Atentati në Elbasan/Kush ishte 39-vjeçari që u vra, lidhja me ngjarjet kriminale

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Elbasani është tronditur dje sërish nga një ngjarje kriminale. Një 39-vjeçar ishte viktima e radhës në qytetin që vitet e fundit po bashkëjeton me krimin.

Emiljano Ramazani, person me precedentë në fushën e narkotikëve, dyshohet se ishte lidhur me grupet kriminale të qytetit.

Sipas informacioneve, dyshohet se viktima është përfshirë në disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur së fundmi në këtë qytet. Larja e hesapeve, pista kryesore ku janë përqendruar hetimet.

Nga Elvis MYRTA

Elbasani nuk gjen qetësi, breshëria e kallashnikovit mori një tjetër jetë. Viktima e radhës e një atentati mafioz, në qytetin që vitet e fundit po bashkëjeton me krimin është identifikuar si Emiljano Ramazani.

39-vjeçari u ekzekutua brenda automjetit të tij, tip “Ford Fokus”, me targa AA 945 DG, në momentin që ai ishte drejtuar për në banesën e tij. E njëjta skenë, e njëjta dinamikë, i njëjti motiv mori një tjetër jetë.

Autorët që, sipas policisë, dyshohet se kanë qenë të paktën tre persona, pas vrasjes së të riut janë larguar me shpejtësi dhe në fshatin Vidhas, kanë djegur automjetin bashkë me armët që përdorën në këtë atentat, me qëllim për të humbur gjurmët. Viktima është një emër i njohur për drejtësinë.

Është arrestuar disa herë për trafik droge. Por, sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka siguruar, dyshohet se vitet e fundit ai është përfshirë në disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur vitet e fundit në Elbasan.

Sipas informacioneve, ka dyshime se i riu ishte pjesë e një grupi të fuqishëm kriminal që operon në qytetin e Elbasanit. Larja e hesapeve është edhe pista kryesore që policia ka ngritur deri tani për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Ramazani për herë të parë u arrestua nga policia në vitin 2012, së bashku me 5 persona të tjerë. Në atë kohë policia, në bashkëpunim me prokurorinë e Elbasanit, në sajë të operacionit të koduar “Tabakane 2”, vuri në pranga 6 persona dhe shpalli në kërkim 4 të tjerë.

Në atë kohë viktima e djeshme bashkë me pjesëtarët e tjerë të këtij grupi u akuzuan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar kokainë, heroinë dhe kanabis. Në atë kohë policia tha se kishte goditur një organizatë kriminale.

Prej disa muajsh Emiljano Ramazani, viktima e djeshme, dhe pjesëtarët e tjerë të kësaj organizate, ishin mbajtur në vëzhgim prej disa muajsh dhe ndaj tyre organet e hetimit kishin dokumentuar prova të shumta që i implikonin në aktivitete kriminale.

Në operacionin “Tabakania 2”, ajo që ra në sy atë kohë, ishte se jo vetëm operacioni i policisë ishte i koduar, por edhe të arrestuarit njiheshin me nofka. Në prangat e policisë, 8 vite më parë, përfunduan 56-vjeçari Kostandin Piu, lindur e banues në lagjen “Çlirimi”, i cili njihej me nofkën “Koçi”; Arben Hysa (Haxhihysenaj), 43 vjeç, lindur e banues në lagjen “28 Nëntori”, i njohur me pseudonimin “Ben Binjaku”; Altin Çaka, 29 vjeç, lindur e banues në lagjen “Qemal Stafa”, i njohur me nofkën “Bobili”; Emiljano Ramazani, 32 vjeç, lindur e banues në lagjen “Sul Paprri”, i njohur me nofkën “Rramani”, i dënuar më parë për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”; Petrit Bekteshi, 43 vjeç, lindur e banues në lagjen “Haxhias”, ish-punonjës policie, si dhe Ilir Rrapi 38 vjeç, lindur e banues në lagjen “Qemal Stafa”, i njohur me nofkën “Lili i Shajes”.

Operacioni “Tabakania 2”, i cili u finalizua më 20 mars të vitit 2012, u trumbetua me shumë zhurmë, si nga ana e policisë, ashtu edhe nga ana e prokurorisë së Elbasanit, ku në deklaratat e tyre thuhej se kishin prova të pakundërshtueshme për 6 të arrestuarit e përfshirë në trafikun e drogës.

Lexo edhe :  Zbulohet data, ja kur do të mbahet konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE

Por, pavarësisht kësaj, Emiljano Ramazani, i ekzekutuar mesditën e djeshme, është liruar nga Gjykata e Lartë 3 muaj pas arrestimit. Edhe pse ishte lënë në burg nga Gjykata e Elbasanit dhe Apeli i Durrësit, më 19 korrik Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosën rrëzimin e dy gjykatave dhe lirimin e Ramazanit.

Sipas vendimit që mban datën 19 korrik, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 249, pika “8” e Kodit të Procedurës Penale: “Ndryshimin e vendimit nr. 111, datë 17.04.2012 të Gjykatës së Apelit Durrës në këtë mënyrë; Rrëzimin e kërkesës për caktim mase sigurimi personal ndaj personit nën hetim Emiljano Durim Ramazani; Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim, në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër”.

Vendimi për lirimin e tij nuk u apelua asnjëherë nga prokuroria. Por, problemet e drejtësisë nuk u mbyllën këtu për 39-vjeçarin. Pesë vite më pas ai është kapur sërish së bashku me një tjetër person, pasi iu gjet kokainë në makinë. Asokohe Ramazanit, iu gjetën 10 doza kokainë, 50000 lekë dhe 14 aparate celularësh.

Atentati

Emiljano Ramazani, 39 vjeç, do të ekzekutohej nga 3 persona brenda automjetit të tij. Ngjarja ndodhi pasditen djeshme, rreth orës 16:30 në lagjen “28 nëntori”. I riu u ekzekutua në vendin e quajtuar “Rrethrrotullimi i luleve”.

Autorët, të cilët, sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ishin tre, pasi kanë qëlluar dhe kanë lënë të vdekur në vend Ramazanin janë larguar me shpejtësi, në drejtim të aksit rrugor Bradashesh-Papër.

Fill pas ngjarjes, në fshatin Vidhas të Elbasanit, pranë një ullishte, autorët dogjën makinën që përdorën në ngjarjen e djeshme. Mjeti që u gjet i djegur në ullishte, në fshatin Vidhas është tip “Volswagen” me targa AA 819 KX. Sipas policisë, targat e mjetit janë të vjedhura në kryeqytet, pasi ato kanë qenë të denoncuara në Komisariatin e Policisë nr. 2 në Tiranë. Pas gjetjes së makinës policia për kapjen e autorëve ngriti pika kontrolli në aksin rrugor Elbasan-Rrogozhinë, Elbasan-Tiranë e Elbasan-Belsh”, nga ku dyshohet se mund të jenë larguar atentatorët.

Menjëherë pas ngjarjes, në ndihmë të policisë lokale u nisën forca të FNSH-së dhe RENEA-s, si dhe një grup specialistët të Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSH. Po ashtu, drejt Elbasanit është nisur edhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe drejtori i krimit ndaj personit, Tonin Vocaj.

Në vendin e ngjarjes ishte i pranishëm edhe drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi. Grupi hetimor, pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, nisi punën për fiksimin e çdo prove të mundshme që do të çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia ka sekuestruar disa kamera sigurie në vendin e ngjarjes, si dhe në disa biznese në aksin rrugor Elbasan-Metalurgjik. Këqyrja e tyre mund të hedhë dritë mbi autorët që mund të kenë kryer vrasjen.

Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve janë edhe familjarë të viktimës, për të mësuar mbi personat që mund të kenë pasur konflikte me viktimën. 39-vjeçari ishte baba i dy fëmijeëve, ndërsa ai kishte në pronësi një lokal në zonën e quajtur si “Gjashtëkatëshet”.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Dhjetëra denoncime për ujin e ndotur dhe me erë në Tiranë, Krimi Ekonomik nis hetimet

Ditën e djeshme, më datë 11 Prill pati denoncime të shumta në rrjete sociale nga shumë qytetarë, të cilët...

Ambasada e SHBA: Shmangni agjencitë dhe aplikoni vetë online për viza turistike

Ambasada e SHBA në vendin tonë ka vazhduar me fushatën sensibilizuese për një udhëtim të rregullt në Amerikë. Madje ambasada këshillon që për të marrë...

Rivendosja e zonave detare rikthen speciet

Një studim shqyrton qindra projekte të restaurimit të habitateve detare në mbarë botën: vetëm 9% kanë dështuar. Vito Tartamella Përpjekjet për restaurimin e ekosistemit detar...

Ekspedita në fund të detit Jon në Greqi zbulon të vërtetën tronditëse

Një ekspeditë shkencore në pikën më të thellë të Mesdheut në Detin Jon ka zbuluar se mbetjet njerëzore kanë depërtuar deri në fundin më...

Pranverë e vonuar, Ankaraja mbulohet nga bora

Edhe pse pranvera kishte filluar, kryeqyteti i Turqisë, Ankaraja, u zgjua ditën e djeshme me një surprizë të papritur, pasi një stihie e pazakontë...

Lajme të tjera

Web TV