E mërkura solli një tjetër bilanc të rëndë me katër të vdekur duke e çuar në 101 numrin e viktimave nga koronavirusi.
Mes katër të viktimave mësohet se ka humbur jetën edhe një 49-vjeçare, e cila ndodhej në intubim prej ditësh.
Bëhet fjalë për 49-vjeçaren, që një ditë më parë kishte pasur ditëlindjen dhe që në pamundësi për ta parë, fëmijët i kishin dërguar një tufë me lule në spital.
Lajmin e bënte të ditur vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila publikonte dhe foton e rëndë të 49-vjeçares së intubuar në spital.
Ndërkohë në 24 orët e fundit janë regjistruar 85 raste të reja me Covid 19 nga 361 testime të kryera.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 44 raste në Tiranë, nga 6 raste në Shkodër, Krujë, Vlorë, 5 në Tropojë, 3 në Elbasan, nga 2 raste në Durrës, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Kolonjë, nga 1 rast në Has, Berat, Kamëz, Pogradec, Ura Vajgurore./Bl.Ba.Fjala.al