Artet marciale dhe implementimi i këtij sporti në Shqipëri. Rrëfimi për këtë displinë i Arjan Rizajt. Potenciali për t’u zhvilluar dhe të mirat që përftojnë individët që i drejtohen kësaj disipline
Nga Alessia Selimi
Karakterizohen me goditje fizike me secilën pjesë të trupit; pa dyshim të mirëmenduara, për të shkaktuar dhimbje, lëndim te kundërshtari. Artet marciale, të vendosura në kornizë të frymës dhe parimeve sportive, mbartin një sërë teknikash, si boksim, shkelmim, gjunjë, bërryla, kapje dhe kundërkapje.
Si praktikues i kahershëm, besnik, Arjan Rizaj, presidenti i Federatës së Arteve Marciale në Shqipëri dhe zv.presidenti i Federatës Ballkanike, fshihet pas një numri të lartë pjesëmarrësish kreativë, atletëve amatorë dhe profesionistëve. Pikërisht për shkak të pasionit dhe dëshirës që artet marciale të lulëzojnë dhe të fitojnë vëmendjen e merituar. Kur mendon për artet marciale e ke të pamundur të mos i lidhësh me thirrje të çuditshme, kërcime, lëvizje të shpejta dhe të vështira.
Kësisoj, edhe imazhi vizual i dikujt që merret prej thuajse një jete me këtë lloj sporti, përfytyrohet hijerëndë, fjalëpak. Mirëpo, Rizaj nuk është aspak i këtillë. Elegant në të veshur dhe me një buzëqeshje që i mbizotëron në fytyrë, mund të ngatërrohet lehtësisht me dikë që porsa ka braktisur zyrën. Rizaj gëzon ditë me karakter të pandryshueshëm, kryesisht duke u stërvitur dhe duke menduar për programet e grupeve që trajnon.
Rrugëtimi i tij deri më sot, në marrjen e certifikatës ndërkombëtare si kryetrajner i arteve marciale të përziera, e ka pikënisjen në fëmijëri. Rizaj tregon për gazetën “Fjala” se e ka përqafuar sportin me qëllimin për të ndryshuar ritmin fizik.
“I vogël kam qenë aktiv, por jo mjaftueshëm. Në një moment të caktuar kuptova se duhet të bëja me patjetër diçka që të ndryshoja”, thotë Rizaj duke cilësuar që ngahera ka preferuar lojërat individuale, jo kolektive, si futbollin apo basketbollin. “Kam qenë shumë i tërhequr në fushë të gjelbërt dhe jo për shkak se nuk e doja topin. Më karakterizonte një lloj agresiviteti që më krijonte idenë se mund t’i dëmtoja në çdo moment bashkëlojtarët”, vijon ai.
Rizaj është ushtarak aktiv me gradën rreshter; ka trajnuar “Forcat Speciale” prej 17 vitesh dhe aktualisht është i angazhuar në stërvitjen e forcave “Komando”. Ai pohon se karriera e tij ushtarake s’ka bërë gjë tjetër veçse e ka ndihmuar të zhvillojë edhe më tepër pasionin për sporte të ndryshme.
“Ndër vite kam takuar mjaft ushtarakë dhe trajnerë të “Forcave Speciale”, kryesisht amerikanë dhe anglezë, nga të cilët kam mësuar tmerrësisht shumë. Në ushtri i kam pasur dhe i kam të gjitha hapësirat e nevojshme për të qenë sportiv. Besoj se kjo vjen falë qëndrimit të përbashkët, disiplinës.”
Ndalemi në vlerësimin e bërë së fundmi nga Federata Ndërkombëtare e Arteve Marciale të Përziera. Rizaj thotë se certifikimi i tij si kryetrajner mund të kishte ardhur edhe më përpara, nëse vendi ynë nuk do të gëzonte kapacitete dhe struktura të dobëta. “Unë, personalisht, kam bërë përpjekje maksimale për të qenë i adaptueshëm, i informuar kurdoherë për sportet që zhvilloj, si dhe profesionist”, thotë ai teksa ndalet fill më tej në hapat e ndërmarrë për ngritjen e arteve marciale në vend.
“Kam organizuar mbi 30 aktivitete si Brenda, ashtu dhe jashtë Shqipërisë, me karakter miqësor, sensibilizues. Po ashtu, kam zhvilluar dy herë kampionatin ballkanik në vend. Shqipëria pati një paraqitje dinjitoze dhe mjaft të suksesshme si vend organizator, që impresionoi asokohe (2016) edhe presidentin e Federatës Botërore, z. Kerrith Brown.” Rizaj nuk ngurron t’i përmendë fitoret e sportistëve Ermal Hadribeaj dhe Florian Doskja. “Imazhi i Shqipërisë dhe qasja e saj ndaj arteve marciale u rrit si kurrë më parë në 12-19 nëntor të 2017-s, kur Hadribeaj dhe Doskja fituan medaljet e bronzit në kampionatin botëror.” Ky burrë i cili ka 32 vite që stërvitet dhe trajnon intensivisht, i konsideron artet marciale si sport disipline, me ndjeshmëri të lartë, që ndihmon të jesh racional, i kujdesshëm, i vëmendshëm dhe i shpejtë në reflekse.
Sipas tij, gjithashtu ndihmon në ekuilibrin psikologjik dhe fizik, ndonëse të lë përshtypjen e një sporti të dhunshëm. Përpos të gjithave, sipas Rizajt, artet marciale përgatisin një trup fizik natyral, pa sforcime të dëmshme, dhe absolutisht pa ekzagjerime të masës trupore. Por sa të prirë janë njerëzit në vend në praktikimin e arteve marciale?
“Është një sport që pëlqehet si nga meshkujt, ashtu dhe nga femrat. Tepër të dhënë shoh edhe fëmijët. Por, fatkeqësisht, ekziston paragjykimi dhe tendenca që shoqëria jonë ka për të parashikuar. Jo rrallë herë më ndodh të përballem me prindër që thonë se fëmijët e tyre duhen të jenë të fortë me çdo kusht. Madje, hasem edhe me prindër që duan të bëhen vetë trajnerë”, thotë Rizaj duke qeshur, pasi i mëshon mendimit se artet marciale janë mundësi e mirë integriteti për një praktikant për t’u rritur edhe psikologjikisht.
Nën kompetencën e presidentit të Federatës së Arteve Marciale në Shqipëri, Arjan Rizaj thotë se në krahasim me vendet e Ballkanit, Shqipëria është mbas Bullgarisë për sportistët amatorë. Megjithatë, shpreh besim për rritjen e cilësisë sportive dhe, rrjedhimisht, dhe në arritjen e rezultateve të larta në kampionatin ballkanik, evropian dhe botëror. Komiteti Olimpik nuk i njeh zyrtarisht artet marciale të përziera si sport.
Por kjo nuk e ndal aspak Arjan Rizajn. “I bëj thirrje Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të rishikojë dhe të sigurojë një proces të ndershëm në njohjen ndërkombëtare dhe qeverisjen e arteve marciale të përziera, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve globalisht për qasje të sigurt dhe të barabartë në sportin e tyre të zgjedhur”, përfundon ai./Bl.Ba/Fjala.al