“Një situatë bashkëjetese mes tre artistësh duhet të dish ta bësh funksionale, pasi edhe mund të ndodhë të sjellë kontradikta”
Nga Leonard Veizi
Mund ta grisësh telajon nga “urrejtja” që të krijohet për të në çaste të caktuara, kur puna nuk të ecën, kur frymëzimi të mungon, apo ajo çfarë ke hedhur nuk e përfaqëson mendimin tënd paraprak. Por nëse ajo ka mundur të bashkëjetojë me ty gjatë gjithë kohës “divorci” është jetëshkurtër dhe ti do rikthehesh sërish te dashuria e munguar. Telajon do ta gjesh sërish mbi kavalet, dhe bojërat e penelin në po të njëjtin vend, të palëvizur nga askush…
..Rrallë ndodh që tre pjesëtarë nga një familje e cila përbëhet gjithashtu po nga tre pjesëtarë, të kenë në mos të njëjtin profesion, të paktën të njëjtin hob. Familja Boshnjaku hyn te këto raste të rralla, ku dhe kryefamiljari Fatmir, edhe bashkëshortja Rivelina, madje edhe vajza e tyre Iris, merren me pikturë. Shtëpia e tyre duket si një ekspozitë dhe po aq i gjithë apartamenti funksionon si një studio, pasi studioja e vërtetë nuk ka vend për të tre. Janë shumë artistë brenda së njëjtës çati dhe me po të njëjtin mbiemër gjithashtu. Por nëse pyet çdonjërin prej tyre, do të të japë të njëjtën përgjigje: Jemi një treshe e përkryer që ka gjetur të mesmen e përpjesshme në botën e artit. Rivelina Boshnjaku, e pasionuar më së shumti pas fëmijëve që kanë prirje drejt pikturës, gjatë një interviste për gazetën “Fjala”, thotë se për ta kurorëzuar të gjithën këtë, familjes së tyre u mungon vetëm një ekspozitë e përbashkët e cila, gjithsesi, është në projektet e afërta.
Ju dhe piktura, si ndiheni para telajos, kur keni marrë dhe penelin në dorë?
Marrëdhënia ime me pikturën dhe mësimdhënien ka ecur në një vijë të drejtë. Ajo ka filluar në moshë shumë të vogël. Mjaft të kthehem pak në kohë dhe arrij të shoh një vajzë të vogël që ende si kishte mbushur 4-5 vjeç, e qëndronte orë të tëra duke vizatuar e, për më tepër, vazhdonte duke rreshtuar tre-katër fëmijë më të rritur para saj dhe iu shpjegonte si të lëviznin dorën për të bërë një flutur, një lule etj. Edhe kjo ishte një farë vetëdijeje që më ka shoqëruar gjithë jetën. Mënyra se si t’u mësoj njerëzve rreth meje atë që unë lehtësisht e dija. Me vonë gjykoj se këtë aftësi e kam të trashëguar nga ime më, e cila e kishte me aq pasion profesionin e mësueses. Pa u zgjatur më tej, piktura për mua është një dashuri pa kushte. Të jep, të merr, të çon pezull pa të pyetur. Gëzohem, mërzitem me të, e herë- herë edhe e kam jam mërzitur mes saj, kam grisur telajon. Por në fund dal në të njëjtin konkluzion: E DUA. Peneli në dorë për mua është thjesht një mjet me tepër, një mjet më delikat i cili të lejon të ushtrosh edhe forcë pa mendje, ta kafshosh ta flakësh në rast nervozizmi, gjithsesi do të më mjaftonin edhe gishtat për të shpalosur atë që dua të hedh në telajo.
Në çfarë rryme përfaqësoheni?
Arti evokon ndjenjën e së bukurës, duke nxitur imagjinatën, duke zhvilluar të shprehurit nëpërmjet tij dhe duke u mësuar rrugët për të kuptuar botën dhe mjedisin që na rrethon. Arti na krijon mundësi të komunikojnë nëpërmjet gjuhës së simboleve, si dhe të ndryshojmë veten dhe shoqërinë. Përmes artit mësojmë të identifikojmë vlerat artistike dhe njerëzore në vepra të ndryshme dhe të kuptojnë ndikimin e tyre në shoqëri. Këto vlera e bëjnë artin të jetë një element i cili krijon emocione të forta. E unë si artiste gjatë periudhës si studente në Akademinë e Lartë të Arteve, në atelierin e pikturës së kavaletit e deri më sot, kam marrë përsipër të balancoj këto emocione. Ndërthurja e një teknike piktorike në një vepër ka qenë gjithmonë në vartësi të konceptit apo mesazhit që kam dashur të përcjell mes saj. Kam qenë e përfshirë gjerësisht në projekte artistike dhe e përfaqësuar ne ekspozita kombëtare e ndërkombëtare përmes skulpturës sociale. (Procesi krijues që përfshihet në shprehjen e vetvetes artistikisht, i cili mund t’i ndihmojë për zgjidhjen e problemeve, si dhe për zhvillimin dhe menaxhimin e sjelljeve dhe të ndjenjave të tyre, duke reduktuar stresin, përmirësuar vetërespektin dhe vetëdijen)
Ku do të donit të eksperimentonit, por ende nuk keni guxuar?
Nëse në këtë pyetje nënkuptoni ku dua të eksperimentoj, por skam guxuar, ka lidhje me teknikat artistike, atëherë do të përgjigjesha se për të eksperimentuar këto teknika janë pa fund. Mjaft të kesh dëshirën dhe kohën e nevojshme në dispozicion për t’i realizuar. Unë personalisht kam provuar të aplikoj një pjesë të mirë prej tyre, por ka qenë pak a shumë një mision i pamundur eksperimentimi me procesin e gdhendjes. Me intrigon shumë si proces dhe si produkt përfundimtar, por mjafton të kujtoj forcën që duhet të përdor dhe rrezikun që ka e nuk do të guxoj ta aplikoj dot. Nëse bëhet fjalë të eksperimentoj në një fushë tjetër të artit do të thosha se me muzikën kam eksperimentuar disa vite në një vegël muzikore, e do të dëshiroja të provoja aktrimin, por sinqerisht nuk guxoj, për arsye të menaxhimit të emocioneve.
Si është raporti i piktoreve femra me ata meshkuj në Shqipëri?
Unë njoh shumë piktore femra dhe shumë piktorë meshkuj në Shqipëri. Si profesionistë të mirëfilltë kam një përshtypje që janë meshkuj, por duke vënë në punë logjikën dhe eksperiencën time profesionale, mendoj se ka më shumë femra që merren me pikturë. Kjo më vjen si një logjikë e thjeshtë nga numri përherë në rritje i vajzave që angazhohen që në vogëli me pikturë.
Jeni një piktore që merreni gjerësisht me përgatitjen e fëmijëve, sa e vështirë është kjo?
Të merresh me përgatitjen e fëmijëve në zhanret e pikturës, vizatimit artistik apo plastikës, përveç emocioneve pozitive të punës dhe kënaqësisë që me përcjellin fëmijët, unë si artiste kam disa vështirësi të cilat tashmë i kam bërë pjesë të jetës. Jam përpjekur të menaxhoj kohën në mënyrën më të mirë të mundshme për t’ia dalë edhe me punë krijuese. Gjithashtu, në profesionin e mësimdhënies më është dashur të përshtat shumë informacione të mësuara nëpër libra me leksione të marra nga eksperienca ime gati 20-vjeçare në punën me fëmijët, e me grupe të ndryshme vulnerable, duke dalë në konkluzionin që një artist i mirë s’mund të jetë kurrë një mësues i mirë, pa vënë në funksion të këtij profesioni të gjitha atributet njerëzore, pasionin dhe dashurinë për të.
Në familjen tuaj jeni tre piktorë, kam parasysh bashkëshortin dhe vajzën. A është e shëndetshme, apo kjo sjell dhe kontradikta profesionale?
Le te themi se jemi dy artistë profesionistë dhe një kritike shumë e rreptë arti. Një treshe e përkryer që ka gjetur të mesmen e përpjesshme në botën e artit. Kontradiktat krijohen zakonisht kur dikujt i preket interesi, ndërsa ne diskutojmë, japim ide mes nesh, duke mos lënë jashtë as motivet e Fatmirit, (motivet e trashëgimisë kulturore) për të cilat ka punuar me aq dashuri gjatë gjithë veprimtarisë së tij artistike, as detajet e studiuara të elementeve dekorative që përdor unë në pikturën time dhe as tiparet aq të thyera e plot muzikalitet të portreteve që Irisi realizon e frymëzuar nga muzika që ajo dëgjon. Them që një situatë bashkëjetese mes tre artistësh duhet të dish ta bësh funksionale, pasi edhe mund të ndodhë të sjellë kontradikta.
A keni menduar të hapni një ekspozitë të përbashkët?
Sa bukur do të ishte që kjo pyetje të na ngacmojë një dëshirë në vetvete, dhe mendoj se e bëri vërtet. Tani, duke folur edhe në emër të pjesëtarëve të tjerë të grupit, të them me plot gojën që vërtet e kemi një ide për ekspozitë të përbashkët. Të falënderoj që na e zgjuat këtë dëshirë. /Ra.My. Fjala.al/