulemi e flasim për të parë si do të ecin gjërat.
Brenda pak ditëve keni dy ndeshje me skuadrën e Teutës, a mendoni se do t’ia dilni të merrni fitore në këto takime, duke parë që durrsakët janë shumë këmbëngulës?
Kam shumë respekt për Teutën, dhe jam i vetëdijshëm se do të kemi punë të vështirë. Por është fakt se ne në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin, ndërsa duke parë se nuk luajmë prej kohësh në shtëpi, nuk është se na preokupon shumë faktori fushë.
Çfarë pritet të bëjë Kukësi në këto takime?
Ne duam maksimumin dhe do të bëjmë gjithçka për ta marrë atë.
Cilat janë planet e së ardhmes për Et’hemin? A jeni aktualisht në bisedime me ndonjë skuadër dhe nëse po cila/cilat janë ato?
Momentalisht mendoj vetëm për të mbyllur sa më mirë sezonin. Duke i marrë gjërat një nga një, në kokën time kam dy ndeshjet me Teutën, fillimisht të parën e pastaj mendojmë për të dytën.
Nëse do të duhej të zgjidhnit një kampionat e skuadër të huaj, cilat do ishin ato dhe pse?
Pesë ligat më të forta evropiane janë ëndërr për secilin, sepse atje është kulmi i futbollit.
A mendoni se deri në këto momente në të gjithë karrierën tuaj ia keni dalë t’i realizoni qëllimet?
Jam i kënaqur, edhe pse mendoj se kam mundur të bëj edhe më shumë. E ardhmja është mundësi për të kompensuar lëshimet.
Po nga stafi teknik i Kombëtares kuqezi, a keni pasur ndonjë komunikim deri në këto momente?
Personalisht nuk merrem me gjëra që kanë të bëjnë për çështje jashtë fushës, pasi kam njerëz që merren me ato punë. Ka pasur zëra, por jo diçka konkrete.
Nëse do të duhej të zgjidhnit midis përfaqësueses shqiptare dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, ku do donit të luanit dhe pse?
Jam shqiptar dhe nuk besoj të ketë shqiptar në botë që nuk krenohet me kombin e tij dhe nuk dëshiron të përfaqësojë kombin në rrafsh ndërkombëtar. Por jam edhe profesionist që jetoj nga futbolli dhe, duke qenë i lindur në Maqedoninë e Veriut, kam të drejtën të luaj edhe për përfaqësuesen e vendit të lindjes. Në këtë drejtim do të vendos me kokë të qetë dhe kryekëput për motive profesionale, duke pritur të shikoj se kush do të më besojë dhe vlerësojë si futbollist dhe si profesionist.ka.ta/Fjala.al/