Mark Markezi është dërguar në një spital në Barcelonë, për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në krahun e djathtë të thyer, pas aksidentit të rëndë që pëso gjatë Çmimit të Madh të Spanjës në Moto GP. Kampioni në fuqi i botës pati një garë dramatike, duke dalë nga pista në kthesën nr. 4. Sidoqoftë, 27-vjeçari ia doli të qëndrojë mbi motor, por mbeti mjaft prapa, në vendin e 18-të, teksa Maverik Vinjalesi mbeti në kryesim të garës.
Por, Markezi bëri një marshim galopant dhe, 5 xhiro para fundit, spanjolli kishte fituar betejën për vendin e 3-të me Millerin dhe po synonte Vinjalesin e lodhur. Sidoqoftë, një gabim në kthesë ka shkaktuar një fluturim në ajër të pilotit të “Honda”-s, që për më tepër goditet në krah edhe nga motori i tij dhe detyrohet ta mbyllë garën e të vijojë t’i nënshtrohet kujdesit mjekësor, për të vijuar më pas me qafore në autoambulancë dhe drejt spitalit në Herez.
Mjeku i Moto GP-së, Anhel Karte, konfirmoi që Markezi ka pësuar një frakturë në krahun e tij të djathtë dhe do të dërgohet në një spital në Barcelonë, ku do t’i nënshtrohet të martën një ndërhyrjeje kirurgjikale. “Ishte një rënie e fortë, me trauma në gjoks, në anën e djathtë, – tha mjeku spanjoll. – Krahu i djathtë është shtypur mjaft në rënie dhe ka frakturë, por jo aq të rëndë sa të bllokojë plotësisht lëvizshmërinë. Ai do të transferohet në Barcelonë për ndërhyrje më të specializuar.”
Nuk është ende e qartë nëse Mark Markezi do të garojë në garën e radhës, në Çmimin e Madh të Andaluzisë, që do të zhvillohet gjithashtu në të njëjtën pistë, atë të Herezit gjatë fundjavës së ardhshme. Nëse Markezi do të detyrohet të mos garojë, kjo do të shënojë herën e parë në karrierën e tij në Moto GP që ai nuk ka garuar për shkak të një dëmtimit dhe herën e parë që nga dy garat e fundit të edicionit të 2011-ës në Moto2, kur pësoi një dëmtimi të syrit, që i kërcënoi karrierën.ka.ta/Fjala.al/