Artan Fuga posaçërisht për “Fjala”: Sociologjia e listave të mbyllura të kandidatëve për deputet

113 563 lexime

77,342FansaPëlqeje

Nga Artan Fuga

Ditët e fundit diskutohet në median e vendit dhe në salla ku mblidhen politikanë, për listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e ardhshme të 2021-shit. Duhet të jenë ato të hapura apo të mbyllura?

Në fakt, sikurse janë aktualisht; ato janë të mbyllura sepse në listë kandidatët nga i pari deri tek i fundit vendosen nga kryetari i partisë, i cilësdo partie qoftë. Zgjedhësit votojnë për listën e kandidatëve, por nuk kanë fuqi ta ndryshojnë renditjen e kandidatëve në listë. Qenan K., qytetar i thjeshtë, me profesion berber, dëshiron që votën t’ia japi kandidatit me numur tridhjetë në listën e partisë që ai voton, por, në fakt, vota e tij u shkon atyre që janë në krye të listës dhe jo atje ku ai ka menduar. Pra vota duket e lirë, e drejtpërdrejtë dhe e fshehtë, por në fakt nuk është as e lirë, as e drejtpërdrejtë dhe madje as edhe plotësisht e fshehtë. Votuesi ndofta mbetet i fshehtë, por se ku do të shkojë vota e tij me prioritet, kjo gjë dihet publikisht.

Tani në Kuvend shumica socialiste në aleancë me deputetët që vijnë nga ish-listat e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim etj., flasin për lista të hapura, por që nuk janë në fakt aspak të hapura. Sepse parashikohet që një e treta e listës së kandidatëve të përcaktohet përsëri nga kryetari i partisë, kurse dy të tretat e listës mund të ndryshojnë vendet me njëri-tjetrin, në varësi të votave që ata marrin nga elektorati.

Përse thuhet se nuk ndryshon gjë?

Për dy arsye madhore:

Supozojmë se në një zonë elektorale duhet të nxirren 24 deputetë. Një parti e rëndësishme elektoralisht duhet pra të vendosë atje 24 kandidatë. Një të tretën e tyre, pra 8 kandidatë, i cakton kryetari, se kush do të jetë i pari, i dyti, i treti etj., në radhë. Pra, kush do të përfitojë më shumë prej votave. Kështu prishet edhe barazia e kandidatëve, gjë që është kundër parimeve të Kushtetutës, e cila predikon barazinë e shanseve për këdo. I pari në listë i ka të gjitha shanset për t’u zgjedhur, kurse i pesti, i shtati, i dhjeti, për shembull, kanë shumë më pak shanse për t’u zgjedhur në krahasim me të parin. Duket sikur mbeteten ende 16 vende për deputetë, “të lira”, ku radhën se kush do të zgjidhet prej tyre do ta përcaktojë elektorati. Por, kjo është një iluzion. Sepse probabiliteti do të ishte që nga dy parti që kanë pothuajse peshë të njëjtë elektorale në zonë, secila ka mundësi teorike të marrë vetëm gjysmën e vendeve për deputetë. Pra, mund të kapë12 vende nga të cilat 8 vende si radhë deputetësh e përcakton kryetari. Për elektoratin mbeten vetëm 4 vende. 8 kryetari dhe 4 elektorati.

Së dyti, po ta shohim situatën hollë, kandidatët për këto katër vende përsëri përcaktohen nga kryetari, pra është ai që vendos x, y, z, kurse elektorati do të vendosë pastaj se kush do të marrë më shumë vota nga këta të katërt. Pra, nëse partia fiton 10 vende, kush do t’i kapë dy vendet që mbeten, pasi hiqet lista me emrat e kryetarit. Do të hyjë, x me y, apo h me x, apo h, me z etj.?

Prandaj kryetari i partisë do të ketë prirjen që:

  1. h, x, y, z, të jenë të gjithë njësoj shumë të besuarit e tij. Pra, cilido nga ata që merr vota më shumë për besnikërinë ndaj grupit të mos dallohet nga të tjerët. A do të hyjë Mira, Flutura, Gimi, apo Beni, për partinë duhet të jetë njësoj. Pra, ata duhet të jenë besnikë.
  2. E dyta, këta të katërt duhet të jenë edhe më besnikë se ata të 8 të parët që kryetari i ka përcaktuar me listë, se kush është i pari dhe kush është i fundit. Pra, këta katër të fundit, h, x, y, z, nuk do të jenë aspak personalitete të pavarura, figura të shoqërisë civile etj. Pse? Sepse duke marrë votat drejtpërdrejt nga elektorati, nëse do të ishin figura jopolitike, ata do të kishin rrezik të “hidhnin vickla” pasi të zgjidheshin me pretendimin: Ne kemi marrë vota më shumë drejtpërdrejt nga elektorati!!! Pra, kandidatët që do të përcaktohen në radhën e tyre, varësisht nga vota e elektoratit, do të jenë parimisht edhe më militantë sesa 8 të parët që janë pjesa e mbyllur e listës.
  3. E treta, vota që do të shkojë më shumë te secili prej h, x, y, z nuk i ndikon fare votat që merr partia në votime. Pesha elektorale e partisë përcaktohet nga votat e marra nga lista e paraqitur në tërësinë e saj. Votat e elektoratit për h, x, y, z as e ngrenë dhe as e ulin partinë. Ato vetëm përcaktojnë se kush do të jetë njëri para tjetrit midis tyre. Pra, do të ketë thjesht një garë brenda grupit, një rivalitet të egër ndofta midis “vëllezërve ujq”, por jo një ndikim të elektoratit mbi platformën e partisë apo për ta bërë partinë të vijë më pranë elektoratit. Përderisa është kështu h do t’i fusë shkopinj në rrota x, y do t’ia fusi z, e me radhë. Nga kjo partia humbet, prandaj këta do të jenë përzgjedhur që të jenë edhe më militantë të heshtur se të tjerët dhe jo figura individuale, me personalitet të pavarur.

Prandaj sociologjikisht si listat krejt të mbyllura, si ato që quhen “gjysmë të mbyllura” për ndikimin e elektoratit mbi partitë politike janë e njëjta gjë. Asnjë hapje reale nuk do të ketë.

Ndërkaq, edhe procedura e propozimeve të kandidatëve për deputetë nga ana e militantëve, e organizatave të partisë në zona e rrethe, sociologjikisht nuk e zgjidh problemin. “Primaret” (pra një lloj votimi i kandidatëve para militantëve) dihet se kanë dështuar në vende të mëdha dhe me demokraci të fuqishme, dhe jo më në Shqipëri. Pse?

  1. E para, sepse organizatat bazë do të propozojnë me dhjetëra kandidatë, ndofta qindra. Këta do të seleksionohen. Kush e di nëse Gimi është më i mirë se Genci, apo Marika më e mirë se Sofika? Me çfarë t’i peshosh? Këtë do ta vendosë qendra. Ka rëndësi kush vendos dhe jo se kush propozon.
  2. E dyta, kandidaturat e paraqitura nga organizatat bazë, duke qenë propozime të militantëve, do të nxjerrin në pah kandidatura që në fakt janë të atyre që kontrollojnë lokalisht jetën e partisë. Dihet që primaret e theksojnë edhe më shumë natyrën militante, ideologjike, të mbyllur të kandidatëve të përzgjedhur ose, të paktën, të atyre të paraqitur.

Çfarë ndodh sociologjikisht? Këto dy procese, pra ai brendapartiak dhe ai i përcaktuar nga kodi zgjedhor për listat krejt të mbyllura ose gjysmë të mbyllura, do të na çojnë si mundësi te lista me kandidatë që kanë natyrë partiake dhe militantë të thekur.

Çfarë pasojash sociologjike do të kemi mbi sjelljen elektorale të publikut në fazën e parë, dhe çfarë pasojash do të kemi në fazën e dytë, pasi të përcaktohen fituesit?

Në fazën e parë, kandidatët për deputetë në lista do të tërheqin vetëm elektoratin militant dhe aspak elektoratin e gjerë gri, i cili ose do të qëndrojë krejtësisht pasiv duke abstenuar, ose do të jetë kaotik dhe i paorientuar. Elektorati gri, i gjerë, masiv, i ngopur me lugën e zbrazët të politikës, ka nisur të mos arrijë dhe nuk arrin t’i dallojë forcat politike nga njëra-tjetra. Ai ende ka besim disi te figura personash në parti ose jashtë partive, por që kanë një karakter të pavarur dhe besueshmëri personale tek ata.

Lexo edhe :  Artan Fuga: Në sytë e publikut nuk kemi lista të hapura

Në këtë mënyrë votimi do të jetë me një shkallë shumë të gjerë abstenimi dhe me pjesëmarrje kryesisht nga radhët e militantëve të krahëve të ndryshëm.

Kush fiton? Sigurisht nga rrethana të tjera të pandryshuara, sociologjikisht kjo tërësi procedurash i intereson jashtëzakonisht shumë palës qeverisëse, dhe paradoksalisht thuajse aspak opozitave.

Kjo sepse opozita elektoralisht fuqinë nuk e ka te grupet e militantëve, as tek ata që janë të lidhur me interesa të caktuar me pushtetin, por te masa e të pakënaqurve. Nëse me figura kandidatësh militantë opozita nuk e tërheq, por e bën elektoratin edhe më mosbesues ndaj politikës në përgjithësi, edhe pse sondazhet mund ta nxjerrin mirë, sepse tregojnë shkallë të lartë pakënaqësie ndaj qeverisë, përsëri ndodh që të mos ketë epërsi elektorale. I pakënaquri që nuk ka besim te politika, mund të mos e votojë opozitën. Nuk është e padiskutueshme që pakënaqësia përkthehet e tëra në votë opozitare.

Shkalla e pakënaqësisë dhe shkalla e votës opozitare sociologjikisht nuk është se shkojnë automatikisht dhe përpjesëtimisht së bashku në të njëjtin drejtim. Kush nuk e kupton këtë, është i humbur pa filluar ende fushata.

Militantizimi i listave për kandidatë për deputetë, çka e thekson paradoksalisht edhe më tepër procedura e “primareve” brenda partisë, shpreh edhe një sociologji të caktuar.

E para, listat e mbyllura, ose të hapura si terminologji, por të mbyllura si realitet, si edhe “primaret” brenda partisë, krijojnë një hierarki të kontrolluar në raportin midis lidershipit partiak dhe kandidatëve për deputetë.

Praktikisht, kjo e përforcon qëndrueshmërinë e grupit të deputetëve të çdo partie, pra jep një qëndrueshmëri të Kuvendit, por, nga ana tjetër, këtë “qëndrueshmëri” e jep duke përdorur mekanizmin politik të dispilinës së partisë. Në këtë mënyrë Kuvendi bëhet arena e “përleshjeve” midis partive politike dhe humbet krejtësisht rolin e vet si institucioni i të deleguarve të vullnetit të sovranit. Sovrani nuk vjen fare në votime. Haraçi që i paguhet qëndrueshmërisë së legjislativit me metoda militante është një tribut i rëndë që demokracia ia paguan shtetit piramidal. Vetë ligjet bëhen vullnete partish politike dhe jo vullnet i sovranit. Sovrani kështu është i shpronësuar nga pushteti.

E dyta, listat e mbyllura me militantë, ose listat gjoja të hapura mbushur me militantë, sigurojnë lidershipin kryesor të një partie, grupin minoritar që kontrollon partinë, se e ka të siguruar zgjedhjen.

Duke u vetëvendosur në krye të listave, ata marrin garancinë që vetëm me votat e militantëve të jenë të zgjedhur. Por nuk është vetëm kjo sociologjia e çështjes. Lidershipi ruan edhe “nderin” e vet politik. Ai druhet se mund të marrë më pak vota sesa partia!!! Ku i shkon nderi politik pastaj??? Mund të ndodhë që një i fundit në listë të marrë më shumë vota sesa kryetari i partisë? Me çfarë kapitali morali politik ky i fundit do të drejtojë partinë pastaj? Prandaj, këto praktika me lista militantësh janë të kërkuara si uji a si ajri nga të gjitha lidershipet e partive. Askush sot nuk kërkon realisht dhe sinqerisht të kundërtën. Bëni provë vendoseni ta zëmë një sekretar të përgjithshëm partie në fund të listës të kandidatëve për deputetë dhe do të shihni se si do të hidhërohet në fytyrë, do t’i trokasë te dera e kryetarit: Zoti kryetar, çfarë qejfmbetje keni nga unë, o burrë? Ose do të japë dorëheqjen e parevokueshme.

Së treti, me lista të mbyllura, lidershipi i partive politike, sidomos maja e tij nga pikëpamja e statusit të vet social dhe politik, në çdo rast luan me fitoren e marrë paraprakisht, sido që të dalë rezultati i zgjedhjeve.

Lidershipi kryesor e ka të siguruar kolltukun e deputetit. Është a priori sikurse shkruante Herbert Markuz, pjesë e shtresave burokratike politike sunduese. Dëshira për fitore elektorale zbehet pikërisht për shkak të faktit që në planin sociologjik të sjelljes individuale anëtari i lidershipit kryesor të një partie si deputet opozitar apo i shumicës qeverisëse, e ka vendin në Kuvend të siguruar. Si deputet i rreshtuar me qeverinë, por edhe më rehatshëm si deputet opozitar. Elektorati fiton ose humbet, por lidershipi gjithmonë fiton në zgjedhje. Lidershipi politik i çdo partie është fitues në zgjedhje. Këtej lindin të gjitha ato hapësira kompromisesh të hapura apo të fshehura midis lidershipeve të ndryshme politike.

Së katërti, për listat e mbyllura ose gjysmë të mbyllura janë të interesuar edhe kryetarët e partive politike të vogla që hyjnë në koalicion me ndonjë parti të madhe. Përballë elektoratit ata vështirë se marrin ndonjë sasi votash që t’u japë mundësi për të qenë deputet, kurse vendosja e tyre në një listë elektorale të mbyllur ose gjysmë të mbyllur, ua rrit shansin për t’u zgjedhur deputet. Prandaj fati i tyre politik varet nga vullneti i lidershipit të partisë “çadër” dhe kjo shpjegon se përse partitë e vogla nuk “bëzajnë” aq shumë për të shprehur zërin e tyre specifik politik, por njësohen si mishi me thoin rreth një solidariteti monolitik me partinë e madhe “çadër”.

Së pesti, sociologjikisht “primaret” e kandidatëve për deputetë (propozimet nga baza), si edhe listat e mbyllura dhe gjysmë të mbyllura të kandidimit u shkojnë për shtat sigurisht elitave politike lokale. Ato gjejnë veten e tyre atje. E bëjnë “borxhli” kandidatin ndaj tyre dhe në shkëmbim presin shpërblimet përkatëse me poste dhe punësim në administratë, nëse ai del fitues dhe i përket partisë politike fituese.

Nga kjo pikëpamje, lista të hapura kandidimi janë vetëm ato ku fati i votave për partinë del nga sasia e votave të grumbulluara nga çdo kandidat nga ana e votimit të elektoratit për të. Vetëm në këtë mënyrë partitë hapen drejt elektoratit gri, masiv, shndërrohen në parti elektorale dhe jo grupe sektare militantësh, qytetari afrohet te politika, kandidojnë figura që përmbledhin shtresa të gjera votuesish, përtej segmenteve të militantëve, partia detyrohet të ndërtojë një program elektoral të vërtetë, dhe deputetët që dalin janë ata që përfaqësojnë vërtet popullin.

Por kundër kësaj janë interesat e ngushtë të lidershipeve të partive politike, janë shtresat e ngushta të aparatçikëve përreth kryetarëve që i zënë “robër” këta të fundit, janë qarqet e militantëve nëpër rrethe, janë përfaqësuesit e partive të vogla pa elektorat të mjaftueshëm, janë deputetët që kanë tashmë vite e vite në Kuvend, janë pra ata që realizojnë vendimmarrjen politike.

Pa u ndryshuar sociologjia e pushtetit, e shoqërisë, e administratês publike brenda politikës, kjo vështirë se ndryshohet.

Veç brenda dy kushtesh.

  1. Një grup idealistësh të mëdhenj që duan Shqipërinë dhe jo pushtetin për pushtet, bëjnë reformat që duhen dhe ndryshojnë rrjedhën e historisë.
  2. Një katastrofë e madhe shoqërore, si kjo e COVID-19 arrin dhe trondit gjithçka si një tërmet i madh. Por, këtë nuk e urojmë asnjëherë. Veç në na e zëntë derën dhe kobin ta kthejmë në fat!/Fjala.al/Ke.Ba

 

Të fundit

Kërkesat e Ligës, Meta: Krizë në të gjitha sektoret, qeveria të angazhohet për t’i rikthyer frymëmarrjen futbollit

Presidenti Meta përmes një statusi në facebook ka reaguar në lidhje me kërkesat e Ligës së Futbollit. Meta shtë...

Habit Sharon Stone: De Niro është aktori që puth më mirë

Aktorja me famë botërore, Sharon Stone, ka treguar se në karrierën e saj 40-vjeçare, Robert De Niro ka qenë aktori që ka puthur...

Shtyhet në dy tetor mbledhja e përbashkët Kosovë-Shqipëri

Është shtyrë për në datën dy tetor mbledhja e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Mbledhja mes dy shteteve ishte parashikuar të zhvillohej të premten...

Erdogan mesazh Greqisë: Shpresoj të mos humbisni sërish mundësinë për diplomaci

Presidenti  Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi ditën e sotme një telekonferencë me Presidenten e KE Ursula von der Leyen. Në fokus të diskutimeve ka qenë...

Zoran Zaev thyen ligjin, kryeministri maqedonas gjobitet 50 euro nga policia

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran zaev, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe Zv/kryeministri për luftën kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski janë gjobitur nga Ministria...

Lajme të tjera

Web TV