Reforma Zgjedhore/Lista të hapura VS lista të mbyllura, Rama – Basha dalin në skenë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shtohen debatet për marrëveshjen e 5 qershorit, futet “shtesa” për të ndryshuar sistemin zgjedhor për lista të hapura. Rama e pranon si “respekt” për opozitën parlamentare. Edi Rama tha se PS-ja mbështet hapjen e listave, por kjo nuk do të thotë se preket pakti i 5 qershorit, pasi janë procese paralele. Lulzim Basha thotë se në këtë mënyrë Rama ka prishur marrëveshjen e 5 qershorit

Nga Leonard Veizi

Për nëntë orë Këshilli Politik u “mbyll” në një takim që kishte diktatin e tre ambasadorëve, të SHBA-së, BE-së dhe të Britanisë. Ranë dakord, por në vendin tonë dakordësia nuk nënkupton se çështja mbyllet aty dhe, për këtë arsye, marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore është vënë disi në pikëpyetje. Në këtë qëndrim dhe lojë nervash: e miratojmë – nuk e miratojmë”, janë përplasur krerët e politikës për sa u përket listave të hapura. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar qëndrimin e forcës politike që ai drejton mbi miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Në një konferencë për shtyp, ai tha se PS-ja mbështet hapjen e listave, por kjo nuk do të thotë se preket pakti i 5 qershorit, pasi janë procese paralele. Por krejt i kundërt ka qenë qëndrimi i Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, i cili thotë se në këtë mënyrë Rama ka prishur marrëveshjen e 5 qershorit.

Edi Rama

“Hapja e listave nuk duhet të rrezikojë një arritje për të cilën unë jam krenar dhe Partia Socialiste është lokomotiva e kësaj beteje, përfshirjen dhe përfaqësimin e grave në Kuvend”, u shpreh Rama, ndërsa theksoi se “formulat dhe çështjet teknike do të diskutohen, por për ne, e kam shprehur edhe më parë, hapja e listave nuk është një tabu”. “Ambicia jonë, që përkon me nevojën e publikut dhe me interesin e përgjithshëm të vendit, ka qenë e shprehur vazhdimisht edhe nga unë personalisht. Depolitizimi i administratës zgjedhore, një rekomandim kyç i përsëritur në dekada nga OSBE/ODIHR-i, nuk ka ndodhur, sepse kundërshtohet deri në fund nga PD-ja dhe grupi që ajo përfaqëson. Përderisa vendosmëria jonë ishte t’i jepnim një mundësi reale përfshirjes së opozitës jashtëparlamentare në proces, dhe të lehtësonim me aq sa mundeshim barrën e frikës dhe paragjykimeve të PD-së, vendosëm të bëjmë një lëshim që është lëshimi më i madh i imagjinueshëm për një forcë politike që ka shumicën dhe që realisht shkel mbi veten në këtë rast”, tha Rama. Sipas tij, “me opozitën parlamentare kemi pasur një qëndrim shumë të qartë se procesi do zhvillohej me dy shkallë”. “Këtu nuk kemi të bëjmë me ndryshim të sistemit, siç kërkonin me ngulm, të fillonim nga sistemi dhe hapja e listave dhe refuzonin të hynin në proces. Kemi bërë marrëveshje me opozitën parlamentare që do të konsiderojmë edhe çështjet e ngritura prej tyre. Kemi arritur të krijojmë edhe mirëkuptimin për të krijuar konsensus të gjerë në Parlament, kur ka qenë rasti për të votuar ligje të rëndësishme, të lidhura dhe me integrimin që kërkojnë shumicë të cilësuar”, tha Rama. Ai shtoi se “kjo nuk është një çështje aritmetike, përtej faktit që edhe aritmetika nuk na ka përkrahur në këtë proces”. “Kjo është një çështje parimore që lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe me detyrimin që Shqipëria të kalojë një reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe standardet më të mira ndërkombëtare. Me një standard që për mua nuk është aspak një recetë çudibërëse, por është botërisht i pranuar si një standard i mirë i përfaqësimit dhe forcimit të zërit të qytetarëve, hapja e listave”, tha Rama. Rama sqaroi se pse nuk bëhet fjalë për ndryshim sistemi. “Nuk dua ta bëj këtë shpjegim si opinion personal, por duke iu referuar kodit të praktikave të mira të çështjeve zgjedhore të Venecies dhe një deklarate interpretative lidhur me mosndryshimin e legjislacionit për sistemin zgjedhor. Janë 3 elementë. I pari, sistemi në vetvete. Ne kemi sot sistem proporcional rajonal. Kjo nuk preket, edhe pse opozita kërkon proporcional kombëtar, nuk ka ndryshim sistemi. Ndryshimi i madhësive të zonave zgjedhore nuk preket. Ndërsa KQZ-ja, ose institucioni qendror i administrimit të zgjedhjeve preket si rezultat i marrëveshjes së 5 qershorit. Nuk është një prekje e sistemit që vjen jashtë marrëveshjes së 5 qershorit”, tha ai. “Atyre që pretendojnë të tregojnë vitin që duhet për të bërë ndryshime, u them se ky është një ndryshim esencial shumë më esencial se hapja e listave”, tha Rama. Kjo, sipas tij, “nuk përbën shkelje dhe rregullimi në Kod i këtij ndryshimi është në diskrecionin e vendimmarrjes”. “Nga ana tjetër, qoftë Venecia dhe të gjitha instancat e tjera që merren me çështjet zgjedhore, çështje si lista të hapura, të mbyllura, pragu etj., i konsiderojnë thjesht mekanizma korrektues të një sistemi. Sistemi nuk preket, mekanizmi korrektues është në funksion të asaj që palët gjykojnë si përmirësim”, tha Rama.

Lexo edhe :  Mori mandatin e katërt/ Rama: Më ka zënë belaja me kolegët!

 Lulzim Basha

Kryedemokrati deklaroi se Edi Rama prishi marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore, pas deklaratës se mbështet kërkesën e opozitës parlamentare për hapjen e listave. “Në esencë Rama ka prishur sot marrëveshjen e 5 qershorit, në të cilën u investuan forcat politike me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së. Në këtë marrëveshje ishte miratimi me konsensus i Reformës Zgjedhore, që do të plotësonte një kusht për hapjen e negociatave. Ne si opozitë në këto 7 muaj kemi bërë gjithçka për të arritur një marrëveshje konsensuale”, – theksoi Basha në një konferencë për shtyp. “Diskutimi i sotëm nuk është për listat e hapura, është për koalicionet parazgjedhore që prej fillimit të demokracisë kanë qenë një realitet politik i sanksionuar në Kushtetutë. Rama ka vetëm një tmerr dhe frikë, zgjedhjet me koalicionin opozitar përballë. Maskat ranë, se kishte vënë si alibi një grup njerëzish që nuk përfaqësojnë asnjë nga partitë politike të opozitës, njerëz që në këtë sallë nënshkruan heqjen e mandateve dhe më pas u blenë si gjë e gjallë me para të thata në dorë, leje ndërtimi dhe premtime për t’u nxjerrë njerëz nga burgu. Ishin mall i blerë nga Edi Rama”, – tha Basha. Sipas tij, “PD-ja kurrë nuk e ka përjashtuar diskutimin për sistemin. Ne jemi për mazhoritar të pastër me dy dhoma, që asnjë kryeministër nesër të mos i ngjajë as hijes së Ramës që kontrollon të gjitha pushtetet. Prandaj jemi të vendosur që një diskutim ta bëjmë por jo me Balla-opozitën, por me gjithë shqiptarët. Jemi gati dhe për referendum në këtë drejtim”, – tha Basha. Më tej shtoi: “Nëse Rama do kishte interes për lista të hapura, nuk do ta linte për një pazar fundkorriku, kur OSBE-ja e ka hedhur poshtë 2 ditë më parë, si shkelje flagrante ndaj zgjedhjeve të lira e të ndershme. Shqipëria s’mund të jetë peng i Ramës. Marrëveshja e 5 qershorit është e qartë. Nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit. Jo sepse nuk deshëm ne, por sepse Rama donte depolitizim. Por ai do të heqë koalicionet parazgjedhore”./Fjala.al/Ke.Ba

Të fundit

“Janë njerëz pa fe. Edhe ateizmi është fe”. Preç Zogaj i kujton Berishës nenin “Basha”

Mban numrin 45 në statutin e Rithemelimit të PD-së, miratuar mes brohoritjeve në stadiumin e ‘Air Albania’ në 11...

Jorida Tabaku pranon dështimin e PD-së: Nuk ia dolëm për rrotacionin

Arriti të sigurojë mandatin në Tiranë por sërish nuk e quan betejë të fituar. Jorida Tabaku shprehet se aksioni opozitar duhet riformatuar. Arsyeja pse Tabaku...

Drejtoresha e Spitalit të Gramshit e pranon: Fëmijët në kopësht u helmuan

Drejtoresha e Spitalit të Gramshit ka reaguar pas lajmit se disa fëmijë të një kopështi shtetëror në Gramsh janë helmuar nga ushqimi që kanë...

KQZ miraton rezultatin final të zgjedhjeve, PD ankimon për Kukësin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit në 12 qarqet e vendit, duke i hapur rrugë fazës së...

Kapet në Firence çifti shqiptar me 23 kg kokainë të pastër

Një operacion i policisë italiane në Firence ka çuar në arrestimin e një çifti shqiptar, të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Dy të rinjtë,...

Lajme të tjera

Web TV