Njihuni me Jonerin, Enxhin dhe Ersuinën, ekselentët e Maturës Shtetërore 2020. Kjo Maturë nxori vetëm 10 ekselentë nga 31 mijë nxënës në të gjithë vendin që iu nënshtruan provimeve. 6 vajza dhe 4 djem të shkëlqyer vijnë nga gjimnaze publike dhe private të shpërndara në të gjitha qytetet e vendit.
Enxhi Kiri nga gjimnazi “Qemal Stafa” (Tiranë), Ersuina Gjini nga gjimnazi “18 Tetori” (Lushnjë) dhe Joner Nikolla nga gjimnazi “Hasan Tahsini” (Sarandë). Gazeta “Fjala” sjell zërin e këtyre tre nxënësve ekselentë; vështirësitë e arritjes dhe ruajtjes së rezultateve të larta, dilemat në përzgjedhjen e degës së studimit, si dhe pasionet e tyre.
Nga Alessia Selimi
Joneri, djali që dikur rendte pas topit, sot synon biznesin
Joner Nikolla, i lindur dhe i rritur në Sarandë, e sheh veten kryesisht në fëmijëri duke rendur pas një topi. Sot ai po ndjek ëndrrën e të qenit pjesë e botës së biznesit, që duket se tejkalon kufijtë. Maturanti i shkollës “Hasan Tahsini” do të studiojë në një ndër universitetet më të mira në botë; në universitetin Aalto (Finlandë), për degën e Biznesit Ndërkombëtar.
Joner, ju jeni një ndër 10 maturantët ekselentë të maturës shtetërore 2020. Ç’do të thotë që të jesh më i miri ndër 31 mijë nxënës? Si i keni arritur këto rezultate?
Më së pari ju falënderoj për interesin dhe shpresoj që kjo të pasohet me një shtim të vëmendjes ndaj arsimit dhe rinisë! Të qenët mes 10 maturantëve më të mirë mes mijëra nxënësve është vërtet një ndër dhe krenari të cilën rrallëherë e kam përjetuar. Për mua do të thotë që kam një potencial të cilin mund dhe duhet ta shtyj edhe më tej. Sado klishe mund të tingëllojë, këto rezultate janë arritur me një punë tepër sistematike, asnjëherë mbingarkesë dhe me ndihmën e pakufizuar të mësuesve dhe familjes sime, të cilët kanë predikuar tek unë qysh herët parimin se rruga e duhur në jetë është ajo e dijes.
Çfarë pasioni ka Joneri, përveç se të studiojë?
Pesë pasionet e mia më të mëdha janë historia, politika, biznesi, gazetaria dhe futbolli. Në kohën time të lirë përpiqem sa më shumë të lexoj libra historikë dhe biznesi, të shoh dokumentarë, debate, ndeshje futbolli, si dhe të hartoj shkrime apo ide biznesi.
Duke qenë ekselent, a kishit dilema se çfarë do të studionit, si e vendosët? Cilin universitet keni zgjedhur?
Nuk besoj se ka njerëz që nuk kanë pasur dilema në lidhje me atë çfarë kanë aspiruar të studiojnë. Vendimi im ka qenë i kushtëzuar nga dëshira për të studiuar jashtë dhe në gjuhën angleze. U përpoqa maksimalisht që të gjeja dhe fushën që më bënte më shumë për vete dhe që sigurisht ka një treg pune. Unë kam zgjedhur të studioj në Universitetin Aalto në Finlandë, në degën e Biznesit Ndërkombëtar, ku kam fituar edhe bursë studimi 100%. Bëra këtë zgjedhje për shkak të karakterit tim. Doja diçka e cila nga njëra anë të më lejonte të zhvilloja pasionin tim në biznes dhe aftësitë në shkencat ekzakte, si matematika, por në të njëjtën kohë të mos humbisja atë që unë e quaj pikën time më të fortë: komunikimin dhe marrëdhëniet me njerëzit. Aalto-n e zgjodha sepse gëzonte një renditje mjaft prestigjioze, si universiteti i 135-të i botës dhe i 32-ti në fushën e biznesit, për programin unik ku çdo tri javë zhvillohet vetëm një lëndë dhe për semestrin e fundit të siguruar jashtë në një nga top universitetet partnere të tyre.
Pse zgjodhët të studionit jashtë Shqipërisë?
Zgjodha të studioj jashtë Shqipërisë, sepse mendoj se vetëm aty mund të arrij të marr më të mirën nga ana akademike, për të qenë një kuadër i zoti, dhe pse jo një zë ndërkombëtar në biznes.
A keni pengje, ndoshta sepse nuk do të ndiqni në rrugë profesionale pasionet tuaja?
Pengu im më i madh do të jetë gjithnjë të mos pasurit mundësi të zhvilloja hobin tim për trajnim në futboll. Ka qenë një dhunti e imja që në moshë të vogël, megjithatë mundësitë dhe mungesa e talentit në futbollin e luajtur më kanë penalizuar. Jeta nuk ma hapi këtë derë, por shpresoj që e ardhmja të jetë më bujare.
Enxhi, eksploruesja e natyrës që do të bëhet arkitekte
E lindur dhe e rritur në kryeqytetin e Tiranës, që është përfshirë jo pak në procese transformuese, Enxhi Kiri ka qenë gjithmonë e bindur se profesioni që i përshtatet më së shumti është ajo e të qenit një arkitekte. Me rënien e komunizmit, Tirana është bërë terren i ndërtimeve të shumta, pa kurrfarë rregulli. Maturantja e shkollës “Qemal Stafa” nuk do ta braktisë Shqipërinë, me idenë e qartë se përballja me problematikat do t’i shërbejë në zhvillimin si individ.
Enxhi, ju jeni një ndër 10 maturantët ekselentë të Maturës Shtetërore 2020. Ç’do të thotë që të jesh më e mira ndër 31 mijë nxënës? Si i keni arritur këto rezultate?
Për mua, të jem një ndër 10 maturantët me rezultatet më të larta në maturën shtetërore, është krenari. Kryesisht për faktin se me rezultatet e arritura, mund të shkoj në cilën degë të dua, dhe se njerëzit që më rrethojnë janë të lumtur. Në të njëjtën kohë, etiketimi si një ndër 10 maturantët ekselentë më bën të ndihem në një lloj “pozite” që nuk ka qenë synimi im kryesor. Më shumë se sa konkurrim me të gjithë maturantët e tjerë, këtë klasifikim dua ta shoh si një konkurrim me veten, me pasiguritë dhe synimet e mia. Siç e thashë edhe më sipër, të isha një ndër 10 më të mirët e maturës shtetërore nuk ka qenë ndonjëherë synimi im i drejtpërdrejtë. Gjithsesi, mund të them se këto rezultate ishin pa dyshim rrjedhojë e përkushtimit tim për shkollën gjatë gjithë këtyre viteve. Përkushtimi nuk është një përpjekje e sforcuar, ka të bëjë më shumë me gjetjen e mënyrës tënde për të përthithur sa më shumë njohuri, qoftë kjo duke dëgjuar shpjegimin në klasë, duke u kushtuar vëmendjen e duhur detajeve në tekstet shkollore, ose duke përdorur mjetet e informacionit elektronik. Unë përgjithësisht i kam kombinuar të tria këto mënyra, duke pasur gjithmonë një qasje kureshtare drejt mësimeve në shkollë. Qasje kjo e ardhur edhe si pasojë e mësuesve të mi, të cilëve u jam mirënjohëse.
Çfarë pasioni ka Enxhi përveç se të studiojë?
Ndër pasionet e mia kryesore janë leximi (kryesisht romane) dhe vizatimi. Më kanë shoqëruar që fëmijë. Gjithashtu, eksplorimi i natyrës, në detajet e botës së saj të gjallë është një ndër pasionet e mia.
Duke qenë ekselente, a kishit dilema se çfarë do të studionit, si e vendosët? Cilin universitet keni zgjedhur?
Në fakt, dilemës e zgjedhjes së profesionit nuk mund t’i shpëtosh, aq më tepër në rastin kur nuk ke kushtëzime të pikëve të arritura. Por unë e kam pasur gjithmonë 90% të vendosur në mendjen time se ajo që doja më shumë, që mendoj se më përshtatet dhe që do ta bëj me shumë pasion është arkitektura. Unë zgjodha të kandidoj për këtë degë në Universitetin Politeknik të Tiranës. Arkitektura ndërthur pasionin tim për shkencat ekzakte, si dhe dashurinë për artin dhe natyrën. Nxitje për këtë zgjedhje ishte dhe situata traumatike që përjetuam këtë vit, i cili me ngjarjet që e shënuan na tregoi se një shtet ka shumë nevojë për mjekë, por edhe për inxhinierë dhe arkitektë të mirë.
Pse zgjodhët për studime Shqipërinë?
Është në natyrën time t’i shikoj gjërat me optimizëm dhe nëqoftëse universitetet shqiptare nuk janë më të mirat në botë, përballja me problematikat do jetë një hap më shumë drejt zhvillimit tim si individ. Nuk mund të them se mbështes idenë e flaktë se të rinjtë nuk duhen të largohen nga Shqipëria, qoftë për t’u shkolluar apo punuar. Çdo njeri, në momente të ndryshme, bën zgjedhjet e tij në jetë, që mendon se e bëjnë njeri më të mirë.
A keni pengje, ndoshta sepse nuk do të ndiqni në rrugë profesionale pasionet tuaja?
Mendoj se jam shumë e re për të pasur pengje. Me shpresën se jeta do të jetë e gjatë, ka akoma shumë kohë për të realizuar çdo pasion dhe për të zbuluar të tjera.
Ersuina, një artiste që do të bëhet mjeke
Ersuina Gjini ka lindur dhe është rritur në Lushnjë. Maturantja e shkollës “18 Tetori” është marrë me letërsi dhe muzikë deri në momentin kur i duhej të ulej dhe të mendonte për të ardhmen e saj. Ndonëse jo më në botën e artit, Ersuina ka zgjedhur të qëndrojë pranë njerëzve, për t’i ardhur në ndihmë në ditët e tyre më të vështira. Ajo ka zgjedhur të veshë përparësen e bardhë të mjekes.
Ersuina, ju jeni një ndër 10 maturantët ekselentë të maturës shtetërore 2020. Ç’do të thotë që të jesh më e mira ndër 31 mijë nxënës? Si i keni arritur këto rezultate?
Të jesh një prej nxënësve më të mirë në mijëra maturantë është një ndjesi fantastike. E ndien veten krenare për arritjet e tua, sepse mund të shohësh se si shpërblehet përkushtimi i 12 viteve. Normalisht këto 12 vite kanë qenë të vështira; të mbushura me punë, vullnet e vendosmëri. Për më tepër, të duhet të besosh se i ke të gjitha aftësitë për të arritur majat dhe për të përmbushur qëllimet që i vendos vetes, edhe kur dikujt mund t’i duken të pamundura. Por, mbi të gjitha, është tepër emocionuese kur sheh se emri yt renditet mes 10 maturantëve më të mirë të Shqipërisë dhe kur kupton që në fund të fundit gjithçka ia ka vlejtur.
Gjithnjë më kanë thënë se puna shpërblehet dhe gjithnjë e kam besuar këtë frazë. Për këtë arsye kam studiuar sistematikisht e kam ruajtur të njëjtin ritëm studimi përgjatë çdo viti shkollor. Sa herë që ndjeja vështirësi, kujtoja qëllimet që i kisha vendosur vetes dhe vazhdoja përpara, pasi nuk studiova aq shumë për të ndaluar në atë pikë. Gjithashtu, një ndihmë shumë e madhe ka qenë mbështetja e pakushtëzuar e familjes në çdo hap timin.
Çfarë pasioni ka Ersuina përveçse të studiojë?
Kohën e lirë më pëlqen ta shpenzoj sërish midis librave dhe shkrimit. Më pëlqen të lexoj romane dhe të shkruaj sadopak. Gjithashtu më pëlqen muzika, më qetëson dhe më jep kënaqësi shpirtërore. Kur kam qenë e vogël kam marrë pjesë në aktivitete të ndryshme në fushën e këngës. Më pas, me fillimin e gjimnazit, u përkushtova kryesisht te studimet duke e përcaktuar si gjënë më primare që do të më çonte drejt realizimit të ëndrrave të mia.
Duke qenë ekselente a kishit dilema se çfarë do të studionit, si e vendosët? Cilin universitet keni zgjedhur?
Përzgjedhja e degës së studimeve është një dilemë sa e bukur, po aq dhe e vështirë, pasi, së pari, në moshën time, është normale të kesh mëdyshje në lidhje me drejtimin që do t’i japësh jetës, dhe së dyti,si nxënëse ekselente, e shoh veten herë në një profesion e herë në një tjetër. Por gjatë gjithë kohës kam qenë e vendosur të studioj mjekësi. Mjekësia më është dukur gjithmonë tërheqëse. I adhuroj lëndët si biologjia e kimia, por gjithashtu ndiej se profesioni i mjekut më përshtatet me personalitetin që kam. Është një profesion fisnik dhe nëpërmjet tij do të ndihmoja të tjerët përpos rrethanave. Por disa dyshime më lindën pak ditë para provimeve të maturës, kur lexova një artikull që bëri të më pëlqente inxhinieria informatike, sepse e ardhmja po orientohet gjithnjë e më shumë drejt teknologjisë. Që atëherë kam qenë pak në mëdyshje, por megjithatë peshorja vazhdon të anojë nga ana e mjekësisë, sepse fundja ky ka qenë synimi i gjithë këtyre viteve.
Kam aplikuar në disa universitete brenda vendit, te Universiteti i Mjekësisë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës, si dhe në dy universitete private. I kam menduar si alternativat më të përshtatshme për të ndjekur studimet e larta.
Pse zgjodhët për studime Shqipërinë?
Kam aplikuar në disa universitete brenda vendit, te Universiteti i Mjekësisë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës. Po ashtu, kam aplikuar edhe në dy universitete private. I kam menduar si alternativat më të përshtatshme për të ndjekur studimet e larta. Një nga dëshirat e mia është që të studioj jashtë. Këtë vit nuk kam aplikuar jashtë vendit dhe as nuk më është ofruar një bursë për këtë gjë. Por, përse jo, në vitet në vazhdim do të ishte një mundësi shumë e mirë, pasi mendoj se mund t’u shërbej më shumë njerëzve, sidomos në profesionin e mjekes.
A keni pengje, ndoshta sepse nuk do të ndiqni në rrugë profesionale pasionet tuaja?
Deri më sot nuk kam bërë ndonjë zgjedhje që më ka bërë të pendohem, pasi mendohem shumë dhe mundohem të vlerësoj të mirat dhe të këqijat para se të vendos. Çfarëdo që të zgjedh do të jetë më e mira për të ardhmen time, ndaj mendoj dhe shpresoj se nuk do të kem pengje. /Ra.My.Fjala.al/